Edmond Arizaj
Dy orë u bllokua trafiku në Tiranë para pak ditësh dhe shfryrja e nervi arriti kulmin. Vetëm një ditë qielli derdhi rrebesh në kryeqytet, dhe të gjithë ne iu kthyem të vdekshmëve e të pavdekshmëve me uturimë. Po ata atje? Si vallë durojnë, jo me bllokim trafiku, por me bllokim jete prej kaq ditësh? Me ujin që u është bërë i pandashëm, të paktën prej dy vjetësh, me evakuimet e herëpashershme, me jetesën që rinis e rinis nga e para, e me të njëjtën zezonë mbi kokë e nën këmbë. Durimi i atyre njerëzve qenka i pakufishëm. Mund të thotë ndokush se s’kanë kujt t’i hakërrehen. Patjetër që kanë. Njeriu në fatkeqësi grindet edhe me veten, edhe me Perëndinë.
I kërkon llogari edhe mikut, edhe armikut. Gjen përgjegjësi edhe tek i veti, edhe tek i huaji. Ndërsa shkodranët, jo. E kanë pranuar heshturazi apo mbyturazi fatin e tyre, dhe përpiqen me çdo mënyrë të qeshin edhe kur duhet të ulërijnë. Ky popull që ka ditur të përballet me lloj-lloj kuçedrash e të fitojë, nuk po përfiton nga rasti i keq për të kërkuar favore. Thjesht po pret. Kjo pritje e tyre është vrastare. Është e tillë për çdo njëri që e vret këpuca dhe kërkon rrëzimin e fabrikës. Shkodranët në ditët e tyre më të këqija po japin sërish leksione qytetarie dhe mospërfitimi.
Por, nuk duhet veç t’i falënderojmë çdo vit, sepse edhe durimi mund të ketë kufi. Qeveria veproi me shpejtësi në këtë situatë të rënduar. U ngritën grupe pune, u inspektuan vendet, u morën masat, e gjithçka tjetër e nevojshme e parashikuar dhe e përllogaritur për raste të tilla. Madje, për çdo zonë të prekur rëndë është caktuar edhe një anëtar kabineti si përgjegjës. Për jetët e njerëzve i gjithë shteti u vu në lëvizje. Deri këtu nuk ka asgjë për t’u kritikuar, por edhe asgjë për t’u lavdëruar, kjo është detyra primare e shtetit.
Por, nëse gjithë këto forca, gjithë këto mendje, gjithë këto fonde, gjithë ky mekanizëm do të ishin vënë në lëvizje përpara se natyra të bënte të sajën, a do të ishin të njëjta pasojat? Sa studime janë bërë që prej vitit të kaluar e deri në verën e këtij viti për të mos lejuar ujërat të pushtojnë Shkodrën e fshatrat e saj? Sa ndërtime mbrojtëse janë krijuar që prej përmbytjes së fundit? Sa fonde më shumë i janë shtuar Shkodrës apo linjës së pushteteve që mbron Shkodrën nga përmbytjet? A është krijuar një grup i veçantë i përhershëm vetëm për këtë zonë? Ka edhe shumë pyetje të tjera, që nga ana e qeverisë do të ishte mirë të sqaroheshin për opinionin dhe në radhë të parë për shkodranët.
E, nëse problem janë shtëpitë e ndërtuara pa kriter, qeveria duhet të veprojë, ashtu siç vepron për të mbrojtur një njeri nga vetëvrasja. Nëse problem janë bllokimet e ndryshme, të ndëshkohen rëndë përgjegjësit, ashtu siç ndëshkohen tentativat për vrasje. Nëse problem janë gërryerjet e ndryshme natyrore, të vihen afate të rrepta trajtimi, e nëse janë gërryerje njerëzore, të mos falen. Shtetit mund të mos i drejtojmë gishtin për këtë përmbytje, por nëse nuk ekziston një strategji afatgjatë, patjetër duhet të përplasim grushtin.
Shtetit mund t’i jemi mirënjohës për reagimin e shpejtë e pa pasoja deri tani, por nëse vet ai pret me sytë nga qielli, atëherë mirënjohja mund të kthehet në revoltë. Askush nuk mund të barabitet me natyrën. Askush nuk mund të shmangë një uragan, një tërmet, apo dhe një përmbytje. As një shtet, sado i fortë qoftë. As shkodranët nuk kërkojnë këtë. Thjesht kërkojnë një zgjidhje. Qoftë kjo edhe me masa drastike. Nuk ka pse të ketë një dhimbje pa fund, e aq më pak një fund të dhimbshëm. Natyra deri tani është treguar dorëlëshuar në ujë, por fatmirësisht ka marrë me vete vetëm orendi…
Shkodra na ka bërë me turp. Jo pse ata nuk dinë të reagojnë, dinë të reagojnë mirë madje, por sepse ata nuk reagojnë për të përfituar nga fatkeqësia. Një mësim ky që vjen nga qyteti nën ujë, për të gjithë ata mbi ujë përtej Shkodrës e mes Tiranës. Shteti është në borxh me këta njerëz. Edhe anti-shteti është në borxh me këta njerëz. Duhet t’ia lajnë borxhin.