(Vexhi Buharaja nuk është krijues lokal; aq më pak i familjes. Për orientalistin, poetin, studiuesin dhe shqipëruesin e shquar është përgjegjës shteti dhe shoqëria shqiptare…)
Sot, 12 maj, 2015.
Në 95 vjetorin e lindjes së një prej figurave të ndritur të mbarë Kombit Shqiptar, Vexhi Buharaja; filozof, publicist, orientalist, historian, përkthyes, njeri idealist, njohës i shumë gjuhëve të huaja.
(Bashkbisedim me vajzën e tij, Ferial Angjeli Buharaja)
Nga Pierre-Pandeli Simsia
Sot, më 12 maj, 2015 është datlindja e një prej figurave më të ndritura të Kombit Shqiptar, Vexhi Buharaja; filozof, publicist, orientalist, historian, përkthyes, njeri idealist, njohës i shumë gjuhëve të huaja.
VEXHI BUHARAJA
12 maj, 1920 – 5 korrik, 1987
Për të ndriturin, poliglotin euriditin Vexhi Buharaja, janë shkruar shumë, por unë, në hyrje, po bëj një përmbledhje të shkurtër të punës së tij, meqenëse këto ditët e fundit, u takova me vajzën e tij Ferial dhe bashkëshortin e saj Romeo, të cilët jetojnë dhe punojnë familjarisht me fëmijët e tyre në Philadelphia, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ferial, ajo zonjë grua fisnike, gjithmonë e qeshur, ku edukata dhe kultura qytetare që ka marrë nga familja e saj, vazhdojnë ta shoqërojnë gjatë gjithë jetës, edhe në bisedën që bëmë, edhe në përgjigjet e matura që jepte për babanë dhe familjen e saj.
Dhe nuk ka se si të jetë ndryshe, përderisa është bija e dy bashkëshortëve të nderuar, Buharaja.
E thjeshtë, modeste, në fillim e refuzoi dëshirë-kërkesën time për një bashkbisedim, sepse kanë shkruar shumë për babanë e saj, më tha. Por, unë këmbëngula, meqenëse pas pak ditësh, (sot) familja, Berati, do ta përkujtojnë në 95 vjetorin e lindjes së tij.
Vexhi Buharaja zotëronte në mënyrë të shkëlqyer gjuhët klasike të Lindjes islame: arabishten, persishten dhe osmanishten së bashku me turqishten e re.
Ai ishte studjues me dimensione të mëdha në fushën e orientalistikës.
Gjithashtu, Buharaja zotëronte gjuhët kryesore të Perëndimit: anglishten, gjermanishten, frëngjishten dhe italishten. Më pas mësoi edhe gjuhën ruse.
Vexhi Buharaja ishte i dashuruar pas kolosëve të poezisë klasike persiane, sidomos pas Saadiut dhe Firdeusit, të cilët dhe i përktheu në gjuhën shqipe
Vexhi Buharaja ka qenë njohës i thellë i letërsisë orientale dhe asaj perëndimore.
Për të ndriturin dijetar, filozof… Vexhi Buharaja kanë shkruar shumë shkrimtarë beratas: Ahmet Kondo, Yzedin Hima, Agim Dëshnica, Agim Mehqemeja, Ajet Nallbani, Simon Vrusho, Bedri Telegrafi.
Vetë i ndrituri Vexhi Buharaja, jeta, vepra e tij voluminoze që ka lënë pas, janë thesare të Shqipërisë.
Me emrin dhe veprën e tij të ndritur, krenohet jo vetëm Berati, qytetarët e tij, por vetë shteti shqiptar, mbarë bashkëkombasit anembanë kudo që janë.
Thesaret, vlerat kombëtare, mbeten përherë të pakonsumuara, edhe atëhere, kur koha i mbulon me një tis pluhuri, por, sado vitet që të kalojnë, ata bëhen më të vlefshëm, më të çmueshëm.
I tillë do mbetet edhe thesari Vexhi Buharaja, sado që vitet, koha, ikin, ai përherë lartësohet.
