Nga Mero Baze, 16 Gusht 2013
Ka një retorikë të shtuar nga Sali Berisha rreth mënyrës se si do t’i rezistojë një veprimi antiligjor që transformon jashtë rregullave pasuritë kombëtare të shqiptarëve. Është fjala për interesat financiare të treshes Nishani- Berisha- Basha për ndërtime në selinë ekzistuese të Partisë Demokratike dhe procedurën antiligjore për të kthyer në pronë të Partisë Demokratike një pasuri të ushtrisë shqiptare.
Po përpiqet ta forcojë këtë retorikë në medien e vet, përmes zëdhënësve, por dhe vet nga goja e tij në mbledhjen e qeverisë, duke kërcënuar ushtarakët që pret të protestojnë.
Është një retorikë dhune, që nuk ka të bëjë me mbrojtjen apo jo të një veprimi ta paligjshëm që ka bërë. SHQUP për ushatarakët e mbron ligji dhe po ashtu të drejtën e PD për të qëndruar në selinë e saj, ku ka 20 vjet, e garanton ligji. Problemi real që ka Berisha me retorikën e dhunës që po përdor, është të gjejë një kauzë për opozitën e re të Lulzim Bashës.
Duke qenë i ndëshkuar me 1 milion vota kundër, me një bilanc katastrofik ekonomik, me një dështim të skajshëm të çdo privatizimi të pasurisë kombëtare, me një risk të rritur për sistemin bankar dhe gjendje trumatike për biznesin, Sali Berisha i zbuar për në opozitë nga shqiptarët, nuk ka me se mbrohet më në opozitë.
Është kjo arsyeja që me urgjencë, këto dy javë, ai dhe i emëruari i tij në krye të PD-së, kanë shpikur operacionin për marrjen e SHQUP, jo se mund ta marrin, por se u duhet një kauzë konflikti me pushtetin.
Plani për marrjen e SHQUP nuk ka ekzistuar as para 22 korrikut në zgjedhjet e PD, dhe as ka qenë në objektivat e PD-së për këto tetë vite, se përndryshe do ta kishin bërë pa ndonjë problem. Biles nga viti 2009 deri në vitin 2013, PD ka pasur më shumë vota se kurdoherë tjetër në historinë e saj, përjashto vitin 1992, pavarësisht si i ka marrë. Me rezultatin e 23 qershorit, PD i bie të dorëzojë ndonjë kat nga selia që ka dhe jo më të marrë zgjerim, siç po tenton të bëjë Berisha.
Pra, e gjithë kjo tregon se marrja e SHQUP nuk ka qenë një plan i vjetër. Plani i vjetër ka qenë në vendin ku është PD-ja, ku treshja Nishani- Berisha- Basha të bënin një gradaçelë, ku të përfshinin dhe PD-në brenda. Pas 22 korrikut, të mbetur pa kauzë dhe me dy kryetarë opozite, Berisha po kërkon një kauzë konflikti, që të ketë mundësi dy muajt e parë të opozitës, siç e ka zakon, të nxjerrë njerëzit përditë në rrugë për një kauzë që në themel është thjesht një plan biznesi i treshes Nishani- Berisha- Basha.
Nuk dua t’i hyj fare debatit sa fuqi ka Berisha të rrëzojë qeverinë me forcë dhe protesta për shkak të SHQUP dhe as t’i kujtoj atij 21 janarin që i la trashëgim demokracisë shqiptare, por di të them qartë se ai nuk është duke bërë betejë as për të mbrojtur selinë e re të PD-së dhe as për të rrëzuar qeverinë, por për të gjetur një arsye të ndihet që është gjallë dhe pas 10 shtatorit, kur telefonit të tij do t’i bjerë vetëm djali dhe vajza për ndonjë telash që mund t’u lindin nga pazaret tetëvjeçare me pushtetin. Ajo që ka nevojë Sali Berisha pas 10 shtatorit është të jetë i përfillur, të jetë në qendër të vëmendjes dhe të jetë natyrisht lideri real i opozitës.
Është kjo arsyeja që bën si i fortë, që bën sikur kërcënon, që bën sikur ndjell konflikt me ushtarët apo qeverinë e re. Thjeshtë, si një lider i mundur dhe i urryer nga shqiptarët, si një kryeministër që ka vjedhur dhe ka vrarë, si një fytyrë e nevertishme e politikës shqiptare dhe të djathtës shqiptare, ai mendon se mund të emocionojë dikë me kërcënimet e tij. I duket vetja i fortë pas xhamit të blinduar të Kryeministrisë, pas eskortave me roje dhe banditë që i shkojnë ende pas. Janë ethet e fundit të një njeriu që nuk e pranon dot se shqiptarët nuk e duan dhe mendon se ka gjetur një arsye të bëjë luftë me ta.
Lëreni ta jetojë këtë ëndërr. Lëreni ta shijojë luftën që ka në mendje. Është mirë ta shikojë sa frymë do ngjallë kauza e tij e luftës së re opozitare dhe kush do t’i trembet atij. Lëreni ta provojë të përplaset me shtetin dhe popullin, për më tepër tani që ka çfarë humbet, përveç pushtetit. Harta e pasurive të tij të paligjshme, është tani në mendjen e çdo shqiptari, duke filluar pak metra përballë SHQUP-it. Ndoshta pas asaj e kupton që pas 23 qershorit është thjeshtë një kufomë që dekompozohet përditë dhe kutërbon aq shumë erë, sa mban larg dhe njerëzit e vet.
Por, mbi të gjitha lëreni të flas përditë. Kështu e ka të sigurt fundin që po kërkon!