Nga Ben Andoni *, 1 Shtator 2013
I shikoj pak konfuze lëvizjet e këtyre dy muajve, të vetëkënaqura dhe jo shumë afër asaj që është shpalosur në fushatë. Por, që gjithsesi, në një logjikë normale 300 ditët e para do të jenë shumë më të mira nga qeverisja pa qeveri e muajve dhe viteve të fundit të z.Berisha. Nuk më duket shumë e arsyeshme mbledhja e propozimeve dhe e individëve nga ana e strukturave të PS-së. Zakonisht, në këtë qerthull përfitojnë, kur ndërrohen pushtetet, të gjithë ata që janë mësuar të vegjetojnë.
Ndërsa, struktura për të ndërtuar një qeveri efikase fillon kohë e kohë më parë dhe ngjitja në qeveri ka lidhje thjesht me implementimin. Por, si e thashë dhe pak më parë, në gropën ku është vendi çdo lëvizje jashtë drejtimit të tanishëm do të duket pozitiv. Të 300 ditët e para do të jenë të mjaftueshme si afat që të shpaloset realisht potenciali socialist jo vetëm me fjalë por edhe me vepra. Ndaj, në fund të kësaj kohe, duhet të ketë gjithnjë e më pak justifikime nga socialistët për gropën që ka lënë qeveria paraardhëse. Dyshoj se do të kemi ndryshim aq të madh, të paktën ekonomik, atë për të cilin janë të interesuar kryesisht familjet shqiptare. Vendi është në parametra shumë regresivë dhe mbi të gjitha nga ana sociale është tepër i lodhur.
Opozita e re
Nuk po ravijëzohet asgjë në lëvizjen opozitare dhe prirja e sotme e kësaj partie më duket peng i Berishës dhe i të fortëve të PD-së. Më vjen keq që PD-ja nuk bëri ose ende nuk po duket të bëjë një analizë të qartë të humbjes dhe një ndarje të fajit. Në ato që ka përcjellë media, ish-zyrtarët e PD-së në ekzekutiv e transferuan fajin, kur ata larg kupolës ua lanë atyre. Besoj se në kohët e para Opozita do jetë shumë kaotike dhe thjesht do kundërshtojë çdo nismë të bërë nga maxhoranca.
Do kapen me gjëra shumë larg problemeve reale të vendit. Kuptohet se problemi më i madh është se barra që i është vënë z.Basha mbi supe e tejkalon aftësinë e tij. Duhej, që në këtë moment, ai të kishte kurajën dhe jo si në herët e tjera, që të mos e pranonte postin, me të cilin sot varet fati jo vetëm emocional i shumë simpatizantëve të PD-së. Sa për pyetjen tuaj: Peng do të ishte fjalë e madhe dhe potente. Ndërsa më duket pak si skllav pa asnjë të drejtë të ketë as edhe zërin e vet.
*Kolegët Koçiko dhe Andoni në dy opinionet e faqes së sotme u janë përgjigjur pyetjeve të Ditës mbi pritshmëritë për qeverisjen dhe opozitën e re