Ja si janë shprehur për dijetarin Vexhi Buharaja:
– Profesor Eqrem Çabej kur e lexoi “Gjylistanin” vlerësoi jo vetëm tekstin e shqipëruar, por edhe studimin hyrës dhe fjalorin përkatës enciklopedik të përbërë prej 110 zërash që shoqërojnë veprën: “Mjaftonte vetëm studimi hyrës, shënimet sqaruese dhe fjalori enciklopedik, që Vexhi Buharaja të meritonte një gradë shkencore…”
– Poeti Lasgush Poradeci: “Per mua dy jane te mëdhenj në fushën e përkthimit nga gjuha perse në gjuhën shqipe. I madhi Noli në Amerikë, I madhi Buharaja këtu në Shqipëri”.
– Shkrimtari Dritëro Agolli: “Është një ngjarje e madhe letrare dhe kulturore botimi i “Shah-Namesë” të Firdusit, përkthyer nga poeti dhe njohësi i papërsëritshëm i gjuhës perse, Vexhi Buharaja, që pati ëndërruar që në rininë e tij t’ia dilte mbanë kësaj pune kolosale, të cilën rrallëkush e përballon. Në këto caste, tek flasim për “Shah-Namenë”, neve na vjen keq që nuk e kemi mes nesh Vexhi Buharanë që nuk e pa të botuar sa ishte gjallë këtë kryevepër të letërsisë botërore.
– Shkrimtari Namik Selmani, e ka quajtur: “Galaktika tokësore që na duhej e do të na duhet për shumë e shumë kohë. Do të ishte merita më e madhe e astronomëve të tokës që ta zbulonin të gjithë së bashku këtë Galaktikë të panjohur deri më tani. Një dritë që vinte pas një bubullime…”
– Studjuesi Agim Xh. Dëshnica: “Vexhi Buharaja, dijetar, që ka ngritur lart vlerat e Beratit dhe mbarë atdheut…”
– Shkrimtari Arshin Xhezo: ” Poetit, publicistit, filologut, studiuesit, orientalistit dhe përkthyesit të shquar Vexhi Buharaja iu privua djersa dhe shpërblimi, por sidomos, kënaqësia më e madhe e jetës; kënaqësia dhe gëzimi i krijimit. Dhe, ky është krimi më i madh ndaj tij. Ndërkaq, dorëshkrimet – vepra të gatshme të këtij personaliteti janë dëshmi dhe prova krimi.
Sot, ende të pabotuara, ato ngjajnë me dëshmitë e një krimi të pandëshkuar. Madje, krim i dyfishtë: ndaj autorit dhe ndaj kulturës shqiptare. Vexhi Buharaja nuk është krijues lokal; aq më pak i familjes. Për orientalistin, poetin, studiuesin dhe shqipëruesin e shquar është përgjegjës shteti dhe shoqëria shqiptare…”
Vexhi Buharaja, është vlerësuar gjithashtu edhe nga zotërinjtë: Sami Visoka, Mykerem Janina, orientalisti gjerman Franc Bambiger, etj.
———————————————————————–
“Vitet e burgut të padrejtë, babait i morën lirinë, por kurrsesi, ai nuk e uli dinjitetin”.
“Burgu e mbylli në errësirë, por nuk i mbylli dritaren e dijes”.
Bashkbisedim me zonjën Ferial, bija e të ndriturit Vexhi Buharaja.
– Zonja Ferial, jeni lindur dhe rritur në një familje të njohur qytetare beratase. Më fol pak, të lutem, për familjen tuaj.
– Zoti Simsia! Faleminderit shumë për interesimin tuaj që tregoni për babanë tonë. Gjatë viteve të demokracisë në Shqipëri për babanë tonë dhe çdo gjë ai ka bërë, është e shkruar nga historianë, profesorë, shkrimtarë, gazetarë të ndryshëm, por, ne të dy, jemi bashkqytetarë dhe familjet tona e kanë njohur njëra tjetrën, madje edhe ju vetë jeni shprehur në shkrimin tuaj që, jo vetëm përshëndeteshe me babanë kur shkëmbeheshit në udhët e qytetit, por edhe babai juaj shoqërohej shpesh me babanë tonë.
