Në Bulqizë po përleshet URIA MASIVE me mafien e kromit “SALI-ACR”

0
40

Nga Kledian Lula (kledianlula@ymail.com)
Bulqiza po përjeton prej 32 ditësh protestën e minatorëve të kromit, të nxitur drejt këtij hapi ekstrem prej qëndrimit mafioz e shpërfillës të firmës koncensionare “ACR” dhe prej aleancës me këtë firmë mafioze austriako-gjeorgjiane, të krye-mafiozit të pushtet-bandës SALI BERISHA. Minatorët e kësaj miniere, në emër të bukës së gojës, të perspektivës së minierës e të sigurisë për jetën, nuk janë tërhequr përballë mashtrim-premtimeve, makinacioneve, presionit dhe pazareve të pista që po bëjnë skutave, bosët e mafies së kromit shqiptar SALI-ACR. Përkundrazi, ata vazhdojnë ditën e 32 të grevës totale, 16 prej të cilëve që prej 12 ditësh, janë ngujuar bindshëm 1400 metër thellësi nëntokë, me ultimatumin e drejtë dhe final: Plotësim të 12 kërkesave, ose vetëflijim.

“ACR” është mësuar me bisedime mafioze, si me hajdutët BERISHA-RULI

Prej 32 ditësh grevë, 12 prej të cilave grevë urie, konfederata e sindikatave shqiptare dhe sindikata e minierës së Bulqizës, po i kërkon firmës koncensionare (pazarxhinjve austriakë e gjeorgjianë), që të ulen në bisedime për të trajtuar dhe vendosur piketat e zgjidhjes së 12 kërkesave të tyre social-ekonomike. Shpërfillja e firmës “ACR”, ka qenë tipike prej bande mafioze, sikur 700 minatorët të mos jenë zotër në Bulqizën dhe pasuritë e tyre kombëtare shqiptare, por sikur të jenë skllevër mesjete të blerë prej “ACR”.

Firma “ACR”, po sillet me Bulqizën sikur ta ketë koloni private e jo si burim pune dhe fitimi mbi bazë detyrimesh ligjore kontraktuale me minatorët. Po kaq shpërfillëse e denigruese deri në neveri, ka qenë dhe po vazhdon të jetë pushtet-banda SALI-ILIR, e cila është bërë palë aktive në mbrojtje të interesave të firmës “ACR”, për shkatërrimin e jetës së minatorëve, shkatërrimin e minierës së Bulqizës dhe zhvatjen e kromit me krahët e minatorëve që trajtohen si skllevër. Disa herë ka tentuar firma “ACR” të përçajë minatorët me “skuthër” të paguar, por nuk ka arritur dot. Më pas, ka nisur presionet për largime nga puna, madje dhe provokacionet e kërcënimet për krerët e sindikatës.

Po kështu, në shërbim të firmës mafioze “ACR” dhe kundër minatorëve është pozicionuar dhe krye-koncensionari i kromit e i gjithë pasurive kombëtare shqiptare, kryeministri i pushtet-familjes SALI BERISHA. E gjendur përballë grevës këmbëngulëse, banda mafioze e kromit SALI-ACR, pranoi bisedime. Por çudia është, se këto bisedime me minatorët ACR dhe qeveria SALI-ILIR i pranojnë, por pa praninë e sindikatës. Për këtë shkak dështoi dje dhe negocimi i kryetarit të bashkisë Bulqizë, Roland Keta për të nisur dialogun mes palëve. Firma “ACR” dhe ministria e ekonomisë private të ILIR METËS, ofruan një model dialogu “pazar skutash”, të mbyllur, siç kanë bërë gjithë biseda-pazaret e koncensioneve të pasurive kombëtare. Firma “ACR”, kujtoji se sindikata dhe minatorët janë SALIU, ILIR e GENC RULI, me të cilët ndajnë bizneset, përfitimet, ryshfetet dhe zonat e vjedhjes.

Banda mafioze e kromit nuk pranoi të ulet me sindikatën në bisedime edhe pse këtë e parashikon dhe e detyron ligji, madje t’i jap shpjegime sindikatës për çdo qindarkë që sigurohet nga kromi deri në tregun e huaj. Takimi pa sindikatën është lojë e “ACR” dhe pushtet- bandës SALI, për të shkatërruar me premtime false lëvizjen dhe interesat e minatorëve, siç kanë vepruar përherë. Minatorët sindikatën kanë “qeveri” dhe asaj ia kanë besuar mbrojtjen e tyre. Sepse përveç konfederatës sindikale të drejtuar nga Kol Nikolla dhe sindikatës së tyre të minierës, të drejtuar nga Taf Koleci, nuk mund t’ia besojnë pushtet-bandës “SALI” as punën, as pagat, as të ardhmen e minierës dhe as jetën e tyre nën tokë, mbasi ky pushtet dhe vetë SALIU, janë bërë palë aktive mbrojtëse e mafies së kromit.

