Në “barkun” e Partisë së Presidentit

0
71

Gladiola Bendaj, 10 Maj 2012, Revista JAVA

Nuk është barku i Titanikut. As i Concordias. Është thjesht selia e partisë më të re në Shqipëri. E cila, natyrisht që s’ka asgjë të përbashkët me dy metaforat e mësipërme. Përkundrazi. Projekt ambicioz, fytyra të reja e plot energji, fjalë të zgjedhura e mbi të gjithë dhe mbi gjithçka – hija e kreut të shtetit që shtrihet e padukshme ngado. Ky është perceptimi i parë, kur viziton selinë e Frymës së re Demokratike

Është mesdita e 1 Majit. Kanë kaluar vetëm 24 orë nga momenti i zhvillimit të ceremonisë së zyrtarizmit të “Frymës së Re Demokratike”, partisë më të re për shqiptarët. Një ditë më parë, i qetë dhe sportiv,e qytetar si pakkush, kryetari i grupit nismëtar të FRD-së, Gazmend Oketa, mbajti një fjalim të gjatë para mediave dhe qindra të pranishmëve. Një frymë e re demokratike, një parti që do të përfaqësojë shtresën e mesme të shoqërisë shqiptare, klasën më amullike të saj. Një e djathtë e qendrës, fokusuar fort tek rinia, target grupi kryesor. Për tu ndierë kështu, atyre nuk iu duhet shumë. Mjafton ajri i një zyre, dhënia e një përgjegjësie, fryma e të barabartit në grup, një karrige, një këmishë e hekurosur bukur, një CV në perspektivë, ca shkresa nëpër duar …

Sa i takon politikës, partisë, platformës, strategjive, shanseve ose jo, për këtë u fol e do flitet gjatë. Ne deshëm të ndalim pak në këtë atmosferë starti të ditëve të para të punës aty, në ambientet e sapokrijuara të partisë më të re të shqiptarëve – e 135-ta ose e 136-a në listë, siç na thanë më vonë vetë.

Partia e presidentit përballë Parlamentit

Është ditë pushimi pothuajse për gjithë shqiptarët. Trafiku është periferive dhe zhegu i ditës lë pak vend për lëvizje. Edhe në rrugën “George W. Bush” lëvizin pak makina. Parlamenti duket se ka mbajtur frymën, asnjë lëvizje nuk duket prej andej. Çerdhja e marrë me qira nga “të zhgënjyerit” e PD-së, ndodhet fiks përballë kësaj godine, vetëm pak metra larg nga selia PD-së. Është pa diskutim partia me logon më të madhe të ekspozuar. Në katin sipërm të godinës së “Kasmëve”, veshur me tulla të kuqe dekorative, ajo zë pothuajse gjithë gjatësinë e tij. Fryma e Re Demokratike, gërma të mëdha në blu “evropiane” dhe logoja trengjyrëshe e simbolit të Frymës së Re. Nuk mungon e verdha e së djathtës dhe blu-ja dhe e kaltra evropiane. Sipas preferencës apo fantazisë, ca e definojnë si flaka e një qiriu e ca të tjerë si një syth. Tek e fundit, është pranverë… Nuk dihej se kush ishte disenjatori i logos, por ama emri ishte përzgjedhur nga një sondazh i bërë, mes plot dhjetë varianteve të tjerë të propozuar: Forca e Re Demokratike; Lëvizja Popullore Europiane; Forca për Integrim dhe Unitet; Fryma e Demokracisë së Re…

Selia e partisë më të re në vend ka hapur dyert për anëtarët dhe simpatizantët e saj. Të 23 zyrat e saj janë vendosur në të dy katet e fundit të godinës dhe zënë një sipërfaqe të përgjithshme prej 550 metrash katrorë. Kati i sipërm është rezervuar për zyrat e drejtuesve, sallën e mbledhjeve dhe atë të konferencave. Modeste në sipërfaqe këto të fundit, por gjithsesi, mjaftueshëm për një fillim të ri. Një kat më poshtë, janë vendosur zyrat e stafit ekzekutiv dhe administratës. Është pikërisht kjo hapësira ku të rinjtë kanë marrë në dorë situatën dhe presin e përcjellin vizitorët. Mëngjesi, thonë, ka qenë më i zhurmshëm. Madje, madje, nuk kanë munguar as ata që prisnin që me sabah që zyrat të hapeshin e të futeshin për tu regjistruar.