Ishte dëshira dhe interesimi juaj që të bashkbisedonim për babanë, meqenëse ai këto ditë, më 12 maj 2015 do festonte 95 vjetorin e lindjes.
( Përlotet, e ndërpret bisedën. Hap çantën, nxjerr letërpecetën, fshin sytë dhe pas një psherëtime, vazhdon)
Ne u lindëm dhe u rritëm në një familje qytetare beratase me tradita dhe kulturë të trashëguar ndër breza.
Gjumët e familjes sonë ne i pamë tek personaliteti i babait tone, si: urtësia, edukata, kultura, dija, dashuria për njeriun…
Si njohës të mirë të gjuhës perse, ata morën edhe mbiemrin Buharaja, pa patur lidhje fare me origjinën…
– Ju jeni fëmija i 5-të i bashkëshortëve Buharaja; çfarë kujtimesh ruani nga fëmijëria juaj në familje, veçanërisht, me babanë tuaj, euriditin poliedrik, i ndrituri Vexhi Buharaja, meqenëse, siç e the edhe ti vetë, data 12 maj, 2015 është 95 vjetori i lindjes së tij.
– Sigurisht, shkolla e parë për çdo njeri është familja. Ishte fat i madh për ne pesë fëmijët, që kishim dy prindër të shkëlqyer, që plotësonin njëri-tjetrin.
Mamaja jonë edhe pse nuk kishte nivel kulturor si babai, ajo ishte një grua e ndershme, fisnike, e urtë, e respektuar dhe me vlera qytetare.
Me harmoni, urtësi dhe sakrifica të shumta, prindërit tanë të shkëlqyer dhe të vuajtur, mundoheshin të na plotësonin nevojat e moshës dhe të kohës.
Babai ynë ishte një mësues i dytë për ne fëmijët. Ishte i gatshëm të na ndihmonte për çdo gjë që ne e pyesnim dhe merrnim një përgjigje të saktë nga çdo fushë, si: matematikë, kimi, fizikë, gjeografi etj. Ishte interesant fakti, se ai njeri kishte njohuri të gjithanshme…
Në derën e shtëpisë sonë trokisnin shpesh njerëz të profesioneve dhe kulturave të ndryshme; historianë, shkrimtarë, mjekë, punëtorë, fshatarë, studentë, nxënës.
Te gjithë bashkë, me fjalën e parë “Urdhëroni”, merrnin ndihmën për problemet e tyre me dashuri dhe me humanizëm.
– Më fol pak më gjërë, të lutem për jetën e tij, megjithëse, siç u shprehe pak më sipër, për të kanë shkruar shumë personalitete, por, jemi në 95 vjetorin e lindjes së tij…
– Babai ynë Bexhi Buharaja, u lind më 12 Maj 1920, në lagjen “Çlirim” ose siç njihet më tepër në lagjen e madhe “Murat Çelepias” në Berat.
Rrjedh nga një familje intelektuale, me trashëgimi të pasur fetare, kulturore, atdhetare.
Mësimet e para i kreu në vendlindje, në Berat dhe më pas vazhdoi studimet në Medresën e Përgjithshme në Tiranë.
U diplomua në vitin 1940 dhe u vlerësua si një nga studentët më të dalluar. Menjëherë pas diplomimit, në moshën 20 vjeçare, u punësua në redaksinë e revistës “Kultura Islame”, organ i Komunitetit Musliman Shqiptar në Tiranë.
Në vitin 1944 u largua nga Tirana, për shkak të rrethanave të vështira të luftës dhe qëndroi në vendlindje, në Berat, pranë familjes së tij.
Në vitin 1946, sistemi komunist i ardhur në pushtet, e burgosi, me akuzat shpifëse dhe qesharake, se bënte propagandë kundër qeverisë komuniste shqiptare.
