NË BUKURITË E KRYEQYTETIT TË VERIUT

0
59

NDUE LAZRI

Shënime udhetimi nga Sanpietërburgu

Kur po afrohej 30-vjetori i martesës me bashkëshorten time, Zhanin, po mendoja për ndonjë surprizë të veçantë. U kujtova që në vitet e rinisë sonë të dy ishim të dashuruar me letërsinë, artin e kulturën ruse. Tek lexonim kujtimet e Kadaresë dhe krijimet e tij për ambientet moskovite të kohës studenteske, por edhe lirikat e poetëve rusë me berjozka e ambiente përrallore, apo shikonim pikturat e Rjepinit e baletet e mrekullueshme ruse, shpesh ëndërronim për ndonjë udhëtim në ato anë. Por gjer aty guxonim, në kufijtë e ëndërrimit, se në kohën e regjimit totalitar kapërcimi i kufijve ishte një privilegj që e dinim se nuk do na përkiste kurrë.

Ndue Lazri në San Petersburg

Por tani, pas 30 vjet martese, kur komunizmi kishte vdekur edhe në strofkën e tij, në ish-Bashkimin Sovjetik, e ne ndodheshim në emigrim në Itali, ajo ëndërr nuk dukej aq e parealizueshme. Kishim patur kënaqësinë të vizitonim Barcelonën, Parisin, Athinën, Montecarlon. E pse të mbetej larg ëndrra ruse?…

***

Ishte ora 20.30 e një mbrëmjeje fundkorriku, kur arritëm në aeroportin “Pulkovo” të Sanpietërburgut. E megjithatë ishte ditë. Në fillim nuk po orientoheshim. Por kur nga kati i 18-të i hotelit “Azimut”, në breg të Fontankës,(një degë e lumit Neva),vazhdonim të shikonim dritë mbi qytet edhe pasi kishte kaluar mesnata, e kuptuam se kishim të bënim me fenomenin e Netëve të Bardha, për të cilin kishim lexuar dikur në një libër të Dostojevskit.Të emocionuar zbritëm në rrugë për ta përjetuar më mirë këtë fenomen. Kishte pak njerëz, kryesisht turistë, që ashtu si ne filmonin Sanpietërburgun me dritë natyrore edhe në ato orë të vona të natës. Praktikisht vetëm për nja dy orë intensiteti i dritës u ul deri në nivelin e muzgut të zakonshëm europian, pastaj drita e gjallë u rikthye sërish e u bë ditë. Ndërsa ne lëviznim rrugëve, banorët e qytetit me siguri flinin. Për ata një fenomen i tillë është më se i zakonshëm.Vetëm aty – këtu na zinte syri ndonjë rus tek lëvizte me shishen e votkës në dorë. Bile edhe në orët e para të mëngjesit na qëlloi të shikonim ndonjë prej tyre me shishen tashmë thuajse të boshatisur, tek lëviznin duke kënduar nën zë ato këngët karakteristike ruse. Nuk mund te them se dehja ishte një fenomen tipik, pasi edhe në gjendjen e tyre ata ishin aq të kthjellët sa të mos i hidhnin shishet boshe rrugëve duke ndotur qytetin, por i linin në ndonjë qoshe ku mund t’i merrnin ata që pastronin qytetin.
Duke lëvizur nëpër rrugë, një gjë na ra në sy menjëherë: Ata që kanë ndërtuar qytetin nuk e kanë patur problem hapësirën. Në fakt , perandori Pjetri i Madh, me qëllim kishte thirrur një arkitekt francez, i cili paraqiti një projekt unikal për ndërtimin e qytetit. Pjetri i shpjegoi që donte të ndërtonte një qytet me tipare perandoreshe. Dhe arkitekti francez Leblanc u mbështet mbi dëshirat e kërkesat e parandorit në hartimin dhe zbatimin e atij projekti që ishte baza e Sanpjetërburgut të sotëm.
San Petersburg - pamje
Të gjitha rrugët (qoftë edhe ato më të voglat) ishin shumë të gjera. Nuk ekzistonte ankthi i parkimit, qoftë edhe në qendër të qytetit, gjë që është një incubo në vendet perëndimore, sidomos në Itali, ku ne jetojmë prej vitesh. Bulevardet, shetitoret buzë Nevës e kanaleve të tjera të saj, sheshet, parqet e shumtë ishin të hapësirave marramendëse. Projektuesit dhe ndërtuesit e qytetit kanë qenë largpamës në zgjidhjet urbane aq sa problemi i trafikut edhe për shumë e shumë kohë nuk do të ekzistojë në këtë qytet. Mbase ai i zbatimit të rregullave të qarkullimit, po, pasi vërehej njëfarë kaosi në lëvizje, gati si në Napoli, apo në Tiranë, ku përparësinë e merr ai që hyn i pari në një kryqëzim e jo ai që i takon sipas rregullave.
Idea që projektuesit dhe ndërtuesit e kanë patur hapësirën pa kursim, reflektohet edhe në faktin që në pjesën më të madhe zotërojnë ndërtesat e ulta që arrijnë deri në 5-6 kate.Nuk ka grataçiela dhe hapësirën e zotërojnë kupolat e shumta e të praruara, karakteristike për kishën ruse dhe supremacinë e saj, e që e tërheqin menjëherë shikimin dhe vëmendjen e vizitorit.

