Nga Armir Taraj, 19 prill 2013
Profesor Doktor Ardian Ndreca më vuri kohët e fundit në pozitë me shkrimin e tij “Mashtrimi si vokacion”, të cilin e botoi tek Respublica si përgjigje, apo polemikë, me shkrimin tim “Ku janë katolikët e moderuar”. Shkrimi i Profesor Doktor Ardian Ndrecës më ka habitur tej mase me gjuhën e tij prej rrugaçi, sulmet dhe fyerjet personale pa limit, që nga “mashtrues” e “gdhë” deri në “bir kurve” e thënë indirekt nëpërmjet citimit të një shprehje të vjetër të Konicës me “bij kurvash” që rreshtoheshin në anën anti-kombëtare të historisë (këtë të fundit Ndreca mund edhe ta mohojë duke thënë “po pse të dogji ty? Konica e kishte për tradhtarët e kombit”, por sigurisht që efekti ofendues dhe shënjestra e kësaj sharje isha unë.)
Gjithkush mund të marrë penën e të hartojë një shkrim plot fyerje e sharje kreative, duke u munduar kështu të shkatërrojë personalitetin e kundërshtarit. Kjo nuk është diçka e re ose e papritur në shtypin shqiptar ku sulmet personale janë metodë e preferuar e debatit. Habia ime u shkaktua nga fakti që ky vërshim i llumtë banalitetesh m’u hodh përsipër nga dikush që ka mbaruar doktoraturën në Universitetin Urbaniana në Vatikan, dikush që është profesor në universitetin prestigjoz John Carroll University në Vatikan, ku mes të tjerash jep dhe lëndën Mendimtarët e Krishterë, dikush që është kryeredaktori i revistës më të rëndësishme katolike shqiptare “Hylli i Dritës”, dikush që ka shkruar me dhjetëra shkrime, analiza, ese e përqasje në gazetat më të mëdha shqiptare, dikush që njihet e respektohet në gjirin e intelektualëve shqiptarë. Që dikush kaq i ngritur në pozitë të bjerë në nivelin e një rrugaçi e cubi mediatik ishte vërtet shokuese, jo vetëm për mua, por, me sa pashë, për shumicën dërrmuese të lexuesve të Respublikës.
Gjithsesi, nëse do kaloja një moment përtej habisë e përtej efektit emocional të shkrimit të Profesor Doktor Ardian Ndrecës, dhe për të sqaruar ata pak lexues që mund ta kenë marrë seriozisht pretendimin e Ndrecës, se unë jam një mashtrues profesional që përpiqem të manipuloj fjalët e tij dhe mendjen e lexuesve, po bëj më poshtë disa zbërthime të vogla inxhinierike të këtij pretendimi.
Prerje 1A
Profesor Doktor Ardian Ndreca shkruan se unë kam ndërruar kryefjalën e pohimit të tij dhe se, si një mashtrues i poshtër, kam futur substantivin “Islami” aty ku ai qartësisht i ishte referuar një tjetër “shpirti të keq gërmadhash”, nostalgjisë otomane. Në fakt, këtë gjë unë e sqarova disi në përgjigjen time ndaj komentit të Dom Gjergj Metës tek shkrimi im fillestar, përgjigje të cilën Ndreca patjetër do e ketë lexuar para se të qëndiste sulmin e tij ndaj meje. Aty unë thashë: “Ndoshta me “nji shpirt i keq germadhash nji fryme qe s’asht tjeter vecse gerbula qe na ka lane barbaria otomane” Ndreca kerkon te tregoje me gisht diçka tjeter qe na kane lene turqit perveç Islamit, diçka kaq te keqe qe e shqetesoka Ndrecen kaq shume dhe i sillka te tilla emocione. Nuk e di ç’ka pasë ai ne mendje, ndoshta ai mundet te na sqaroje. Une dhe ata me te cilet e kam diskutuar kete shkrim, e kemi interpretuar kete reference te Ndreces si nje sulm dashakeqes ndaj Islamit. Siç është e qartë këtu, unë e pranova se ka një ambiguitet në fjalët e Ndrecës, por interpretimi im dhe i shumë miqve të mij ishte se Ndreca këtu po i referohej Islamit. Faktin që ky s’është vetëm interpretimi im personal e pohoi edhe forumi musliman E-zani-i-naltë, të cilët botuan edhe shkrimin e tyre si përgjigje ndaj Ndrecës.
Prerje 1B
Profesor Doktor Ardian Ndreca harron të vërë re se fjalët e tij, të cilët unë i gjeta ofenduese ndaj meje e fesë time, po ashtu i quajti ofenduese imzot George Frendo në përgjigjen e tij ndaj meje, të cilin edhe njëherë e falënderoj publikisht për civilitetin e tij dhe frymën vëllazërore, ku ai u shpreh se “Fjale te tilla nuk kontribuojne per nje dialog konstruktiv mes katolikeve dhe muslimaneve, madje cenojne marredheniet e mira qe gjithmone kane egzistuar mes nesh.” Si e komenton Ndreca këtë distancim prej fjalëve të tij nga imzot Frendo? A është edhe Frendo mashtrues? Apo edhe Frendo po keqinterpreton fjalët e Ndrecës?
