Në dorën tuaj, ndërkombëtarë

0
43


Preç Zogaj, 04.03.2011

Nuk mund të na thoni “jemi këtu t’ju ndihmojmë, nëse ju nevojitet ndihma jonë”. Nuk mund të shtoni “gjithçka tjetër është në dorën tuaj”. Nuk mund të na shtyni në arenë dhe të shijoni pastaj që nga llozha betejën tonë në baltovinën shqiptare pa rregulla dhe arbitër.
Nëqoftese gjithçka është vetëm në dorën tonë, domethënë në dorën e palëve politike kundërshtare në Shqipëri, zgjedhje nuk do të ketë.

Populli shqiptar nuk do ta thotë dot fjalën e vet me votë. Kriza politike, që mban të mbërthyer prej shumë muajsh këtë vend, do të ngulet më thellë dhe do të kërkojë një çmim akoma më të lartë për t’u zgjidhur.

Nëqoftese ju, ndërkombëtarët, mendoni vetëm për arenën, duke injoruar rregullat , jeni duke i bërë keq këtij vendi. Edhe pse keni dëshirën e mirë. Njezet e një vjet pas vendosjes së pluralizmit politik, Shqipërisë nuk i duhen zgjedhje për të kaluar radhën. As zgjedhje “të mira për Shqipërinë”. As zgjedhje “më të mira se ato të mëparshmet”- formulim cinik i stërpërsëritur, që justifikon manipulimet periodike dhe fyen në palcë zgjedhësit shqiptarë.

Zgjedhje sipas standardeve perendimore! Zgjedhje sipas Kartes së Kopenhagenit ! As me shumë, as me pak. Këtë duam. I kemi bërë dikur, në vitin 1992 apo në vitin 1994, kur kishte më pak misionarë euroamerikanë në Tiranë, por kishte më tepër respekt dhe veneracion për votën e lirë, prekja e së cilës nuk imagjinohej ose mendohej si mëkat.

Tempulli i votës së lirë u përdhunua me 26 maj 1996. Që nga ajo ditë, pavarësisht riparimeve të pjesshme, nuk është ringritur më në lartësinë e institucionit suprem të gjykimit dhe besimit popullor. Sot, të gjithë e kanë kuptuar se të këqijat e qeverisjes e kanë origjinën piksëpari te cënimi i zgjedhjeve. Sot, i madh dhe i vogël kërkon nga ndërkombëtarët të marrin një rol shumë më të madh se deri tani dhe të garantojnë zgjedhje të lira në Shqipëri. Nuk është një thirrje për ndihmë. Është thirrja për të përmbushur një detyrë .

Shqipëria është vend anëtar i OSBE-së që nga viti 1991. Është vend anëtar i Këshillit të Europës që nga viti 1995. Është vend anëtar i NATO-s që nga viti 2009. Ka aplikuar për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Shqiptarët aspirojnë në shumicë dermuese për ta parë vendin e tyre anëtar me të drejta të plota në familjen e madhe europiane. Është një fat i madh dhe një një fitore e madhe për Shqipërinë që era e demokracisë e ka shtyrë drejt strukturave politike euroatllantike. Shqiptarët kanë të drejtë të konceptojnë se nuk janë atje për dekor dhe as për të shtuar mburrjet dhe medaljet e drejtuesve të tyre politikë.
Aspirata jonë perendimore që vjen nga historia e brezave , nga humbjet dhe shpresat që kanë bashkudhëtuar me fatin tonë si komb.Ne kemi hyrë në NATO dhe duam të finalizojmë endrrën e integrimit europian për të ndryshuar. Kemi hyrë për t’u siguruar, për t’u mbrojtur. Kemi hyrë për të zbatuar rregullat e OSBE-së, rregullat e NATO-s, rregullat e Këshillit të Europës, rregullat e Bashkimit Europian si rruga më e mirë për të shkuar përpara.

Qeveria që nuk i zbaton këto rregulla është një qeveri që provokon dhe duhet të vihet para përgjegjësisë. Në kursin e integrimit euroatllantik, demokracia nuk është më një çeshtje e brëndshme e një vendi të veçantë, por e gjithë organizatës apo familjes politike. Prandaj supervizioni, ndërmjetësimi, ndërhyrja apo sjellja si palë e ndërkombëtarëve konsiderohet një detyrim. Përndryshe, pse duhej të jemi në këto organizma!