***

Më pëlqen që në nisje të këtij reportazhi mbi Sanpietërburgun të ndalem në Sheshin e Dekabristëve, aty ku ngrihet monumenti i Pjetrit të Madh, që është edhe themelues i këtij qyteti.I ngritur në atë shesh të madh në breg të lumit Neva, ai është monumenti i parë skulpturor në Rusi.I projektuar dhe realizuar nga skulptori francez Falconet dhe dy ndihmës të tij, monumenti ishte dhuratë dhe nderim i veçantë që Katerina e dytë,ose Katerina e Madhe e Rusisë, i bënte themeluesit të qytetit në festimet e njëzet vjetorit të uljes së saj në fron,(më 7 gusht 1782). Po për herë të parë në realizimin e monumentit nuk u përdor piedestali tradicional, por u muar një masë e madhe shkëmbi (i quajtur shkëmbi – bubullimë) dhe u gdhend në formën e një vale. Mbi të u lartësua monumenti prej bronxi, që u bë i njohur me emrin “Kalorësi i bronztë” sidomos nga poezia me të njëjtin titull e Pushkinit, që e merr frymëzimin nga ky monument. Pjetri i Madh është konceptuar me veshje të thjeshtë. Në vend të shalës së kalit është lëkura e një kafshe të egër. Kurora me dafina në kokë dhe shpata në dorë evokojnë figurën e kryeluftëtarit që çoi në çlirimin e kësaj pjese të Rusisë nga pushtimi i gjatë suedez. Ndërsa dora tjetër e shtrirë përpara, duket sikur është orientuar nga ishulli ku ai hodhi themelet e para të qytetit. Suedezët e quanin atë “ishulli i lepujve”. Pikërisht aty Pjetri i Madh ndërtoi kështjellën e Pjetrit e të Palit, pastaj erdhi duke e zgjeruar qytetin në të dy anët e lumit Neva. E quajti kështjellën me atë emër, sepse Shën Pjetri është mbrojtësi i këtij qyteti.
San Petersburg - pamje
Me siguri edhe vetë Pjetri i Madh, me gjithë vizionin e tij të gjerë, nuk e kishte imagjinuar që Sanpietërburgu do të kishte një ditë shtrirjen, bukurinë dhe magjinë që ka sot. Duhej shieja dhe ambicja artistike e një femre për të arritur deri këtu. Veprën e tij do ta vazhdonte e bija gazmore, Elisabeta Petrovna. E ndjeshme ndaj bukurisë dhe finesës artistike në ndërtim, e pajisur me kulturë, ajo iu kushtua stilit barok dhe gjatë 20 vjetëve që qëndroi në fron ndërtoi kryevepra, të cilat ia shtojnë aq shumë hijeshinë ish-kryeqytetit të veriut, siç quhej në ato kohë. Ajo ftoi në oborrin e saj arkitektë me talent, në mes të të cilëve italianin Rastrelli. Nga mendja dhe duart e tij doli një kryevepër e arkitekturës botërore si Pallati i Dimrit e pastaj plot të tjera që i kanë rezistuar kohës. Këtij arkitekti Elisabeta i shprehu edhe një ëndrër të saj personale: Të ndërtonte manastirin e parë femëror në Rusi, ku ajo të tërhiqej në lutje herë pas here. Për këtë zgjodhi një vend të bukur në rrethinat e pallatit Smolljanij që kishte ndërtuar i ati. Prandaj edhe manastirit do t’ i jepej emri Smollnij. Arkitekti italian punoi me pasion, me shije e fantazi dhe projektoi një nga ndërtesat më të bukura të stilit barok në Rusi. Ai kishte planifikuar të ndërtonte tek ky manastir edhe katedralen më të lartë prej 140 metrash. Por punimet u ndërprenë nga e ashtuquajtura Lufta e 7 vjetëve dhe nga vdekja e vetë Elizabetës, e cila nuk e pa kurrë të realizuar plotësisht ëndrrën e saj. Vetëm pas 60 vjetësh nga fillimi i punimeve, katedralja u përfundua sipas projektit, por nuk shërbeu kurrë si manastir femëror. Megjithatë ajo mbetet ndër katedralet më të bukura dhe është një rrezatim i vërtetë i gjenisë në arkitekturë. Në fasadat e saj sikur shkrihen ngjyrat e kthjellta të qiellit me ato të ujrave të Nevës, në një transparencë gati kristaline, mbi të cilat ngrihen katër kupola, si të ndërtuara në qelq të brishtë e të praruar.
Por shkëlqimin më të madh Sanpietërburgut ia dha një grua tjetër e bukur, energjike, ambicioze, inteligjente dhe e vendosur, Katerina e dytë, e mbiquajtur më vonë me respekt Katerina e Madhe. Ajo kaloi me ëmbëlsi e elegancë nga stili barok në atë klasiçist. Shpirtit të fuqishëm të Pjetrit te Madh ajo i shtoi inteligjencën dhe shijen e saj të hollë dhe e bëri Europën të shikonte e habitur mrekullinë arkitekturore e artistike që po realizohej në Sanpietërburg. Përveç Pallatit të Dimrit, luksi i shfrenuar dhe eleganca e qytetit perandorak vërehen tek Kopshti Veror, ku pallati veror i Pjetrit të Madh është i rrethuar nga një park i mrekullueshëm prej 12 hektarësh, me gjelbërimin ku të gjitha stinët shpalosin magjinë e ngjyrave të tyre, me skulptura që mahnisin me bukurinë e rrallë e me shatrivane që përcjellin muzikën qetësuese të ujit. Por një nga komplekset më brilante e me një bukuri të mahnitshme është ai që quhej oborri i Pjetrit, ose Peterhov. Kjo ishte rezidenza e pritjeve madhështore që Pjetri i Madh me qëllim e ndërtoi në brigjet e Gjirit të Finlandës, si një monument madhështor që i tregonte botës shtrirjen e Rusisë mbi Detin Balltik. Ujvara e Madhe, shatrivanet e shumtë që krijojnë një ylber të përhershëm, statujat e panumërta, kopështet, pallatet që harmonizohen si në një të vetëm, përbëjnë një nga magjitë më të mëdha të Sanpietërburgut. I një bukurie të veçantë është ai që quhet Carskoje cello (fshati i carit). Edehe qytetari më i privilegjuar do ta pranonte me dëshirë të ishte fshatar i atij “fshati”. Kopshtet e mahnitshme dhe pallati madhështor i Katerinës e përbëjnë këtë fshat një margaritar të arkitekturës e natyrës sanpietërburgase.
Pjetri i Madh e Katerina e Madhe. Dy personazhe të shquar, dy emra të mëdhenj, që qëndrojnë të gdhendur pranë e pranë edhe në shkëmbin e monumentit në Sheshin e Dekabristëve. Një legjendë ruse thotë se sa kohë monumenti i Pjetrit do të qëndrojë në këmbë, Sanpietërburgu nuk do të ketë mort. E koha ka treguar se si monumenti, ashtu edhe ky qytet, kanë ditur t’u qëndrojnë rrebesheve të historisë.