Prerje 1C
Edhe nëse unë do kisha gabuar në interpretimin tim, gjë që është krejtësisht e mundshme, jo vetëm për një “student inxhenjerie” por edhe për studiues të mirëfilltë të fushës, mënyra civile e përgjigjes nga ana e Profesor Doktor Ardian Ndrecës do kishte qenë të më tërhiqte vërejtjen e me mirësjellje të më informonte për keqinterpretimin tim duke më shpjeguar kuptimin e vërtetë të fjalëve të tij. Kjo do kishte qenë mënyra e bukur katolike e zhvillimit të këtij debati, edhe pse unë e Ndreca mund të vazhdojmë të kemi qëndrime e ide thellësisht të ndryshme rreth trashëgimisë sonë osmane.
Që profesori me aq zell e ngulm t’i thotë studentit se ai di e ky i fundit është “gdhë” e nuk di, është kulmi i arrogancës. Por që profesori t’i thotë studentit se ky i fundit është mashtrues ngaqë është “gdhë” e nuk di, ky është, sipas mendimit tim, kulmi i pandershmërisë.
Prerje 2
Profesor Doktor Ardian Ndreca pretendon se ai, për nji milion arsye, nuk ka shkruar kurrë një rresht për islamin. Siç e vunë në dukje disa komentues këtu, dhe po ashtu e-zani tek përgjigja e tyre, Ndreca, jo më larg se Shtatori i 2012-s, citohet të ketë thënë: “Che il comunismo albanese sia stato di matrice islamica lo dimostra l’accanimento speciale nei confronti della Chiesa cattolica e dei suoi membri.” Pra na del se Ndreca, jo vetëm që ka folur për islamin, por ka folur në një mënyrë ekstreme. Ai ka përqafuar tezën se islami ka frymëzuar komunizmin shqiptar dhe kjo, sipas tij, shpjegon egërsinë e pazakontë të regjimit monist tek ne në krahasim me vendet e tjera komuniste, e po ashtu shpjegon luftën e egër të komunistëve shqiptarë ndaj klerit dhe Kishës Katolike. Ky është një qëndrim tepër ekstrem i Ndrecës, qëndrim që padyshim nuk përfaqëson kishën katolike shqiptare por vetëm sa frymëzon palaçot e faqeve ekstremiste si www.zemrashqiptare.net, ku urrejtja fetare ndaj shqiptarëve muslimanë vërshon frikshëm çdo ditë. Edhe njëherë Ndreca tregohet i pandershëm me debatuesin e tij rishtar, por edhe më keq, me lexuesit e tij.
Prerje 3
Profesor Doktor Ardian Ndreca shpreh habi se si unë nuk them asnjë fjalë rreth thelbit të shkrimit të tij origjinal mbi kërkesën e qeverisë turke për rishikimin e teksteve shkollore të historisë në Shqipëri e Kosovë. Unë nuk them gjë për këtë sepse, zoti Ndreca, unë s’kam asgjë për të thënë rreth kësaj teme. Me këtë punë le të merren historianët e specialistët, dhe është e drejta juaj e plotë të mbani qëndrimin që mbani, i cili është një qëndrim i vlefshëm, po ashtu siç është dhe qëndrimi kundërshtar. Shqetësimi i ngritur prej meje nuk ka të bëjë fare me librat e historisë a me peticionin e famshëm intelektual kundër rishikimit të tyre. Unë jam thjesht një qytetar i shqetësuar nga niveli i retorikës islamofobe në diskursin publik, sidomos kur kjo retorikë vjen nga drejtues të lartë katolikë si ju, apo Dom Shan Zefi në Kosovë. Ky ishte shqetësimi që ngrita, si në letrat e mia ndaj autoriteteve katolike, ashtu edhe në shkrimin tim.
Shënime udhëzuese për konstruktorin
Çfarë pritet prej Profesor Doktor Ardian Ndrecës tani? Një idealist i marrë si unë që akoma beson tek civiliteti i shqiptarëve dhe mundësia e tjetrit për të ndryshuar, do priste që Ndreca ta pranonte gabimin e tij e t’u kërkonte falje lexuesve të tij për shkeljet e shumta etike, e veçanërisht t’i kërkonte falje studentit të inxhinierisë në Amerikë, të cilin e ka fyer dhe ofenduar pa të drejtë. Gjithashtu, do prisja që Ndreca të dilte e të na sqaronte qëndrimin e tij rreth shkrimit të sipërcituar ku ai kaq lehtësisht ndërlidh islamin shqiptar me komunizmin. Këtë do e shihja si një obligim moral të Ndrecës ndaj mbarë lexuesve të tij shqiptarë, por veçanërisht ndaj lexuesve muslimanë e atyre katolikë.
