Ndërkombëtarët kundër ligjit antimafie

0
80

Nga TCh

Dy ditë më parë mazhoranca në Kuvend me 64 vota kaloi ligjin e ashtuquajtur antimafie, të cilin kryeministri e cilësoi si një armë të fortë që do të përdoret me gjithë forcën e tij nga ekzekutivi.

Por pas ligjit duket se ekzistojnë dyshime dhe polemika të forta, jo vetëm nga juristët vendas, por edhe nga ndërkombëtarët. Në numrin që del të shtunën revista “Mapo” ka publikuar pjesë të qëndrimeve të “Opdat” dhe “Euralius” mbi ligjin, përkatësisht të misioneve të Departamentit amerikan të Drejtësisë dhe Bashkimit Evropian, të cilat mbikëqyrin reformën për drejtësi.

Ndërsa e konsiderojnë iniciativën si mjaft të rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar, në të njëjtën kohë dy misionet shprehin shqetësime serioze për disa nene të tij.

Sipas revistës “Mapo”, të dyja misionet kanë kërkuar që ky ligj të mos miratohet, por të kthehet sërish në Ministrinë e Drejtësisë për t’u ripunuar dhe konsultuar me institucionet e interesuara shqiptare dhe ekspertë të huaj.

Mbi të gjitha, ekspertët e huaj e nënvizojnë si të papranueshëm termin “standard i pajustifikuar jetese…”, i cili, sipas tyre, në mënyrën se si është shprehur në ligj shfaq mundësinë për të dhunuar garancitë kushtetuese të së drejtës së pronës private.

Veç dy misioneve të huaja, kritika ka pasur për projektligjin, tashmë ligj pas miratimit në Kuvend, edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, institucioni që duhet të zbatojë ligjin.

Revista “Mapo” ka publikuar një pjesë të korrespondencës me Ministrinë e Drejtësisë, ku thuhet se projektligji është në kundërshtim me një sërë aktesh normative dhe për më tepër, theksohet në letrën e organit të akuzës, ai bie në kundërshtim me Kushtetutën. Një ndër pikat që prokuroria citon si mjaft të rëndësishme është se sipas ligjit dy individë me kushte të barabarta, shteti njërin mund ta ndjekë penalisht për pasurinë e tij, ndërsa një tjetër në kushte të barabarta jo. Pra, sipas këtij ligji, për shkak të pasaktësisë së tij, çdo qytetar mund të jetë i dyshuar.