***

Të qëllon të dëgjosh mes turistëve perëndimorë të thonë jo pa njëfarë tendence: “I bukur është Sanpietërburgu”, por vetëm 300 vjet histori ka. Është e vërtetë se qyteti në vitin 2003 festoi 300-vjetorin e themelimit të tij. Por, si për t’i treguar botës se rrënjët historike të kësaj pjese të Rusisë janë diku më thellë, Pjetri i Madh i kushtoi kujdes të veçantë nderimit dhe lartësimit të figurës së një pararendësi të tij legjendar, princit të Novgorodit, Aleksandër Nevskij. Kur në vitin 1240 suedezët sulmuan tokat në perëndim të Nevës, princi, që kishte moshën 19 vjeç, organizoi një qëndresë heroike dhe i mposhti armiqtë pikërisht në brigjet e Nevës. Në nderim të figurës së tij, në vitin 1710, Pjetri i Madh dha urdhër të ndërtohej një manastir me emrin “Trinia e shenjtë”. Aleksandër Nevskij u shpall shenjtori i dytë mbrojës shpirtëror i qytetit, përkrah Shën Pjetrit. Atij i është kushtuar edhe njëra nga 300 urat më të mëdha të Sanpietërburgut. Ndërsa në një nga sallat e Pallatit të Dimrit është varri i i argjendtë i këtij princi. Për ndërtimin e tij janë përdorur një ton e gjysmë argjent, aq sa arrinte të nxirrte në atë kohë gjatë një viti një nga minierat e argjendit të Rusisë.