Si përfundim, në vend të fjalëve të “bukura” të Konicës, po e lë Profesor Doktor Ardian Ndrecën me fjalët e një intelektuali pak më modern shqiptar, Dom Gjergj Meta: “Kësisoj, për një katolik, të kujtojë e të ushqehet me atë çka ka qenë në të kaluarën, është sinonim i vitalitetit, por kthehet në një ushqim dhe ujë të ndenjur, nëse ajo nuk përtërihet me atë çka unë sot jam. E vetëdija e parë që sot ne duhet të kemi është se ajo societas christiana, e cila mbizotëronte në shekujt e Mesjetës në gjithë Europën, por edhe në Shqipëri, sot nuk është më e tillë. Realiteti plural në të cilin jetojmë, nxjerr përballë nesh sfida të tjera, të reja. Pluralizmin kulturor dhe fetar, të cilin unë e prek çdo ditë këtu ku jetoj, mund ta prekësh në metropolet më të mëdha europiane, Romë, Paris, Londër, e më gjerë, edhe pse nënshtrati i këtyre metropoleve është i krishterë.
Pluralizmi fetar në Shqipëri është një fakt. Mohimi i këtij fakti është së paku naivitet e së shumti dashakeqësi. Unë nuk jam prej atyre që e idealizoj fort bashkëjetesën fetare në Shqipëri. Ajo është e mirë, por ka edhe problemet e veta. Më shumë sesa një fakt ajo është një proces që duhet të kërkohet e të realizohet përditë e më shumë.”
i nderuem bashkeshqiptari im, (tue mos mujte me thane bashkeshtetasi im, se shume prej shqiptarve kane ndërru shtetesi e fe per interesa ekonomike), diskutimi dhe debati sjellin kurdohere zhvillim kur kane sens pozitiv, por ne kte rast, mendoj se ky debat asht destruktiv. Asht e vertete qi ka nji pluralizem fetar ne vend, por mendoj se nje mirekuptim pluralist fetar asht siperfaqesor dhe fiktiv. Prezenca e ktij pluralizmi fetar ka egzistue edhe ne vitet e diktatures (pamvasisht se fshehtas), por diskriminimi ka kene i qarte.
Femijet e njeres pale ishin te privuem (katoliket) prej shkolles se larte, baneses, punes se deshirueme, jetes sipas shijes personale etj, etj… kurse “shumica” islame (flas per Shkodren) ishte ma e preferuemja dhe nuk kishte “pengesa”. P.sh. ne mes dy personave te perndjekur politikisht te feve te ndryshme, ai i besimit islam kishte gjithmone nje bonus pozitiv, mbasi pushteti lokal ishte 99, 99% nga islamet.
Pra lum Armiri (se edhe emri jot me duket me prejardhje orientale), duhet me i fole mendjes e me pase parasysh zhvillimet historike e sociale ne kohe, me diskutue me bindje (per mendimin tim ti ke bindje te njeaneshme islamike) jo te njeaneshme. Per fat Ndrecen (rastesi) e njoh familjarisht dhe qysh se ai ishte femije. Ai ka kene nje besimtar i mire, por sot ka nje status tjeter. Si intelektual (jo rrugaç si e quan ti, gja qe ven ne dyshim te gjitha ç’ka ti shkruen mbrapa), ai eshte nje nga ato qe e thote ndershem mendimin e tij dhe eshte shume aktual (une kam admirim per te, se thote te verteten pa frike – dhe për më tepër në gegnisht!).
Edhe per mue ka nji bashkeegzistence ne barazi, ma mire me thane respekt per njeni-tjetrin (se ma teper asht rrene), per mos me hi me analizue shqiptarizmin. Personalisht, mbranda familjes teme, (per interesa ekonomike e pse ishin ma praktik), ka pluralizem fetar. Gjyshja ime kishte tatuazhin (kryq) ne dore (qe te paguante ma shtrejt ato çka blente per konsum), kurse femijet e motres se saj (nen influencen e burrit te saj) u islamizuen jo se e ndjene shpirterisht ate qe i takon Azise, por per te shijue te privilegjet e te mirat per ato qe konvertoheshin, e qe d.m.th. paguanin (gadi gjyse per gjyse) ma pak per çka familja konsumonte.
Pra lum Ar-Mir-i, te keshilloj qe perveç njohunive universitare qe merr (atje ne Amerike ku je), te pranosh edhe ato qe bota tolerante kristiane te jep, e t’i pranosh si te mira pozitive, mos t’i keqperdorosh si ne rastin e debatit ketu. Nuk po zgjatem ma se asht nji teme pa fund…, por mendoj qe vellezerit tone islamo-shqitarë kane disa detyrime ndaj nesh, qe ishim kurdohere minorance e shkelur me dhune. Nji “mirekuptim” ne mes dy grupimeve asht kurdoherë ne te mire te femijeve tone dhe mirqenises te familjeve tona…
Comments are closed.