Në ditën e parë të punës

Hyrja për në godinë është një derë e ngushtë. Sipas saj, është vendosur rishtazi një kartelë me logon blu që tregon se je në rrugën e duhur. Ndjekim një kafaz shumë të ngushtë shkallësh të pastra, që lë pas korridore gjithaq të ngushtë dhe jemi lart. Qetësi. Një korridor pak më i madh pritës që shpohet nga ca kolona të rrumbullakëta. Nga dera e hapur përballë, ku shkruhet “Financa”, duken tre djem të rinj të ulur në një tryezë të vogël, ndarë me hapësira xhami, si ato të një call-center. Nuk tërheqim vëmendjen e askujt dhe teksa marrim shkallët për në katin e fundit, na thërret zëri i një vajze. Sipër nuk ka njeri, kë kërkoni?

Kërkojmë Z. Biberaj. Ka vetëm pak minuta që është larguar për drekë. 1 maji i të gjithëve përkon me ditëlindjen e tij. Teuta na drejton në një hapësirë të ndriçcuar mirë që duket si sallë mbledhjesh. Një tavolinë e thjeshtë në formë “L”-je, zë karrige të larta me ndenjëse damasku që janë ende në qese, ca formularë anëtarësimi të plotësuar e ca të tjerë bosh të radhitur me kujdes, një laptop i vogël, stilolapsa dhe një stick për ngjitjen e fotografive. “Jemi ende duke punuar me sistemimin e zyrave, pritet të vijnë kompjuterët, të lidhet interneti, të përfundojë mobilimi i të gjitha zyrave, të ndahen pozicionet e punës… Por këto janë detaje që shumë shpejt do të jenë gati. Puna ka filluar dhe njerëzit që na kanë vizituar kanë qenë të shumtë. Të mendosh që është vetëm dita e dytë… Cila është konkretisht detyra e saj? Tani për tani, të gjithë përpiqen të bëjnë diçka të dobishme. Ajo vetë nuk e di ende këtë, sepse nuk marrim ndonjë përgjigje shumë konkrete. Ndoshta është herët, ndoshta është diskrete… “Por më mirë është që ju të flisni me Z. Biberaj, ai vjen pasdite…”.

Aleksandër Biberaj, ish deputeti i PD-së, është një nga kryesuesit e grupit iniciator dhe mesa duket është ai që ka marrë përsipër edhe komunikimin me median në këto ditë të para të FRD-së. Pasditja vjen shpejt. Djemtë e turnit të paradites janë zëvendësuar nga të tjerë. Nuk ka ardhur ende interneti, sepse duhet të ishin duke u marrë dhe me faqen zyrtare të partisë dhe atë që kanë hapur në Facebook. Janë të sjellshëm, të kujdesshëm me fjalët dhe flasin me radhë.

Të rinjtë vullnetarë

Rezart Sina është vetëm 24 vjeç. Mes të katërve, ai duket si më kompetenti. Qëndron para një laptopi dhe ndërsa flet nuk e ndalon punën. Jep e merr duke shkruar e klikuar. Ka një pamje të kuruar prej djaloshi që sapo ka dalë nga kolegji, që mban për vete një buzëqeshje të përmbajtur. Ai s’ka shumë që është kthyer në Shqipëri, pas 6 vitesh studime për financë në New York. Ideja për t’u angazhuar në politikë duket se nuk ishte dhe aq e rastësishme. Pak dëshira për t’u kthyer e për të kontribuuar në atdhe, pak familja, të njohurit… “U njoha nga afër me nismën e FRD-së dhe më pëlqeu. Është një sfidë dhe mua më pëlqejnë sfidat. Mendoj se është një fillim i mbarë për mua dhe kam besim se rezultatet do jenë të kënaqshme. Më tërhoqi ideja që u jepej prioritet të rinjve kryesisht, që puna konsistonte në sjelljen pranë të këtij target grupi, komunikimi i drejtpërdrejtë me ta. Rinia shqiptare ka nevojë të motivohet, unë jam një prej tyre…”.

Emri i Rigels Xhemollarit na bie disi i njohur. Ai buzëqesh jo pa siklet, sikur të dojë të thotë se nuk është se ka bërë ndonjë gjë të madhe. Por ja që ndryshe nga shumica e bashkëmoshatarëve të tij, ka ndjekur angazhime të njëpasnjëshme, deri sa më në fund, pranon se ka gjetur frymën e duhur, Frymën e Re Demokratike. I pëlqen emri, punë e madhe se shumë e quajtën një emër demodè, kur ata e lançuan. Banon në Tiranë, ka mbaruar shkollën e mesme në Pogradec dhe është diplomuar për Drejtësi në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. Ai ka qenë kryetar i Parlamentit Rinor, ka punuar si ekspert për arsimin për Maturën Shtetërore dhe Altertekstin, pranë zyrave të Soros-it në Tiranë dhe ka qenë themeluesi i qendrës “Kujtesa anti-komuniste”.

