Nga Elvira Dones, “La Repubblica”
I nderuar zoti kryeministër,
Ju shkruaj nga një gazetë që ju nuk e lexoni, megjithatë disa fjalë do ua them, për shkak se të premten një batutë juaj e çastit ka prekur persona shumë të dashur për mua: “vajzat e bukura shqiptare”. Ndërsa kryeministri i vendit tim të origjinës, Sali Berisha, konfirmonte angazhimin e qeverisë së tij në luftë ndaj skafistëve, ju vutë në dukje se: “për ata që sjellin vajza të bukura, mund të bëjmë një përjashtim.”
Unë i kam takuar ato “vajza të bukura”, kam takuar dhjetëra prej tyre, ditën e natën, të fshehura nga tutorët e tyre, i kam ndjekur që nga Milano e deri në Siçili. Më kanë treguar fragmente nga jeta e tyre e dhunuar, mbytëse, e shkatërruar.
“Stelës” padronët i saj i kishin shkruar në stomak një fjalë: kurvë. Ishte një vajzë e bukur me një difekt: e grabitur në Shqipëri dhe e sjellë në Itali, ajo refuzonte që të dilte në rrugë.
Pas një muaji përdhunimesh kolektive nga tutorët shqiptarë dhe ortakët italianë, ajo u nënshtrua.
Doli rrugëve të Piemontes, Lacios, Ligurias, e kush e di në sa të tjera.
E vetëm atëherë- tre vjet më vonë- iu gdhend mbi stomak zanati i saj: kështu, për lojë ose për tekë.
Njëherë e një kohë ishte një vajzë e bukur, po. Sot është vetëm një mbeturinë e shoqërisë, nuk do dashurohet kurrë, nuk do bëhet kurrë nëne e gjyshe. Ajo “kurvë” mbi stomak i ka fshirë çdo shenjë shprese e besimi tek burrat, masakra e klientëve dhe tutorëve i ka shkatërruar mitrën.
Për “vajzat e bukura” kam shkruar dhe një roman, publikuar në Itali me titullin “Diell përvëlues”. Vite më vonë kam xhiruar një dokumentar për një televizion zvicerian: shkova në kërkim të një tjetër vajze të bukur, quhej Brunilda, babai i saj më ishte lutur në lot që të hetoja për të. Ishte një baba si shumë baballarë të tjerë shqiptarë, të cilëve u janë zhdukur vajzat, të rrëmbyera, gjymtuara, shpesh të varura me kokë poshtë e të kërcënuara nëse do rebelohen. Ishte një baba si ju zoti President, por me më pak fat. Dhe sot e kësaj dite babai i Brunildës nuk e pranon se e bija ka vdekur, e mbytur në det, ose e ekzekutuar në një qoshe të periferive. Ai vazhdon të shpresojë, ëndërrojë për një mrekulli.
Është një histori e gjatë zoti President… Por nëse do kisha vëmendjen tuaj, do u dërgoja një kopje të librit tim, ose do u dërgoja dokumentarin, ose me shumë dëshirë do këmbeja dy fjalë me ju. Po ju këshilloj zoti President: batutave u përgjigjem, nuk gëlltitem në heshtje.
Në emër të çdo Stele, Bianke, Brunilde e familjeve të tyre, detyrohem këto rreshta.
Në këto 20 vite tranzicion të vështirë Shqipëria ka vuajtur shumë e ka hapur shumë plagë me duart e saj, por tek populli shqiptar rritet akoma dëshira për të ecur më në fund me kokën lart.
Shqipëria nuk ka më durim e as mirëkuptim për të tilla poshtërime falas.
Besoj se ju nuk do i konsideroni më dramat njerëzore si një material për batuta lokalesh apo orësh të vona, nuk keni asgjë për të fituar.
* Elvira Dones, shkrimtare e gazetare shqiptare replikon me batutën e Berluskonit







