Nderi që i ka bërë çifti 2B Shqipërisë

0
91

Nga Mero Baze, 16 tetor 2013

Shqipëria po shkon drejt një vendi kandidat për anëtar të Bashkimit Evropian, pas një periudhe të gjatë përpjekjesh të palavdishme prej prillit të vitit 2009. Në atë kohë Sali Berisha, me një dosje nën sqetull, vrapoi në Pragë “t’ia linte në derë” Evropës kërkesën për vend kandidat, duke shpresuar se kjo do t’i jepte pikë për zgjedhjet që kishte përpara. Bashkimi Evropian refuzoi t’ia hapë zarfin, që e la rrugëve të Pragës. Edhe pse Çekia kishte kryesinë e radhës së BE, në shkëmbim të shitjes së kompanisë shtetërore të shpërndarjes së energjisë elektrike që e bleu CEZ, pranoi ta përcjellë dosjen deri në Bruksel.

I ndodhur para një muri heshtjeje dhe refuzimi nga Bashkimi Evropian, Sali Berisha nisi në atë kohë përpjekje personale për të krijuar dy qëndrime në BE lidhur me kërkesën e tij. Nxitoi t’i blinte 70 milion euro helikopterë Sarkozisë në Francë, angazhoi disa lobe politike të Berluskonit në shkëmbim të koncesioneve në Shqipëri në fushën e energjisë dhe firmosi shpejt e shpejt e shkel e shko marrëveshjen ujore me Greqinë për të pasur përkrahjen e Karamanlisit. Dhe më vonë, pas një viti, zarfi u hap, por kërkesa nuk u pranua sa ishte Sali Berisha në pushtet.

Ai e shtyu atë për shkak të dështimit të qartë në luftën kundër korrupsionit, në mosfunksionimin e shtetit ligjor dhe thuajse e varrosi me 21 Janarin dhe gjyqin e Gërdecit.

Por në muajt e fundit të qëndrimit të tij në pushtet, falë konsensusit të ish- opozitës, Shqipëria miratoi ligjet konsensuale që duheshin si kusht formal dhe vendit iu hap perspektiva e marrjes së statusit me kusht zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Këtu fillon dhe dështimi i madh dhe real i Sali Berishës. Pas humbjes së zgjedhjeve, opozita e çiftit 2B shpalli dy armiq kryesorë të statusit, zgjedhjet e 23 qershorit, të cilat çifti 2B i quajti të manipuluara nga krimi dhe korrupsioni, edhe pse i drejtoi tërësisht vetë, dhe propozimin e qeverisë për aktin normativ lidhur me statusin e nëpunësit civil. Çifti 2B i shpalli këto dy zhvillime si armiqtë më të mëdhenj të marrjes së statusit dhe shpallën de facto se nuk do ta marrim statusin në dhjetor për shkak të tyre.

Bashkimi Evropian, jo vetëm që e dha miratimin për statusin, por ka theksuar në mënyrë shpjeguese se zgjedhjet e 23 qershorit ishin të lira dhe konkurruese dhe se procedimi me aktin normativ nuk cenon integritetin e ligjit për nëpunësin civil.

Sot, pasi lajmi u bë zyrtar, deklarata e vetme që duhet të bënte çifti 2B ishte t’u kërkonte së pari ndjesë demokratëve, që kanë dy muaj që i gënjejnë duke i terrorizuar se Shqipëria nuk do marrë statusin e vendit kandidat për shkak të aktit normativ për nëpunësin civil dhe zgjedhjeve të 23 qershorit. Duhet t’u kërkojnë ndjesë, pasi kanë dy muaj që nuk bëjnë opozitë, por merren me një kauzë të humbur dhe false, që dihej qysh në fillim që do përfundonte këtu.

Vetë demokratët, përfshi dhe ata që do të hiqen nga puna, janë më të qartë se lidershipi i çiftit 2B për të ardhmen e tyre. Mungesa e ideve për të bërë opozitë dhe përpjekja për të bërë opozitë me gjëra momentale, pa asnjë vizon, bëri që çifti 2B të dështojë për herë të tretë në premtimin e tyre për kohën kur do merrte Shqipëria statusin e vendit kandidat. E kanë nisur këtë betejë spekulative në prill të vitit 2009, e përdorën atë për të rimarrë pushtetin me zgjedhje të dyshimta, qëndruan katër vjet në pushtet, dhe Shqipëria arriti ta marrë atë katër muaj pasi dolën ata në opozitë. E vetmja meritë e tyre reale në marrjen e statusit është se Evropa u qetësua që ikën nga pushteti. Këtë meritë duhet t’ua njohim dhe ne. I bënë nder Shqipërisë duke ikur, se i hapën rrugën për në Evropë.