Ndarja e shoqërisë, si objektiv parësor i Berishës

0
47

Mero Baze

Nga Mero Baze, “Faktori Plus

Ka disa ditë që po ringjallen debate mbi rolin e mundshëm të Ilir Metës në këtë krizë politike. Hamendjet e para filluan kur u mësua se zoti Meta u kishte dhënë garanci ndërkombëtarëve në Bruksel dhe Tiranë për marrëveshjen e përfolur nga ambasadori i OSBE. Po mbi të gjitha përfolja e rolit të Ilir Metës në mundësinë e një zgjidhje politike për krizën, vjen nga llogaritë e gabuara mbi të ardhmen e paqartë politike të tij dhe shpresën se mos ai ka fuqi të marr vendime politike për ët dal nga koalicioni.

Në të vërtetë një zgjidhje që do të vinte nga faktorët politikë, do të ishte e mirëpritur. Por në këtë rast, llogaritë mbi LSI nuk janë llogaritë e duhura. LSI nuk ka hyrë në koalicion me Berishën si partnere dhe si një forcë që ka diktuar Marrëveshjen e Koalicionit. Ajo nuk ka zhvilluar as bisedime dhe as ka kushtëzuar pjesëmarrjen në koalicion me kushte politike. LSI është tërhequr zvarrë në koalicion me Berishën pikërisht nga profil i ulët, me të cilin ajo mbylli betejën elektorale dhe pazarin paraprak të një deputeti të saj me kryeministrin Sali Berisha.

Koalicioni mes Berishës dhe Metës, është i ligjshëm nga pikëpamja juridike, por nuk ka kurrfarë legjitimiteti politik. Ai nuk është një koalicion mes njerëzve të lirë apo faktorëve politikë, që kontrollojnë pjesë të caktuara të elektoratit. Ai është një partner i emëruar nga Berisha në koalicion dhe i vlen Berishës vetëm për anën legale të qeverisë. Si i tillë ai nuk ka fuqi të bëhet pjesë e zgjidhjeve që do të vinin nga faktorë politikë. Së dyti, kushdo që përpiqet të interpretojë përfshirjen e Ilir Metës në propozimin e Marrëveshjes negociuar nga faktori ndërkombëtar si vullnet pozitiv ndaj opozitës, gabon.

Ilir Meta më shumë se kushdo tjetër është i interesuar për jetëgjatësinë e këtij koalicioni dhe ai do me çdo kusht një çmim të ulët për zgjidhjen e kësaj krize. Ndryshe nga Ilir Meta, Berisha kërkon ta përdorë krizën dhe për të keqpërdorur partnerin e tij në koalicion apo partnerët jo legalë të tij siç është rasti i Fatos Nanos. Berisha ka objektiv politik të përdorë këtë krizë për të ndarë Shqipërinë dhe për të ndarë palët në pro dhe kundër tij. Ai ndau në dy pjesë shoqërinë, nëpunësit, intelektualët, artistët mjekët natyrisht dhe liderët e së majtës.

Dy ish-kryeministra socialistë janë sot nën komandën e tij dhe po përdoren rregullisht kundër opozitës së majtë me qëllim që të bëhen të pavlefshëm në të ardhmen e tyre si pjesë e së majtës. Fakti që Berisha ka poshtëruar Ilir Metën duke ia hedhur në kosh marrëveshjen, për të cilin ai ka rënë dakord me ndërkombëtarët, ka të bëjë pikërisht me faktin se Berisha do ta përdorë Ilir Metën deri sa ta bëjë të papërdorshëm nga askush tjetër përveç tij, edhe në të ardhmen. Një zgjidhje e krizës me negociator Ilir Metën do zbuste mërinë e së majtës ndaj djalit plangprishës të tyre dhe ky nuk është një lajm i mirë për Berishën.

Ai mund të bëjë vetë pas disa kohësh të njëjtën ofertë që bëri Ilir Meta, por kjo do të ndodhë vetëm atëherë kur Ilir Meta të jetë stërkonsumuar prej tij. Ajo që i intereson më shumë se çdo gjë tjetër Berishës në këto moment, është ndarja e shoqërisë dhe pozicioni i saj pro dhe kundër tij dhe opozitës. Berisha nuk pranon dot faktor të tretë në këtë histori, nuk pranon dot parti të treta, intelektualë të tretë mbi palët, faktor ndërkombëtar mbi palët dhe mbi të gjitha të majtë mbi palët.

Është aq i pamëshirshëm në këtë pikë, sa dhe për të fyer gratë deputete të opozitës, përdor femrat më të përfolura dhe më të njollosura me histori korruptive nga PD-ja. Kjo është në të vërtetë shkolla politike klasike e Sali Berishës. Vetëm kur të ketë krijuar një hendek të thellë mes tij dhe opozitës, atëherë ai do të vendosë nëse ia vlen lufta apo paqja me të. Tani është ende larg këtij vendimi. Është ende duke punuar që të mos lërë asnjë faktor tjetër veç tij për të vendosur mbi fatin politik të kësaj beteje.