NDERIMI PËR JETËN E NJERIUT DALLON QYTETËRIMIN NGA BARBARIA

0
52

Daut Gumeni

Ajo që ndodhi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” më 21 janar, dëshmoi faqe tërë botës se kjo Shqipëria jonë ka mbetur ende në kufijtë midis dy botëve, sikurse ka qenë tërë jetën në kufi midis perandorive. Sikurse ka qenë tërë jetën ky komb i lashtë në bërryl të erërave…

Një demonstratë e qytetarëve të mbledhur nga i gjithë vendi, përfundoi me tre qytetarë të vrarë në mes të bulevardit, pa pasur asgjë në dorë e pa paraqitur asnjë rrezik për askënd. Tri jetë njerëzore të këputura në mes, vetëm sepse demonstronin pakënaqësinë e tyre ndaj pushtetit(!) Një gjëmë sa e hidhur aq dhe e pabesueshme për atë botë, ku aspirojmë të bëjmë pjesë, për atë botë që e kemi ëndërruar aq gjatë, sepse është Bota e Lirë e njerëzve të lirë.

Bota e Lirë, që nderon jetën njerëzore me të gjitha format e organizimit shoqëror, Bota e Lirë që e ka hequr prej kohësh dhe dënimin me vdekje nga gjykata, Bota e Lirë që nuk mund të pranojë kurrë dënimin me vdekje pa gjyq të qytetarëve, vetëm sepse demonstrojnë pakënaqësinë dhe zemërimin e tyre ndaj qeverisjes së keqe. Dhe nuk mendoi askush për dorëheqje nga përgjegjësit për dhënien e atij urdhri të paligjshëm(!) Se jemi në Shqipërinë e pushtetit të tranzicionit pa tranzicion…

Gjithkush që pa seancën e mëparshme të atij që zyrtarisht i thonë ende Parlament i këtij vendi, seancën e turpshme ku nuk kishte më nderim për fjalën, por kishte vetëm shapërtim, e përgjakje të fjalës, nuk habitet që pushteti aktual i Tiranës do ta shpërdoronte përsëri fjalën duke i telendisur pjesëmarrësit e demonstratës në të gjitha mënyrat, por askush nuk e besonte dot se pushteti aktual i Tiranës do të qëllonte me plumba mbi qytetarët e vet të dalë në demonstratë nga zemërimi me korrupsionin e pushtetit. Të gjithë mund ta prisnin që papërgjegjshmëria e këtij pushteti të akuzonte popullin mbarë e jo vetëm pjesëmarrësit e asaj demonstrate, se paskëshin bërë faj të rëndë që e kishin parë pushtetin duke vjedhur…

Shumëkush e priste edhe që pushteti aktual me pafytyrësinë e tij të njohur të akuzonte demonstruesit dhe të gjithë opozitarët e këtij vendi se po “shkelnin ligjin” duke kërkuar të hetoheshin zgjedhjet e shkuara parlamentare, se po “shkelnin Kushtetutën” duke kërkuar që politika jonë e tranzicionit të hiqte dorë përfundimisht nga “repartet speciale” të vjedhjes së votave, por askujt nuk i shkonte mendja se pushteti, edhe ashtu siç është katandisur, do të qëllonte me breshëri plumbash mbi qytetarët e vet në mes të bulevardit e në mes të ditës dhe në sytë e mbarë shqiptarëve dhe të mbarë botës!

Është e kotë pastaj të pyesë i shkreti njeri se ç’ka mbetur më nga demonkracia jonë, aq e deformuar dhe e përçudnuar, sa të duket se nuk jeton në shekullin e 21-të e në mes të Europës së lirive, por në kohën e zymtë të agallarëve të jeniçerëve…

Ajo gjëmë e kryer nga një pushtet i sëmurë në demonstratën e 21 janarit, do të na kujtojë gjatë që atë krim shtetëror e përgatiti ai që quhet ende Parlament dhe është kthyer në turp të këtij vendi . Sepse Altari i Fjalës u kthye në kasaphanë të fjalës e në turp jo vetëm për ata që nuk patën turp të gjymtonin ashtu fjalën e kripur të shqipes, por edhe për ata që patën stomak ta dëgjonin, shqiptarë e ndërkombëtarë qofshin.