Që nga ai vit, familja jonë, u quajt familje kulake.
Pasi doli nga burgu, edhe pse ishte në liri, ai do mbante mbi shpinë njollën, si ish i burgosur politik dhe për këtë, ai konsiderohej prej udhëheqësve të partisë, si armik.
Për të mbijetuar, si shumë të tjerë si babai ynë që e patën atë fat të hidhur, u detyrua të bëjë punë të rënda fizike, duke iu bërë ballë të gjitha vështirësive.
Instituti i Historisë në atë kohë kishte nevojë dhe, në vitin 1965 e pranuan në Sektorin e Historisë së Mesjetës, pranë Institutit të Historisë në Tiranë.
Puna e tij hulumtuese, kërkimore shkencore dha rezultate të shkëlqyera. Madje, në Institutin e Historisë, ai zbuloi shumë gjëra të fshehta të Shqipërisë…
Babai, me punën e tij këmbëngulëse, kërkimore, studiuese, hulumtuese, sistemuese, mblodhi, përktheu në shqip, transkriptoi rreth treqind mbishkrime turko-osmano-arabe, me vlerë të madhe. Duke u mbështetur në këtë material, ai ka shkruar studimin me titull: “Mbishkrimet turko-arabe në vendin tonë si dëshmi historike”, të cilën e ka lexuar si kumtesë në Konferencën e Dytë Shkencore të Studimeve Albanologjike, që i zhvilloi punimet në Tiranë, më 12-18 janar 1968.
Ka përkthyer gjithashtu, një varg përkthimesh të tjera që i përkasin periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, siç janë aktet dhe memorandumet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, manifestin “Ujanallem” (“Të zgjohemi”) 1899, hartuar nga Dervish Hima, letërkëmbimin e tij me Dr.Ibrahim Temon, përmbledhur 64 letrash, që përfshihet në vëllimin e tretë (1900-1908) “Rilindja Kombëtare Shqiptare”. Përveç dokumenteve historike, babai ka përkthyer nga gjuha turke dhe perse edhe vepra të tjera shkencore dhe letrare. Ka përkthyer veprat shkencore të Hoxha Hasan Tahsinit, rektori i parë i Universitetit të Stambollit, dramën “Besa” të Sami Frashërit, “Shahnamenë” e poetit të madh të Persisë, Firdeusit, përmbledhjen poetike “Tahajjulat” (“Ëndërrimet” dhe “Katër stinët”) të poetit Naim Frashëri… të cilat edhe janë vlerësuar si perla në letërsinë artistike shqiptare.
Ka përkthyer nga persishtja veprën “Gjylistani dhe Bostani” të poetit të madh persian, Saadi Shirazi (1203-1291), i krahasuar me Shekspirin, madje i mbiquajtur “Shekspiri i Lindjes
– Në jetën e tij, në moshë fare të re, babai juaj, ariti majat e larta të suksesit të tij, por shumë shpejt, çmenduria e sistemit e goditi pamëshirshëm, padrejtësisht. Ju kishte folur juve babai për vitet e suksesit dhe vitet e rënda të burgut?
Babai, që në fillimet e rinisë së tij të hershme arriti suksese të mëdha, por, ato suksese ishin si nje ëndërr e bukur dhe e shkurtër, që më pas, do zëvendësohej me vuajtje të gjatë, me goditje të pamëshirshme, të pamerituara…
Ishin disa arsye pse babai nuk na fliste për vitet e burgut. Ajo më kryesorja, ishte koha në të cilën në jetonim.
Në atë kohë të errët, në Shqipërinë komuniste, nuk ishin të rrethuar me tela me gjëmba vetëm burgjet shqiptare, por, edhe jashtë burgjeve, në çdo hap që hidhnim të gjithë ne shqiptarët që e jetuam atë kohë, ishim brenda nje “burgu” dhe gardianët” që të ndiqnin nga pas.
