Artan Mullaj, 13.09.2011
Shumëkush ka provuar ndjesinë e mbrapshtësisë në Shqipëri: ndjesinë këmbëngulëse se gjithçka shkon mbrapsht e do të shkojë mbrapsht vazhdimisht në këtë vend. Është diçka si një gjendje e mbyftë, një qasje psikologjike, si një trazim shpirtëror që degjeneron në paqartësi… në vulgaritet, në ambientim dhe aprovim të kobshëm njerëzish që përjetojnë ngjarje të këqija… Pas çdo ndodhie, ndjesia e mbrapshtësisë është aty, e pranuar si një konstatim, në atmosferë, përzier me klimën e pistë; Shpërthime, përmbytje, vrasje… ndodhi të çuditshme, përditë. Shkelet Kushtetuta, ndërpritet energjia, shteron uji, ndotet ambienti, vidhen pasuritë, vidhen zgjedhjet, shkatërrohet normaliteti.
Shuhen shpresa dhe fshihen dëshirat njerëzore për sukses, për fillim, për emocion dhe ardhmërinë e ndriçon po ai qiriri i zbehtë i së shkuarës;.. asgjë nuk shpirtëron në të… Përpjekje si lumenj të shteruar shoqërohen me përshtypjen e përsëritur se një mallkim i padukshëm nderet aty, mes jetëve të thjeshta e të trishta të rinisë, të zotërinjve që luftojnë verbërisht me dështime të paralajmëruara, si për të na kujtuar se ndjesia është aty, e përjetshme si frika dhe e pandryshueshme si shpejtësia e dritës.
Falë kësaj ndjesie dhe këtij ambientimi, duket sikur edhe ndodhitë e thjeshta të ditës i shoqëron tjetër gjë, jo logjika civile e gjërave, por një mister, një djallëzim, një mosshpjegim, një tersllëk, një zallahi e zezë kundër arsyes që ndikon jetën shqiptare në çdo ambient, koncept, zhvillim, përsiatje, përpëlitje dhe në çdo aventurë…gjithashtu
Gjithçka ndodh vrullshëm, duket qartë, shkoqur, dhimbshëm e zhgënjyeshëm; njëlloj si më parë… Në rrugë që ndërtohen, mjelloj për të vjedhur, aksidente pa mbarim në asfaltin e tyre, të paguar dyfish, shtohen sërish në ciklimet e fatit.
Fabrika që digjen nga instalimet elektrike jashtë sigurisë, instalime elektrike me tela si fijet nervore të një të sëmuri në pikën e fundit, drejtues të sëmurë nervorë, psikopatë me pushtet, në delir, në zallahi, në malabi; sisteme arsimore që nuk sjellin dije as mundësi, drejtorë pa shkollë, mësues pa diplomë, profesorë seksomanë, shpesh edhe hajdutë, drejtues bythëvarur më shumë militantë se mediokër, deputetë jargamanë, qytete katrahurë, plehra të rrezikshme dhe tymnaja në atmosferë, ndërtime masive pa leje, pa fantazi, pa respekt për ambientin publik, për të ardhmen dhe pastaj çtë ndodhë në fshat e në fushë, ku zemrën askush nuk e ka dhe as mendjen.
Prodhime të rrezikshme dhe ushqime të rrezikshme, dështime të tjera, personifikime të tjera dështimesh të tjera fillim e mbarim, në skajet e çdo realiteti, në limitet e çdo perceptimi dhe iluzioni… Në mes të mbrapshtësisë, shteti si qeni mes plehrave..projekte financiare zhvillimi, në të cilat qeveria sillet si nusja e shtëpisë që qeras kokulur kafenë, miqve mafiozë….
Shumë spektakël kombëtar për të joshur me tepri kureshtjet e të gjithëve, Spektakël ka për të gjithë, në dritë ironie. Vrasje misterioze në sfonde ngjarjesh misterioze. Vrasje në sheshe, vrasje që nuk mund të shpjegohen, gjykatësish e deputetësh, të të gjitha llojeve, hakmarrje, motive të dobëta, vrasje shtetërore, vrasje me pagesë, pa pagesë, në miniera, mbytje në det, mbytje në dëshpërim kolektiv, vetëvrasje të shtuara të shumëfishuara, ky është imazhi, kjo është Ikona, dhe kjo është çështja. Pasojat janë aty, në dritën e diellit.
Shpesh duket sikur mungojnë shkaqet e këtyre pasojave dhe mungon shpjegimi i mungesës së tyre. Nganjëherë shkaqet shfaqen virtualisht, por në një kufi të ri pamundësie interpretimesh dhe shpjegimesh.. Kjo pamundësi është një dhimbje kolektive.. Për shumë qytetarë ekziston kjo dilemë. Përse gjithë kjo mbrapshtësi?
