Piro Misha
Parlamenti i TopallitDuke parë atë që ndodhi në seancën më të fundit të parlamentit shqiptar, vetiu ngrihen një sërë pikëpyetjesh. Dje, kryetarja e parlamentit, zonja Jozefina Topalli, dha urdhër t’i pritej fjala një deputeti të opozitës, duke urdhëruar më pas gardën që ta nxirrte atë nga salla, thjesht sepse, sipas saj, akuzat e tij për korrupsion ndaj disa antarëve të qeverisë, kryeministrit dhe, së fundi, asaj vetë, qenë shpifje. Ç’është më shqetësuese, ajo kumtoi se që tash e tutje, rregullorja e re e parlamentit që, siç e dimë, u miratua pak ditë më parë vetëm me votat e shumicës qeverisëse, i jep asaj të drejtën të vendosë se çfarë nga ato që do thonë deputetët gjatë punimeve parlamentare përbën shpifje e çfarë jo.
Natyrisht, duke marrë masat ndëshkuese përkatëse. E thënë ndryshe, që tash e tutje do të jetë zonja Topalli ajo që ka të drejtën e gjykimit se cila është vija e hollë që ndan të vërtetën nga gënjeshtra në sallën e parlamentit. Sigurisht, nga ana tjetër, s’ka si të bjerë në sy fakti se zbatimi i parë i këtij neni kaq të diskutueshëm të rregullores së re nis me një konflikt të pastër interesi: zonja Topalli e ndëshkoi zotin Balla, pikërisht atëhere kur ky e akuzoi atë vetë për korrupsion! Pra, atë çast, paradoksalisht, zonja Topalli ishte njëherësh e akuzuara dhe gjykatësja që vendoste nëse akuza që i bëhej qëndronte apo jo! Por kjo e fundit, sado që shërben për të nxjerr në pah groteskun e situatës, s’është kryesore. Ajo që shqetëson është mendësia që qëndron pas veprimeve të tilla.
Sidoqoftë, para se të vazhdoj, më lejoni të bëj një parantezë. Së pari, dua të sqaroj se unë natyrisht që s’jam në gjendje të them nëse akuzat që deputeti Balla i bëri zonjës Topalli, zotit Berisha apo antarëve të tjerë të qeverisë, qëndrojnë apo jo. Së dyti, mendoj se ka shumëçka që nuk shkon me atë që ndodh në parlament dhe si shumëkush dhe unë ndjehem i bezdisur, i revoltuar, i shqetësuar nga niveli i banalitetit, nga mungesa e etikës, primitiviteti, gjuha e dhunshme e konfliktualiteti që po karakterizon gjithnjë e më shpesh punimet e tij. Së treti, ndjehem po ashtu mjaft i shqetësuar nga efektet që ka në jetën tonë publike makineria e pandalshme e shpifjeve dhe baltosjes së kundërshtarit, që prej vitesh tashmë është kthyer në një instrument politik.
Kam frikë se po s’u ndal, kjo shfaqje papërgjegjshmërie ekstreme, e relativizmit të së keqes, duke vënë në dyshim moralin e kujtdo që përfshihet në politikë, apo mban një post publik, ka rrezik që shpejt do të ndodhë një delegjitimim i mbarë klasës sonë politike, duke krijuar një situatë që gjithnjë është minuese për shëndetin e demokracisë. Sigurisht që kjo situatë mund të marrë fund vetëm nëpërmjet ndëshkimit së pari politikisht, e pastaj dhe ligjor, të cilitdo që shpif a hedh baltë ndaj kundërshtarit, por kjo mund të ndodhë vetëm nëse merr fund ajo praktikë e mbrapshtë, sipas së cilës shqiptarët janë të ndarë në qytetarë të kategorisë A, të cilët në realitet janë të paprekshëm nga ligji, dhe të tjerë, të kategorisë B, mbi të cilët ligji vepron.
Pa një shtet ligjor funksional, që nënkupton para së gjithash barazinë e plotë të të gjithëve para ligjit, pavarësisht nga posti që mbajnë, ngjyra politike, fuqia apo paratë që kanë, e gjithë retorika për demokracinë e institucionet funksionuese demokratike, s’është veçse në një demagogji. Dhe shteti ligjor nënkupton se në një vend ku sundon ligji, vetëm gjykatësi e askush tjetër, ka tagër të vendosë nëse një akuzë përbën shpifje apo jo, e rrjedhimisht, të ndëshkojë autorin siç e përcakton ligji. Përndryshe, nëse ndodh siç ndodhi dje në parlament, që njëra nga palët në skenën politike (ajo që ka pushtetin), i jep vetes të drejtën të marrë rolin e gjykatësit, duke vendosur se cilat janë kufijtë e lejueshëm të shprehjes, atëhere mbarë shteti ligjor rrezikon të dalë nga binarët.
Kam përshtypjen se në të vërtetë kjo rregullore e re, qartazi e hartuar jo për të mirërregulluar funksionimin e parlamentit, por më tepër për t’iu përgjigjur një situate të caktuar politike të krijuar momentalisht, përbën një shkelje serioze të kushtetutës, e cila i garanton lirinë e shprehjes, si një ndër të drejtat themelore e të patjetërsueshme, gjithë qytetarëve. Ndërkohë që përfaqësuesit e zgjedhur drejtëpërdrejt nga populli, i garanton pikërisht që të kenë mundësinë të kritikojnë qeverinë e pushtetin, pa frikën e pasojave.