Në emër të vlerave të islamit shqiptar

0
49

BESNIK MUSTAFAJ, 17.01.2012

Pak javë më parë, në prag të festave të fundvitit, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shpërndau një botim ku paraqiti të ilustruar edhe me fotografi veprimtaritë e këtij Komuniteti në periudhën shtator 2010 – tetor 2011. Është një botim i një cilësie të mirë jo vetëm përsa i përket aspektit tipografik – dhe paraqitja tipografike e një botimi ka doemos rëndësinë e vet, – por, mbi të gjitha, do të doja të tërhiqja vëmendjen mbi cilësinë e mirë të përzgjedhjes dhe të sintezës së informacionit mbi jetën e pasur institucionale, teologjike, kulturore, arsimore, publike dhe diplomatike të këtij Komuniteti në harkun kohor të një viti, në përputhje me qëllimet dhe objektivat e veta imediate dhe strategjike.

Siç del qartë edhe në informacionin e bollshëm të këtij botimi, objektivat kryesore imediate dhe strategjike të Komunitetit Mysliman Shqiptar janë në përputhje të plotë me objektivat imediate dhe strategjike të mbarë shoqërisë shqiptare, gjë që do të thotë se të tilla janë vetë aspiratat e besimtarëve myslimanë shqiptarë. Rrjedhimisht, lënda e këtij botimi u përket jo vetëm besimtarëve anëtarë të Komunitetit Mysliman, por mbarë shoqërisë shqiptare. Për të qenë plotësisht i qartë: fjala është për një botim mirëfilli informativ. Pra, përmbajtja e këtij informacioni mishëron interesa thelbësore për mbarë shoqërinë shqiptare.

Arteria përbashkuese e këtyre veprimtarive kaq të larmishme zbulon, veç të tjerash, edhe një përkushtim të lartë, thelbin e të cilit e shpreh me një gjuhë si s’ka më të kuptueshme vetë kryetari i këtij Komuniteti, zoti Selim Muça, ditën e themelimit të Universitetit Mysliman Shqiptar, më 15 shtator 2010, kur thekson qëllimin për “promovimin e vlerave islame shqiptare”. Dhe po me këtë rast, por jo për herë të parë e as të mbrame, Haxhi Selim Muça shpjegon edhe kuptimin e vlerave islame shqiptare, duke vënë në dukje se ato janë vlera të mbështetura në kulturën, traditat dhe karakteristikat e shoqërisë shqiptare, ndërthurur, sigurisht, me frymën dhe me kushtet e besimit islam.

Një nga tiparet më të spikatura e më të lavdishme të islamit shqiptar ka qenë dhe mbetet aftësia e tij për të bashkëjetuar në respekt e në harmoni me besimet e tjera, të rrënjosura po ashtu prej shekujsh ndër shqiptarët. Kjo cilësi nuk e bën kurrsesi islamin shqiptar më pak të devotshëm ndaj Kuranit. Përkundrazi. Historia e përhapjes dhe e konsolidimit të besimit islam ndër trojet shqiptare e ka provuar këtë fakt me kohë dhe vazhdon ta provojë sot mjaftueshëm.

Gjykoj, megjithatë, se kjo e vërtetë historike dhe aktuale duhet thënë e përsëritur me zë të lartë si një mirënjohje për besimtarët myslimanë shqiptarë. Do mbajtur mend se komuniteti i besimtarëve myslimanë ka përbërë dhe vazhdon të përbëjë më shumë se gjysmën e gjithë besimtarëve fetarë shqiptarë. Kjo do të thotë se sjellja e myslimanëve në shumicë ndaj jomyslimanëve në pakicë përcakton në themel stabilitetin e shoqërisë tonë, kohezionin dhe paqen e saj të qëndrueshme. Raporti në fjalë nuk është një statistikë e rëndomtë. Ky raport nxjerr në pah një nga specifikat më të rëndësishme të shoqërisë shqiptare si shoqëri e civilizuar, me një përvojë gati-gati unike në botën e sotme.