***

Padyshim, padurimi i turistit, kur vjen në Sanpietërburg, është për të vizituar në radhë të parë Ermitazhin, një nga muzetë më të mëdhenj (në mos më i madhi) dhe më të pasurit në botë. I vendosur në sallat e Pallatit të Dimrit, të Ermitazhit të vjetër e Ermitazhit të ri,që janë pjesë në vazhdim të të njëjtit kompleks arkitekturor, ai tërheq çdo ditë me mijëra e mijëra dashamirës të artit nga të gjithë kontinentet.
Impresionohesh që kur hyn në sheshin e paanë përpara pallatit. Kolona madhështore, por edhe aq fine e delikate e Aleksandrit, me lartësinë 47.5 metra konsiderohet më e larta në botë. Harku gjigand i Shtatmadhorisë plot gdhendje e skulptura të mrekullueshme nga njëra anë dhe ndërtesa imponente e luksoze e pallateve që përbëjnë muzeun, formojnë një tërësi harmonike, që, në shikim të parë të lënë gati pa frymë.
Por emocionet më të shumta i provon hap pas hapi, duke kaluar njërën pas tjetrës sallat e shumta, ku luksi dhe bukuria e veprave të artit janë në konkurencë e njëkohësisht në harmoni të pashoqe. Ndodhesh përpara kryeveprave botërore si “Danaja” e Rembrandit, apo veprave të shumë autorëve të mëdhenj si Da Vinçi, Mikelanxhelo,Raffaello,Tiziano,Giorgione,Rubens,VanGog,Goghen, Francisco Goya Matis,Renuar,Kandinskij e mijëra të tjerë dhe të duket si ëndërr që ke mundësinë t’i sodisësh nga afër.Në gjendjen e një dehjeje e gati trullosjeje totale kalon nga njëra tek tjetra e të vjen keq që je nën morsën e kohës dhe shpesh detyrohesh t’u hedhësh vështrime fluturimthi. Kryevepra e Rembrandit “Danaja”, në vitin 1985 rrezikoi të asgjësohej përfundimisht. Dikush e goditi me thikë në dy pika të ndryshme dhe hodhi mbi të acid sulfurik. Dëmi ishte aq i madh sa në fillim specialistët menduan se nuk kishte rrugë tjetër veç të bëhej një kopje e re e saj. Por nuk do të ishte më dora e Rembrandit. Atëherë iu vunë një pune restauruese që zgjati 12 vjet, për ta sjellë thuajse plotësisht në gjendjen e saj të para atentatit.
Autorët janë kaq të shumtë sallave të Ernitazhit e numri i veprave është kaq i madh sa edhe pse i kushtojmë një ditë të tërë, nuk arrijmë t’ia shohim fundin.Autorë si Picasaso,Goghen,Matis e ndonjë tjetër janë të përfaqësuar në mënyrë më të plotë e punimet e secilit zënë 2-3 salla. Ndërsa Da Vinçit, edhe pse ka vetëm dy punime,i është lënë në dispozicion salla më e madhe e më luksoze e pallatit.E është pikërisht aty ku vizitorit i duhet të rrijë të presë në radhë për të soditur veprat e artistit të madh italian me famë botërore.
Janë të shumta sallat e ambientet, ku luksi, mrekullitë arkitekturore, finesa e ndriçimit dhe e ekspozimit të veprave të artit, të mahnisin me bukuritë e tyre. Të tilla janë llozha e Raffaellos, Salla e Pjetrit, salla e malakiteve, shkalla e galës apo shkalla Iordanskaja, siç quhet ndryshe.
Do të ishte e pakuptimtë të rrija e të ndalesha në emra veprash e autorësh, sepse nuk do mjaftonin libra të tërë, por ndjen një kënaqësi të papërshkrueshme kur shikon turmat e pafund të vizitorëve që formojne radhët e gjata për të hyrë në muze.Ato vepra, që i dhanë shkëlqim të veçantë botës e shpirtit njerëzor në kohën kur u krijuan, sot e kësaj dite vazhdojnë të transmetojnë pasuri të panumërta shpirtërore e materiale në dobi të brezave. E të mendosh se shumë nga autorët e këtyre veprave nuk e njohën luksin,madje shpesh punuan të privuar edhe nga mjetet më të nevojshme të jetesës. Por ata kishin forcën e pasurinë magjike të talentit të tyre, që do të vazhdojnë t’u transmetojnë brezave atë që asnjë forcë e madhe ekonomike nuk do të arrinte ta bënte sot. Ndaj kjo pasuri e pamatshme ruhet me rreptësi si nga agjentët atmosferikë, ashtu edhe nga çmenduritë e njerëzve. Me shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore, meqenëse gjatë historisë Pallati i Dimrit ishte sulmuar shpesh, veprat e artit të Ermitazhit u transferuan me trena dhe u fshehën në Urale deri në vitin 1945, që të mos pësonin dëme nga lufta.