Ne të dy bashkë, pothuajse jemi moshatarë dhe e kemi jetuar atë kohë të zymtë dhe na kujtohet shumë mirë, se si vepronin dhe përgjonin agjentët e fshehtë të sigurimit, që mund të ishin edhe komshinjtë tanë…
Të gjithë ishim bashkëvuajtës. Kur ne, fëmijtë e tij, arritëm moshën e pjekurisë, por edhe më vonë, madje edhe tani që po bisedojmë bashkë, e kuptojmë se sa i vrarë shpirtërisht ka qenë babai ynë, kur mendonte se, në atë udhë të madhe vuajtjesh ishte ai vetë “fajtor “, por pa bërë asnjë faj !!!
Vitet e burgut të padrejtë, babait i morën lirinë, por kurrsesi, ai nuk e uli dinjitetin.
Burgu e mbylli në errësirë, por nuk i mbylli dritaren e dijes.
Tek dija ai gjeti forcën e madhe që, si qindra të tjerë përballoi luftën më të egërr që ua dha “dhuratë” çmenduria komuniste, diktatura barbare shqiptare…
– Babai juaj, ka patur miqësi me studjuesin, historianin e njohur Ahmet Kondo.
– Po. Me historianin Ahmet Kondo, babai ka patur njohje që në moshën e femijërisë. Me kalimin e viteve, njohja u thellua edhe më shumë, pasi mendimet dhe idealet e tyre ishin të përbashkëta.
– Në vitin 1995, studjuesi Ahmet Kondo ka shkruar monografinë: “Vexhi Buharaja, njeriu, poeti, dijetari” Mendoni se ajo monografi është e plotë, apo është një dritare akoma e hapur…?
– Historiani Ahmet Kondo, duke qenë njeri shumë i afërt me babain, besoj, se monografia e tij ka nxjerrë në pah figurën dhe personalitetin e babait.
Por, jo vetëm historiani Ahmet Kondo, por për babain tonë ka shkruar një monografi edhe shkrimtari i njohur beratas, Yzedin Hima.
Ndaj dy zotërinjve të nderuar, ne, të gjithë familjarët, ndjejmë respekt dhe mirenjohje, pasi kanë hyrë në detaje shumë të ngushta të jetës dhe veprës së babait. Pra, them se, që të dyja monografitë janë të plotësuara.
– Shkrimtari Dritëro Agolli ka patur korespondencë me babanë tuaj, atëkohë, kur shkrimatri i dërgon të vetmin libër të shkruar në persisht, vëllimin: “Shah Nameja” për t’ia përkthyer. Mund të flisni për atë korrespondencë?
– Ti më pyet për korrespondecën që babai ka patur me shkrimtarin Dritëro Agolli.
Ata të dy nuk kanë patur njohje direkte me njëri tjetrin. Ata janë njohur me anë të mikut të babait tonë Ahmet Kondo.
Kur shkrimtari Dritëro Agolli punonte në gazetën “Zëri i Popullit”, në librarinë e letërsisë së huaj kishte marë një katalog, ku shënohej se, Akademia e Moskës botonte “Shah-Namenë” në dhjetë vëllime dhe mund të bëheshin abonimet… Shkrimtari Agolli e bëri abonimin dhe i erdhi vëllimi i parë, por jo në gjuhën ruse që ai e zotëron mirë, por në gjuhën perse me shkronja arabe, i pakuptueshëm për shkrimtarin.
Atëherë, shkrimtari takon mikun e tij Ahmet Kondon, publicist dhe historian, dhe i thotë se kujt t’ia japim vëllimin “Shah-Namea” që i ka dhuruar në persisht.
I nderuari Ahmet Kondo tha se, e kishte mik Vexhi Buharanë dhe “Shah-Nameja” vetëm tek ai duhet të shkojë për t’u përkthyer.
Pasi babait i erdhi “Shah-Nameja” ai i dërgon një letër falënderimi, ku i shkruante se është e para kopje e këtij vëllimi në gjuhën perse që vjen në Shqipëri, sepse Perandoria Osmane e kishte ndaluar përhapjen e veprës së Firdusit në domenet e saj.
