NDERIM PËR AKADEMIKUN PAJAZIT NUSHI…

0
37

Ndahet nga jeta Pajazit Nushi

Nga: Prof. Murat Gecaj publicist e studiues-Tiranë *)

Dje pasdite, u dha në Internet e TV lajmi i hidhur, se është ndarë përgjithnjë nga jeta prof. Pajazit-Nushi-Akademik, personalitet i shquar i shkencës, arsimit e kulturës mbarëkombëtare shqiptare. Me këtë rast, publikova në FB një mesazh të shkurtër ngushëllimi.

Më poshtë po jap disa shënime e mbresa, nga njohja dhe takimet e mia me Akademikun Pajazit Nushi.

* * *

Në fillimin e viteve ’90-të, të shekullit të kaluar, vazhdoja të shërbeja në redaksinë e gazetës “Mësuesi”, botim i Ministrisë së Arsimit e Shkencës. I njohur e i miqësuar, që në kohën e studimeve universitare, mbaja lidhje të pandërprera me pedagogun e lëndës së psikologjisë dhe, më pas, me mikun e kolegun tim, prof. Bedri Dedjen-Akademik. Takoheshim herë pas here dhe, sidomos, na lidhte dita e mërkurë, kur dilte numri i ri i kësaj gazete. Sigurisht, bisedat tona silleshin edhe për letërsinë, botimet pedagogjike, çështjet sociale e tjerë. Por një fushë e rëndësishme e këtyre bisedave ishte psikologjia, të cilën ky pegagog i imi e kishte studiuar në Universitetin e Moskës dhe që më pas e kishte dhënë, për vite të tëra, në auditorët e Universitetit të Tiranës. Duke mos e ndërprerë pasionin në këtë fushë, prof. B.Dedja ishte ndër nismëtarët e parë të formimit të Shoqatës Mbarëkombëtare të Psikologëve Shqiptarë. Prandaj e dëgjoja me vëmendje edhe për dëshirat e shqetësimet, që ai kishte pasur në këtë drejtim.

Është e kuptueshme se, që nga emërtimi, dihej që kjo shoqatë përfshinte në gjirin e saj edhe psikologët e Kosovës. Kështu, në shoqërinë e prof. Bedriut, ndodhi që një ditë u takova e u njoha nga afër me një ndër personalitetet e shquara të shkencës, pedagogjisë dhe psikologjisë kosovare, prof.dr. Pajazit Nushin-Akademik. Me atë natyrën e tij të butë, të qeshur e dashamirëse, shpejt u miqësuam dhe kisha kënaqësi të veçantë të rrija e të bisedoja me të. Më kujtohet se, sipas “kontratës” që ne kishim “nënshkruar”, pra për të më lajmëruar për mbërritjen e tij në Tiranë, menjëherë mora njoftim se prof. Nushi ndodhej në hotelin “Kruja”, në Rrugën “Mine Peza” të kryeqytetit.

Sapo shkova aty, ai, bashkë me prof. Bedri Dedjen, kryetar i Shoqatës Mbarëkombëtare të Psikologëve Shqiptarë, më pritën buzagas. Me atë rast, pimë kafe dhe bëmë biseda të lira e të këndshme, si për çështje të zakonshme të jetës, por dhe për studimet e botimet e ndryshme, sidomos në fushën e psikologjisë. Vërejta se meraku e shqetësimi i tyre i përbashkët ishte që të organizonin dhe të zhvillonin një Kongres Mbarëkombëtar të Psikologëve Shqiptarë, ku Akademiku Pajazit Nushi ishte zëvendëskryetar i kësaj Shoqate. Po, për fat të keq, me gjithë platformën e tyre të mirë, që ata përgatitën, nuk u arrit të realizohej një gjë e tillë, për shkak të mosmbështetjes financiare, nga ndonjë fondacion ose nga shteti.