***

Kur mbyllet muzeu ka rënë mbrëmja, por është ende dritë. Marrim urën më të afërt për të dalë në bregun tjetër të Nevës. Synimi ynë është të arrijmë tek kryqëzori “Aurora”, që hartat na tregojnë se gjendet nga ajo anë. Sapo kalojmë urën dhe ndodhemi tek ajo që quhet maja e ishullit Vasiljevskij, në pikën e bashkimit të Nevës së Madhe me Nevën e Vogël, bëhemi pjesëmarrës të një feste të vërtetë. Njerëz të gëzuar, kryesisht marinarë me uniformat e tyre të bukura, të rinj që blejnë suvenire, një podium i përgatitur për koncert, radioja që transmeton marshe e kënge tipike luftarake ruse, ambienti i zbukuruar me flamuj,banderuola e afishe të shumta. Mësojmë se është festa e Flotës së Balltikut. Blejmë edhe ne ndonjë shall marinari si souvenir, përzihemi në turmën e gëzuar të rusëve që festojnë, pastaj ndalemi në një lokal për të bërë një pauzë, me mendimin për të shijuar diçka nga kuzhina ruse. Lokali ishte mjaft i këndshëm. Por me përjashtim të votkës së mrekullueshme që nuk më kishte rënë rasti ta provoja tjetërkund kaq të mirë, nuk gjetëm asgjë tipike ruse që të na tërhiqte vëmendjen. Qoftë aty,apo edhe në disa restorante të një niveli më të lartë, kureshtja jonë nuk u kënaq. Kudo kamerieret të sjellin menytë ku gjen prodhime të kuzhinës italiane, francese apo të vendeve të tjera perëndimore. Që, pastaj, janë thjeshtë një surrogato e atyre kuzhinave. Ne që vijmë nga Italia, natyrisht që nuk presim të gjejmë finesën e kuzhinës italiane në Sanpietërburg. Por,si ne,edhe shumë turistë të tjerë,jemi gati të provojmë gjëra karakteristike të kuzhinës ruse, edhe pse për momentin mbase mund të mos na shijojnë. Globalizmi ka bërë që në qytetet e mëdha turistike kudo nëpër Europë, të serviren meny për turistë, për të ngrënë diçka të shpejtë e për të vazhduar vizitën, ndërsa për specialitetet e vendit duhet të kërkosh restorante në guidë. Por natyrisht që nuk ia vlen të humbasësh aq kohë, kur synimi ynë kryesor është të shijojmë bukuritë artistike e natyrore të qytetit. Vazhdojmë udhëtimin përgjatë bregut të Nevës. Diku prapa krahëve të kështjellës së Pjetrit e Palit është muzeu i artilerisë i qytetit. Mbi trotuar, në hyrje të muzeut, dy-tre tanke, pranë të cilëve njerëzit ndalen e bëjnë fotografi. Ndalemi edhe ne. Një çift të rinjsh rusë na afrohen e kërkojnë të bëjnë fotografi me ne, pasi e kuptojnë që jemi të huaj. Djaloshi është marinar. Kur ne duam të bëjmë foto me shallat e marinarit që kemi blerë, ai vjen drejt nesh e na ofron kapelen dhe shallin e tij. -Kjo është uniforma e vërtetë e marinarit rus, -thotë ai me krenari. E këtë krenari tipike ai do ta shfaqte në mënyrë simpatike edhe kur nderonte si ushtarak ndërsa dilte në fotografi me ne.
Arrijmë tek kryqëzori Aurora me një emocion të madh, por na pret një zhgënjim i vogël.Ne prisnim të shikonim një anije gjigande luftarake, që me të shtënat e saj në vitin l917 dridhi botën, duke goditur Pallatin e Dimrit e duke bërë që qeveria provizore të binte. Por ajo ishte vetëm pak më e madhe se një anije e sotme peshkimi. Disa gryka të vogla topi, të cilat me predhat e tyre shënuan fitoren e revolucionit të Tetorit,duke bërë atë kthesë të madhe në histori, që do të çonte dalëngadalë në transformimin e një të gjashtës së globit në “perandorinë” famëkeqe komuniste, duke e izoluar nga pjesa tjetër e botës. Megjithatë anija është e mirëmbajtur.Ajo shërben sot si nje relike e vendosur në këtë kthesë të lumit Neva dhe turistët e shumtë edhe këtu bëjnë foto e blejnë souvenire, që lidhen pikërisht me kryqëzorin e famshëm.

***

Dita tjetër qëlloi e hënë dhe tërë muzetë ishin mbyllur. Dolëm nëpër rrugë për të parë jetën e zakonshme të qytetit. Hyjmë në një nga tregjet, ku veç çmimeve te larta asgjë tjetër nuk të bënte përshtypje. Pas disa vitesh nga ky udhëtim Zhani do më thoshte: -Si nuk u kujtove të më bleje një samovar (çajnikun e famshëm rus) kur ishim në Sanpietërburg…Faktikisht, sa ishim atje nuk u kujtuam, se ishte verë, por mbetet një nga obligimet e mia që në rastin më të parë të porosis një samovar që të ma sjellin nga Rusia.
Shëtisim buzë kanaleve të ndryshme të Nevës, plot ura të zbukuruara me skulptura të ndryshme. Na kujtohet disi Venezia, por këtu përmasat e kanaleve e urave janë gjigante. Ngado ndërtesa që tërheqin me arkitekturën e tyre. Rruga kryesore dhe më e vizituara e qytetit quhet Prospektiva Nevskij. Ajo është e mbushur në tërë gjatësinë e saj me ndërtesa të tilla. Tepër e populluar e në gjallëri ditë e natë. Hypim në autobuzët e vegjël e të mbushur plot e përplot me udhëtarë, ku ti paguan por askush nuk ta zgjat biletën. Me taksitë duhet të kesh kujdes sepse të bëjnë të paguash të paktën dyfishin e asaj që kushton në të vërtetë.Vetëm kur iu drejtohesh në rusisht, janë gati të bëjnë pazar e ta ulin çmimin. Edhe në restorante është mirë të mbash përherë rubla të vogla me vete, sepse përgjithësisht nuk të kthejnë kusur e të mbajnë më shumë nga bakshishi që ke menduar të japësh. Natyrisht, në një qytet, që megjithëse është i dyti në Rusi për prodhim industrial shumë veta jetojnë me turizmin, fenomene të tilla janë të kuptueshme e, natyrisht, nuk janë këto që mund të prishin kënaqësinë e qëndrimit në Sanpietërburg. Bile, kur i mendon pastaj,të vjen vetvetiu një buzëqeshje.
Ndërtesat që na tërheqin më shumë vëmendjen janë kishat e katedralet.Shkojmë të vizitojmë disa prej tyre. Kisha e ringjalljes së Krishtit, një nga simbolet e Sanpietërburgut, të habit me shumëllojshmërinë e formave e të ngjyrave, që e bëjnë atë një monument unikal. Por edhe historia e saj është e veçantë e dramatike. Më parë ajo quhej”Shpëtimi i gjakut të derdhur”. Në këtë pikë në breg të Nevës në vitin 1881 një terrorist, që i përkiste organizatës “Vullneti i popullit” vrau perandorin Aleksandri i dytë. Në kujtim të tij u ngrit dy vite më vonë kjo kishë, e ndërtuar sipas stilit të arkitekturës ruse e që përfaqëson edhe sot një nga realizimet më të veçanta të kësaj arkitekture.
Më tej Katedralja e Madonës së Kazanit, me kupolën madhështore e formën e harkuar të fasadës ballore përbën një nga realizimet më të bukura arkitekturore të Prospektiva Nevskij. Katedralja e Sant Isakut, me kolonat madhështore në të katër anët e saj e ambientin përreth, është një nga pikat më tërheqëse të qytetit.Të vizituarit e këtyre objekteve, kërkon shumë kohë. Por kërkon edhe t’i bësh llogaritë mirë. Në secilën prej tyre duhet të paguash si çmim bilete të njëjtin që paguan për të vizituar Ermitazhin. E nëse do që të përdorësh edhe videokameran e makinën fotografike duhet të paguash mbi 20 euro apo 30$ për secilin objekt. Kështuqë në morinë e monumenteve të duhet të seleksionosh e të zgjedhësh ata më kryesorët për t’i vizituar edhe brenda.

