Në garë për të rivlerësuar Berishën!

0
28

Nga Mero Baze, 1 Korrik 2013

Partia Demokratike po nxiton t’i ikë një debati real mbi disfatën homerike të zgjedhjeve më 23 qershor, duke u përpjekur të sajojë një garë false në qendër të së cilës është rivlerësimi i figurës së Sali Berishës. Gara ka përfunduar pa nisur. Lulëzim Basha është emëruar de facto kryetar i ri i PD-së nën drejtimin e Berishës, ndërsa disa kandidatë të tjerë që duan të ripozicionohen në parti, po bëjnë rolin e garniturës. Sokol Olldashi, Arben Imami, Eduard Selami, dhe ndoshta dikush tjetër, që kanë nevojë të kenë një karrierë më të gjatë politike brenda PD-së, janë përfshirë pa asnjë mëdyshje në lojën që po dirigjon Sali Berisha.

Gara e nxituar për kreun e PD-së është false pikësëpari se nuk po zhvillohet në kohën e duhur. Partia Demokratike ende nuk ka dorëzuar pushtetin dhe garuesit janë ende në zyrat e shtetit. Ministrat që po kandidojnë janë shkaktarë të humbjes së thellë të Partisë Demokratike, ndërsa Lulëzim Basha është simbol i votës plot urrejtje që qytetarët dhanë kundër PD-së duke e zbuar atë dhe nga bastione të tilla si Njësia 8 në Tiranë, ku PD nuk ka humbur as më ‘97 as më 2000.

Ajo që ka nevojë urgjente Partia Demokratikë është të qetësohet, të marrë frymë nga humbja dhe të meditojë për arsyet reale të humbjes së saj. Ka nevojë të flasin personalitete e mënjanuara të saj, ata që kanë ndonjë ide përse shqiptarët u ngritën në kryengritje kundër pushtetit të Sali Berishës. Ky reflektim normal fillon pas muajit shtator, kur ministrat të kenë dalë nga zyrat, militantët të kenë lëshuar postet e zaptuara pa meritë dhe kur biznesmenët mos të kenë më nevojë të takojnë Zenin apo Gitën për të bërë ndonjë punë. Ajo është koha kur PD-ja duhet të ndjejë veten në opozitë dhe të ketë nevojë të zgjedhë një njeri që di të bëjë opozitë dhe ta udhëheqë atë drejt rimëkëmbjes.

Ajo që po ndodh tani, është një nxitim kriminal për të mos bërë asnjë analizë drejt humbjes, por të reflektohet rreth lotëve të derdhur për ikjen e Sali Berishës nga pushteti. Kështu, gjithë fushata mbështetet mbi atë se kush është më besnik i Sali Berishës dhe jo kush do të ndryshojë të ardhmen e PD-së për t’i shpëtuar trashëgimisë së Sali Berishës. Basha dhe Olldashi, dy konkurrentë në dukje kryesorë, po përpiqen të bëjnë fushatë me SMS-të e Shkëlzenit dhe Argitës, dhe thashethemet për mbështetjen e Berishës.

Ata po rreken të rivlerësojnë Sali Berishën dhe trashëgiminë e tij për arsyen e thjeshtë se dinë që zgjedhja e tyre në krye të PD-së nuk bëhet sipas parimit një anëtar- një votë, por vetëm me një votë, atë të Sali Berishës. Në këtë pikë kjo është një garë e shëmtuar, e pasinqertë dhe fyese për demokratët e vërtetë që do të vazhdojnë të mbeten në opozitë nga pafuqia për të refuzuar një trashëgimi që i shërben vetëm Familjes Berisha.

Edhe më e shëmtuar është kjo garë për kandidatët e tjerë përveç Lulëzim Bashës, i cili e ka siguruar emërimin nga kryetari. Ata po bëhen fasadë e një procesi, të cilin duhet ta refuzojnë me neveri. Kjo tregon se ata janë pjesë e një mentaliteti dhe si të tillë nuk meritojnë të fitojnë, por meritojnë të përfaqësohen nga një njeri që di ta bëjë më mirë se ata bythëlëpirjen e Familjes Berisha, i cili është Lulëzim Basha.

