Në kujtim të prof. Mentor Qukut, sipas shkrimit të z. Kolec Çefa

0
52

Dërgoi për publikim, Gjin Musa

Përgatitja e specialistëve në fusha të ndryshme të dijes, të artit, të kulturës etj. për probleme të veçanta, asht një nevojë, një dobi e, në të njajtën kohë, një mungesë që lypë të mendojmë.

Në enciklopedinë e kulturës shqiptare, zani “Mjeda” e ka gjetë specialistin e vet, studiuesin Mentor Quku, i cili për tridhjetë vjet rresht, ndër arkiva e biblioteka, ndër seminare e aula leksionesh, ndër ambiente shoqnore e njerëz të veçantë, mbrenda e jashtë vendit, ka kërkue, zbulue, hulumtue e grumbullue dijet e njohunitë për Mjeden e, si një kalamitë e fuqishme i ka thithë këto dije, si një bletë e zellshme ka përpunue landën e tyne ushquese, e si një bimë e shëndetshme ka lidhë frutin, frutin e mundit, djersës, sakrificës tridhjetëvjeçare e na ka dhanë veprën e vet “Mjeda” në 7 vëllime, tue na paraqitë Mjeden si njeri me karakter, si poet lirik i formuem, si dijetar shumëdimensional. Pra, si një kulm arti e si një dijetar thellësishë. Por, si thotë Shantoja: “Horizontet e mëdha nuk rrokën me një shikim”, edhe Mentori ynë na ka dhanë shtatë vëllime Mjediane; theksoj: një Mjedë në shtatë vëllime, tue davaritë shtëllunga të zeza reshë të socializmit jo realist, tue kthjelltësue tymtajë keqinterpretimesh e miratimesh malinje për të na ndriçue këtë personalitet të kulturës shqiptare.

Mjeda 1 (1866-1888) Rinia.
Mjeda 2 (1888-1889) Albanologu.
Mjeda 3 (1899-1912) Atdheu
Mjeda 4 (1912-1925) Politikani
Mjeda 5 (1925-1937) Pleqëria
Mjeda 6 Bibliografi
Mjeda 7 Bashkëkohësit.

(Paraqet Mjeden në kujtimet e bashkëkohësve. Për idenë origjinale, asht një vepër e parë e llojit në letrat shqipe).
Në tre vëllime tjera ( 8-10), autori do me permbledhë krijimtarinë e plotë të Mjedës.

Pra, një vepër gjanësisht e imtësisht e dokumentueme: nuk ka harrue asnjë shkrim a indikacion që mund të jetë i dobishëm me njohtë a me kuptue Mjeden. Autori të ngjallë dëshirën, sidomos në këtë kohë korrigjimesh, të njohim ma mirë Mjeden, mbasi vepra nuk ka analizë klasore, as mllef partiak, as frymë paragjykimesh. Ka ndonjëherë entuziazëm, por jo indoktrinim; ka ndonjëherë ekuivoke e përsëritje, por jo spekulim. Kështu, vepra me materialin e pasun e të larmishëm, me burimet e shkrueme e të dhanat gojore, me ngjarje e episode të reja, me dokumenta, fakte e kujtime, me ditare, intervista e letra, na rezulton si një vëllim që na ofron një kontribut të randësishëm, plot vlera njohëse e edukuese. Dhe na duhen këto vepra, për të ndërtue themele të reja në kulturën tonë kombëtare, për një formim të ri intelektual, ma objektiv, ma të drejtë, ma shkencor.

Për të studiue Mjedën, kemi, kryesisht, dy monografi: e, si studime zyrtare, Historinë e Letërsisë Shqipe dhe Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, monografi e studime tipike të politizueme që, pavarësisht, kanë edhe të dhana e analiza të mira, por përmbajnë gënjeshtra socialiste: pohime të pasakta e të gabueme, keqkuptime e shtrembënime tendencioze e spekuluese, shkrue pa shumë edukatë që krijojnë dangë në ndërgjegjen e letrave socialiste. Mbas këtyne studimeve, parë në kandveshtrim të ri e vlerësim kritik, vepra që po recensojmë na paraqitet ma e pasun në material faktues e informues, herë edhe analizues e interpretues, ma e plotë, ma leale, ma e pastër, pse e shkrueme, si do thonte Kuteli, “pa dhunë e përdhunë”, por me sens e buon sens.

Kështu, jeta si student e veprimtaria e tij para se me kthye në atdhe asht ndriçue me të dhana të reja; ndonjë koment i keqinterpretuem nga kritika socialiste asht dritësue e ma afër së vërtetës e jo si shprehet kritika marksiste-leniniste se “mjedisi jezuit është një burg dhe jeta që bëhet aty, është një jetë e ndrydhur, e padurueshme, shtypëse, skllavëruese, sfilitëse”.