Komuniteti është kalitur me instinktin e barazisë. Kjo i shtyn turmshëm njerëzit shqiptarë të krahasohen, me të tjerët, me malazezët dhe maqedonasit, dhe këtu fillon dhimbja…e re. Pasqyra e ndërgjegjes kombëtare është hakmarrëse…jemi thjesht një pasojë.. jemi fatkeq, jemi të dështuar, nuk mund të sistemojmë jetën tonë, ta rregullojmë atë dhe nuk jemi aq të civilizuar sa të tjerët, na shikojnë si inferiorë..
Shkaqet nuk duken, nuk dihen.., përgjigje nuk ka. A është thjesht një rastësi mbrapshtësia? Përballë nesh, kulturat fqinje janë modele sensibilizuese dhe shtytëse, por në to rrëzëllen edhe sarkazma.. Në përballjen me ta, paaftësia jonë shndrit lakuriq.. S’na mbetet veç të pranojmë dhe të jemi krenarisht të mohuar dhe sidomos krenarisht të paaftë për të rregulluar punët tona, sistemet tona, investimet tona, edukatën tonë, civilizimin tonë, politikën tonë dhe jetën e të vegjëlve tanë.
Dhe ky realitet provokon pikërisht atë, mbështjellësen aurorë të pasojave të mizerjes, ndjesinë e trishtë, ndjesinë e ftohtë, ndjesinë e pafuqisë, pikërisht atë, ndjesinë e hidhur të mbrapshtësisë.
Shumëkush mund të supozojë se katrahura monumentale në këtë vend është pasojë e rastit, e fatit të keq që e yshti këtë komb të jetë i zvarritur në një histori të vështirë tranzicioni… ku ka pasur pak heronj e ca më pak mendje të shquara.. Të tjerët fantazojnë alegori dhe metafora të përsëritura për të kuptuar shkaqet e mizerjes popullore dhe kushedi, ata që mbetën, mbase besojnë te kundërligji, te hapësirat e abstraksionizmit spekulativ të marronistëve, te pasojat e pasojave që ishin të tilla qysh në vigjilje…
Por mund të supozohet gjithashtu se shkaku mund të jetë vetë pasoja, vetë njeriu shqiptar, politika shqiptare dhe sidomos perceptimi shqiptar.. Por a mund të ketë njeriu një rol kaq sublim sa të kalojë në këtë lloj vetëflijimi sureal, duke i shkaktuar vetes fatkeqësi, mbrapshtësi dhe ndjesi të tilla inferioriteti bri fqinjëve, duke qenë njëherësh edhe shkak, edhe pasojë?.
Nëse po, mund të guxojmë të vetëquhemi të paparashikueshëm dhe të papërsëritshëm njëherësh… A është elita politike apo pushteti i saj shkak i mbrapshtësisë, apo është pasojë e saj? Nëse është shkaku, çështja është e thjeshtë. Por a mund t’i drejtojmë sot gishtin e madh edhe të vogël Sali Berishës? Kryeministri mund të përpëlitë sytë e të thotë, ej, unë jam thjesht një pasojë, jam pasoja, shkaku janë ata.. që më zgjodhën, ata që më besojnë e më marrin seriozisht, ata që kanë ndjesinë e mbrapshtisë kudo që janë. Por, nëse pushteti është pasoja, shkaku kush është?
Shkaku ose mungon, ose është autoriteti që zgjedh, zgjedhësit vetë, perceptimi i tyre, elektorati, bastioni… sovrani, pikërisht vuajtësit e pasojave, shpirtthjeshtët, të shpërfillurit, të ndëshkuarit, të gjithë.. pra arsyetimi ynë hyn në një hulumtim vicioz. Si në pëshpërimat helenë të tragjedive, rolet ndërrohen magjishëm, kur shkaku shndërrohet në një pasojë shëmbëlltyrë mbrapshtësie dhe anasjellas.. Por, a janë zgjedhësit edhe shkaku, edhe pasoja e shëmtuar e politikës së ditës? Këtu ndjesia e mbrapshtisë duhet zëvendësuar me mbajtjen e frymës. Janë sigurisht! Është një kurth filozofie e re…
Vërtet, shkaku janë ata, që janë pasojë e vetvetes gjithashtu. Njerëzit. Përsëri perceptimi i tyre. Politika e keqe dhe mbrapshtësia nuk vjen rastësisht. Liderët zgjidhen. Shkak është vetëdija kolektive e rënë në një kurth. Është papërgjegjshmëria civile. Mungesa e vullnetit, për dhënien me votë të pushtetit, ose marrjen me dhunë të pushtetit. Sepse shkaku i mbrapshtësisë së shqiptarëve nuk janë ata vetë, por është “pushteti i tyre, i dhënë gabim”.







