Nga MARZIA PARINI
Gjyqi mbi aferat e reja të Sacra Corona Unita, makineri për lojërat e fatit, kazino dhe natyrisht drogë në trekëndëshin Puglia-Calabria-Albania, do të bëhet. Gjykatësi për hetime paraprake i gjykatës së Leçes, Karlo Kazela (Carlo Cazzella) ka pranuar kërkesën e prokurorit Alberto Santacatterina për nisje gjykimi ndaj grupit të ri të mafies salentine. Do të sillen para trupës gjykuese të Gjykatës së Barit në 16 nëntor të këtij viti 10 persona: Daniele Vicientino, 36 vjeç Albino Prudentino, 59 vjeç; Nicola Nigro, 36 vjeç; Bruno Bembi, 48 vjeç; Maurizio e Giovanni Vicientino (kushërinjtë e boss) 34 e 58 vjeç; Angelo Cavallo, 38 vjeç; Tiziano Maggio, 33 vjeç; Tobia Parisi, 30 vjeç. I njëmbëdhjeti ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë dhe ka fituar statusin e bashkëpunëtorit. Ai është Ercole Penna, 36 vjeç dhe do të gjykohet në një proces tjetër veçmas me gjyq të përshpejtuar.
Hetimet, të pandehurit dhe i penduari
Hetimet nisën në 2008 dhe kulmuan në fundin e shtatorit të vitit të kaluar me operacionin Kalipso, firmosur nga forcat speciale ROS të koordinuara me Antimafian e Leçes, ku u arrestuan 8 nga 11 të kërkuarit me akuzën e krijimit dhe pjesëmarrjes në organizatë mafioze me qëllim trafikun e drogës dhe grabitjet. Përfundojnë në pranga të gjithë përveç treve: kreu i krerëve Daniele Vicientino, krahu i tij i djathtë Tobia Parisi (të cilët u kapën një muaj më vonë) dhe Prudentino që u kap në Shqipëri, ku sipas hetuesve, do inaguronte kazinonë e markës së re SCU.
Disa muaj më pas në nëntor të vitit të kaluar, Ercole Penna – që trashëgoi skeptrin e komandës direkt nga duart e themeluesve Massimo Pasimeni e Antonio Vitale (alias “Dhëmbi i vogël” dhe “Marokeni”), – pendohet. Në dosje janë edhe dëshmitë e Pennas që do të zbulojnë lidhjet mes SCU dhe ‘ndraghetës kalabreze, furnitorja kryesore e kokainës dhe drogave të lehta për mafien salentine.
SCU (Sacra Corona Unita) dhe N’drangheta
Kryeprokurori Cataldo Motta disa herë ka folur për lidhjen mes SCU dhe ndragetës kalabreze. Dëshmia e të penduarit në këtë pikë thotë:
“Siç kam referuar në marrjet e mëparshme në pyetje, Daniele Vicientino bashkë me Vitalen dhe Pasimenin merreshin me trafikun e drogës dhe grabitjet. Për të parën bashkë me mua trafikonim hashash dhe kokainë që ai e shpërndante më pas në treg me djemtë e vet. Burimet tona të furnizimit ishin të ndryshme: kujtoj përshembull që kokainën e merrnim nga një shqiptar dhe në veçanti furnizohej në Kalabri”.
Por Megna i Ndragetës preferohej: “Kishim lidhje me një anëtar të degës së ndragetës në Papaniçe në provincën e Krotones, që quhej Mico Megna. Raportet me ta i lidha gjatë periudhës së burgimit në burgun e Foxhias ku njoha nipin e Michele Bolognino, i cili më pas u tranferua në burgun e Bolonjas ku njohu edhe Vicientino-n. Nuk është e rastit që në ceremonitë tona në nivelet më të larta merrte gjithmonë pjesë si i ftuar pikërisht Mico Megna. Ishin të shumta herët që Vicientino i dërgonte djemtë në Kalabri për të marrë drogë pikërisht nga djemtë e Mico Megna-s”.
Puglia-Albania, hija e ministres Bregu
Akuza e dytëdelnga fakti që sipas hetimeve, klanet kishin gjetur në kontrollin e xhiros së videolojërave një aferë të re veçanërisht fitimprurëse. Drejtuesve të lokaleve u impostohej blerja e makinave me furnitor Prudentinon, në raste të tjera u merrej rryshfeti klasik mujor si garanci për ti mbrojtur nga sulmet.
Por veza e re e artë ishte gjendur përtej brigjeve, në atdheun e shqiponjave, ku pak ditë pas blicit të karabinierëve ishte planifikuar të mbahej inaugurimi i kazinosë së Albino Prudentinos. Angelo, djali i Albinos ishte partner biznesi dhe themelues në tre kompani të motrës së ministres së integrimit në Tiranë Majlinda Bregu. Të tria shoqëritë merreshin me bastet sportive dhe lojërat e fatit. Egzaktësisht, horizonti i ri i aferës që mban vulën “Sacra Corona Unita”.
*Marrë me shkurtime nga gazeta italiane “La Repubblica” datë 16 shtator 2011. Titulli në origjinal “La n’drangheta e l’ombra del ministro Albanese”