Ndershmërisë (s)ka kush t’i shkruajë

0
20

Preç Zogaj

Preç Zogaj, 10.06.2010

Poeti është rob i nderit. Këto fjalë janë thënë për poetin e madh të Rusisë Pushkinin, kur ky u vra nga D’Antesi në duel për një çeshtje nderi dhe krenarie. Janë fjalë që mund të thuhen për çdo poet të vërtetë, në çdo vend, në çdo kohë.

Qëkurse Pushkini “u shemb krenar me plumb në gji”, rreth dyqind vjet më parë, vizitorët e veprës dhe jetës së tijj në gjithë botën, nuk mënojnë të mbajnë frymën kur vinë te çasti fatal dhe të mendojnë një gjë që nuk ndodh kurrë: të evitojnë fundin tragjik. “Mos jep duel, mos shko në duel, D’ Antesi është një hiç, ti je poet, ti je princ, ti je gjeni, neglizhoje, përbuze”!

Por nderi i poetit ka venë në lëvizje një mekanizëm përjëtsësisht të pakthyeshëm që nuk njeh zgjidhje tjetër, edhe po të ndodhte mrekullia që dueli të rikthehej e të rikthehej nga e para me mundësinë e korrigjimit të vazhdimit.

Pushkini nuk do të ishte ai që është po të kthehej prapa. Vdekja e tij qëndron denjësisht përkrah poemave të tij, si një kryevepër me vete . Vepra dhe vdekja e tij udhëtojnë krahpërkrah në përjetësinë e poetit.

Poeti dhe nderi janë në një lidhje e pandashme si rrezja me dritën, si arsyeja me virtutin. Ku është arsyeja është virtuti. Ku është poeti është nderi. Pushkini është rasti i manifestimit ekstrem të kësaj lidhjeje. Por atë e gjejmë të shprehur si një ligjësi anëmbanë globit, në forma dhe rrethana nga me të larmishmet .

Shqipëria gjithashtu ka patur e ka “pushkinët” e vet që nuk kanë hezituar të hedhin dorezën kur i ka thirrur kushtrimi i racës. Njëri prej tyre, ndoshta më modesti, por edhe më i veçanti ndërroi jetë dy ditë me parë , duke zgjuar në udhëtimin e tij të heshtur drejt banesës së fundit kureshtjen e papritur të një shtypit të përmalluar për madhështinë e thjeshtësisë.

Është Ndoc Gjetja, poeti lirik nga Lezha, një nga zërat me te kulluar të gjeneratës së viteve shtatëdhjetë, që u ndihmua si shumë krijues të tjerë të talentuar të periferisë nga Dritëro Agolli dhe i ndjeri Anastas Kondo.

Marrja e tij në Tiranë dhe vendosja në krye të revistës “Skena dhe Ekrani”, pa i venë asnjë kusht poetit të ri, përbën momentin e afirmimit të Ndoc Gjetjes si poet. Më tej, shohim një krijues i cili ndërtoi në trajektorën e jetës së tij figurën e një njeriu gjithnjë e më të tërhequr, por që rrezaton për të gjithë ata që kanë të bëjnë me të thjeshtësinë, thellësinë dhe madje edhe misterin e një feje, e një personifikimi.

Poezia e Ndoc Gjetjes do të njihet e do të studiohet më mirë në të ardhmën. Kur Shqipëria të bjerë në paqe dhe të mos zgjohet për të kërkuar kësmetin çdo mengjes, siç bën tash njezet vjet, edhe jeta e tij, sikurse jeta e disa shkrimtarëve të tjerë të eklipsuar nga mediokriteti shkatërrimtar i politikës, do të tërheqë me shumë se deri sot vëmendjen e kërkuesve, lexuesve, njerëzve në përgjithësi.

Do të gjejmë në personalitetin e tij diçka nga fuqia morale e Diogjenit të Sinapës, nga vetmohimi i Jezu Krishtit, nga forca e heshtur e Erazmit, nga dëshpërimi i Gjergj Fishtës ……Të gjitha këto, të shkrira dhe të tretura organikisht në atë që ishte autentike e tij, që ishte “ndocgjetjane”, siç thotë kritiku Tonin Çobani.