Aktivist i kahershëm i PD-së, kjo e fundit e mesa duket e pat zhgënjyer dhe Rigelsin. “Tek PD, nuk i gjeta idealet e mia. U tha kaq shumë dhe s’u bë asgjë…”. Ai kujton frymën frenetike të studentëve të Dhjetorit dhe nuk vonon të shprehet kundër censurës komuniste dhe prò hapjes së dosjeve. Po të kesh parasysh që në dhjetorin ’90 ai ishte vetëm dy vjeç, atëherë i bie që është një antikomunist i lindur. “Sigurisht që unë nuk kam jetuar asgjë nga ato, por kam lexuar e dëgjuar. Gjithë ata intelektualë, ajka e mençurisë dhe dijes, që u mbrus në komunizëm, u vra e u sakatua nga ai sistem…”.

Për momentin ai dhe Rezarti, merren me anëtarësimet. Dy djemtë e tjerë janë miqtë e tyre që iu bëjnë shoqëri gjatë pasdites. Paradite kanë qenë ca djem të tjerë. Na tregojnë se gjithë gjithë, stafi i tyre, përveç drejtuesve, përbëhet nga 9 a 10 vetë. Të gjithë të rinj dhe mosha mesatare është diku te 25 vjeç. Punojnë vullnetarisht dhe nuk paguhen për kontributin e tyre. Familjet e tyre dhe njerëzit më të ngushtë i kanë mbështetur në këtë nismë dhe, sigurisht, janë bërë të gjithë anëtarë të FRD-së.

Anëtarët e parë

Fillojnë të vijnë vizitorë. Fillimisht një çift. Burri, i veshur sportiv dhe me një çantë stil postieri hedhur në tani i dikton femrës se ku duhet të firmosë, adresa, mjeti identifikimit, plotësimi i pyetësorit dhe ja ku u bë. Anëtarësimi është pa pagesë. Parimisht nuk duhet të funksiononte kështu, por…, si fillim… Siç do të na shpjegonte ca më vonë Biberaj, “punimet e deritanishme janë financuar nga simpatizantë dhe mbështetës. Dikush mobilimin, dikush kompjuterët, dikush instalimet e ja kështu”. Pas çiftit sportiv vijnë dy të rinj të tjerë. Nuk bëjnë pyetje. Firmosin qetësisht dhe largohen.

Menjëherë pas tyre në derë shfaqet një burrë rreth të 70-tave. I veshur me një kostum ngjyrë qumështi, këpucë të çelëta, flokët e thinjur krehur lart e lyer me brilantinë, qëndrim kompetent… Të kujton sekretarët e partive dikur. Eshref Mersinaj, nuk na tregon se sa vjeç është, madje nuk ka fare dëshirë t’i përmendet emri, po ama i pëlqen edhe të llafoset një çikë. “20 vjet me parë, kam qenë zëvendës president i Sindikatave të Pavarura. Nuk kam qenë asnjëherë i aderuar në ndonjë parti politike. Asnjëherë! Më luteshin në komunizëm, më luteshin të merrja teserën e Partisë, por unë nuk pranova asnjëherë. Tani, me FRD-në u binda. ”. Ky është ëndërrimtar, ose me shumë guxim e fat që na i paska thënë “Jo!” teserës së komunistit dhe s’qenka bërë pastaj personazh i ndonjërës prej atyre dosjeve që Rigelsi aspiron të hapen një sahat e më parë.

