Ndërmarrjet shtetërore, vend ku zyrtarët e ministrive marrin nga 2-3 paga

0
66

Komisioni i Ekonomisë

Emirjon Senja

Pjesëmarrja në Këshillat e Mbikëqyrjes së ndërmarrjeve me kapital shtetëror është kthyer në modën e re të dy apo tre punësimit të zv.ministrave, drejtorëve të drejtorive, apo edhe drejtuesve të rëndësishëm të institucioneve të qeverisjes qendrore në vend. Pavarësisht krizës dhe shkurtimeve drastike, të cilat ka proklamuar qeveria gjatë dy viteve të fundit në buxhet, këto shkurtime nuk kanë prekur këshillat mbikëqyrës të sh.a-vë, të cilët vazhdojnë të mbartin privilegjet e mëparshme me dieta për udhëtime brenda dhe jashtë vendit, telefon, karburant si edhe abuzime të tjera të ngjashme, të cilat janë kapur gjatë auditimeve të ndryshme që ka kryer Kontrolli i Lartë i Shtetit në këto ndërmarrje.

“Shekulli” ka siguruar një raport konfidencial të Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi kontrollet e ushtruara për aktivitetin gjatë periudhës 2010-2011 në disa ndërmarrje shtetërore, në të cilat ka kapur edhe shkelje të rënda financiare, në legjislacion por në strukturën e tyre. Madje, jo në pak raste, Këshillat Mbikëqyrës të ndërmarrjeve ku shteti ka më shumë se 51 për qind të aksioneve, janë kthyer në zyra punësimi duke u mbushur me më shumë anëtarë se sa ligji e lejon. “Në fushën e menaxhimit financiar vërehen abuzime në shpenzimet për personelin, dhënie sponsorizimesh të pabazuara në ligj, shpenzime për telefoni celularë në kundërshtim me ligjin, mungesë e dokumentacionit justifikues në kryerjen e pagesave, dhënie pa kriter të paradhënieve, mos shlyerjen në afat të detyrimeve të ndryshme, dhënie shpërblim në fund të vitit për punonjësit edhe kur shoqëria ka rezultuar me humbje, mangësi në dokumentet justifikuese për shpenzimet e karburantit dhe pagesat për udhëtim e dieta, etj.”, – përcaktohet ndër të tjera në raportin e KLSH-së.

Aktualisht, në vend ekzistojnë 50 shoqëri të mëdha, të cilat drejtohen nga këshillat drejtues. Pjesa më e madhe e tyre, janë nën varësinë e Ministrisë së Ekonomisë, 9 janë në administrimin e Ministrisë së Punëve Publike, 8 janë nën administrimin e Ministrisë së Arsimit, etj. Ndër ndërmarrjet më të mëdha shtetërore që administrohen nga bordet drejtuese janë, Posta Shqiptare, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, Operatori i Sistemit të Transmetimit, Albpetrol, Hekurudha, INSIG, etj. Krahas, këtyre gjenden edhe qindra ndërmarrje të tjera të vogla dhe të mesme, të cilat gjithashtu drejtohen nga Këshillat Mbikëqyrës.

Të gjitha këto, i kushtojnë buxhetit të shtetit miliona euro, ndërsa në mjaft raste të kapur nga KLSH, vendimet e marra nga bordet janë në shkelje të ligjeve duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëme. Vendimet e parregullta sipas KLSH-së, vijnë për faktin se një pjesë e anëtarëve nuk i përkasin fushës në të cilën ushtron aktivitet ndërmarrja. Referuar të dhënave të publikuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit por edhe përllogaritjeve bazuar mbi numrin e përafërt të anëtarëve, rrogat si edhe përfitimet e tjera shtesë të anëtarëve të Këshillave të Mbikëqyrjes, përllogaritet që kosto në buxhet të jetë rreth 10 milionë euro në vit.

Si drejtojnë “injorantët” ndërmarrjet shtetërore

Për vetëm katër mbledhje në muaj, anëtarët e këshillave mbikëqyrës paguhen mesatarisht nga 20 deri në 30 mijë lekë në muaj. Më shumë nga se nga rroga, të ardhurat e anëtarëve të këshillave mbikëqyrës vijnë nga dietat apo trajtimet e tjera financiare. Nuk janë të pakta rastet kur persona të caktuar, si zv.ministra, drejtor drejtorish, etj., të jenë anëtarë të më shumë se një bordi duke realizuar kështu përfitime të majme mujore, të cilat bashkë më pagën në institucionin ku punojnë, do t’i kishte zili edhe vetë Presidenti i Republikës apo Kryeministri.

