Nadir Mura: Ju rrëfej “enigmat” e Enigmës

0
117

Eksklusive\Intervista: Flet Nadir Mura, ja ç’është Shqipëria e Enigmave

Aurora Allushaj
Të flasësh me Nadirin të duhet një përqendrim jashtë normales. Ai është një enciklopedi, i gjithanshëm, i informuar deri në detaje për çdo bisedë që ka lidhje me shkencën. Nadiri është një prej atyre shqiptarëve që ka ngritur lartë flamurin e talentit, jo vetëm si iluzionist e showman por së fundmi me programet e tij shkencore. Në një intervistë për “Albaniaplus” ai “zhvishet” për lexuesit duke treguar detaje nga emisioni i tij, Enigma. Mura flet për punën, familjen dhe shoqërinë në 360 gradë.

Pas suksesit të emisionit “Enigma” cfare është duke bërë aktualisht Nadiri?

Aurora, së pari të falënderoj për intervistën. Sapo erdha nga Italia dhe në këtë moment jam duke bërë xhirimet e sezonit të 3-të të emisionit “Enigma”. Duket megjithëmend se paska shumë sukses, nuk ma priste mendja të them të drejtën, sepse për gjëra mistike, paranormal, fantazma, ufo etj, nuk ka pasur askush një emision të tillë në Shqipëri. Më bëri përshtypje që edhe mbasi emisioni i vitit të kaluar kishte mbaruar, njerëzit vazhdonin të më shkruanin jo vetëm nga Shqipëria por edhe nga vende të tjera të botes, aty kuptova se sa miliona shikues paska platforma Dixhitalb. Nuk diskutohet që jam në avantazh pikërisht sepse jam i pari që bëj një emision të tillë në Shqipëri, por sidoqoftë është pak e vështirë për shumë teleshikues që t’i bindësh, sepse shumë nga ata nuk janë të informuar, dhe duke mos qenë të informuar është vështirë ndonjëherë të kuptosh se për çfarë po flas.

Përse?

Për shembull, ishte një kronikë ku flisja për dimensionet, mirëpo isha i detyruar që përpara se të flisja për dimensionet më duhej të ilustroja disa fragmente me të famshmin Trekëndëshin e Bermudës. E para, ka njerëz që ndoshta kanë dëgjuar po nuk dinë se kanë ndodhur disa fenomene të tjerë për veç atyre që kanë dëgjuar, dhe ky i fundit lidhet fortë me dimensionet. Kur fola për dimensionet fola edhe për dy piramidat e gjetura në mes të trekëndëshit të Bermudës. Pra paskërkan gjetur (të paktën kështu jemi të informuar) dy piramida gjigante prej kristali mu në mes të trekëndëshit, dhe thuhet se qenkërkan këto shkaku i zhdukjes së objekteve dhe njerëzve në atë zonë të oqeanit Atlantik.


Dhe çfarë lidhje kanë me dimensionet?

E para është se sipas shkencëtarëve dimensionet ekzistojnë. E dyta, se disa studiues të detajojnë në mënyrë shkencore se si janë të formuara dimensionet (që më mirë të mos zgjatem sepse është e vështirë për shkencëtarët dhe jo më për ne). Duke u bazuar pikërisht në këto studime, thuhet se mjetet, avionët, apo anijet e zhdukura në trekëndëshin e Bermudës nuk zhduken, por thjeshtë hyjnë në një tjetër nivel dimensional. Gjë që na bëri të kryenim kërkime edhe për statusin dimensional të trurit të njeriut, aty ku thonë se perceptimi viziv i syve tanë është shumë kufizuar, pra aty ku shumë thonë se “jeta është një iluzion”, por që nuk u zgjatëm sepse do të hynim akoma më thellë në një labirint ta pazgjidhshëm. Shpesh herë nuk kuptohemi thjeshtë për mungesë informacioni të disa njerëzve, por ju garantoj se sa më shumë shikoni programe si emisioni “Enigma”, aq më shumë informoheni për botën që na rrethon.

Keni botuar disa libra prej të cilëve vetëm një në gjuhën shqipe, kur do të jenë të gjithë librat tuaj të përkthyer në gjuhën shqipe?

Nuk kam kohë Aurora, sinqerisht koha nuk më premton, është shumë e shkurtër. Ah, sa do të doja që dita të kishte 44 orë! Sapo mbarova një libër tjetër me 320 faqe (që është shkencor dhe i lidhur me 4 librat e tjerë të bërë në italisht), por kam një tjetër akoma në dorë (që është surprizë). Njëkohësisht sapo mbarova vëllimin e 2-te “Ari Princesha e Ëndrrave” (gati për botim), dha jam në faqen e 70-të të vëllimit të 3-të. Nuk mundem t’i përkthej në shqip, jo vetëm për kohën, por edhe sepse nuk lë në as një mënyrë të m’i përkthejë dikush tjetër, unë jam shqiptar dhe dua t’i përkthej vetë.