Biberaj: Presim Shtatorin

Në derë shfaqet Biberaj. Na shoqëron duke treguar disa nga zyrat dhe sallën e konferencave. Ngjitur me të është kryesia. Punimet vazhdojnë akoma, në disa zyra duken ustallarë që japin e marrin me instalime e me dorën e fundit të ndonjë lyerje. “Puna nisi diku nga shkurti – marsi, ndërsa ideja sigurisht është shumë më e vjetër se kaq. Kemi pasur shumë mbështetës dhe numri i të anëtarësuarve deri më tani ka qenë surprizues. Jemi vetëm në ditën e dytë dhe ka arritur rreth 600”, tregon Biberaj. Nuk janë përcaktuar ende strukturat, nuk zihet në gojë emri ‘kryetar’, edhe pse është e ditur tashmë se emri i përveçëm i këtij posti do të jetë ai i presidentit Topi, sapo ky të lërë mandatin. Nuk ka përfunduar ende arredimi dhe sistemimi i zyrave, por ama thuhet se janë përcaktuar departamentet bazë, ai i logjistikës e me radhë. Sipas Biberajt, përfaqësimi është ende në drejtimin e një grupi nismëtar, që do të zgjedhë kryetarin e partisë dhe të mbledhë kongresin e parë në muajin shtator.

“Këta janë të gjithë djem dhe vajza të reja shumë të talentuar që punojnë vullnetarisht. Këtu jemi të gjithë të barabartë mes të barabartëve, kjo është motoja jonë”, shprehet Biberaj duke bërë me dorë nga Orjona, një tjetër aktiviste që sapo ka hyrë në derë. Ish-studentja e fakultetit të Ekonomisë, tani thotë se është duke vijuar me doktoraturën. Nuk përton të na flasë për këtë angazhim të ri dhe objektivat bazë të partisë. “Kanë aderuar dhe janë mbështetësit tanë kryesorë, sidomos po të kihet parasysh që bashkëmoshatarët e tyre janë fokusi ynë”, vazhdon numri dy i grupit nismëtar në formimin e kësaj partie. Gjejmë rastin t’i urojmë ditëlindjen. Ai qesh. Pati nga ata që shakatuan duke thënë se, pse jo, mund ta zyrtarizonin krijimin e partisë në ditëlindjen e tij. Por nuk kishte vend për koincidenca të tilla. “Të qe ashtu, nuk prisnim 1 majin, kishim lënë 24 Prillin, ditëlindjen e presidentit”, thotë duke qeshur.

Dita e tretë

Dita e tretë e FRD-së nuk ndryshon shumë nga e dyta. Me rojën merremi vesh përsëri me shenja. Lart vazhdojnë lëvizjet. Kryetari Oketa lëviz i qetë nëpër korridore duke dhënë udhëzime aty këtu. Disa njerëz që kanë ardhur ta takojnë e presin lart. Dalim nga salla e konferencave dhe shkëmbehemi me të nëpër shkallë. Na përshëndet. Në kutitë e regjistrimit të anëtarëve të rinj janë rreshtuar katër djem të tjerë. Rezarti ka kaluar nga zyra e hedhjes së të dhënave, Teuta sapo ka marrë zyrën e re dhe po kërkon të ambientohet. Janë mbledhur kokë më kokë dhe përpiqen të deshifrojnë shkrimin në formularët e anëtarësimit. Pasi i kalojnë dorë më dorë dhe secili jep variantin e vet, vendosin të bien në një mendje.

Me gjithë tentativat për të qenë të çiltër, seç kanë të gjithë ngërç në qëndrim. Më parehati nga të gjithë duket se ka Orjona, brunia që na e prezantoi Biberaj pasditen e një dite më parë. Dhe nuk vonon të shprehet: Të tjerët rrinë e mbajnë vesh. Nuk e ka kuptuar dhe aq mirë se për çfarë jemi aty. “Ç’është ky artikull, unë duhet ta kontrolloj përpara se të botohet, cili është qëllimi, çfarë do shkruhet aty… Reportazh, përshkrim?! Ç’domethënë reportazh?!” Pastaj na kujton Platonin dhe pesë kolonat e gazetarisë… Kjo vajzë shkodrane e re dhe e bukur kishte kohë që e kishte gjetur modelin e saj të politikanes. Seç na kujtoi për një fraksion sekonde një tjetër figurë politike nga e njëjta pjesë e vendit…

Ikim, fundja s’kemi ç’pyesim më. Marrim me vete një konstatim të parë. Atë konstatim që na mjafton, për atë pjesë të vogël rruge që kjo parti ka bërë. Fryma e Re Demokratike ka nisur të pulsojë. Duke sfiduar katrahurën e siglave që e rrethojnë, duke pasur besim dhe garancinë se e afërmja s’do të jetë as anonime dhe as e parëndësishme, sa këto orë të para kur orenditë e zyrave s’e kanë zënë ende vendin e tyre dhe kur shumëkush në metropolin shqiptar s’e ka mësuar adresën e partisë me emër të gjatë dhe ambicie të madhe politike.