Në letrën përgjigje, babai i shkruante se do të fillonte të shqipëronte “Shah-Namenë”
Por, siç e ka thënë edhe vetë shkrimtari Dritëro Agolli, babai i kërkoi edhe vëllime të tjera të asaj epopeje universale, por atëkohë filloi prishja e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik dhe, nga dhjetë vëllimet e “Shah-Namesë” mbeti vetëm një azilant në shtëpinë e Vexhi Buharasë, azilant që doli tani duke na përqafuar…
Pra, kjo është korrespondenca e babait me shkrimtarin Dritëro Agolli.
– Lufta e klasave në Shqipërinë e asaj kohe ka qenë, herë herë e zbutur dhe herë herë e egërr. Në kulmin e egërsisë së saj në vitin 1975, babanë tuaj e pushuan nga puna shkencore. Si e përjetoi i ndjeri baba?
Lufta e klaseve në Shqipërinë komuniste i ngjante një diagrame; herë herë ishte e ashpër …, herë herë e zbehtë…
Kur lufta e klasave ishte e zbehtë, për nevojat e Insitutit të Historisë, edhe pse babai ishte person i padëshiruar, atë e emëruan të punojë në atë institut.
Atje bëri një punë të lodhshme, voluminoze, duke hedhur dritë mbi shumë dokumente të rëndësishme me vlera të mëdha historike, të përkthyera nga turqishtja.
Në vitin 1975, kur lufta e klasave arriti kulmin e çmendurisë së saj, babin e pushojnë nga puna.
Disa intelektualë mirënjohës ndërhynë dhe reaguan për ta ndihmuar atë, mirëpo, vlera e partisë përmbyste vlerat e çdo shkence…
Kjo sigurisht, nuk e befasoi babain, pasi, ai gjithmonë ishte i vetëdijshëm për egërsinë e sistemit komunist.
Ai ishte mësuar të punonte njësoj, me të njëjtin zell, siç punonte në punët e rënda në gurrore kur e dënuan, po ashtu dhe pranë librave.
Në atë kohë në Berat, si në të gjitha qytetet e Shqipërisë, në krye të organeve të larta shtetërore emëroheshin njerëzit “kuadro”, mjaftonte të kishin kryer një kurs të shkollës së partisë së punës (komuniste), pa patur fare njohuri në fushat e ndryshme të jetës..
Orientimi nga Tirana erdhi që, Vexhi Buharaja, të punonte në biblotekën e Beratit, por, për partiakët vendas, ai nuk i përmbushte kushtet; kështu që menduan ta punësojnë në një berberhane për të prerë faturat.
Por edhe atje ku e çuan për të punuar donin ta “shtrydhnin” deri në fund.
Dosje të shumta me dokumente që kërkonin të përktheheshin vazhdonin të vinin nga Insituti i Historisë.
Megjithëse i vrarë shpirtërisht, por edhe i revoltuar, dëshira e madhe që ai kishte që historia të dilte në dritë, vazhdoi punën në heshtje dhe me urtësinë që e karakterizonte
– Kur babai juaj punonte si faturist në një nga berberhanet e Beratit, atë e ka vizituar në shtëpinë tuaj, profesor Aleks Buda.
Është e vërtetë, që Profesor Aleks Buda është takuar në Berat me babanë, por ai takim nuk është bërë në shtëpinë tonë.
Ata të dy janë takuar në berberhane, ku punonte babai.
Kanë biseduar për më shumë se dy orë.
Nuk kam njohuri për çfarë ata të dy kanë biseduar, se edhe babai nuk para na fliste ne fëmijëve rreth bisedave që bënte me personalitete të ndryshme, siç ishte edhe Prof. Buda.
– Në shtëpinë tuaj keni patur një bibliotekë të pasur me shumë libra të ndryshme. Çfarë u bë me ato libra?
– Babai në shtëpinë tonë ka patur një bibliotekë shumë të madhe dhe shumë të pasur me libra të ndryshëm të shkruar në gjuhët shqip dhe në gjuhë të tjera të huaja, të trashëguar nga gjyshi i tyre Ismaili dhe babai i tij Ibrahimi, burra të njohur për dije dhe kulturë.