Them se ajo batërdi që ndodhi me fjalën e kripur në Kuvendin gjymtak të Shqipërisë, ishte shtrati që përgatiti krimin shtetëror të 21 janarit, pasi nderimi për jetën nis nga nderimi për fjalën. Dhe kur nuk nderohet fjala, nuk nderohet më as jeta e njeriut. Kur nuk nderohet fjala, atëherë pushtetarët tanë të paemër na thonë duke i rënë gjoksit se për të ruajtur pushtetin “mund të vriten tre, 30, 300 apo dhe më shumë” dhe harrojnë të thonë NJERËZ(!)

Harrojnë të thonë se një jetë njerëzore është më e vlefshme se 3, 30, 300 apo dhe më shumë qeveri, ca më tepër kur janë me legjitimitet aq të dyshimtë sa pushteti aktual. Harrojnë të thonë pushtetarët tanë emërhumbur, se nuk bëhen dot me emër vetëm duke na thonë tri herë në ditë se si quhen, por bëhen me emër kur me emrin e tyre lidhet zgjerimi i lirive qytetare dhe i të drejtave të njeriut, bëhen me emër kur me emrin e tyre nuk lidhen tenderët dhe vjedhjet e pronës publike, por përmirësimi i përditshëm i jetës së popullit.

Harrojnë pushtetarët tanë se jetojmë në një kohë e në një kontinent, ku falë Zotit, është krim i rëndë të përdoren plumbat për të ruajtur apo për të marrë pushtetin, edhe kur pushtetarët janë me mendësinë se “Pushteti del nga gryka e pushkës”… Harrojnë pushtetarët tanë se nga gryka e pushkës del vdekja dhe krimi që sjell atë vdekje. Harrojnë aq shumë ky soj pushtetarësh ohllokratë, se përpjekja e tyre e dëshpëruar për të quajtur “grusht shteti” një demonstratë të popullit të zemëruar me zullumet e pushtetit, nuk i fsheh dot ato zullume. Se zullumet 20-vjeçare të këtij soji pushtetarësh, që na la trashëgim Partia e Punës, nuk fshihen dot pas akuzave se demonstruesit paskan zbatuar një “grusht shteti” të armatosur vetëm me çadra kineze e me parulla kundër zullumeve të pushtetit. Sikurse nuk fshihen dot zullumet e këtij soji pushtetarësh as duke bërë paradë me ata që qëlluan me breshëri mbi turmën demonstruese, apo duke kërcënuar popullin me vdekje, përmes deklaratave të atyre çitakëve e dështakëve politikë që dikur hipnin mbi tanket e ushtrisë për të kërcënuar po këtë lloj pushteti…

Se grushti i vërtetë i shtetit ka kohë që është vënë në zbatim pikërisht nga vetë ata, që sot akuzojnë popullin demonstrues për “grusht shteti”. Se nuk mund të bëhet dot grusht shteti, kur shteti ka kohë që ka avulluar për t’u kthyer në pushtet të paligjshëm e të marrosur nga zullumet e veta. Se shkelja e ligjit dhe e vetë Kushtetutës, nuk është kryer nga demonstruesit me çadrat kineze në dorë, por nga ata që urdhëruan hapjen e zjarrit mbi demonstruesit dhe tani shkelin ligj e Kushtetutë bashkë duke mos zbatuar urdhrat ligjorë të prokurorisë së shtetit, edhe pse në krye të saj është po ajo “Silvia Konti” që e emëroi vetë ky pushtet.

Se përgëzimi dhe shpërblimi që u jep bujarisht pushteti atyre që shkelën keq ligjin mbi përdorimin e armëve të zjarrit, nuk është fare merak për ruajtjen e institucioneve, por është synim i hapët për të rrënuar dhe ato pak institucione kushtetuese, që mezi qëndrojnë në këmbë dhe për t’i kthyer si të tjerat – në mercenare të pushtetit personal.