***

Sanpietërburgu është qyteti i Pushkinit. I lindur në afërsi të Fshatit të Carit, ai u rrit në ambientet aristokratike të familjes perandorake, u formua me kulturë franceze (e njihte frëngjishten më mirë se rusishten) dhe në ambientet e këtij qyteti arriti të bëhej poeti më i madh i gjithë Rusisë. Emrin e tij e gjen gati kudo. Në Prospektiva Nevskij është kafeneja Wulf, ku ai shkonte gjithnjë për të pirë kafenë e ku takohej me artistë e intelektualë të tjerë të qytetit. Më tej është teatri që mban emrin e tij. Apartamenti ku ai jetoi vitet e fundit në rrugën Mojka buzë Nevës dhe ku vdiq pas plagosjes në duel, është muze që vizitohet nga turistë prej të gjitha anëve të globit. Aty është salla e tij e punës me bibliotekën shumë të madhe, dhomat e ndenjes e ambientet ku priste miqtë, disa nga objektet e tij personale (shumë të tjera janë dërguar në shtëpinë e tij muze në Moskë), një konfeksion me armët e tij etj. Ai ishte poet i dashuruar në oborrin perandorak dhe në kopshtin e pallatit luksos të Katerinës, në një pejsazh poetik mes gjelbërimit, ka një nga monumentet e tij.
Sanpietërburgu me bukuritë e tij, me klimën e ambientet tërhiqte shumë artistë, jo vetëm shkrimtarë, por edhe muzikantë, piktorë, balerinë nga e gjithë Rusia. Këtu jetoi për shumë kohë e vdiq një nga kompozitorët më të mëdhenj rusë, Çajkovskij. Në vitet e fundit të tij jetoi e punoi këtu shkrimtari tjetër i madh, Dostojevskij. Apartamenti ku ai punoi derisa u nda nga jeta e ku shkroi romanin e tij të fundit “Vëllezërit Karamazov” është muze. Në varrezën e artistëve në Sanpietërburg prehen edhe kompozitorë të tjerë të njohur si Musorgskij, Glinka, Rimskij-Korsakov, vëllezërit pianistë Rubinshtejn, si dhe balerinë, piktorë e artistë të tjerë.
Në vitet e fundit të shekullit të 19-të e vitet e para të shekullit të 20-të jeta kulturore artistike e Sanpietërburgut filloi t’ i ngjajë pak stilit liberty, pak a shumë si në ambientet pariziane. Shkrimtarët, artistët dhe intelektualët takoheshin në orët e çajit dhe mbrëmjeve nëpër lokale e sallone, organizonin diskutime, koncerte e ekspozita, duke e gjallëruar shumë jetën kulturore të qytetit. Epiqendra dhe perandoresha e pakurorëzuar e kësaj jete tërheqëse e të bukur ishte bërë poetja rebele Ana Ahmatova. Populli i Sanpietërburgut ishte i dashuruar pas saj. Ai i ka dedikuar me dashuri disa monumente në rrugë e sheshe të ndryshme të qytetit dhe shtëpia ku jetoi për 30 vjet është ndër muzetë më të vizituar. Tridhjetë vitet që vazhdoi pak a shumë kjo atmosferë quheshin “shekulli i argjendtë”, që do të ndërpritej nga era e revolucioneve, së pari ai i vitit 1905 e pastaj Lufta e parë botërore dhe revolucioni i tetorit, i vitit 1917.
Pikërisht në vitin 1905 në jetën e oborrit rus hyri si papritur një figurë e çuditshme, misteriose, por shumë karizmatike, prifti muzhik i ardhur nga Siberia, Rasputini. Figurë që i është kushtuar aq vend në letërsi e në kinematografi. Njeriu me vështrim magnetik që hipnotizoi carin Nikolla i dytë dhe careshën Aleksandra dhe u bë për 11 vjet figura më influencuese në familjen e carit, në pallatet luksoze e në vetë politikën ruse. Ai arriti të shkëpuste nga thonjtë e vdekjes princin trashëgimtar, Aleksej, që vuante nga emofilia. Asnjë mjek apo grup mjekësh nuk ia kishte dalë ta bënte këtë. Kurse ai ia arriti e për këtë u krijua idea që ai zotëronte fuqi magjike paranormale. Muzhiku siberian shumë shpejt iu përshtat jetës së oborrit, përvetësoi mënyrat e rafinuara të jetesës, të veshjes e të jetesës dhe u bë kanakari i damave më të shquara të aristokracisë ruse. Influenca e tij tek cari dhe caresha ishte aq e madhe sa ata e thërrisnin miku ynë, madje spostoi edhe autoritetin e figurës së kryeministrit.