Problemi i dytë që ka kjo garë, është mungesa e guximit për të pasur një platformë anti-Berishë në garë dhe një ide për të bashkuar në PD çdokënd që është viktimë e berishizmit. Të konkurrosh për të marrë kreun e PD-së nën moton kush e do më shumë Sali Berishën, siç po kandidojnë kandidatët aktualë, jo vetëm që është një tallje e madhe, por dhe një humbje e madhe kohe, pasi njeriu që e do më shumë Sali Berishën dhe di t’i bëjë shumë mirë rolin e tij, është vetë Sali Berisha, i cili nuk ka vdekur dhe po drejton partinë. Në këtë pikë nuk ia vlen të investohemi tek kopje të paafta të tij, pa asnjë personalitet.

Në PD duhet të konkurrojë berishizmi me të kundërtën e tij, dhe shpresa vjen nga triumfi i kësaj të dytës. Vetëm një kandidat që çon partinë drejt reformës së thellë politike anti- Berishë, ka shanse të hap partinë për një frymë të re dhe të përfshijë dhe berishistët brenda vetes. Çdo triumf i kopjeve të këqija të Berishës, thjesht rrit shanset që PD të jetë parti e tretë në zgjedhjet e ardhshme.

E treta, por që ka shumë rëndësi për zhvlerësimin e kësaj gare, është dhe platforma brenda berishistëve që po konkurrojnë. Lulëzim Basha është figura perfekte për të qenë “dhëndër brenda” i pushteti të Familjes Berisha, jo vetëm pse është i gjatë dhe i bukur siç thotë Grida, por se ka lejen e duhur të flasë për hapjen e PD-së, të bëj aleatë Bamir Topin dhe Besnik Mustafajn, të luajë me kartën e veriorit në një parti, që ka humbur jugun më keq se në vitin 1997, dhe t’u japë garanci bandave të afërta me Familjen Berisha se nuk do t’i tradhtojë.

Problemi i tij i vetëm është që nuk fiton dot asnjë garë po nuk ndryshoi rregullat e lojës. Njësoj si në vitin 2011, kur Berishës ju desh të ndryshonte rregullat pasi mbaruan votimet për ta bërë kryetar të dhunshëm të Tiranës, edhe tani Berishës siç u pa ju desh të ndryshojë statutin e partisë për t’u bërë kryetar i PD-së, pasi ka frikë se strukturat e partisë nuk ja votojnë.

Në këtë pikë shihet hapur se Berisha është investuar për Bashën, për të pasur në krye të PD-së një njeri që shpreson të mbrohet politikisht nga hapja e dosjeve dhe burgosja e mundshme nesër, për shkak të një dosje korrupsioni dhe një dosje të vrasjeve politike. PD po hyn në një garë false jo për të gjetur një kryetar, por për t’i gjetur Bashës një parti, që ta mbrojë nga e shkuara e tij në shërbim të pushtetit të Familjes. Olldashi, i cili duket më i pasinqerti me veten dhe mbështetësit e PD-së në këtë garë, nuk ofron asgjë.

Ai as mund ta bashkojë PD-në, as mund të pranohet nga ata që janë larguar nga PD-ja, dhe as ofron mundësi bashkëpunimi me segmente të pushtetit të ri siç ofron Basha. Ai është jugor, i refuzuar në jug. Në dy qarqet e jugut, Vlorë dhe Fier, PD-ja ka marrë më pak se në vitin 1997, kur votat e i numëronte Zani Çaushi me shokë. Ai nuk rivalizon dot në PD as si jugor, as si durrsak, as tirons, as si njeri me personalitet të pavarur nga Berisha dhe as si një shpresë për fitore. Ai thjesht është pjesë e marrëveshjes së Familjes për të imituar një garë që ata të mos bëjnë kurrë garë për kreun e PD-së. Është e vetmja gjë që di të bëjë.

Demokratët e vërtetë duhet ta refuzojnë këtë garë dhe duhet ta ndalin këtë ballo me maska, që luhet mbi kurrizin e tyre. Ata kanë nevojë për një lider fitues dhe jo për një lider që të mbrojë Berishën nga humbja. Dhe mbi të gjitha duhet të presin t’i bëjnë zgjedhjet kur të jenë në opozitë. Atëherë kur të mos kenë më rrotull roje, badigardë, banditë dhe biznesmenë që janë ushqyer nga pushteti i atij që u refuzua nga shqiptarët.