Natën, për të zbuluar Tiranën që gënjen veten

0
38

Kristi Pinderi

Hidhini një sy fotos kryesore në këto dy faqe. Kjo është qendra e Tiranës, lulishtja mes Kullës së Sahatit dhe Bibliotekës Kombëtare, ku çdo orë kryqëzohen mesatarisht 150 apo 200 njerëz, disa prej të cilëve kapërcejnë sheshin “Skënderbe” për t’u drejtuar nga Pazari i ri, disa të tjerë vijnë nga Parlamenti apo nga ura e Tabakëve për të kaluar mespërmes sheshit e për t’u drejtuar më pas ose nga rruga e Kavajës, ose nga ajo e Durrësit.

Të tjerë, qëndrojnë pikërisht në këtë lulishte për orë të tëra: pleq, të rinj në kërkim të asgjëje, zakonisht të rinj që sapo kanë mbërritur në Tiranë nga zona të thella malore, gra pa punë apo udhëtarë në pritje të urbanit, e sigurisht edhe meshkuj në moshë për punë duke pritur praën Ushtarit të Panjohur, pak metra më tej, për ndonjë punëdhënës ditor. Shikojeni mirë këtë nyje të rëndësishme të të vetmit metropol të Shqipërisë! Ditën është pikërisht kështu siç e shikoni, por natën ka tjetër funksion…

Vendi ku ligji nuk tremb askënd?
Dy ditë pasi në Kuvend u votuan ndryshimet në Kodin Penal për prostitucionin, “Shekulli” konstatoi se asgjë nuk ka ndryshuar në terren… Ndoshta është shpejt, por sfida është e dukshme. Dhe prostitucioni në Shqipëri praktikohet jo detyrimisht në zonat periferike apo larg syve të njerëzve, por m’u në qendër të kryeqytetit dhe para syve të policisë, qytetarëve e kujtdo që ka dëshirë të shikojë. Tamam në këtë lulishte kaq strategjike gjatë ditës për qindra e mijëra qytetarë.

Ora 22.30
Stolat publikë në këtë lulishte nuk kanë më asnjë dru apo ristelë ku mund të ulesh. 10 apo 15 metra më tutje, Ana (ky emër vendoset për të ruajtur anonimitetin e personazhit në fjalë) është duke u ngrohur në shoqërinë e tre djemve në të 20-tat. Kanë ndezur një zjarr pikërisht me drutë e shkëlyera të stolave të lulishtes. Në rrethin pranë zjarrit po ngrohet edhe një djalë 4 apo 5 vjeçar. Ana është mbi 1.80 e gjatë, elegante, e veshur me ngjyra të çelura, bionde, me një makijazh të rëndë dhe me një zë të ashpër, herë herë komandues për tre djelmoshat që i rinë pranë.

Befas, një Benz E-Class (207) me targa Shqipërie ndalon buzë rrugës, pa e fikur motorrin. Një prej tre djemve që po ngrohen bashkë me Anën i afrohet makinës. Shoferi ul xhamin dhe bisedon për pak momente me djalin e veshur keq. Ky kthehet tek zjarri dhe i thotë Anës, rreth të 30-tave që të shkojë në makinë, por ajo refuzon. Eshtë një ndër momentet kur e nxjerr më ashpër zërin e saj dhe thotë: “Jo mor çun, s’kam punë unë në makinë, aty te parkingu po të dojë”. “Po ik moj se s’të bën gjë, jemi tre vetë ne”, i lutet djali.

Nga drejtimi i Sheshit “Avni Rustemi” duket një makinë shqiponjë e policisë, e cila po patrullon rrugët e qendrës. Kalon kryqëzimin dhe me një lëvizje shumë të ngadaltë, tipike për patrullat që monitorjnë kthehet djathtas dhe merr rrugën nga pas Pallatit të Kulturës. Benzi luksoz nuk bën asgjë, veç pret me motorin ende të ndezur, ndërsa tre djemtë vazhdojnë të debatojnë me Anën që mesa duket ka frikë të shkojë me të panjohur.

Gjysëm ore më vonë ajo ngrihet, djali i vogël e ndjek nga pas, por ajo e urdhëron të qëndrojë atje dhe vetë shkon 60 apo 70 metra më tutje, pas makinave të parkuara në sheshin pranë teqesë së bektashinjve në qendër, ku e pret një mashkull mbi 50 vjeç. Kthehet pas 10 minutave dhe ndalon pranë nesh për të ndezur një cigare, e njëkohësisht për të vrojtuar e kuptuar se për çfarë arsye po qëndrojmë aq gjatë në një lulishte pa stola, natën vonë…

Pse OKB kërkon dekriminalizimin e prostitucionit dhe dënimin e klientëve?

Pika 148

e rekomandimeve të fundit të OKB-së për Shqipërinë (siç mund ta shikoni të skanuar në figurë) përmes komitetit të CEDAW ve në pah se: “Prostitucioni në Shqipëri mbetet ende një krim i dënueshëm (Neni 113 i Kodit Penal). Sidomos ky nen mbetet një ndër pjesët e pakta, në mos i vetmi legjislacion në Europë që e lidh me përgjegjësi penale ushtrimin e prostitucionit. për të mbrojtur viktimat e trafikimit dhe vetëm për këtë arsye, OKB ka rekomanduar heqjen nga Kodi penela të përgjegjësisë së femrave që ushtrojnë prostitucion. Por, Shqipëria javën e fundit dështoi të bënte realitet një detyrim ndërkombëtar.

Pika 151

e rekomandimeve të OKB-së ve alarmin për një vend si Shqipëria kur konstaton se qeveria shqiptare ka bërë hapa për parandalimin e trafikimit ndërkombëtar, në të njëjtën kohë po dështon për të kuptuar shkallën e vërtetë të rritjes së fenomenit të trafikimit të brendshëm në vend. “Kjo rrezikon ta shndërrojë Shqipërinë në një vend destinacioni për prostitucionin”. E thënë ndryshe, OKB i konsideron punonjëset e seksit në Shqipëri si viktima të prostitucionit, viktima për shkak se ose trafikohen nga palë të treat, ose detyrohen të punojnë në atë fushë duke mos patur asnjë mundësi tjetër. Dhe çfarë bëjmë ne? I dënojmë me burg…

Marrë nga:

http://www2.ohchr.org/english/bodies/cedaw/docs/ngos/GADC_Albania_46.pdf