Natyrisht, kjo është një përvojë e përbashkët e kombit dhe, si e tillë, u përket njësoj nderi të gjitha komuniteteve të besimtarëve fetarë, ashtu siç është në detyrën e të gjitha komuniteteve ta pasurojnë e ta përcjellin këtë përvojë te brezat e rinj të besimtarëve. Duke pohuar meritën e posaçme që ka Komuniteti Mysliman, në këto rrethana nuk minimizohet aspak merita e komuniteteve të tjera. Thjesht po sjell në vëmendje rolin e veçantë që ka gjithmonë shumica në përcaktimin e interesit të përbashkët brenda kontekstit me diversitet, qoftë ky diversitet kulturor, etnik apo fetar. Konkretisht, kjo është një përvojë shqiptare. Nuk është ende një përvojë universale.

Por është aspiratë universale dhe, si e tillë, ajo ka mobilizuar sot si kurrë më parë shumë nga forcat më të shëndosha politike, intelektuale, diplomatike, shkencore, akademike, krijuese në mbarë botën. Nën këtë dritë, drejtuesit e Komunitetit Mysliman, ashtu si anëtarët e këtij Komuniteti, shfaqen nëpërmjet veprimit të tyre plotësisht të vetëdijshëm për vlerën që mbartin dhe punojnë me një vizion shumë modern për ta vënë sa më mirë këtë vlerë në shërbim të interesave strategjike të Shqipërisë, duke u bërë njëherësh edhe pjesë domethënëse e veprimit të gjerë ndërkombëtar në shërbim të aspiratës për bashkëjetesë harmonike brenda diversitetit të besimeve.

Sot, një nga kolonat më të qenësishme ku mbështeten interesat strategjike të Shqipërisë është integrimi i saj në Bashkimin Europian. Dhe ky integrim duhet të përmbushet në një kohë kur disa nga problemet më të mprehta, cenuese për paqen e për prosperitetin e përbashkët, e kanë zanafillën ose në politikën e mbrapshtë të ndonjë vendi të caktuar mysliman, ose në veprimtarinë e mbrapshtë e shpesh hapur terroriste të organizatave të ndryshme myslimane, shpërndarë nëpër botë apo edhe të individëve. Herë me qëllim e herë nga padija, këto probleme janë përdorur jo rrallë gjatë dy dekadave të fundit dhe vazhdojnë të përdoren edhe sot e kësaj dite për të krijuar ankthin e rrezikshëm të një përplasjeje globale në ardhje midis dy qytetërimeve të mëdha, atij islam e atij të krishterë.

Do pranuar se bëhet një amalgamë, e cila po arrin ta njollosë imazhin e islamit në tërësi në sytë e disa shtresave në shoqëritë e zhvilluara e demokratike perëndimore, duke mbjellë madje te këto shtresa edhe frikë ndaj besimtarit mysliman si i tillë. Islamofobia është bërë pjesë e realitetit shoqëror dhe politik në këto vende. Nga ana tjetër, siç shihet, interesat strategjike të Shqipërisë për integrim në Bashkimin Europian janë shpalosur në një periudhë kur brenda opinionit publik të vendeve anëtare të këtij Bashkimi ka rënë ndjeshëm entuziazmi i zgjerimit për arsye, të cilat, në të vërtetë, nuk kanë asnjë lidhje shkakësore me realitetet e vendeve të anëtarësuara së fundi apo aspirante për anëtarësim. Nuk është rasti këtu të shqyrtojmë shkaqet e zbehjes së këtij entuziazmi.

E përmenda thjesht sa për të theksuar se nga demagogë të ndryshëm në Europën Perëndimore, përdoren dendur pretekste krejt të pabaza për ta shtuar ksenofobinë ndër kombet e kësaj hapësirë të mrekullueshme lirie, begatie e kulture, që quhet Bashkim Europian. Dhe demagogët nuk mungojnë as në këtë hapësirë. Madje arrijnë të ngjiten demokratikisht deri në majat e politikës së përbashkët europiane. Një të tillë e dëgjuam edhe ne shqiptarët, diçka më shumë se një vit më parë, të shpallte nga salla e ndritshme e Parlamentit Europian se Shqipëria është shtet i sheriatit.

