Ndreq e prishë…

0
65


Arbën XHAFERI

“Detyrën e drejtorit e kam pranuar për ta çuar Institutin përpara, duke marrë parasysh rrethanat në të cilat gjendej ai, gati i shuar nga mungesa e kushteve reale për funksionimin e një institucioni shkencor…” thotë në letrën e vet të dorëheqjes drejtori i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë, doktori i shkencave historike, z.Ramiz Avdyli. Kjo dorëheqje nuk mund të mbetet si lajm i thjesht, por duhet të analizohet si pardigmë që shpjegon shumë procese që zhvillohen në shoqërinë e shqiptarëve të Maqedonisë.

Ky institut te populli i këtyre anëve njihet edhe me emrin e rilindësit Pjetër Bogdani, figurës më tragjike të historisë dhe të kulturës shqiptare. Kjo dorëheqje ka një parahistori që shpjegon shumë drejtë pozitën e shqiptarëve të Maqedonisë. Është krijuar një bindje se shqiptarët e Maqedonisë paskan një identitet pak më të veçantë se shqiptarët e tjerë. Ky pohim, kjo veçori nuk është shpjeguar sa duhet, por, mbase po teproj, është përdorur si një pohim i mirëqenë.

Këtë veçori “identitare” të shqiptarëve të Maqedonisë do ta ndërlidhja me fenomenin e kulturimit dhe të inkulturimit që shfaqet te çdo popull i sunduar. Ata që kritikojnë ose konstatojnë se shqiptarët e Maqedonisë kanë një identitet që dallon nga standardi kombëtar, këtë konstatim e ndërlidhin me rolin e religjionit në jetën e tyre të përditshme.

Sipas mendimit tim, shqiptarët e Maqedonisë, nga aspekti i ndjenjave kombëtare janë më radikalë se të tjerët. Ata asnjëherë nuk kanë munguar në betejat kombëtare gjatë shekujve, si pjesëmarrës në beteja apo në detyra logjistike. Ministri parë i luftës në qeverinë e parë të pavarësisë, ishte tetovari, Mehmet Pashë Deralla, njëri nga figurat më të shquara shqiptare të asaj kohë. Po ashtu nuk duhet harruar faktin se standardi i sotëm i gjuhës shqipe për herë të parë filloi të zbatohet në gazetën në gjuhën shqipe, “Flaka e Vëllazërimit” që botohej në Shkup.

Në eksodin e fundit të shqiptarëve të Kosovës, ata luajtën një rol kyç historik dhe kombëtar, jo vetëm me solidaritetin politik lidhur me luftën për pavarësinë e Kosovës, me pjesëmarrjen në luftë, por edhe me strehimin e tyre duke penguar përpjekjet e strukturave shtetërore maqedonase për të krijuar një korridor të shpërnguljes pa kthim. Por, si të shpjegohen pohimet lidhur me zakonet orientale që janë më të theksuara të shqiptarët e Maqedonisë, ose si të shpjegohet ndërlidhja e tyre me trendet në mënyrën e veshjes të një pjese të grave myslimane shqiptare?

Kjo dukuri më shumë është demonizuar sesa analizuar në mënyrë objektive. Ndikimi në mënyrën e veshjes nuk ka të bëjë me bindjet fetare, por qytetëruese. Në librat fetare nuk ka asnjë informatë lidhur me modelin fetar të veshjes së femrave. Shpjegimet janë të tërthorta, prandaj të vërtetën duhet kërkuar te mënyra se si vishen gratë e një populli tjetër, që falë kapaciteteve më të mëdha ekonomike, politike, ushtarake, sunduese arrin që t’i imponojë vlerat e tij popujve të tjerë, siç ka ndodhur në Perandorinë Osmane.

Ky sundim ka ndikuar te çdo popull i nënshtruar, duke filluar nga grekët (shumë mbiemra ruajnë ndikimin e gjuhës turke, kostumet, zanatet, fjalët etj.), pastaj serbët bullgarët, maqedonasit, malaziasit dhe deri te shqiptarët. Kjo dukuri e imponimit të kulturës së popullit sundues ndaj atij të sunduar quhet kulturim (zhveshje e identitetit dhe të vlerave të popullit të sunduar dhe imponimi i zakoneve dhe vlerave të sunduesit).