Por me Akademikun Nushi jam takuar, gjithashtu, në vitet pasuese, pra edhe kur prof. Bedri Dedja u nda përgjithnjë nga jeta. Me rastin e 5-vjetorit të këtij, më 9 prill 2009, në mjediset e Universitetit jopublik “Ufo” të kryeqytetit Tiranë, u organizua një veprimtari përkujtimore dhe u përurua vepra e tij e fundit, romani “Presidenti i Planetit të Kuq”. Ndër pjesëmarrësit e njohur, studiues dhe botues të ndryshëm, ishte i pranishëm edhe prof. Pajazit Nushi. Me atë korrtektësinë dhe aftësinë e tij përgjithësuese, ai solli në kujtesën e të pranishmëve ndihmesën e çmuar të Akademikut Bedri Dedja, jo vetëm në fushën e arsimit, letërsisë, pedagogjisë etj., por dhe në studimet e thelluara psikologjike. Tema e tij ishte: “Akademik Bedri Dedja, integrues i mendimit psikologjik mbarëshqiptar”. Duke manifestuar atë çiltërsinë e dashamirësinë e tij, Akademiku Nushi u takua me mjaft të njohur. Sigurisht, pata kënaqësinë që dhe unë të bisedoja ngrohtësisht me të dhe të bënim fotografi së bashku.

Në tetor të vitit 2010, bashkë me djemtë e mësuesit veteran Salih Myftar Kolgeci, Afrimin e Shpëtimin, udhëtuam nga Tirana për në qytetin e Gjakovës. Aty morëm pjesë në paraqitjen e librit tim jetëshkrimor, “Salih Myftar Kolgeci-Një jetë për Atdheun e arsimin tonë kombëtar” (Tiranë, 2006). Ndër të ftuarit e shumtë, që na nderuan me pjesëmarrjen në atë veprimtari, ishte edhe prof. Pajazit Nushi, që kishte ardhur posaçërisht nga Prishtina, në qytetin e tij të lindjes. Si gjithnjë, korrekt e i papërtuar, solli në kujtesë dhe u tregoi pjesëmarrësve mbresat e paharruara për ish-mësuesin e tij, Salih Kolgecin. Ai u bashkua me mendimin, se e meriton plotësisht që, ky mësues veteran, të ketë një vlerësim më të lartë se deri tani dhe, ndoshta, një shkolle t’i vihet emri i tij, në Shqipëri ose Kosovë. Po kështu, u shpreh mendimi që Kuvendi Komunal ta shpallte atë, “Qytetar Nderi” i Gjakovës. Sigurisht, me atë rast, bëmë edhe disa fotografi, që i ruaj për kujtim.

Por lidhjet tona nuk janë ndërprerë as në periudhën e mëvonshme. Mbaj mend se, kur punoja për përgatitjen e një libri me kujtime për prof.Bedri Dedjen-Akademik, në 80-vjetorin e lindjes së tij, prof. Pajazit Nushi u tregua shumë i gatshëm për përgatitjen dhe dorëzimin me korrektësi të kujtimeve të veta, sigurisht me anën e e-amilit: “Psikologjia, në Shqipëri dhe në Kosovë, në mendimin akademik të prof. Bedri Dedjes”. Por jo vetëm kaq, se edhe në përurimin e librit “Bedri Dedja, në kujtesën tonë” (Tiranë, 2010), ai ishte i pranishëm në mjediset e Akademisë së Shkencave, në Tiranë dhe foli e përshëndeti në emër të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Pak vite më parë, Akademiku Alfred Uçi festoi 80-vjetorin e lindjes së tij, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, në kryeqytetin Tiranë. Me këtë rast, Akademiku Pajazit Nushi, përmes adresës sime të Internetit, i dërgoi një mesazh të bukur urimi, kolegut të tij të fushës së studimeve e botimeve shkencore.

E, kështu, nuk u ndërprenë takimet e bisedat tonë edhe më vonë. Se kisha patur nderin e kënaqëesinë dhe fatin, që u njoha e u miqësova me një personalitet të tillë të shquar të jetës arsimore e shkencore, pedagogjike dhe shoqërore të Kosovës, siç ishte dhe do të mbetet në kujtesën e të gjithëve, prof. Pajazit Nushin-Akademik.

U kërkoj ndjesë lexuesve, që këtu nuk do të jap hollësira për jetën dhe veprimtarinë e gjatë dhe të begatë të Akademikut Pajazit Nushi. Por vetëm shënoj se, në janar 2015, ai festoi 82-vjetorin e lindjes dhe, deri në fund të jetës, mbeti i palodhur e i përkushtuar,plot vitalitet, në tërë jetën aktive të përditëshme të tij.

Përsëri, me anën e këtyre radhëve, u dërgoj ngushëllimet e mia më të sinqerta familjarëve, kolegëve e miqëve të shumtë të prof.Pajazit Nushit-Akademik, për ndarjen e tij përgjithnjë nga jeta!

Tiranë, 3 shtator 2015

———————

*) Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë dhe përgjegjës seksioni, në Institutin e Integrimit të Kulturës Shqiptare.