Por unë do të shkruaj sot për mortin e tij. Kam parë shumë njerëz, miq dhe të panjohur, duke u përkulur para arkivolit të tij me një përkushtim prekes që nuk e shohim shpesh në kohën tonë.

Disa ishin lexues dhe adhurues të poezisë së tij. Por shumë prej tyre nuk ishin lexues dhe mund të themi se nuk e dinin kush ishte si poet ai që kishte vdekur. Kishin ardhur për t’ju përkulur nderit dhe ndershmërisë së tij proverbiale. Rasti e kishte sjellë që Ndoci të thirrej për të kryer disa vite detyrën e kryetarit të këshillit të rrethit të Lezhës.

Nuk kishte ardhur kurrë një si ai në zyrat e larta të rrethit. Dukej e pabesueshme që në epokën e korrupsinit të ngritur në sistem ekzistonte një kryetar i papërlyer që nuk e dinte ç’ishte ryshfeti, nepotizmi, përfitimi për vete. Të gjithë nëpunësit, të gjithë sipërmarrësit, të gjithë qytetarët e tregojnë si një legjendë sjelljen e tij prej zyrtari të lartë.

Ndoci ishte idhtar i pushtetit të shpirtit dhe ashtu si Vasllav Haveli, ëndërronte, jo në kuptimin metaforik, utopik apo romantik të fjalës, por në kuptimin e drejtëprdrejtë që dimensioni shpirtëror të zinte një vend qëndror në aulën e pushtetit, me qëllim që drejtusit ta ndjejnë fatin e të tjerëve si të ishte fati i tyre Ndoc Gjetja e dha këtë shembull në nivelin dhe në kohën kur iu dha rasti.

Ai afirmoi pushtetin moral të poetit, një gjë pothuajse e braktisur në kohën e tonë, dhe e arriti këtë me sakrifica, me vetmohim, duke refuzuar gjithçka që nuk bashkjeton dot apo që e tjetërson natyrën e drejtë. Ai rrezikoi të harrrohej me ketë lloj refuzimi dhe në fakt e vuri në një provë të rëndë kohën tonë të molepsur nga pragmatizmi.

Por vdekja e tij, me zgjimin e papritur, si në pendim të shtypit kombëtar dhe me përkuljen e sinqertë, si në një falje të vetvetvetishme të njerëzve të thjeshtë, është nje shenjë shpresëdhënëse se shoqëria e vlerave nuk ka vdekur. Ishin shumë ata iu përkulen dhe “i shkruan” ndërshmërisë së poetit. Ishin të gjithë miqtë e tij të shkollës poetike dhe intelektuale të Lezhës. Ishte Dritëro Agolli me bashkëshorten e tij Sadijen.

Por nga zyrat e larta të institucioneve dhe partive qëndrore nuk mbërriti gjatë ditës asnje telegram ngushëllimi, megjithese Ndoc Gjetja i kishte dhe i ka të gjitha për të merituar vemendjen dhe nderimet e larta. Vete Ndoci nuk do t’i pretendonte po të ishte gjallë, por letersia që ua propozon qyteteve dhe njerëzve si vlerë ndershëmërie patjetër që e pretendon këtë. Unë nuk mendoj se kemi shkuar aq poshtë në sferat e larta, saqë të themi se ndershmërisë nuk ka kush ti shkruajë.

E konsideroj më tepër një harresë nga marramendja, një nënvlerësim këshilltarësh. Jetojmë një kohë kur rëndom edhe nderimi është kryesisht elektoral, nganjeherë edhe demagogjik. Në këtë konetekst, mungesa e telegrameve në vdekjen e Ndoc Gjetjës duket një harrim i përligjur . Ai nuk u vlen politikanëve për ineteresat e ditës. Por i vlen vendit të tij si emblemë nderi dhe ndershmërie.