Kjo gjë zgjoi zilinë e urrejtjen e kabinetit qeveritar, të disa ministrave, që i ngritën një kurth për ta zhdukur. Ministri Jusupov, me dy-tre të tjerë, e ftoi në shtëpinë e tij, duke i premtuar që do ta njihte edhe me një damë elegante, praktikisht gruan e tij, (e cila atë natë faktikisht do ishte jashtë qytetit). Gjatë mbrëmjes i ofruan të pinte madera, një verë e preferuar prej Rasputinit. Brenda i kishin hedhur sasira cianuri të fuqishëm që do vrisnin në vend edhe një elefant. Ai pinte e nuk donte t’ ia dinte. Madje pati momente që u kthjellua edhe më shumë. Atëherë vendosën ta asgjësonin duke e goditur me pistoletë. Edhe i plagosur ai gjeti forca dhe u turr të ikte. E ndoqën jashtë nëpër dëborë, e qëlluan prapë e prapë dhe pastaj trupin e tij e hodhën në Nevë. Kur u bë autopsia në trupin e tij nuk dukeshin shenja cianuri. Një mister tjetër i këtij njeriu mister.
Vrasja e tij u prit me njëfarë indiference nga cari. Mbase nga që kishin filluar të qarkullonin zëra të njëfarë afrimi të dyshimtë të careshës me Rasputinin. Nuk u bënë hetime. Madje Jusupovit iu dha një nga pallatet luksoze të Sanpietërburgut.
Rasputini iku kur Rusia ishte në kulmin e ngjarjeve luftarake e të revolucionit.- Në atë mënyrë ikjeje të Rasputinit të plagosur, duke u zvarritur nëpër dëborë,- shkruan gazetari italian Ferruccio Gattuso,- ishte vetë Rusia që po ikte, Rusia e vjetër tashmë jashtë kohës, e kacavarur në një botë që historia po e flakte tej.
U përmbys perandoria dhe pushteti i carëve dhe erdhi “cari i ri”, Partia bolshevike. Lenini, ia hoqi Sanpietërburgut edhe emrin e kryeqytetit dhe bëri të tillë Moskën. E, për më tepër, i vuri emrin e tij qytetit, duke e quajtur Leningrad.

***

Një kënaqësi më vete në Sanpietërburg përbën udhëtimi me metro.Impressionuese kur fillon zbritjen nën dhe me shkallën e lëvizshme, së cilës nuk i shihet fundi.Të duket sikur do të zbresësh në qendër të tokës si në romanet e Zhyl Vernit. Natyrisht, duhet të arrish nën nivelin e shtratit të Nevës, që është lumë i thellë dhe i lundrueshëm.Vetëm duke kaluar nga stacioni në stacion, nëpër trenat ku nuk gjen vend per t’u ulur, e kupton sa e madhe është popullsia e qytetit dhe se çfarë gjallëri lëvizjeje ka. Stacionet janë të bukur e shumë të pastër. Kur je në shkallën e lëvizshme vëren se njerëzit vendosen në njerën anë të saj, duke e lënë gjysmën tjetër të shkallës bosh. Arsyen e kuptuam vetëm kur pamë se kishte plot nga ata që nxitonin dhe e konsideronin të ngadaltë lëvizjen e shkallës. Ata vraponin, shpesh duke i kapërcyer shkallët nga dy e nga tri. Nxitimi tipik i njeriut rus, që dikur më kishte bërë aq përshtypje te drama “Orët e Kremlinit”.
Afër mesnatës po i afroheshim hotelit dhe u kujtuam të futeshim në një dyqan për të blerë votkë. Kur ia thamë shitësit, ai na tregoi një kartelë ku shkruhej se pas orës 23 ishte e ndaluar shitja e pijeve alkoolike. Në një kuptim na erdhi keq, por nga ana tjetër menduam se sa mirë do të ishte të vihej një ligj i tillë edhe në Itali, ku pijet alkoolike në diskoteka shiten deri në 3 të mëngjesit, duke bërë që në çdo fund jave të ketë dhjetra viktima të rinjsh nga aksidentet mobilistike gjatë kthimit nga diskoteka. Por keqardhja jonë zgjati vetëm për një çast, pasi shitësi na bëri shenjë të prisnim. Pasi mbaroi me klientët e tjerë,i tha dikujt që të mbyllte derën.
-Sa shishe doni?-na u drejtua pasi dera u mbyll.
Morëm aq sa deshëm të merrnim dhe dolëm. Njeriu që kishte mbyllur derën ishte në uniformë ushtarake. Mësuam se ai dhe shitësi ishin vëllezër dhe se administronin një numër dyqanesh përgjatë asaj rruge.

