Na mbyti njerëzia apo perëndia?

0
63

Lorenc Vangjeli

Lorenc Vangjeli, 09.01.2010

Shqiptarëve po ju thuhet zyrtarisht se fatkeqësia e rradhës ka ardhur nga “zemërimi” i Perëndisë dhe se qeveria shqiptare, “mëkëmbëse” e saj në tokë, po bën të pamundurën për ta ndalur këtë zemëratë.
Por shumë e shumë specialistë, që nga ata që kanë qenë pjesë e brezit që ndërtuan hidrocentralet e kaskadës së Drinit e deri në sinoptikanë e menaxherë të rrjetit energjetik, bashkohen unanimisht në një pike: në shfajësimin pothuaj të plotë të forcave madhore. “Përmbytjet nuk i ka shkaktuar Perëndia, ato janë fruti i hidhur i marrëzisë dhe makutërisë njerëzore”, thonë ata.

Pyetja e parë që ngrihet në një moment të tillë, është një dhe e vetme: a mund të shmangeshin përmbytjet? Specialistë të sistemit, të gjithë profesorë dhe projektues të kaskadës së Drinit, i referohen rregullores së vetme teknike “Mbi shkarkimin e plotave (prurjeve) në hidrocentralet e lumit Drin.
Eshtë një rregullore e vitit 1988, e firmosur nga dy ministra të kohës, ai i ndërtimit, Farudin Hoxha dhe i energjitikës Lavdosh Ahmetaj. Rregullorja është përpiluar nga grupi i punës që ka në përbërje emra profesorësh nga më të aftët që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Ata janë Petrit Radovicka, Egon Gjadri, Jorgji Ziko, Bashkim Spahiu, Bardhyl Shehu, Jani Ziso, Ilir Radovicka dhe Shaqir Shehu. Emra shkencëtarësh që sot “tallin” nga larg profanët që duhet ta zbatojnë atë. “Janë profanë, ky është një krim i kryer nga njerëzia dhe jo nga Perëndia”!

Pajtim Bello, doktor Shkencash, zëvendësministër i energjitikës në atë periudhë dhe në të njëjtin funksion edhe në vitet 1997-2005, nuk ka dilema dhe nuk ka mëdyshje. “Eshtë shkelur rregullorja “Mbi shkarkimin e plotave…”, thotë Bello. Sipas tij, përgjegjësit kanë emër dhe mbiemër dhe shkelësit e saj, kanë funksione të përcaktuara qartë. “Shkarkimi i liqenit të Fierzës duhet të kishte ndodhur shumë kohë më parë dhe në mënyrë graduale që të mos krijonte përmbytje. Shkarkimi nuk është një vendimmarrje subjektive, por një detyrim që vjen nga shkenca”, thotë Bello.

Rregullorja (faqe 9) thotw: “Kur niveli në liqenin e Fierzës arrin kuotën 285.0 metra…, krijohet një komision i posaçëm, i cili përbëhet nga përfaqësues të ministrisë së energjitikës, të ndërtimit, bujqësisë, mbrojtjes, shërbimit sinoptik, komitetit të digave të mëdha… Komisioni formohet nga ministri i energjitikës dhe kryesohet prej tij…”

Ky është një komision që nuk është mbledhur kurrë. Rregullorja, nëse do të zbatohej, përcakton shprehimisht se për periudhën tetor-shkurt, niveli i liqenit mbahet në kuotën 289 metra absolute, duke shkarkuar, po të jetë nevoja, prurjen e tepërt nëpër tunelin numër 4, me hapje të pjesshme ose me intervale. Për të zvogëluar shkarkimet, centrali duhet të punojë me fuqi sa më të madhe, por jo më pak se 300 metra kub ujë në sekondë”. Më tej, rregullorja, me një gjuhë thellësisht teknike, saktëson rast pas rasti, kohën dhe mënyrën sesi duhet të kryhen shkarkimet e ujërave të tepërta për Fierzën, Komanin dhe Vaun e Dejës, në varësi të prurjeve dhe parashikimit për prurjet e mëtejshme.

Nëse do të ishin thirrur së paku specialistët e fushës, do të ishte arritur në konkluzionin se portat e shkarkimit duhet të ishin hapur me kohë.

“E kemi shkelur rregulloren me disa ditë! Nuk e kemi mbledhur komisionin!”. Kwto të dyja këto janë deklarata publike të qeverisw, të cilat nesër do të mund t´i kushtojnë dikujt shtrenjtë.

“Pse nuk e zbatuan rregulloren? Kjo është vërtet pyetje prej një milion dollarësh! Ka disa arsye që ne vetëm mund t´i marrim me mend. E para është makutëria. Edhe pse niveli po rritej dhe parashikohej të rritej edhe më tej, vazhdonte të importohej energji nga jashtë. “Makutëria e të paaftëve”, thotë doktori i shkencave Pajtim Bello. Kurse profesori tjetër Thoma Meksi, laureat i çmimeve të Republikës dhe ish-drejtor i përgjithshëm i KESH-it thotë se nivelet e lejuara në Fierzë mund të shkojnë deri në 293 metra. Të enjten, sipas të dhënave zyrtare, niveli kishte vajtur deri në 296 metra. Nëse kjo është një shifër e besueshme. Që megjithatë është në dinamikë, sepse deri të enjten në mesditë, prurjet në Fierzë ishin të nivelit 1500 metra kub në sekondë, kurse shkarkimet vetëm 800 metra kub në sekondë.

Niveli më i rrezikshëm, pika kritike është vetëm një metër më shumë. Deri në kurrorën e digës kanë mbetur dhe 6 metra. Ajo është në lartësinë 302 metra. Por inxhinier Dhimitër Cico, i pari që shpalli rrezikun maksimal që vjen nga mos funksionimi i rregullt i kaskadës së Drinit, shkon dhe shumë më tej. “Eshtë e tmerrshme nëse kalon niveli i ujit mbi digë. Shpërthimi i tyre, do ta çonte Shqipërinë në epokën e gurit, nuk do të kishte më Shkodër, Lezhë.. Në Tiranë uji do të vinte për 30 – 40 minuta dhe do të kishte thellësinë 30 cm. Dallga e cunamit do të mbërrinte deri në Ankona”, – thotë inxhinieri, i pari që ka paralajmëruar që në fillim të dhjetorit, kur nën qetësinë e frikshme të liqenit të Fierzës, përgatitej pragu i katastrofës, siç e quan sot S.Berisha. Një katastrofë e shkaktuar nga njerëzit dhe nga e cila mund të na shpëtojë vetëm Perëndia!

*Me shkurtime nga MAPO