Nazarko versus Hoxha

0
97

Eduard Zaloshnja


Po numërojnë vota; pa zhurmë

Të premten e shkuar vendosa që për ca kohë, të mos merrja pjesë në debatet televizive rreth votave të kontestuara të Tiranës dhe as të mos i ndiqja ato . Por kur telekomanda, pa dashur, mbeti parmbrëmë për disa sekonda tek Top Channel-i, ku Shpëtim Nazarko dhe Artan Hoxha po debatonin në emisionin e Alban Dudushit, nuk i rezistova dot tundimit për të dëgjuar se ç’do të thuhej për votat e kontestuara.

Para se të futem në thelbin e këtij shkrimi, do të bëj një detur të vogël 1-minutësh, për të shpjeguar pse desha të shkëputesha për ca kohë nga debatet e sipërpërmenduara.

Pas numërimit të kutisë së fundit në Minibashkinë 5, pata dy ndjenja të kundërta. Në nivel personal, u mërzita sepse rezultati i Edi Ramës ishte një milimetër poshtë kufirit të gabimit statistikor të parashikimit tim publik (kisha parashikuar se Rama do të fitonte 52.6% të votave, me marzh gabimi statistikor plus/minus 2.5 pikë përqindje). Për një statisticien, dalja qoftë edhe një milimetër jashtë gabimit statistikor prej 2.5 pikë përqindje quhet dështim në parashikim (parashikime me gabim statistikor plus/minus 10 pikë përqindje mund të bëjë edhe një fëmijë 5 vjeç…)

Duke shkuar përtej nivelit personal, fakti që fitorja e Edi Ramës ishte me aq pak vota më gëzoi, sepse një fitore si e Pirros nga ana e tij do të krijonte një ekulibër politik mes dy koalicioneve kundërshtare. Me atë rezultat, i binte që “Aleanca për Qytetarin” të kishte fituar politikisht garën për të ardhmen dhe “Aleanca për të Ardhmen” të kishte fituar lokalisht garën për qytetarin. Dhe të dyja fitoret ishin si të Pirros. Koalicioni Berisha-Meta (për qytetarin) kishte fituar votën popullore dhe shumicën e komunave (pra kishte krijuar një avantazh pararak për garën e ardhme politike në 2013), ndërkohë që kishte humbur garën për qeverisjen e qytetarëve në shumicën dërrmuese të qendrave të mëdha urbane. Ndërsa kandidatët e koalicionit Rama kishin fituar me diferenca të thella në garat për qeverisjen e qyteteve të mëdha, ndërkohë që vetë kryekandidati i koalicionit mezi kishte siguruar qeverisjen e kryeqytetetit.

Ky ekulibër u vu në dukje në deklarimet publike të ditëve të para të të dyja palëve, si edhe në ato të ambasadorëve kryesorë në Tiranë. Dhe u krijua përshtypja se do të kishim së shpejti një ulje në tavolinë të faktorëve kryesorë politikë, për të bërë ndryshimet e domosdoshme në kodin zgjedhor dhe për të hartuar një plan konkret për plotësimin e 12 kushteve të Bashkimit Europian në lidhje me integrimin e Shqipërisë në të.

Por ky ekuilibër u prish në çastin kur Ristani, përkundër deklarimit të tij publik në prani të tre amabasadorëve kryesorë në Tiranë, filloi procedurën ekstra-ligjore të vlerësimit të votave të hedhura në kutitë e gabuara, para nxjerrjes së rezultatit zyrtar paraprak. Qysh prej atij çasti, iu ktheva bindjes së kahershme se, në një vend ku e drejta shtetërore nuk ka funksionuar KURRË, zgjidhjet e konflikteve duhet të bazohen në të drejtën zakonore.