***

Ditën tjetër kishim vendosur të vizitonim muzeun e rezistencës së popullit të Leningradit, në periudhën e Luftës së dytë botërore. Dihet nga historia që Leningradi luftoi për 900 ditë nën një rrethim të egër të nazistëve gjermanë, pasi Hitleri kishte vendosur ta zhdukte nga harta si qytet. Qëndresa qe e jashtëzakonshme, në kushtet e një urie që çdo ditë merrte qindra jetë njerëzish. Para luftës Leningradi numëronte 3 milionë banorë. Kur mbaroi lufta, kishin mbijetuar vetëm 600 mijë.U desh të kalonin mbi 30 vjet që ai të arrinte numrin e viteve të paraluftës. Ndërsa sot ka 4.5 milionë banorë. Hitleri nuk e zhduku dot Leningradin dhe banorët e tij nuk e lanë qytetin të binte në duart e armikut, duke ia prerë ushtrisë naziste marrshimin drejt Moskës.
Na u desh shumë kohë gjer ta gjenim muzeun. Mjaft nga ata që i pyesnim, megjithëse banorë vendas, dukej sikur nuk kuptonin se çfarë po kërkonim. Më së fundi,me ndihmën e hartave, arritëm. Dhe zhgënjimi qe total. Një ndërtesë e vogël dykatëshe, e pamirëmbajtur, një kartelë ku mezi lexohej emri i muzeut dhe një portë e vjetër prej druri, që dukej se do binte nga çasti në çast. Pak vizitorë që vinin shikonin anash sikur i ndiqte ndokush. Muzeu administrohej nga dy gra të moshuara, që dukej se ishin aty vetëm për t’i shtuar diçka pensionit të tyre. Brenda pak ambiente, pak stenda e pak relikte. Më shumë pllakate e materiale të tjera të karakterit propagandistik. Në sfond muzikë me marrshet luftarake sovjetike. Një helmetë e shpuar me preçizion në lule të ballit, që i ngjan më shumë një ekzekutimi se një renieje në front, një racion buke prej mielli të përzier me tallash. 200 gramë, aq ishte racioni ditor i mbrojtësve të Leningradit. Më tej një copë zami, nga ai që përdorej për të ngjitur letrat në muret e dhomave. Edhe ai ishte pjesë e ushqimit ditor, bashkë me rripat e çdo gjë tjetër lëkure, që ziehej e hahej. Banorët kishin arritur të hanin deri edhe torfën e kënetave për të mbijetuar.
Mësojmë se pas luftës, në vitin l948, Stalini, në vazhdim të represioneve të tij, pushkatoi ish-drejtorin e këtij muzeu dhe e mbylli institucionin. 37 mijë reliktet e tij u asgjësuan apo u shpërndanë. Synimi i Stalinit ishte të errësonte rezistencën heroike të 900 ditëve të Leningradit, për të himnizuar betejën e Stalingradit. Kjo e shpjegon varfërinë e muzeut dhe ndrojtjen e pavullnetshme për ta vizituar atë. Edhe 50 vjet pas vdekjes së Stalinit, dukej sikur njerëzit i trembeshin ende ndjekjes së tij.
Vetëm pas rrëzimit të komunizmit muzeu u hap në përmasa të zvogëluara, me ato materiale që u dhuruan nga ish-mbrojtësit e Leningradit që i kishin shpëtuar represionit stalinist.
Pas rrëzimit të komunizmit, Sanpietërburgu rifitoi emrin dhe shkëlqimin e tij në sytë e botës. Presidenti Putin, që është nga ky qytet, ka këmbëngulur për të dhënë fonde që Sanpietërburgu të zhvillohet më tej. Gjatë fushatës elektorale për president ai u bëri edhe një premtim tjetër bashkëqytetarëve: që ta rishpallte Sanpietërburgun kryeqytet të Rusisë, siç ka qenë dikur. Siç dihet, pas fitores së zgjedhjeve shumë premtime elektorale harrohen.

Por populli nuk harron. Edhe atëherë kur fal.

Ndue Lazri

Dërgoi Gjin Musa