Te vepra e Mentorit na njohim e shijojmë portretin e vërtetë të Mjedës: meshtar i mirë, patriot i flaktë, gjuhëtar i vlertë, dijetar i shquem. Marrëdhaniet Mjeda-jezuitët, Doçi-Mjeda, Mjeda-Fishtë janë paraqitë në një fokus të ri: pa shpifjet socialiste, pa thashethemet e pabazae pa keqinterpretimet e qellimshme, por ma drejtë, ma qartë, ma të dokumentueme. Pra, një Mjedë jo i sulmuar “nga një rrymë e tërë klerikale, rrënjët e së cilës duhen parë në Vatikan”, a si thonte Enver Hoxha: “ i neveritur, dënuar dhe persekutuar nga Vatikani dhe agjentët e tij”.

I dhanun mbas Mjedës, autori enntuziazmohet e shkruen: “Mjeda krijoi shoqëritë Agimi, Bogdani, Shën Jeronimi”. Në të vërtetë, shoqnitë Agimi e Shën Jeronimi, i ka krijue Imzot Mjeda, i cili dihet se hapi shkolla, themeloi shoqni, pruni shtypshkrojë në Shkodër, krijoi Grupin politik “Ora e maleve”, studioi e botoi për kanunin e shkrou poezi fetare, publikoi gazeta e revista, ndihmoi autorë të ndryshme për botime, organizoi shfaqje. Pra zhvilloi veprimtari shoqnore të pasun e të larmishme. Ndërsa shoqninë Bogdani e themeloi një grup të rijsh me Atin jezuit Gjenovicin. Në arkivëzën time ruej dosjen e dokumentave të kësaj shoqnie (mbasi im at ka qenë ndër themeluesit kryesor).

Bogdani u themelue me 23.11.1919 në prani të Pader Gjenovicit, i cili i fali disa libra për bibliotekë dhe botimin e parë të veprës së Imzot Bogdanit, ndërsa në listën e anëtarëve të shoqnisë që ruej unë, Dom Ndre Mjeda asht regjistrue si anëtar nderi, më 30.11.1923 e në pasqyrën përmbledhëse të llogarive, shënohet se i ka dhurue shoqnisë 20 florij. “Rrallë ka ardhë në mbledhje e ma rrallë ka diskutue, më thonte im at. Ndryshe Fishta. Ai ka bashkëpunue me shoqninë tonë”.

Historianë, historianë të arsimit dhe artikujshkrues, pohohet edhe nga autori ynë, kanë shkrue se shkollën e Iballes e hapi Ndre Mjeda, në fakt, me gjithë kontributin e dhanë, atë shkollë e ka hapë Imzot Lazër Mjeda me subvencione protektuese. Edhe për shkollën e Prizrendit, shkruejnë se e ka hapë Mati Logoreci, në fakt, e ka hapë, ma saktë rihapë, Imzot Logoreci, ndersa Matia ka qenë mësuesi (i parë). Meqë vepra asht ende në proçes, nuk mund të shprehemi, por po baj një saktësim. Autori shkruen: “…për seminaret jezuite, Mjeda është i vetëdijshëm për arsimin perfekt që merr aty”. E, ma poshtë: “ Mjeda e perjetoi kurbetin si pasojë e dëshirës së tij për t’u arsimuar në Shoqërinë e Jezuitëve”. Saktësoi: Jo “për t’u arsimuar”, por për thirrjen e tij të mbrendshme meshtarake e pastaj për misionin e tij meshtarak, që në fakt e vazhdoi deri në vdekje. Përndryshe, do të ishte një gënjeshtër nga ana e Mjedës, një hipokrizi.

Vetë autori pohon një të vërtetë më poshtë: “Mjeda ishte fetar i bindun dhe klerik i vendosur”. Çka do të thotë: Mjeda e kishte thirrjen e mbrendshme dhe e realizonte misionin meshtarak. E, si shkruen Gazulli: “pse ndërroi (punë për të) petkun e jezuitëvet me veladon të priftit. Por veladonin e priftit e mbajti me nder”.
Edhe lëvizjet e Mjedës si student nga një vend në tjetrin, për arsye objektive të jezuitëve, janë pa mirë nga autori “si lëvizje të detyruara të seminareve jezuite” e jo si shkruen një biograf: “për ta bërë kozmopolit, cinik e egoist, pra një jezuit të denjë”, as si më thonte një profesor imi “për arsye indisiplinore”.