Ju thatë se po përgatisni sezonin e ri të emisionit “Enigma”, çfarë të rejash duhet të presin teleshikuesit?

Kësaj radhe kemi shumë surpriza, por surpriza më e madhe është sepse i kemi të gjitha kronikat shqiptare, jo të huaja. Për më tepër brenda emisionit do të kemi më shumë kronika. Do fillojmë që nga Tropoja deri në Butrint.

Mund të na thuash diçka më tepër? …Çfarë ka të mistershme në Tropojë?

Është një vend ku humbin njerëz dhe nuk u gjenden më trupat, jo vetëm turistë por edhe vendas. Do shkojmë edhe në Kukës (me shpresën kur të shkrijë bora) për të gjetur skeletet 4 metra të disa njerëzve gjigantë. Gjithashtu do të ikim në kërkim të thesarit të humbur të Ali Pashë Tepelenës, gjë që Grekët po e kërkojnë me ngulm për të shuar krizën. Kemi edhe fakte që fantazmat ekzistojnë. Kemi gjetur fakte të disa njerëzve që janë kapur nga alienwt. Dhe shumë e shumë gjëra të tjera, që është mirë të na ndiqni pa humbur asnjë puntatë. Gjej rastin t’u bej thirrje të gjithë të interesuarve të na shkruajnë, atyre qe kanë fenomene paranormal, evenimente me jashtëtokësore, enigma, mistere, fantazma dhe të gjithë atyre fenomeneve të pashpjegueshme. E-maili im është nadirmura@gmail.com

Nadir Mura me Ndriçim Lika dhe Eduard Grishaj në kalanë “Rozafa”

Sa do të zgjasë emisioni, a do te ketë enigma Shqiptare?

Si gjithmonë edhe kësaj radhe do të kemi 12 emisione. Por jemi akoma duke xhiruar dhe duke pasur edhe më shumë kronika, montazhi është akoma më i gjatë, megjithatë do bëjmë njoftime gjithandej, sapo të fillojmë me programin.

Vetë Nadiri cilësohet si “Mister”, a ka zgjidhje misteri Nadir?

Çdo njëri nga ne ka disa faza të jetës që janë problematike për të, ku pothuaj të gjithë i kemi kaluar. Psh: Në moshën 4-6 vjeçare të gjithë fëmijët kanë frikë se mos prindërit i braktisin dhe janë shumë të ngjitur. Nga mosha 8-11 vjeçare është mosha e rritjes së menjëhershme. Pastaj nga mosha 12-15 vjeçare fillojmë të kemi probleme me emrin që na kanë vendosur, nga mosha 16-19 është momenti i krijimit të karakterit, mosha 20-25 stabilizimi, dhe mosha 26-35 formimit. Pra, pak a shumë këto janë moshat dhe momentet e lakimit të karakterit të formimit të përgjithshëm, kështu, si gjithë të tjerët, në një moment kam pasur edhe unë probleme me emrin, duke menduar se nuk ishte i përshtatshëm për mua. Më vonë vërtetova se nuk është emri që bën njeriun, por njeriu që bën emrin, dhe sot mund të të përgjigjem se, është me të vërtetë mister se si më vendosën këtë emër dhe pse, e mbi të gjitha atë çka emri mbart në thellësi, kjo më jep forcë në rrugën time. Mund të duket paradoksale por emri, puna që zhvilloj tani, librat dhe e ardhmja ime mund ta cilësoj me të vërtetë “mister”, po të marrësh parasysh se erdha nga hiçi.

Nadir Mura dhe Arben Çokaj në kalanë “Rozafa”

Çfarë domethënie ka emri “Nadir”?

Dikush një ditë më kishte shkruar diçka për emrin tim, por nuk e dinte misterin e emrit “Nadir” ndaj u përgjigja: “Nuk dua të jem Zenith, sepse unë jam Nadir, e kundërta. E kundërta e forcave dhe të asaj çka të detyrojnë të dish dhe të jesh. Jam ajo pikë lidhëse që mbetet gjithmonë një mister i pazgjidhshëm, ajo pikë që nuk mundet ta shohësh dot kurrë, e megjithatë ekzistoj. Jam “Nadir” një pikë imagjinare që mundet vetëm ta perceptosh. “Nadir” e kundërta e Zenitit nuk rrin në errësirë sepse ka frikë, por ajo gjendet atje me domethënien për të super kaluar barrikadën eliosferike, ndaj dua të të them se atje ku emri im prehet, gjendet në vendin perfekt, në një mënyrë perfekte, ndaj çuditërisht e admiroj në pafundësi”. Nuk diskutohet që e kisha fjalën për “Nadir dhe Zenit”, jo për veten time!

Jeta juaj është një vajtje – ardhje, Shqipëri – Itali, çfarë lë mangët njëri vend që plotëson tjetri?