Popujt që çlirohen nga sundimi i huaj, menjëherë fillojnë të inkulturohen, duke e ringjallur traditën e tyre. Bartës të kësaj reformë kulturore, përkatësisht identitare bëhen institucionet. Dallimet e brendshme shqiptare në segmentin e identitetit kulturor kanë të bëjnë me ekzistimin, funksionimin të instituteve të ndryshme ku bëhet seleksionimi i dijes, i vlerave, i projekteve. Inkulturimi, rikthimi në kodin paraprak kulturor arrihet përmes funksionimit të instituteve.

Aty ku janë themeluar institutet për inkulturim, identiteti kombëtar fillon të mbisundojë dhe t’i sprapsë ndikimet nga jashtë. Bie fjala në Shqipëri kanë ekzistuar institutet kulturore kombëtare, prandaj atje inkulturimi arrihet shumë lehtë, aty ku këto institucione janë të reja ky proces është më i ngadalësuar, si në Kosovë, ndërkaq në mjedise ku mungojnë këto institucione, si në Maqedoni, aty inkulturimi pret ditë më të mira. Pa institute profesionale kulturore procesi inkulturues ngec dhe krijon hapësirë për restaurim të vlerave që vazhdojnë misionin akulturues.

Të vetëdijshëm për këtë rol të instituteve në prodhim dhe ruajtje të vlerave kombëtare, në Shkup u themelua Instituti për Trashëgiminë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptareve të Maqedonisë, diçka e ngjashme me institutet albanologjike dhe etnografike. Ideja ishte mahnitëse për të gjithë njohësit dhe adhuruesit e kulturës shqiptare. Programin e hartoi njohësi i mirë i kulturës dhe i veprimtarisë së instituteve, z. Xhabir Ahmeti, ndërkaq në postin e drejtorit u emërua zonja Mirushe Hoxha, doktore në fushën e shkencave humaniste.

Objekti ku do të vendosej instituti u zgjodh Kurshumli Hani, një objekt shumë i përshtatshëm i periudhës osmane. Në përurim të këtij instituti morën pjesë kryeministri Gruevski, ministra, ambasadorë, dinjitarë të besimeve fetare etj. Atmosfera ishte inkurajuese. Më në fund do të fillojë grumbullimi dhe klasifikimi i vlerave të traditës, të gjurmëve të vazhdimësisë sonë kulturore.

Çdo popull që dëshiron të ruajë vlerat e traditës që e përkufizojnë identitetin e tij kombëtar, themelojnë institute të këtilla, sidomos në fazën e organizmit të luftës për çlirim kombëtar. Sllavët e jugut këto institute i quajtën “matica”(amza). Kështu serbët e themeluan Matica Serpskën (1826), kroatët Matica Hrvatskën (1831), sllovenët Matica Sllovenskën (1864), malaziasit Matica Crnogorskën (1993), çekët Matica Çeshkën (1831), sllovakët Matica Sllovackën (1864) etj. Në këto amza ndërtohej identiteti kombëtar mbi veçoritë e traditave kulturore. Shumë shpejtë këto qendra shndërroheshin në vatra të zgjimit të vetëdijes kombëtare.

Këtë qëllim patën edhe themeluesit e Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë. Mirëpo, situata që në fillim zuri të ngatërrohet ngaqë iniciatorët, gjithnjë në vijë të krijimit të vazhdimësisë kulturore të shqiptarëve, në vijë frymës politike të rilindësve e emërtuan institutin me emrin e figurës më tragjike të historisë sonë të periudhës së ringjalljes së vetëdijes kombëtare, Pjetër Bogdanit. Filluan presionet nga më të ndryshmet. Disa thonin se qeveria turke është e shqetësuar me vendosjen e këtij instituti në një monument të trashëgimisë kulturore turke.

Ky reagim në fakt hap dilema shumë të rënda. Bie fjala kujt i takon trashëgimia kulturore historike osmane? Këto tema shfaqen edhe në situata të tjera të ngjashme me problemet që ndërlidhen me shpërbërjen e perandorive (Austro-Hungareze, Osmane, Sovjetike etj). Te popujt tjerë që u çliruan nga sundimi osman këto probleme u zgjodhën pa kurrfarë dilemash. Serbët i morën në kontroll të gjitha këto objekte dhe me to bënin ç’të donin, por kryesisht i rrënonin kështjellat, xhamitë, teqet, hamamet, etj.

