NGA: AFRIM KRASNIQI
Faik Konica, duke shkruar për Shqipërinë e viteve 1914, thoshte se “vendi i ngjason një tregu të madh e të populluar fshatar ku shumica jeton në varfëri, të pasurit numërohen me gishta dhe ata bërtasin në emër të kombit, të paditurit flasin me zë të lartë e pa kufi për patriotizma, të mençurit janë pak e nuk i dëgjon askush dhe mes tyre gjen ca të tjerë, me kostume mode e bastunë, që nuk flasin shqip, po që ata, e veç ata, vendosin se çfarë do ndodhë me këtë vend. Ata janë diplomatët, të huajt, misionarët, sjellja e të cilëve në tokën e shqiptarëve me shtet në letër, në shi e në diell, lexohet si fjala e zotit të plotfuqishëm në tokë.
Prania e tyre, edhe kur teprohet, edhe kur ngatërrojnë, edhe kur ndihmojnë, na ndihmon që fshati ynë të mos jetë vetëm fshat, po të quhet shtet”. Faik Konica vdiq shpejt, por portretizimi i tij mbi atdheun tonë në muajt e parë të pavarësisë dhe mbretërimit të Wied, është aktual, edhe tani, edhe pas 100 vjetësh.
Dy ditë më parë një ambasador i huaj, i dërguar i një organizate dhe jo një shteti të huaj, bëri deklaratën e dytë tronditëse në politikën shqiptare.
Herën e parë, rreth një vit më parë, i njëjti ambasador dha një deklaratë të fortë, po dy orë më vonë ambasada e tij e përgënjeshtroi dhe e ndryshoi përmbajtjen. Tani është hera e dytë për të dhe e para për një diplomat të huaj që i bën thirrje liderëve tanë politikë të jenë burra shteti, të sillen si burra shteti e të hedhin firmat mbi kompromisin politik për zgjidhjen e krizës. Ai tha se koha nuk pret dhe se flet në emër të SHBA, BE dhe OSBE. Ambasadori Borsh është në Tiranë, ai duhet dhe do të flasë, por këtë herë urojmë të mos ndodhë si herën e parë.
Palët dhe institucionet shqiptare reaguan siç flitet në tregun e fshatit. Kryetari i shtetit tha se nuk ka dijeni për drafte kompromisi. Opozita me miting dha pëlqimin e saj, maxhoranca priti sa të kthehet prijësi i saj për të hedhur poshtë idenë e kompromisit. Sa herë liderit shqiptarë duan të refuzojnë diçka që cenon pushtetin e tyre, preteksti është i njëjtë: jemi vend sovran, nuk pyes ambasadorët, kemi gjykata e kushtetutë. Kështu thanë krerët e shtetit më 1914, por Konferenca e Londrës vendosi kundër tyre.
Kështu thanë krerët e shtetit më 1924-’25, por e gjithë bota reagoi kundër tyre. Kështu thanë edhe më 1945, dhe Shqipëria nisi 46 vjet diktaturë. Kështu thamë më 1990, dhe qindra mijëra qytetarë shpërthyen në ambasada e protesta. Kështu thanë më 1996, dhe ndodhi kriza e rëndë e 1997. Kështu thanë më 2001, dhe një vit më vonë dorëzuan gjysmën e pushtetit politik. Më 2010 historia po përsëritet. Pushteti flet në emër të sovranitetit, opozita në emër të demokracisë, të huajt në emër të interesave të Shqipërisë.
Shqipëria është një vend sovran, aq sa është sovrane Kroacia, Sllovenia, Çekia apo Hungaria, Greqia apo Polonia. Ne jemi në NATO, ne duam të jemi në BE, pra ne kemi pranuar kalimin e mbrojtjes së sovranitetit tek NATO, duam kalimin e sovranitetit të mbetur në familjen e përbashkët europiane. Ne i duam ambasadorët dhe politikanët e huaj, p.sh, kur ata flasin para kamerave televizive shqiptare si në mitingun e opozitës ose në antimitingun e qeverisë, por nuk i duam kur ata “kalojnë cakun”, flasin hapur, mbi interesat e Shqipërisë dhe përgjegjësitë e prijësve tanë politikë.
Ne e duam ambasadorin amerikan kur sjell telegrame lavdërimi të presidentit amerikan për krerët shqiptarë lidhur me misionet tona ushtarake, por ne e refuzojmë, e kritikojmë, flasim për sovranitet shtetëror kur SHBA, përmes ambasadorit thotë se me ligjin e SHISH kemi cenuar miqësinë amerikane, se ka korrupsion të lartë, qeverisja nuk është transparente, palët nuk po mbrojnë demokracinë, por pushtetin dhe interesat e tyre. Ne e duam OSBE-në dhe e ftojmë të vijë në zgjedhje, por kur ajo bën raportin zgjedhor, nisin sulmet saj.