Po është e vërtetë që është vajtje-ardhje, kjo është normale, duke pasur vite në një vend është e vështirë të shkëputesh. Aq më tepër që kam shtëpi në Itali dhe familje, por vendi im, Shqipëria më dhemb, më mungon, më trishton nëse largohem. Tani që m’u dha mundësia për punë këtej më duket se dalëngadalë do shkëputem totalisht për të ardhur në Shqipëri përfundimisht. Sidoqoftë asnjë nga këto vende mund të plotësojë atë çka tjetri të vjedh.

Çfarë është familja për Nadirin? Po shoqëria?

Familja është gjëja më e shenjtë që ka krijuar Zoti. Është një bashkëshorte e mirë, e zgjuar dhe e ndershme që bën, që një burrë të ndihet sikur ti ketë falur tërë universin, sepse është gruaja shtylla e familjes. Është e vështirë të flasësh për këto virtyte, sepse duket sikur janë mbuluar nga mjegulla e harresës nëpër shkretëtirën e sotme, por në gjenet e mi ruhen akoma. Për shoqërinë nuk kam kohë. Punoj jashtë mase dhe nuk dal fare, absolutisht nuk më premton koha. Por miqtë dhe shokët e paktë që kam tashmë e dinë, akrepi i orës ecën, tmerrësisht shumë shpejt, unë s’kam kohë për të humbur, humbas. Për ta lidhur me pyetjen kam diçka serioze për të thënë, kemi punë s’kam kohë për të humbur. Për ta lidhur mirë, dhe duhet me “se s’bën” t’u lemë diçka. Nuk po flas vetëm për çështje denari, sepse ai ikën dhe vjen, por flas për diçka shumë më të madhe, nga jeta nuk mbetet gjë tjetër, përveçse bëmave të mira dhe madhështore!

Nadir Mura dhe Dashamir Çokaj para shtëpisë së Arbenit e Dashamirit

Cila është “Enigma” më mahnitëse që keni përgatitur në emisionin tuaj?

Po janë shumë, që nga filmi i madh Herry Potter që ka fshehur diçka të çuditshme në Shqipëri, nga uji i bekuar që bën gratë të lindin, apo Atlantida e humbur që thuhet se gjendet në brigjet tanë, por ajo që do t’u pëlqej shumë teleshikueseve është Thesari i Humbur i Ali Pashës, sepse jo vetëm për përmasat që ka, por edhe për misteret që e mbulojnë atë, bën që emisioni enigma të ketë jehonë dhe jashtë kufijve shqiptarë.

Si e vlerëson gjendjen aktuale të Shqipërisë? A është gati vendi ynë për t’u aderuar në BE?

Situata nuk është shumë dramatike si e bëjnë shumë njerëz, madje në një kohë shumë të shkurtër ne bëmë një zhvillim kaq gjigant, kjo nuk është hasur në asnjë shtet. Disa muaj më parë isha duke pirë një kafe me një shok në Piazza Navona, Romë, rastësisht aty takova një mikun tim deputet të parlamentit italian, duke folur mbi të tjera më tha: “Do apo s’do populli shqiptar do futet në Komunitetin Europian brenda vitit 2014″ dhe kjo më bëri përshtypje, ma merr mendja se do të jetë e realizueshme.

A ka menduar ndonjëherë Nadiri të bëhet pjesë e politikës Shqiptare?

Jo! Kurrë, nuk më ka pëlqyer politika, as që nuk dua të bëhem pjesë. Ka disa arsye, por më kryesorja është sepse nëse futesh në politikë je i detyruar të gënjesh, për shumë arsye (lidhje politikash, miqësore, apo sociale), unë nuk di të gënjej, ndaj nuk ma merr mendja se politikanëve u duhet një si unë. (qesh)

Çfarë do t’i ndryshonit Shqipërisë? Kush është pika më emergjente që ju do të ndryshonit?

Askush nuk është perfekt, por ne kemi më shumë probleme, qoftë shkaku pushtueseve, komunizmit apo të tjera. Sidoqoftë kemi akoma në gjakun tonë momente si të njerëzve parahistorikë, si për shembull këtu çdo gjë zgjidhet me dru, kur bota e ka lënë drurin, ka 50 vjet. Vlera e një jete këtu kushton më pak se një kafshë dhe kështu zgjat, vret njëri, vret tjetri, mirëpo a i zgjidhën problemet që kishin? Jo! Biles gjenden shumë herë më e keq se sa ishin, dhe ky është problemi kryesor në vendin tonë, pra jo çdo gjë zgjidhet me injorancë, por me zgjuarsi. Kjo është “thembra e Akilit”, por shqiptarët kanë edhe zemrën e Zeusit, që nëse di t’i marrësh ashtu siç duhet gjithë shqiptarët të falin zemrën!