Kryeministri po lë të lirë firmën abuzive e hajdute “ACR” të vjedh krom, mos paguaj taksat, të fsheh fitimet e kromit, të mbajë në varfëri minatorët, të mos bëjë asnjë qindarkë investim, të kthej metodat artizanale të karrocës së dorës në minierë dhe të vrasë minatorë në galeritë e katandisura në gërmadhë dhe me kushte pune mizerje. Pse kryeministri SALI nuk guxon të detyrojë firmën “ACR”, të zgjidh kërkesat e drejta e minimale të minatorëve të Bulqizës? Sepse “ACR” e ka “lidhur” SALIUN familjarisht me ryshfete e aksione në normën e fitimeve prej kromit, ashtu siç e kanë lidhur edhe shumë firma të tjera koncensionare, që nga rruga Rrëshen –Kalimash, Gërdeci, Pakti Detar, hidrocentralet, projekti austriak i Parlamentit të ri etj, etj, përballë të cilëve SALIU jo vetëm qëndron “sus”, por dhe i mbështet bosët e tyre, në krimet ekonomike që bëjnë me ekonominë kombëtare dhe shoqërinë shqiptare!

Kërkesat: 12 mashtrime, vjedhje dhe shkatërrime prej mafies “SALI-ACR”

Kontrata koncensionare e kromit për minierën e Bulqizës, lidhur mes Qeverisë “SALI” dhe “ACR”, po trajtohet si një pakt-pazar i pisët financiar, bërë mes drejtuesve të kompanisë dhe drejtuesve “de facto”, të koncensionit të kromit BERISHA-RULI. Këtë e dëshmojnë qartazi dy fakte: Së pari, firma “ACR” nuk ka përmbushur asnjë detyrim kontraktual minimal ndaj minierës së Bulqizës, ndaj aspektit social-ekonomik të jetës e punës së minatorëve dhe prej 3 vitesh, po lejohet të ushtrojë aktivitet anti-ligjor, sipas parimit të hajdutëve: “Mashtro, vidh, pasurohu, shkatërro dhe largohu”.

Së dyti, prej 32 ditësh, kryeministri SALI BERISHA, autoriteti fuqi-plotë zyrtar, nuk po i kërkon firmës “ACR”, të plotësoj 12 kërkesat e drejta të minatorëve, të cilat janë sanksionuar në kontratën koncensionare qeveritare dhe në kontratën kolektive të punës me sindikatën e minierës dhe konfederatën sindikale shqiptare. Qëndrimi mbështetës, që SALIU po mban këto 32 ditë ndaj kësaj firme mafioze, duke cenuar rëndë ligjin, minatorët dhe minierën e kromit është kundërvënie e tij ndaj kontratës së miratuar 3 vite më parë në parlamentin shqiptar.

Në këtë kontratë shtetërore, janë përcaktuar pa asnjë shmangie dhe me afate konkrete kohore e masë financim-investimi 34 detyrime të “ACR”, brenda të cilave janë dhe 12 kërkesat që kanë paraqitur minatorët e Bulqizës prej 32 ditësh me grevë dhe prej 3 vitesh me kërkesa të shumta ndaj “ACR”, kryeministrit dhe ministrisë së Ekonomisë. Deri sot, firma mafioze “ACR” nuk ka plotësuar asnjë nga kushtet e kontratës koncensionare, madje as ato sigurimin e plotë të uniformave e mjeteve të punës së minatorëve.