Referuar raportit të KLSH-së, duket se këshillat mbikëqyrës të mjaft ndërmarrjeve shtetërore janë kthyer në zyra punësimi, ku marrin pjesë dyfishi i anëtarëve që lejon ligji. Sipas rregullave, nëse ndërmarrja është e madhe, këshilli mbikëqyrës i saj duhet të përbëhet nga gjashtë anëtarë, kurse për ndërmarrjet e mesme dhe të vogla është përcaktuar që të kenë nga tre anëtarë. Dëshira për të përfituar sa më shumë nga fondet publike bën që edhe në këto ndërmarrje të futen gjashtë anëtare duke dyfishuar shpenzimet e saj.

Por kjo është gjysma e së keqes, pasi edhe ata që marrin detyrën si anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të një ndërmarrje të caktuar në mjaft raste nuk i përkasin asaj fushe duke bërë që të merren vendime në dëm interesave të shtetit më pas. Pikërisht këtë fenomen ka hasur edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë kontrolleve të tij. “Në disa raste janë emëruar anëtarë të këshillave mbikëqyrës persona në kundërshtim me VKM nr. 642, datë 11.10.2005, siç janë rastet e emërimit të personave që janë të punësuar në institucione që nuk kanë lidhje me këtë dikaster, kur në dispozitat ligjore janë përcaktuar saktë, kush mund të jenë anëtarë të Këshillave Mbikëqyrës, janë emëruar në këshilla mbikëqyrës drejtorë të shoqërive tregtare në kundërshtim me rregullat, të cilët janë emëruar si anëtare ne këshillat mbikëqyrëse te sh.a. “Albbaker” dhe “Tregtimi i Librit artistik dhe shkencor”. Për këto raste të konstatuara, por edhe raste te tjera te këtij lloji, METE te marre masa urgjente për zëvendësimin e të gjithë personave të emëruar në kundërshtim me ligjin”, – kërkon KLSH nga Ministria e Ekonomisë përshembull.

“Topi është i imi, penalltinë e gjuaj vetë”

Ligjet dhe udhëzimet që rregullojnë funksionimin e këshillave mbikëqyrës kanë një serë kriteresh për përbërjen. Në to mund të marrin pjesë punonjës të administratës apo edhe staf akademik. Megjithatë, fakt është se në këshilla marrin pjesë kryesisht funksionarë të ministrive, si zv.ministra, drejtorë, këshilltarë, etj. Personat përfitojnë nga fakti se emërimet për pjesëmarrjen në këshillat mbikëqyrës të ndërmarrjeve shtetërore bëhen nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministria e Financave si edhe nga ministria e linjës apo pushteti lokal në pronësinë e të cilit është ndërmarrja. Duke qenë në vendin ku merren vendime të tilla, funksionarët shfrytëzojnë mundësinë për të rritur sa më tepër përfitimet personale.

Abuzimi me fondet, ministria iu hoqi shpërblimet

Abuzimet e mëdha të hasura në funksionimin e ndërmarrjeve shtetërore detyroi qeverinë që me anë të disa ndryshimeve ligjore të një vit e gjysmë më parë të tentojë të marrë në dorë situatën. Një ndër pikat kryesore të ligjit ishte ndalimi i shpërblimeve për punonjësit e ndërmarrjeve shtetërore që kanë bilanc negativ. Nga inspektimet nëpër ndërmarrje të ndryshme, Ministria e Financave hasi në shpërblime të majme ndaj punonjësve të këtyre kompanive, të cilat arrinin deri në dy apo tre paga në muaj. Shpërblimet ishin në shpërpjesëtim të plotë me kolegët e tyre që punojnë në administratën publike. Krahas kësaj, ligji vendosi edhe përcaktime edhe për funksionimin e këshillave.

Edhe pse duhet të raportojnë vetëm katër herë në vit mbi ecurinë e ndërmarrjes para ministrit të Ekonomisë, duket se këshillat funksionojnë kuturu. “Vazhdon të mos bëhet informim i rregullt për veprimtarinë e Këshillave Mbikëqyrës nga shoqëritë anonime në drejtorinë e Administrimit të Pronës Publike në kundërshtim me dispozitat ligjore”, – vijon KLSH. Në këto kushte, duket se këshillat mbikëqyrës funksionojnë vetëm për të siguruar të ardhura për funksionarët shtetëror duke bërë që interesat publike të qëndrojnë më pas në renditjen e përparësive.