Po kështu vepronin dhe grekët, bullgarët madje edhe maqedonasit. Problemet e kësaj natyre u shfaqën vetëm kur shqiptarët tentonin që t’i shfrytëzojnë këto objekte në kushte të reja. Reagimi ndaj kësaj ideje kishte të bënte me veprimtarinë kombëtare të Pjetër Bogdanit (1630-1689), i cili organizoi një kryengritje për çlirim kombëtar ku merrnin pjesë edhe shqiptarët myslimanë. Turqit e sotëm ia zënë për të madhe pse ai deshi ta shfrytëzojë luftën austro-turke për të arritur qëllimin e tij. Sidoqoftë kjo luftë u ndërpre për shkak të epidemisë së murtajës (1689).

Tërheqja e ushtrisë austriake krijoi situatë të re, ku kundërshtarët e sundimit osman dënoheshim me vdekje. Edhe Pjetër Bogdani, shkrimtar më i shquar i letërsisë së vjetër shqiptare, kryepeshkop i Shkupit, doktor i filozofisë, autor i shumë veprave në mesin e të cilave shquhet ‘Çeta e Profetëve”, bartës i shumë titujve të tjerë të rëndësishëm për atë kohë, njëri nga pesë shqiptarët më të mëdhenj të shekullit të XVI dhe XVII (Gjon Buzuku, Lekë Matrënga, Pjetër Budi, Frank Bardhi etj), të cilët hodhën bazën e identitetit kombëtar të shqiptarëve, euriditi më i madh shqiptar i asaj kohe, nuk lihej i qetë. Autoritetet osmane e ndiqnin hap pas hapi. Ai vdes nga murtaja më 1689.

Autoritetet osmane, më 1698 dhjetë vjet pas vdekjes së tij arrijnë ta zbulojnë varin e tij dhe në shenjë të hakmarrjes mbetjet e tija mortore i hedhin nëpër rrugët e Prishtinës për t’i ushqyer qentë. Për t’i ikur obligimeve të tjera themeluesit e këtij instituti bënë kompromise duke emëruar institutin me terma shpjegues: Institut për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve. Por, as ky kompromis fyes për traditë kulturore shqiptare nuk mjaftoi derisa u mor vendimi që të dalë nga ky objekt.

Nuk dëshiroj të hyj në detaje të tjera, kush është fajtor e kush kontribues, por është fakt se ky institut nuk u prit mirë nga një pjesë e vogël e popullit shqiptar të cilët kanë senzibilitet tjetër identitar si dhe nga qarqet nacionaliste maqedonase të cilët kanë një përvojë të madhe se si t’i përthajnë iniciativat e kësaj natyre. Në këtë rast ata, si edhe me raste të tjera shkurtuan mjetet financiare dhe drejtori, Ramiz Abdyli, duke parë se nuk ka mbështetje dha dorëheqje. Arsyet e dorëheqjes ai nuk i shpjegon, por e mjegullon duke përmendur shkaqet shëndetësore. Në raste të këtilla detyra e intelektualëve të mirëfilltë është dëshmia. Ai, ka për detyrë që t’i shpjegojë pse dështon një iniciativë, një institucion shumë i nevojshëm për shqiptarët e Maqedonisë dhe për kulturën shqiptare në përgjithësi.

Pjetër Bogdani ishte ndër të parët që shkruante me një gjuhë të kuptueshme shqipe:

Skupja gjytet perëndeshë,
ndë ranxë të Lubotenit,
qi regjina Rodopeshë (7)
trajtoj motër Priserenit.

Tashmë është bërë zakon që të thuhet se në Kosovë mbrohet interesi serb, kinez, koreanë, sllovak etj. Askujt s’i bie ndërmend se aty mbrohet vetëm interesi shqiptar. Po kështu edhe me Pjetër Bogdanin… Vepra e tij është bazament i kulturës shqiptare. Ka ardhur koha që të gjithë shqiptarët duhet ta trajtojnë dhe mbrojnë kulturën si një vlerë mbi çdo partishmëri. Me institute të kësaj natyre mbrohet bërthama e veçorisë kulturore të shqiptarëve si dhe ruhet një material nga e kaluara jonë që do t’u shërbejë gjeneratave të ardhshme ta kuptojnë vetveten më mirë…