Na duhet ky monument!

0
63

Nga Mero Baze, 26 Prill 2012

Ende pa mbaruar konkursi politik për të përzgjedhur një monument në kujtim të shpalljes së Pavarësisë, që do të vendoset në Tiranë, ka së paku dy akuza serioze që skica është e vjedhur. Të dy pretendimet janë të bazuara në punime thuajse të ngjashme, të publikuara më parë prej tyre, njëri prej të cilëve është dhe piktori shqiptar me banim në Austri, Fatmir Velaj.

Nuk di sa ndikim do të kenë denoncimet publike të këtyre artistëve ndaj jurisë, por e sigurt është që në karakterin e tij Berisha nuk pranon akuza, sidomos për vjedhje, dhe kjo do jetë një arsye që tashmë ai do ta bëjë me çdo kusht atë monument, biles atë që ka përzgjedhur. Dhe ka shumë arsye përse nuk duhet penguar.

Arsyeja kryesore është se ky do të jetë një monument atipik, një monument që përkujton një ngjarje të ndodhur larg vendit ku do të vendoset, a thua se ka ndodhur në një shtet tjetër ku nuk lejohet të shkojnë shqiptarët. Në fakt është një shqiptar, që e ka bezdi atë qytet, dhe ai është kryeministri i vendit. Për arsyen e thjeshtë se ai urren Vlorën, është mirë të vendoset kjo “kioskë” e pavarësisë në Tiranë, që të na kujtojë jo shpalljen e pavarësisë, por frikën e ish- kryeministrit të këtij vendi, Sali Berisha, nga qyteti që shpalli pavarësinë më 1912 nga turqit, dhe më 1997 nga Berisha.

Një arsye tjetër e fortë është pikërisht akuza që ky monument është i vjedhur si ide. Nuk ka gjë më të qëlluar që mund të përfaqësojë regjimin e Sali Berishës se sa një monument i vjedhur. Kryeministri që theu rekordet e vjedhjes në historinë e 100 viteve të shtetit shqiptar, e meriton një monument të vjedhur për tu kujtuar gjithmonë se kur shteti mbushi 100 vjet, kishte në krye të tij një nga burrat më hajdutë të këtij vendi. Për këtë arsye, qoftë dhe vetëm për këtë arsye, mëkati i dy skulptorëve që mesa duket janë dështakë si vetë pushteti, është shumë origjinal si mëkat, pasi përfaqëson thelbin e kësaj qeverie.

Do të mjaftonte ky fakt që t’i jepnim një kuptim kësaj skice për monument, dhe meqë ende nuk kemi një vend ku ta vendosim, është mirë ta vendosim para kryeministrisë, tek shkallët e saj. Aty ajo na kujton të gjithëve pse ky njeri nuk shkonte dot në Vlorë për festën e pavarësisë dhe pse i duhej ky monument e vjedhur për 100 vjetorin.

Së fundmi ka dhe një arsye ekonomike pse duhet ky monument. Mu duk nga larg që për të nuk duhen shumë pare dhe punë për tu bërë. Drejtori i Galerisë po i ankohet ministrit se ende nuk ka paguar për konkursin e bërë, dhe ka gjasa që as skulptorët që kanë vjedhur idenë të mos marrin ndonjë lek, por thjesht ndonjë dekoratë nga qeveria. Kostoja e saj e lirë nuk do të në bëjë të na vrasë ndërgjegjja, që kur ky regjim të bjerë bashkë me bëmat e tij, prishja e kësaj kioske të shëmtuar që tenton të na kujtojë pavarësinë, të na kthehet në një simbol të ikjes së një regjimi që urrente qytetin e pavarësisë dhe që vidhte në çdo gjë, deri dhe tek një monument në kujtim të pavarësisë.

Kur dikush ikën në traditën tonë të vjetër, duhet thyer diçka në shenjë gëzimi, dhe që të mos prishim siç prishëm më ‘44 dhe ‘91 veprat që kanë bërë paraardhësit, le të prishim këtë kioskë simbol të një regjimi që tentoi të kthejë në vlerë vjedhjen dhe vrasjen për hir të pushtetit, dhe që tentoi të fyente pavarësinë e Shqipërisë, vetëm se ajo është një meritë që i përket një qyteti që e ka rrëzuar një herë nga pushteti të parin e këtij regjimi.

Për gjithë këto arsye na duhet kjo monument. Është e lirë, është e vjedhur dhe pa shpenzime, dhe e kemi kollaj për të bërë kurban bashkë me regjimin. I duhej ky simbol këtij regjimi, një simbol i vjedhur për festën e pavarësisë. Ndryshe nuk ka si të mbajmë mend se tentoi t’i vjedhë Vlorës historinë dhe Shqipërisë të drejtën për të qenë dinjitoze në 100 vjetorin e Pavarësisë.