Ne e duam BE-në, duam miqësinë gjermane, duam ndihmat italiane, duam ndërmjetësimin britanik, por kur ambasadorët e tyre bëjnë kritika mbi prijësit tanë politikë, ata anatemohen, dhe secilit prej tyre u tregojmë derën. Si më 1914, si më 1924, si më 1928, si më 1945, si më 1990, si më 1997, si më 2001, ashtu edhe më 2010.
Ne ankohemi për të huajt, u kujtojmë atyre sovranitetin, por njëherësh ne, sa herë zihemi me njeri-tjetrin, u drejtohemi kancelarive të huaja për ndërmjetësim, sa herë grindemi, sulemi në zyrat ndërkombëtare për të sulmuar e diskretituar palën tjetër, bëjmë raporte e shkresa pafund kundër palës tjetër dhe me to mbushim kutitë postare të të huajve, i ftojmë në ceremoni dhe shtyhemi në radhë për të bërë një foto me ta, bëjmë servilin në marrëdhënie ndërkombëtare në shkëmbim me një foto zyrtare me një president, kryeministër a kancelar.
Nuk janë të huajt që përfshihen në politikën e brendshme, jemi ne që i përfshijmë, jemi ne që i duam të jenë gjyqtarë, jemi ne që u besojmë më shumë se institucioneve tona, jemi ne që i kemi goditur aq shumë institucionet tona vendore sa i kemi bërë të pabesueshme përpara çdo deklarate anglisht të një ambasadori, jemi ne që u hapim punë ambasadave të huaja, u kërkojmë të mos sillen si të huaj, por si mëkëmbës të së vërtetës, u kërkojmë të mos flasin me gjuhë diplomatike, por me gjuhë të qartë popullore, dhe kur e bëjnë këtë, siç ndodhi edhe tani, u themi se kanë kaluar kufirin e lejuar dhe kanë cenuar sovranitetin.
Kryeministri tha se Perëndimi pret që kriza të zgjidhet nga vetë shqiptarët. Ai ishte dakord me ketë dhe në emër të gjysmës shqiptare (maxhorancës) tha se opozita duhet të mbyllë gojën, të mbyllë protestën dhe të pranojë çdo kërkesë e kusht të qeverisë. Edhe opozita është për zgjidhje shqiptare, edhe ajo në emër të gjysmës tjetër, i kërkon qeverisë të largohet. Imagjinoni dy palë që thonë se krizën e zgjidhim vetë dhe njëherësh secila i kërkon palës tjetër jo dialog e marrëveshje, por tërheqje pa kushte, dorëzim pa kushte, poshtërim pa kushte. Si më 1914, si më 1924, si më 1945, si më 1990, si më 1997, ashtu edhe më 2010. Palë të tjera nuk kemi, sepse të tjerët qenien asnjanës e keqkuptojnë me mospërfshirjen fare në zgjidhje, ose kanë zgjedhur të bëhen palë me palët.
Në emër të sovranitetit palët po na çojnë në krizë të thellë politike, shoqërore, ekonomike dhe diplomatike. Në emër të sovranitetit, palët po na kërkojnë të mos dëgjojmë çfarë thonë SHBA, BE apo OSBE, por të lexojmë vetëm ‘RD’ apo ‘ZP’. Në emër të sovranitetit, vetë Perëndimi po na vë në provën e humbur të paaftësisë tonë të radhës për të ofruar zgjidhje, partneritet dhe përgjegjësi. Kjo nuk është ajo që duam, ajo që kemi nevojë, ajo që duhet të pranojmë, ajo që na sjell stabilitet e demokraci funksionale. Nëse ka politikan që për interesa politike momenti kërkon që në emër të sovranitetit t’i tregojë derën ambasadorit amerikan, atij të BE-së, atij të OSBE-së, etj, kjo nuk është një politikë në dobi të shoqërisë e të shtetit shqiptar. Kjo është një axhendë personale kundër axhendës dhe interesit publik.
Kriza është aty, kriza kërkon zgjidhje, kriza nuk zgjidhet dot nga aktorët vendore, kriza kërkon patjetër investim direkt ndërkombëtar, ndryshe rrezikojmë “zgjidhje shqiptare” që do të kërkojë më vone misione diplomatike e paqjëeje si ato te viteve 1991 dhe 1997. Në këto rrethana, nëse me vend sovran e sovranitet quhet mandati për ta sunduar dhe jo mirëqeverisur këtë vend, për të mbajtur apo marrë me çdo kusht pushtet, për politikë pa rregulla e parime, pa moral e përgjegjësi, atëherë si unë, jam i sigurte se gjenden një shumicë shqiptare e heshtur, që do të donin “cenimin e sovranitetit” nga SHBA, BE, OSBE në shkëmbim të një Shqipërie normale dhe europiane, pa prijës feudalë politikë, po me qytetarë të lirë dhe politikanë, që siç këshillon Konica, duhet të flasin vetëm kur kanë diçka për të thënë.