Në vitin 1947, viti që babai u dënua, injoranca e kohës vuri një dorë të pafajshme dhe dogji një mal me libra. Për atë akt të pashembullt, jo vetëm familja jonë ndjeu dhimbje të madhe, por edhe komshinjtë, të gjithë ata njerëz që e panë me sytë e tyre atë skenë, atë turp, atë mëkat që po i bëhej edhe vetë kulturës.
Më vonë, babai grumbulloi me vështirësi dhe krijoi një bibliotekë kryesisht me libra historikë dhe fjalorë në gjuhët që ai zoteronte.
Tani ato libra janë shpërndarë tek familjarët dhe të afërmit tanë
– Po me përkthimet e ndryshme që babai juaj punonte ditë e natë, por që nuk arriti të shihte dritën e botimit të tyre?
– Babai punonte shumë, zakonisht në mbrëmje vone deri në mesnatë.
Ajo që na bënte më shumë përshtypje, ishte se, ai shumë rallë hapte fjalorët. Çdo gjë dilte e kristalizuar në mendjen e tij.
Përktheu me mijra materiale nga fusha të ndryshme si: historia, letërsia, psikologjia, astronomia, etj. etj. Të gjitha këto tregojnë për kulturën e tij brilante që ai kishte.
Siç e kam shprehur më sipër, babai punonte shumë, shumë, por kurrë nuk ia ndjeu kënaqësinë punës së tij . Pluri i harresës…
Shumë intelektualë të përkedhelur të kohës komuniste, abuzuan padrejtësisht në punën e tij dhe nuk denjuan t’i permendnin as emrin.
Disa të tjerë, përgatitën libra dhe, poshtë përkthimit shkruanin emrat e tyre. Në fund, sillnin si kujtim vetëm një kopje të librit dhe emrin e tij të shkruar me penë brenda kapakut të librit. Ky ishte vlerësimi i vetëm që babai mori sa ishte gjallë nga puna e tij shumë e lodhshme.
Dëmet materiale edhe pse vonë paguhen, por dëmet psikologjike nuk ka bankë që t’i paguajë kurrë.
– Pas përmbysjes së komunizmit, a i kanë kërkuar falje babait dhe familjes suaj, ata që e spiunuan, e dënuan, apo edhe bashkpunëtorët e tyre?
– Me parrullën famëkeqe “Në emër të popullit”, ata trokitën në mijëra dyer shtëpish, burgosën dhe pushkatuan njerëz të pafajshëm.
Dëmi psikologjik ishte shumë i madh.
Me përmbysjen e komunizmit, ata kurrë nuk i vrau ndërgjegjja për të trokitur në ato dyer shtëpish për të kërkuar falje.
Ata, nuk e njohin fjalën, falje; ata nuk kanë ndjenjë të falin. Ata janë lindur, si të dënuar nga Zoti, vetëm për të vrarë, për të spiunuar…
– Kush, mendon, se ka qenë pengu më i madh në jetë ë babait tuaj?
– Babai mund të ketë patur shumë pengje, por, unë mendoj se, pengu më i madh i tij, ka qenë: pas përfundimit shkëlqyshëm të studimeve, ai e refuzoi bursën shtetërore për të studjuar në Itali në fushën e orientalistikës. Arësyet familjare, e detyruan të qendronte pranë familjes.
– Po pengu juaj ndaj babait?
– Pengu ynë është, se ai u nda nga jeta në nje 4 korrik 1987, vit, kur edhe në Shqipëri kishte filluar të frynte e lehtë era e demokracise që po afronte.
Duhet të jetonte në vitet e shumëpritura të demokracisë. Duhet ta jetonte ditën e shumëpritur, përmbysjen e komunizmit, diktaturës së çmendur shqiptare që i shkatërroi jetën, të ardhmen…
Duhet të shikonte deri diku frutet e punës së tij shumëvjeçare, sa njerëzore po aq edhe me vlera.