Vetë mbrojtja e urdhëruesve të vrasjeve të 21 janarit në mes të Tiranës, do të pohojë se urdhrin e vërtetë nuk e paskan dhënë ata që kërkon prokuroria, por vetë ata që nuk lejojnë zbatimin e ligjit nga prokuroria. Prandaj dhe akuzat e tyre për “grusht shteti” , që na paska qenë dhe me “shumë faza”(!) dalin se janë nga ato historitë me “diversantë, komplotistë e puçistë, që donin të eliminonin Sekretarin e Parë të Partisë dhe udhëheqjen e saj Kryesore”…

Dhe për fatin tonë të keq, edhe demonkracia e këtij trazicionit tonë të shpifur paska shumë nga ata që bërtisnin në sallat ku “udhëheqësi kryesor” bënte “tablotë sinoptike” të “puçeve” e të “grushteve të shtetit”, nga ata që bërtisnin “T’i marrin të keqen, shoku Enver!”… Por këtë herë nuk janë ca aktivistë të veçuar e të fandaksur të Partisë, por një grup i tërë parlamentar, që e quan veten dhe “demokratikas” e që na ngre me urdhër të “udhëheqësit” edhe “komision hetimor”, për të gjetur si “bashkëpunëtorë të grushtit të shtetit Prokurorinë e Republikës dhe Shërbimin Informativ Shtetëror”(!)

Nuk është çudi që, me këtë revan për të mbuluar grushtin e vërtetë të shtetit kundër institucioneve kushtetuese, të dalin udhës edhe “bashkëpunëtorë” të tjerë më të shëndoshë të “grushtit të shtetit” që bënë më 21 janar demonstruesit e armatosur rëndë me çadra kineze…

Por grushti real i shtetit, i fshehur keq pas akuzave për “grusht shteti” me çadra kineze në një vend të Europës së sotme, nuk mund të mbetet vetëm një problem i politikës së dështuar shqiptare. Eurodeputeti Hanes Svoboda, e tha shkoqur një gjë të tillë. Europa dhe Amerika nuk hanë bar, që t’i gënjejnë aq lehtë pushtetarët tanë të verbuar nga zullumet.

Ato e dinë mirë se sa e shtrenjtë është një jetë njerëzore, për të pranuar në heshtje vrasjen me plumba të demonstruesve, në një demonstratë aq keq të administruar nga ata që përgjigjen jo për të vrarë qytetarët demonstrues, por për të siguruar jetën e tyre më çdo kusht, edhe nëpër demonstrata të zemëruara. Por ajo demonstratë u administrua aq dobët, sa të parët që u goditën me topat e ujit dhe me bombat me gazin lotsjellës qenë vetë forcat e policisë(!) Atëherë, kush u ka faj pushtetarëve tanë, që i mbushin dhe forcat e ruajtjes së rendit me militantë të verbër e aq të pakualifikuar për të kryer me profesionalizëm detyrat e tyre të vështira?

Edhe për plagët e atyre policëve i dhemb gjithë vendit, por vrasjet me armë zjarri në mes të Europës e vetëm sepse shpreh zemërimin në një demonstratë, në një vend të NATO-s, i cili kërkon të pranohet dhe në BE, është jo vetëm e papranueshme. Është shumë më tepër se kaq. Është një krim i shëmtuar shtetëror, që nuk mbulohet dot nga sevdallinjtë e thekur të grushteve të shtetit duke akuzuar demonstruesit e thjeshtë për “grusht shteti”. Një akuzë e tillë mund të stiset vetëm nga e keqja, edhe nga ata që kanë kohë që zbatojnë grushtin e vërtetë të shtetit në dobi të një pushteti zullumerëndë.

Ja pse do të ishte mirë edhe për ta që të bashkoheshin me të gjithë qytetarët që do të nderojnë jetën dhe veprën qytetare të atyre tre dëshmorëve, që ranë më 21 janar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Të paktën të bashkonin heshtjen përpara vendit të të rënëve, të bashkojnë nderimin për jetën e atyre që nuk do ta bezdisin më as pushtetin me pjesëmarrjen e tyre në demonstrata. Të paktën të heshtin pak e të kujtohen që çdo jetë njerëzore është më e shtrenjtë se 3, 30, 300 apo dhe më shumë qeveri, ca më keq kur janë të mbytura në zullume si pushteti aktual i Tiranës.

Ja pse nuk duhet t’i harrojmë kurrë dëshmorët e rënë më 21 janar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Nuk duhet të harrojmë të gjithë tok, jo vetëm jetën e tyre të prerë në mes me plumbat e atyre që populli i paguan për të ruajtur jetën e qytetarëve, por nuk duhet të harrojmë që nderimin për ta e për jetën njerëzore të bëjmë ç’është e mundur t’ua mësojmë të gjithë pushtetarëve dhe miqve të tyre të paktë e të largët, që edhe përpara krimeve pushtetit nuk heqin dot dorë nga tifoja për pushtetarët tanë…