Falënderim. Është shumë pak për një njeri si unë, që isha pranë vdekjes. Megjithatë e ndjej për detyrë ta bëj një gjë të tillë, në shenjë njerzillëku e qytetarie ndaj atyre njerëzve që me punën, profesionalizmin dhe dedikimin e tyre më rikthyen në jetë.
Jo shumë kohë më pare, në gazetën tonë të nderuar “ALBANIA PRESS” kam bërë një shkrim me titullin sinjifikativ “Aty ku Nanë Tereza jep jetë dhe shpresë”. Ishte një reportazh nga “shtëpia e bamirësisë”, të cilën diçka më shumë se dy dekada më parë e pat celebruar Nanë
Tereza. M’u kujtua titulli i këtij shkrimi kur këto ditë pikërisht unë përjetova një ngjarje të
pazakontë në jetën time. Ose më mirë me thënë ishte një prag-ndarjeje me të. Kam përjetuar kësisoj ngjarjen më të rëndë në jetën time, aq sa më pranë kisha vdekjen sesa jetën.
Them kështu sepse në një prej këtyre ditëve të fundit të janarit 2014 kalova edhe në vdekje klinike. Por jeta qenka e gjatë. Ishte pikërisht shpresa, që predikonte dikur Nanë Tereza, që më ktheu në jetë. Në Spitalin kardiologjik “San Filipo Neri” të Romës më dërguan me urgjencë. Isha një i huaj në një vend që kisha emigruar prej shumë vitesh. Por edhe pse i tillë i
gjithë personeli i spitalit u ngrit në këmbë për të më shpëtuar jetën.
Doktorët Nicola Montefeschi, Carlo Pignalberi, Nadia Aspromonte si dhe personeli i shërbimit të infermierëve me në krye Augusto Bellerba, Gaia Moretti, Francesco Fisco dhe Libiana Paolucci. Ishte vërtetë një luftë mes jetës dhe vdekjes, midis një profesionalizmi të përsosur dhe një humanizmi të pashoq.
Edhe pse unë isha i huaj, pra emigrant në këtë vend, të gjithë më quani njeriun e tyre. Ishin minuta, orë, ditë të mbartura me emocione e ankth të paparë. Nuk kishte bërë efektin e duhur as
ndërhyrja e menjëhershme e zotit Augusto Berbella, i cili bëri një ndërhyrje artificiale
për të më kthyer në jetë. Mjekët i ofruan bashkëshortes sime një letër për ta firmosur.
Operacioni në zemër ishte e vetmja mënyrë shpëtimi.
Ashtu u bë. Në mbikëqyrjen e vazhdueshme të të gjithë personelit u riktheva në jetë. Për të normalizuar të rrahurat e zemrës, mjekët më vunë një mekanizëm (PaceMaker), i cili bën të mundur funksionimin normal të saj. Tani ndjehem mirë. Ndaj dhe në shenjë respekti për atë ndihmë të paçmuar të këtyre mjekëve po shkruaj këto fjalë falënderimi, që gjithsesi më
duken pak sepse nuk e di sesa e justifikojnë interesimin e madh të këtij personeli.
Ditët kalojnë dhe unë çdo ditë e ndjej veten më mirë falë punës plot pasion e profesionalizëm të personelit të këtij spitali, falë humanizmit të tyre dhe përkushtimit njerëzor, që siç thashë edhe pse isha i huaj më konsideruan si njeriun e tyre. Familja, të afërmit e mi, shokët dhe miqtë që më vizituan në këto ditë vështira asnjëherë nuk u penguan, përkundrazi u pritën
dhe u përcollën si njerëz të njohur, si njerëz të privilegjuar.
Nga gazeta jonë e nderuar dua t’i përcjell personelit italian të këtij spitali përshëndetjet më të sinqerta dhe urimet më të mira. Fjalët mbase janë pak për të përcjellë gjithë atë dashuri e respekt që ata treguan ndaj meje por sigurisht që janë shprehje e asaj mirësie që
ndjen njeriu për njeriun. Unë shkruaj këto fjalë të ngrohta ndaj atyre njerëzve, që kthyen
në jetë një emigrant, një bashkëshort, një baba, një bashkëqytetar tashmë prej më shumë se 20 vjetësh në Itali, që për vështirësi ekonomike emigroi nga Shqipëria në këtë vend mik.
GJIN MUSA, Gazetar