Atë ditë ky Parlament do të votonte rezolutën për të lejuar liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë. Dhe ky farë burri po shqiptonte me zë të lartë, pa u skuqur, as zverdhur, një gënjeshtër të poshtër, me shpresë se kështu, me islamofobinë e vet do t’i trembte kolegët e tij aq sa t’i shtynte të votonin për prishjen e një ëndrre të bukur të një kombi të tërë. Shpresa e tij doli e kotë, siç dihet, por ai u përpoq ta hidhte helmin e vet. Ky shembull i keq nuk është i vetmi. Dhe as nuk do të jetë i fundit, me sa duket.

Duke parë kalendarin e veprimtarive të zhvilluara nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në periudhën shtator 2010- tetor 2011, bie në sy menjëherë vëmendja e veçantë që ky Komunitet i ka kushtuar shpalosjes së natyrës së vërtetë të islamit shqiptar qoftë përpara tërësisë së shqiptarëve e qoftë përpara ndërkombëtarëve miq ose edhe më pak miq të shqiptarëve. Në periudhën në fjalë janë zhvilluar shtatë konferenca, simpoziume e seminare me temën e dialogut ndërfetar në Shqipëri, në rajon e në Europë. Disa prej tyre janë organizuar në vendin tonë, në Tiranë e në qytete të tjera, me nismën e Komunitetit Mysliman Shqiptar.

Të tjera janë zhvilluar jashtë e ku kanë marrë pjesë delegacione të këtij Komuniteti. Janë edhe afro njëzet veprimtari të tjera, të cilat do t’i quaja mirëfilli diplomatike pasi përbëhen nga vizita diplomatësh të lartë të akredituar në Tiranë në selinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar, pritje delegacionesh të huaja parlamentare, pritje zyrtarësh të lartë të institucioneve homologe në këtë seli, si dhe vizita të kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar, zotit Selim Muça e të drejtuesve të tjerë të këtij Komuniteti në vende të ndryshme apo edhe në organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Nuk më duket rasti këtu të bëhen komente më të hollësishme mbi çfarë është thënë në këto veprimtari, një pjesë të të cilave i kam ndjekur personalisht e një pjesë jo. Vetëm do të theksoja pa mëdyshje se me një punë të tillë intensive dhe dinjitoze, kryesia e këtij Komuniteti u bën para së gjithash një shërbim shumë të çmuar mbarë besimtarëve myslimanë shqiptarë, duke përligjur para tyre përgjegjësinë e madhe që ka marrë përsipër, siç i bën një shërbim të çmuar dhe vetë besimit islam në tërësinë e tij. Por dobia e kësaj pune, përmbajtja dhe objektivat e së cilës ndërthurin edhe diplomacinë publike me diplomacinë kulturore, është tejet e çmuar për mbarë kombin.

Drejtuesit e Komunitetit Mysliman Shqiptar duket se e kanë kuptuar mirë se askush nuk mund ta bëjë të njohur natyrën e vërtetë të islamit shqiptar sa ata vetë, ashtu siç kanë kuptuar edhe se ky nuk është një mision që mund ta kryejnë ata të vetëm. Në emër të interesit të përbashkët e që është interesi i kombit, ata u janë drejtuar krerëve më të lartë të shtetit e të qeverisë, drejtuesve të institucioneve qendrore qeveritare e shtetërore, shoqërisë civile e sidomos kolegëve të tyre që drejtojnë komunitetet e tjera fetare shqiptare që t’i bashkëngjiten kësaj pune duke thënë fjalën e tyre me peshë. Kështu, veprimtaritë kanë qenë në thelb të përbashkëta, çka e bën edhe më të plotë shfaqjen e së vërtetës, që do të thotë se përmbushet më mirë edhe qëllimi për të cilin organizohen.