Kontributin Mjedian për alfabetin e ka studiue mirë autori, por do të rimerret, kur të shkruejë për Kongresin e Monastirit. Unë kam dhanë një mendim të panjohun të Fishtës, tue botue për herë të parë fragmentin nga intervista dhanë Gjiros: “…u ndie nevoja të arrijmë në përfundimin e një alfabeti të vetëm për të gjithë e të zhdukim në mënyrë konsekuente tanë listën e këtyne alfabeteve që për aq vjet kishin krijue një seri arsyesh për kundërshtime të mbrendshme, … ia arrijta me përshtatë alfabetin latin për krejt vendin… shmanga, natyrisht, pedanteritë e gramatikanëve e stërhollimet e filologëve, për t’iu afrue mbi të gjitha burimit të gjallë të gjuhës së folun”.

Në kët thanie ka edhe një të vërtetë që randon edhe mbi Mjeden, pavarësisht që nuk i përmendet emni. Shtoni, pastaj, shënimet që kemi nga P. Pal Dodaj, P.Pashko Bardhi, e kujtimet gojore nga P. Justin Rrota e P. Viktor Volaj për të dalë te e vërteta mbi qëndrimet e Fishtës e të Mjedës për çashtje të alfabetit në Kongres, të cilin presim se do ta shtjellojë Mentori (ndryshe nga artikujt e studimet e politizueme), në vëllimet e ardhshme. E, së bashku me këtë, edhe qëndrimin pozitiv të jezuitëve (aq të përfolun) për problemin e alfabetit.

Por ajo që na pëlqen të theksojmë asht bashkimi në ndryshime i këtyne personaliteteve. Mjaft të kujtojmë që Fishta, Mjeda, L.Gurakuqi e Logoreci i dërguen një telegram të përbashkët ( deri tash i lanun në hije) jezuitëve për vendimin e alfabetit. Fishta, madje, i shprehu një vlerësim shumë të mirë konsullit austriak për Mjedën dhe shënimet për divergjencat etj. mbajtë gjatë seancave, lanë detyrë të shkyheshin.
Rreth emnit të nanës së Mjedës: Luçie?, Domenikë?, Luke?

Të gjithë biografët dhe artikujshkruesit që janë marrë me studime për Mjeden kanë shkrue se Nana e Mjedës quhej Luçe. Së fundi erudisti mjedian Mentor Quku ka parapëlqye ta quej Luçe nanën e Mjedës, por për të qenë mbrenda, ka dhanë gjithçka asht shkrue për këtë pikë. Kryesisht dy mendime:
Domenika asht ekuivalent me emnat Dilë, Diellë, Luçe, Luçie, Luke.
E ama e Mjedës… ka pasur dy emra: Domenika, Diella, Dile dhe Luçie, Luçe, Luke. Për saktësi ka shkrue edhe se regjistri i pagëzimeve të famullisë së Shkodrës e ka Domenica.

Mendimi ynë: Kur malësorët tanë kanë dashtë me u vu emna paganë fëmijëve të tyne, meshtarët, tue dashë që katoliku të ketë emnin e një pajtori e ta kujtojë e ta festojë emnin, e kanë regjistrue në regjistrat e tyne me një emën fetar të përafërt. Kështu, p.sh. Marash, Mirash, Mirak, Mirocë i kanë afrue emnin Mark. Kështu edhe emnit Luke i ka afrue emnin Luçe, Luçie edhe emnin pagan Diellë e ka barazue me emnin kristian Domenika, ndonëse nuk ka lidhje mes tyne, aq ma pak lidhje gjenetike. Po edhe emnat Domenika me Luçe janë afrue, megjithëse pa kurrfarë lidhjeje. Emni Domenikë asht përkthimi i fjalës ditë e dielle.

Përfundojmë: Nana e Mjedës asht quejtë Luke. Tashti, emni Luke vjen nga zhvillimet Diell, Dilë, Dilicë, Dilore, Diluke e shkurtimi Luke, pra: emen pagan, që nuk lidhet gjenetikisht as me Luçe, as me Domenikë. Emni Luke mund të dalë edhe nga emni Çiluke, por në rastin tonë jo! Pa u largue, edhe dy fjalë për emnin e të vëllait të Mjedës: në vepër shkruhet Zuku, si e ka Mjeda, që unë e marr si një grafi të kohës.

Emnin Zuk ndonjë gjuhëtar e merr si emen të vjetër, madje ilir dhe i afron emnin tjetër Zuku Bajrakar. Emni i Imzot Mjedës, në të vërtetë, asht Cuk që vjen nga Lazër, Lacë, Lacuk, Cuk. Edhe ndonjë emërtim nga sfera kishtare duhet korrigjue në botimet e ardhshme.

Tue përfundue, nuk gjejmë fjalë për të përmbledhë e shprehë saktë mundin e madh e ndihmesën e vlefshme që ka dhanë autori për Mjedën, por tham vetëm këtë: kjo vepër themelore do të mbete gjithherë vepër referimi në studimet mjediane.

Mentorit i lumte dora, na e gezofshim Mjeden.