Shqiptarët presin nga ndërkombëtarët më shumë se herët e tjera për zgjedhjet e 8 majit. Shqiptarët presin që ata të hyjnë në lëkurën e Shqipërisë politike për të kuptuar veçoritë e këtyre zgjedhjeve dhe për të vepruar me vendosmëri.

Këto janë të parat zgjiedhje në historinë e tranzicionit njëzet e një vjeçar ku po shkohet në kushte e një konflikti që ka shdukur komunikimin midis qeverisë dhe opozitës. Janë të parat zgjedhje ku ish- presidenti Sali Berisha, që ka përgjegjesinë kryesore të shkatërrimit të zgjedhjeve te vitit 1996 dhe ish -kryeministri Ilir Meta, që ka përgjegjësinë kryesore të manipulimit të zgjedhjeve të vitit 2001 janë bashkë në kualicionin qeveritar që pretendon të organizojë dhe kontrollojë me pushtet dhe me shumicë votash administrimin e zgjedhjeve.

Unë nuk do të kisha dashur t’i evokoja këto njolla të zeza të tranzicionit- njerëzit kanë të drejtë të reflektojnë dhe korigjohen- por kanë ndodhur minimalisht tri ngjarje të jashtëzakonshme që ushqejnë frikën se tundimi për të manipuluar zgjedhjet është më i fortë se më parë.

Ëshë refuzuar me një çmim të rëndë transparenca e zgjedhjeve politike të vitit 2009, si një mundësi për të parë të vërtetën e votës dhe për të parandaluar përsëritjen e manipulimeve.

Ish- ministri i qeverisë “Berisha”, Dritan Prifti, ka denoncuar me video dhe me gojë ish- zevendëskryeministrin e së njëjtës qeveri, Ilir Metën, për afera korruptive deligjitimuese, që janë parë me zë dhe me figurë nga publiku i gjerë.

Një demonstratë e thirrur nga opozita me ngarkesën e refuzimit të transparencës dhe revoltës ndaj vidioskandalit “Meta-Prifti” ka përfunduar me katër protestues të vrarë në bulevard. Kryeministri nuk ka shkarkuar asnjë zyrtar dhe nuk ka kërkuar asnje lloj ndjesë për këto vrasje. Edhe pse mund të dijë, apo të mësojë se demokracia i njeh dhe i ndëshkon të gjitha llojet e kundravajtjeve dhe krimeve,por nuk e njeh vrasjen e demonstruesve në bulevard.

Në kontekstin e ketyre ngjarjeve, gongu i parafushatës ka nisur të bjerë si paralajmërimi i një beteje për jetë a vdekje në kuptimin politik të fjalës. Paragjykimi sheh vetëm djaj në kampin kundërshtar. E megjithatë treni i zgjedhjeve është nisur dhe të gjithë po kapen për të mos munguar në arenë. Po a do të ketë zgjedhje? Kjo pyetje sot u drejtohet para së gjithash përfaqësuesve të OSBE-së, NATO-s, SHBA-së, Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës. Këta përfaqësues nuk mund të jenë thjesht ndërmjetës.

Kriza shqiptare, e pohuar prej tyre prej me shumë se një viti, por e pazgjidhur, i thërret në kauzë të jenë palë në përcaktimin dhe zbatimin e rregullave dhe standardeve. Është e vetmja mënyrë që vendi të dalë nga spiralja e krizës nepërmjet zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Në vitin 1996, edhe pse urat e komunikimit mes pushtetit dhe opozitës së asaj koh nuk ishin shembur plotësisht, Neritan Ceka, ateherë opozitar, i lëshoi një thirrje dramatike Perëndimit: Dërgoni tre mijë vëzhgues sot që të mos dërgoni pesë mijë ushtarë neser. Një vit më vonë “profecia” e tij kishte gabuar vetëm me dymijë ushtarë. Europa dërgoi shtatë mijë. Historia nuk u mëson asgjë delirantëve dhe të marrëve. Por duhet t’u mësojë diçka institucioneve dhe shteteve. Dhe juve, supervizorë dhe miq të Shqipërisë. Kësaj radhe zgjdhjet tona janë në duart tuaja më shumë se në tonat.