Në “biografinë” e firmës gjeorgjiane-austriake “ACR”, gjenden të dhënat që tregojnë, se kjo firmë është e skeduar si “bandë koncensionare” me profil mafioz, me veprimtari të njohur ekonomike-kriminale në rajon e në botë. Këtë masakër social-ekonomike dhe këtë krim teknologjik e financiar që po bën në Bulqizë, firma nën-kontraktore “ACR”, po e e realizon dhe në disa vende të rajonit të Ballkanit, Europës e disa vendeve të Botës së Tretë, ku nxjerr miliona euro fitime nga mineralet e pasura, duke aplikuar lirshëm shfrytëzim skllavëror të krahut të lirë të punës, në bashkëveprim kriminal me qeveritë e vendeve përkatëse. Siç po ndodh në Bulqizë, ku “ACR”, sillet si pronare e minierës dhe e minatorëve, duke patur mburojë pushtet-bandën “SALI-ILIR”, të cilën e financon privatisht e piratisht për këtë liri veprimi. Po faktojmë 12 kërkesat e minatorëve, të cilat rezultojnë te jenë 12 mashtrime, vjedhje dhe shkatërrime prej mafies “SALI-ACR”:

1. Firma “ACR”, sipas kontratës koncensionare e asaj kolektive të punës me sindikatën, vetëm duke bërë ri-indeksim të pagave në përputhje me normën e inflacionit, duhej të kishte rritur pagat me 47%, vetëm si indeksim dhe të rriste pagat e kompensimet financiare sociale, sa herë dhe në atë përqindje sa i ka bërë qeveria.

2. Firma “ACR”, që 2 vjet më parë, duhej të bërë minimalisht rritjen 20% të pagave, për të balancuar pagën e minatorit, me nivelin e minimumit jetik mujor 41 mijë lekë në muaj, mbasi minatorët paguhen me afro 8500 lekë të reja nën kuotën e minimumit jetik.

3. Firma “ACR”, ka patur detyrim ligjor kontraktual, që përpara se të niste aktivitetin koncensionar në minierë, të plotësonte kushtet e sigurisë në punë, mbasi për shkak të këtyre kushteve të pasigurta, në këtë minierë janë vrarë 18 minatorë në 3 vitet e fundit. Ku kanë përfunduar 6 milion euro investim i përcaktuar?

4. Firma “ACR”, që prej 2 vitesh, duhej të kishte nisur investimet e nevojshme për zgjerimin, mbrojtjen dhe shfrytëzimin e minierës, duke realizuar urgjent investimet në thellësi, për krijimin e perspektivës së minierës. Ku gjenden 12 milionë euro investim?

5. Firma “ACR”, ka patur detyrim futjen urgjent në punë të Uzinës Ferrokromit në Burrel, ku janë 4.5 milion euro investime që parashikon projekti kontraktual? Cili është fitimi nga eksporti i kromit bruto? A ka firmosur dyshja BERISHA-RULI, që të mbahet e bllokuar fabrika e pasurimit në Burrel?

6. Firma “ACR” është e detyruar të zbatoj ligjin për shoqëritë tregtare. Përse nuk e detyron “ACR”, ministria e LSI-ILIRIT dhe qeveria e PD-SALIUT?

7. Firma “ACR”, ka patur detyrim që të mos niste aktivitetin në këtë minierë, ndërtuar mjediset higjienike të dhomave të tharjes dhe kompleksin e dusheve. Ku kanë përfunduar 800 mijë eurot e këtij investimi?

8. Firma “ACR”, duhej të kishte kryer brenda 6 muajve të parë pas fillimit të aktivitetit, sigurimin e ujit të pijshëm në 24 orë, në sasi e cilësi në minierë, me rrjet të veçantë. Ku kanë përfunduar 450 mijë eurot e projektit të ujësjellësit të minierës?

9. Firma “ACR”, duhej të kishte futur në përdorim që ditën e parë të aktivitetit, furnizimin me ushqime polivalente e antidote të minatorëve, në përputhje me ligjin për sigurinë e shëndetit. Ku shkojnë këto 1.5 milion lekë në ditë, që dalin nga të ardhurat e minatorëve dhe që duhen përdorur si konsum për minatorët?

10. Firma “ACR” dhe qeveria, kanë detyrimin të largojnë nga zona e minierës, firmat hajdute të kromit, me licenca klienteliste, pas të cilave fshihen njerëz të pushtet-bandës SALI-ILIR-RULI dhe që mesatarisht zhvasin afro 11 milion euro fitim krom në muaj.

11. Firma “ACR”, ka patur detyrë që brenda muajit të parë të aktivitetit të saj, të ndërtonte mensën e ushqimit të minatorëve në Bulqizë. Ku janë 530 mijë euro investim, të caktuar për ndërtimin e kësaj mense?

12. Qeveria ka premtuar dhe ka detyrim, të ul moshën e pensionit për minatorët, por nuk po e realizon. A do vazhdojë më me mashtrime e koncensione të pista?