Ndoshta jo vetëm për vota…

0
23

Nga Eduard Zaloshnja, 25 Dhjetor 2012

“Në 24 dhjetor 1924, Ahmet Zogu riktheu legjitimitetin e pushtetit në Shqipëri, pasi ai ishte cënuar nga një grup aventurierësh”. Këto fjalë janë të Berishës, thënë në 24 dhjetor 2012, në praninë e nipit të Ahmet Zogut, të cilit iu drejtua me titullin “Naltësia e Juaj Mbretërore”. Mbi 18 vjet më parë, me rastin e 70 vjetorit të kryengritjes që solli në pushtet atë “grupin e aventurierëve”, Berisha nuk la fjalë lavdëruese pa thënë për udhëheqësin e tyre, Fan Nolin, dhe nuk la anatemim pa i bërë Ahmet Zogut, birin e të cilit sapo e kishte përzënë nga Shqipëria brënda 24 orëve nga kthimi në atdhe.

Pse kjo kapërdimë 180-gradëshe e Berishës? Përgjigjia e parë që të vjen ndërmend është ajo më e thjeshta: Për vota. Në vitin 2009, kur ekonomia ishte shumë më mirë se sa sot dhe trenit të gjatë të tij nuk i ishte shkëputur asnjë vagon, Berisha nuk arriti të siguronte për koalicionin e vet më shumë se 47% të votave. Ndërsa tani, kur ekonomia është në ngërç dhe dy vagona të mëdhenj – FRD-ja dhe AK-ja – janë shkëputur nga treni i tij, Berishës i duhet të joshë çdo votë të nostalgjikëve të mbretërisë së Zogut.

Por këto vota ndoshta janë pak për të gjitha fanfarat që Berisha u ka fryrë për Ahmet Zogun kohët e fundit dhe sidomos për nderimet që po i bën “Naltësisë së Tij Mbretërore”, Princ Lekës së Dytë. A mos ndoshta ka menduar për Lekën e Dytë një rol të mundshmëm në një plan B, të ngjashëm me rolin që Leka i Parë luajti në vitin 1997?

Duke përdorur të gjitha metodat që përdori në vitin 2009, Berisha do të mundohet që koalicioni i tij të marrë numrin më të madh të mundshëm të mandateve në zgjedhjet e qershorit, pa e derdhur kupën. Por në qoftë se do ta ndjejë se mandatet e marra nuk do t’i mjaftojnë për të krijuar qeverinë e re, ai mund ta derdhë kupën… Dhe në këtë rast, zgjedhjet mund të prishen, e vendi të futet në një krizë të thellë.

Pikërisht në këtë moment, Berisha mund të shpalosë planin B: Referendum për rikthimin e monarkisë… Në vitin 1997, ai solli me urgjencë në Shqipëri Lekën e Parë, të cilin e kishte dëbuar si një kriminel në 1993-shin. Ndërsa tani ka kohë që po mundohet ta rrisë profilin publik të Lekës së Dytë, për të mos e nxjerrë me urgjencë në skenë, në qoftë se do t’i duhet…

http://respublica.al/opinion/2012/12/25/ndoshta-jo-vetem-per-vota