Ndihmoni popullin shqiptar të përqafojë familjen e madhe evropiane!

0
37


Nga Ernest Bunguri, gazetar shqiptar në Bruksel

Le Monde

Shumë njerëz ndajnë ende sot bindjen se Shqipëria, njësoj si shumë vende të tjera të lindjes, u çlirua nga komunizmi në vitet 90të. Fatkeqësisht gabohen rëndë.

Sali Berisha ka qenë komunist deri në ditët e fundit të regjimit të partisë së vetme. Ai mishëron personazhin perfekt të fabulës mbi politikanin që rrëfen P.J. O’Rourke. Një burrë sheh një ditë të bukur nga ballkoni popullin të vërshojë rrugëve duke protestuar, dhe kërkon që t’i udhëheqë. Kur ndihmësi e pyet nëse e di se për ku janë drejtuar, politikani i përgjigjet: “As që e kam idenë, por duhet të jem medoemos në krye të tyre”.

Ky person, me shpurën e tij prej predatorësh çoi popullin shqiptar drejt luftës absurde civile të vitit 1997. Rënia e ‘piramidave të famshme financiare’, një mashtrim ky i shkallës më të lartë që u mbulua nga qeveria e atëhershme, prodhoi trazira shoqërore me pasojë vdekjen e mijëra njerëzve.

I flakur nga presidenca, Sali Berisha udhëhoqi një opozitë egërsisht shkatërruese, e cila pengoi funksionimin e duhur të institucioneve. Madje i njëjti person tentoi edhe një grusht shteti për të ri-marrë pushtetin.

Pas kthimit të tij në qeveri, pas zgjedhjeve të vitit 2005, me parullën e ‘duarve të pastra’, Sali Berisha harxhoi të gjithë energjitë në përpjekje për të ndryshuar imazhin e vendit, një pjesë të madhe të të cilit e kishte ngritur vetë ai duke akuzuar ish-kryeministrin Fatos Nano për ç‘do të ligë. Pjesa tjetër e veprimeve të tij mbetën vetëm premtime të pa-mbajtura ndonjëherë. Apo gënjeshtra po aq të mëdha sa dhe qesharake. A nuk ishte ai që deklaroi në vitin 2006 në tribunën e Senatit belg se “Shqipëria është tashmë si Zvicra, e për më shumë laget nga dy dete”?

Sali Berisha është përgjegjës edhe për shpërthimin e uzinës së çmontimit të municioneve në Gërdec, në vitin 2008, ku 26 vetë u vranë vetëm pak ditë para se Shqipëria të ftohej t’i bashkangjitej NATO-s. Kjo tragjedi ku përzihen trafiqe armësh, interesa gjeo-politikë dhe shfrytëzimi i një krahu pune të mjerë, ka nxitur Paramount Pictures ta kthejë në temën e filmit të parë të madh për vendin tim të vogël e të panjohur, me aktor kryesor Will Smithin.

Para disa javësh, një regjistrim klandestin video-audio, shfaqi nëpërmjet zëvendës-kryeministrit Ilir Meta, se si vepron korrupsioni në nivelet më të larta të Shtetit. Rast ky që një koleg gazetar e ilustroi me një shprehje mjaft therëse: “është tjetër gjë kur dëgjon se gruaja ju tradhton, dhe krejt tjetër kur e sheh me sytë e tu”. Dëshpërimi kundër atyre që zhgënjejnë prej 20 vitesh shpresën e shqiptarëve ka arritur pa dyshim pikën kulmore.

E pamë të premten e 21 janarit, kur tre qytetarë, ndër më të varfrit, u vranë me plumba ndërkohë që duart i kishin në xhep, në një manifestim që të përkujtonte në të njëjtën kohë ngjarjet e vitit 90të dhe ato të vitit 1997të. Si zakonisht, Sali Berisha rendi të fshihej pas Kushtetutës dhe Shtetit Ligjor, të cilat ai vetë i shkel me të dyja këmbët sa herë i jepet mundësia. Sot kërcënon shefin e opozitës me “ndëshkim ekzemplar”, akuzon presidentin e Republikës, prokuroren e përgjithshme, shërbimin sekret të vendit dhe pesë gazetarë se janë pjesë e një ‘puçi’, ndërkohë që policia refuzon të zbatojë urdhër-arrestet e prokurorisë për gjashtë udhëheqës të gardës së republikës në lidhje me urdhrat për të qëlluar me plumba mbi manifestuesit e ‘armatosur’ me çadra, gurë e shkopinj. Në një lojë absurde pasqyrash, ai shkon më larg kur shan manifestuesit si “bastardët e Ben Ali-së”.

Nënë Evropë, ndihmoje popullin tim të rrëzojë “perden e hekurt” të gënjeshtrave, të korrupsionit, të debateve boshe, të aleancave fasadë, të paturpësisë politike. Ma ke borxh, pasi në punën time prej 7 vitesh si gazetar i akredituar në Bruksel nuk kam reshtur kurrë duke të paraqitur para qytetarëve të mi si një hapësirë demokratike dhe qytetare. Si shqiptar, kam lavdëruar institucionet e tua para kolegëve francezë e të vendeve të tjera anëtare. Ju flas për të tashmen, për të ardhmen; ju rikujtoj me pasion të kaluarën tënde të shkëlqyer, e cila në vendin tim nuk përfaqëson ende ndonjë të tashme të prekshme.

Por ja ke borxh edhe vetes, gjithnjë qorre, e paorganizuar, e dobët dhe e ndarë përballë sfidave të kësaj bote dhe atyre që të imponojnë fqinjët e tu të afërt.

Para 20 vitesh, në vendin tim, çirreshim me plot zemër: “E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa”. Duke i mundësuar qytetarëve shqiptarë të vizitojnë Evropën, Sali Berisha iu dha mundësinë të shohin me sytë e tyre sa larg është vendi nga modeli që ëndërronin 20 vite më parë.

Kjo thirrje buçet akoma, gjithnjë e më e fortë. Të kam falur që nuk e ke dëgjuar dhe që ke mbyllur sytë. Por sot, të përgjërohem, vepro shpejt Evropë, në emër të jetëve të bashkë-qytetarëve të mi të varfër dhe të të ardhmes së vendit: bëju krah popullit tim.