Në demokraci, do t’i krijohej mundësia të shkonte e të vizitonte ato shtete ku ai kishte lexuar për kulturën e tyre.
– Babai juaj është nderuar nga pushteti lokal me titujt: “Qytetar nderi i Beratit”, “Mësues i Popullit” madje Biblioteka e Beratit mban emrin e tij: “Biblioteka Vexhi Buharaja”
Mendoni se ështëi haruar nga pushteti qendror për t’u vlerësuar me një titull akoma më të lartë? Të gjithë ne, që kemi patur fatin e mirë ta njohim edhe nga afër atë njeri të rrallë me vlera të larta njerëzore, filozofin, përkthyesin, historianin, …mendojmë dhe dëshirojmë që ai të vlerësohet me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, sepse e meriton…
– Më 20 Dhjetor 1993, babait iu dha titulli “Mësues i Popullit” (pas vdekjes) dhe në 6 Korrik 1994, Biblioteka e Beratit mori emrin: Biblioteka “Vexhi Buharaja”.
Respekti nga qytetarët beratas dhe nga të gjithë ata që e kanë njohur, nuk i mungoi kurrë babait tonë; jo vetëm sa ishte gjallë, por edhe në ditën e tij mortore, i bënë respektin më të madh që mund t’i bëhet një njeriu, intelektuali të nderuar. Madje, qindra njerëz morën pjesë në ceremoninë e varrimit të tij. Qindra duar e ngritën lart arkivolin me trupin e tij të pajetë kur e përcollëm në varrezat e qytetit, në banesën e tij të fundit.
Besoj që ky është vleresimi më i madh që merr njeriu edhe në çastin e ndarjes së fundit përfundimtar.
Ndërsa në vitet e demokracisë, pushteti lokal dhe institucionet e ndryshme shtetërore e kanë vlerësuar dhe, mendoj se e kanë vënë në vendin që meritonte figurën e ndritur të babait tonë.
Edhe pse me dhimbjen e madhe për humbjen e njeriut tonë të shtrenjtë që e ndjejmë gjithmonë pranë shpirtit tonë, ne jemi mirënjohës dhe krenarë për atë ç’ka është bërë për babain tonë.
– Zonjë e nderuar! Unë e kuptoj thjeshtësinë, modestinë, njerëzoren që të karakterizon ty, kultura, edukata që ke marrë dhe vazhdon ta trashëgosh, sepse je bija e të ndriturit, poliglotit Vexhi Buharaja.
Edhe pse nuk iu përgjigje plotësisht pyetjes sime deri në fund, babai juaj i ndjerë, i ndrituri fiozof Vexhi Buharaja edhe pse është nderuar me këto tituj që folëm më lart, ai meriton edhe një titull tjetër të lartë; Nderi i Kombit.
Ai, këtë titull të lartë e ka marrë prej kohësh nga bashkqytetarët, bashkpunëtorët që kanë punuar dhe e kanë njohur atë nga afër, e ka marrë me punën e tij voluminoze që ka bërë, por besoj, se edhe instancat më të larta të shtetit shqiptar duhet të kujtohen për atë njeri të ndritur që i ka dhënë shumë kulturës sonë.
Faleminderit zonjë e nderuar Ferial. Ishte kënaqësia ime e madhe që ju takova bashkë me bashkëshortin tuaj dhe gjithçka që biseduam.
E kujtojmë me respekt të thellë në 95 vjetorin e lindjes së tij, babain tuaj të nderuar e të paharuar, i cili, është nder dhe krenari për çdo qytetar beratas, për çdo qytetar shqiptar, për çdo bashkëkombas. Siç i themi ne në qytetin tonë: “Ndjesë pastë, ose Rahmet pastë”
Nëse sot do isha në Berat, do shkoja tek varri i tij, t’i çoja një buqetë me lule të freskëta dhe t’i ndizja një qiri në krye të varrit.
Faleminderit.
– Faleminderit juve gjithashtu zoti Simsia për emocionet dhe kënaqësinë që na dhuruat.