Sipas kësaj të fundit, kur dy vëllezër që jetojnë bashkë në një shtëpi janë në sherr me njëri-tjetrin, vëllait të madh i bie barra kryesore të gjejë kompromisin, pavarsisht se ky kompromis mund të mos jetë i drejtë për ndonjë nga fëmijët e tyre… Por Berisha (“vëllai i madh”) nuk zgjodhi kompromisin me Ramën (“vëllain e vogël”) duke mbajtur kështu anën e Bashës (“djalit të tij të madh”). Dhe përderisa ai të mos ndryshojë qëndrim, mendoj se nuk ia vlen të merresh me debate juridike – për sa ka ekzistuar shteti shqiptar, vendimet e institucioneve shtetërore dhe gjykatave i janë përshtatur gjithnjë vullnetit të “vëllait të madh” të radhës…

Duke u kthyer te debati Nazarko-Hoxha, që u bë shkak për këto rrjeshta, mund t’i them me keqardhje Nazarkos se argumentet e tij ishin mëse logjike, por ai nuk e vinte re nënqeshjen karakteristike të Hoxhës, kur ai i shtjellonte ato. Në thelb, argumenti i Nazarkos ishte një argument i thjeshtë e i qartë arithmetik. Sipas tij, çështja zgjidhet n.q.s. të gjitha votat e hedhura në kutitë e gabuara kthehen në kutitë e duhura (me fjalët e Nazarkos, mollët të kthehen te kutitë e mollëve, dardhat te kutitë e dardhave, e kështu me rradhë). Pasi kjo të jetë bërë, argumentonte Nazarko, mjafton të krahasohet numri total i votave në çdo kuti me numrin total të votuesve, për të nxjerrë në pah nëse ka më shumë vota se sa votues dhe më pas, mund të shihet nëse Rama ka më shumë vota se Basha.

Që arithmetika e Nazarkos të funksionojë, duhet të hapen të gjitha kutitë e votave dhe materialeve zgjedhore të Tiranës (për kryebashkiak, kryeminibashkiak, këshilltarë bashkie e minibashkie). Nga shqyrtimi i kutive të materialeve zgjedhore do të dilte se sa fletë votimi janë përdorur realisht (gjithsej fletë votimi, minus fletët e papërdorura, minus fletët e dëmtuara, baraz me fletët e përdorura). Me fjalë të tjera, do të dilte se sa votues kanë votuar realisht në 8 maj. (Bazuar në listat e pjesëmarrjes, Endri Xhafa i Top Channel e kishte llogaritur pjesëmarrjen në votim, por justifikimi i KQZ-së është se rreth 825 votues tiranas kanë harruar të firmosin në listat e pjesëmarrjes.) Nga ana tjetër, shqyrtimi i të gjitha kutive të votave do të nxirrte në pah se sa vota janë aktualisht në kutira dhe për cilët kandidatë janë ato.

Por Artan Hoxha dhe të tjerë analistë afër Berishës, sa herë që përmendet hapja e kutive, kundërpërmendin precedentitn e vitit 2009. Sipas tyre, vendimi i Kolegjit Zgjedhor të atij viti e lejon hapjen e kutive vetëm kur ka kontestim ose indicie për parregullsi, pavarësisht se Kodi Zgjedhor përcakton që, me kërkesën e dy anëtarëve të KQZ-së, kuti të caktuara prej këtyre të fundit duhet të hapen automatikisht. Prandaj edhe Hoxha nënqeshte kur Nazarko shtjellonte argumentin e tij arithmetik. Ai e di se, po të dojë Berisha, Kolegji Zgjedhor do të përdorë argumentin e mësipërm juridik, në mënyrë që arithmetika e Nazarkos të mos e shohë dritën e diellit (kutitë e votave mund të digjen eventualisht te bregu i lumit dhe materialet zgjedhore mund të varrosen për 25 vjet në Arkivën e Shtetit).

Me pak fjalë, sherri në shtëpinë e ndarë shqiptare mund të zgjidhet vetëm n.q.s. “vëllai i madh” Berisha bën një kompromis me “vëllain e vogël” Rama. Përndryshe, siç thoshte dikur Abraham Linkolni, një shtëpi e ndarë më dysh nuk mund të qëndrojë gjatë në këmbë…