Nder, gjak e bukë!

0
37

Dionis Xhafa

tregim

Në përhumësinë e honeve të thella e grykave të ngushta dhe në lartësinë e maleve me shkrepa, dielli nxehte përvëlueshëm.
Dielli ishte ngritur si një poç i madh që digjte e përcëllonte kudo, në toka të shkreta, arrni të palëruara, në gjethe të zverdhëta e të lëshuara përtokë.
Në rrugën e zbrazët e të pa-zë rëndshëm trokisnin mbi gurë hapa burrash të nisur për në qendër të komunës, për të kryer pazarin e së dielës.
Në këtë vend të largët në hapësirë, diku në një cep të Shqipërisë, ende bënte hije demokracia e vobegtë e si një ndriçim fosforosent, ndrinte akoma erë e komunizmit, ku vijon tradita administrative e shoqërore rreth komunës, si bazë kulturore, ekonomike dhe politike.
Ishte viti 1996 dhe demokracia ishte në agimin e vet. Nga një fshat i largët me emrin Gurrë, ishin nisur drejt qendrës së komunës me hap të rëndshëm tre burra.
Ata do të blinin miell, bukën e përditshme që aq kursyer e kishin në fshat. Nën humbëtirën e frikshme të qetësisë, e me duar të skuqura, deri dhe të nxira nga era e fortë që çante ajrin, ngrinin lart kokave të tyre shtëllunga tymërash të cigares.
Të tre shokët i hodhën hapat shpejt për në pazar, aq sa si ndien nga të biseduarit thuajse gjatë gjithë rrugës. Ishte prag festash fundviti dhe pazari gëlonte e ziente nga brohoritjet dhe rrëmuja e krijuar në të.
Të tre shokët hidhnin vështrimin mbi mishërat e viçave që therreshin dhe gjaku i tyre shndërrohej në pellg nga dora e kasapit. Këta shokë s’kërkonin shumë, një thes miell, që po të qe, edhe në fund të komunës do ta kërkonin ta blinin me aq para sa kishin.
Pasi e vështruan të gjithë pazarin, shokët më në fund gjetën dikë që shiste miell. Shitësi e shiste atë pak më tepër nga sa para kishin në të vërtetë fshatarët e ardhur nga Gurra dhe në pamundësi për ta blerë miellin e në formë indinjate, një ndër shokët, Sabua në të ikur hodhi një fjalë të rëndë për shitësin, duke e mallkuar dhe sharë atë, pasi edhe me këmbëngulje nuk arritën ta bindnin shitësin ta ulte çmimin.
Sabua ishte më i këputuri ekonomikisht nga tre fshatarët dhe nën indinjatë kish lëshuar një mallkim buke, por nga ana tjetër kishte shkelur një tabu, një nder, një fjalë që ndër ata anë lahet vetëm me gjak.
Dita po shuhej avash-avash dhe tre fshatarët, Sabua, Xhelo dhe Tifoni më në fund, edhe pse të raskapitur e gjetën një shitës, ku me aq para sa kishin e blenë miellin që aq shumë e donin, pasi buka ishte aq e kursyer në fshatin e tyre.
Në përpjekjen e tyre për të gjetur një mjet për tu kthyer sërish në fshat, fati iu shndërriti krejt papritur, pasi një bashkëfshatar iu kërkoi që kamionin e vet të tipit IFA tia kthenin në Gurrë, në shtëpinë e tij, pasi do qëndronte atë natë në qendër të komunës.
Xhelo kish pasur kohë më parë një traktor që tashmë i ishte bërë një hedhurinë në oborr të shtëpisë dhe dinte më së miri nga shokët të ngiste kamionin, ndërsa në sediljen e parë brenda në kabinë u ul edhe Tifoni.
Sabua i varfër, aq i lumtur që më në fund kishte siguruar bukën e fëmijëve të tij, merr përsipër të qëndrojë në rimorko së bashku me thasët e miellëve të blera në pazar. E, kështu nisen.
Tashmë kishte rënë nata. Kamioni IFA ecte në rrugën e boshatisur nga pazari i qendrës së komunës drejt fshatit Gurrë.
Sabua ruante miellin, e një erë e fortë e pristë në fytyrë. Në mes të rrugës dhe në mesin e errësirës, “në përroin e Gurrës”, në një kthesë të fortë, tre burra të armatosur gjer në grykë me automatikë, gjuajnë drejt rimorkos, aty ku gjendej Sabua.
Sabua, ashtu siç ishte me një buzëqeshje të lehtë në fytyrë që e duronte edhe ftohtësinë e ajrit përpara lumturisë që do tiu falte ajo bukë fëmijëve në shtëpi, goditet nga plumbat e automatikëve dhe bie përtokë, e trupi i tij lëshohet sipër miellit.
Trupi i lyer me gjak që peshë e lehtë lëshohet mbi thasë, tashmë kishte përfunduar së jetuari.
Tre personat që dolën me automatikë dhe maska në rrugë kishin qenë të dërguar nga ana e shitësit që u mallkua dhe u sha nga Sabua. Ai nuk arriti ta kapërdijë të sharët në nder. Tabuja e vendit nuk e la Sabuan e varfër të shjonte atë bukë në strehën e vogël në fshatin e largët.
Nder, gjak e bukë u bënë bashkë!