Na çmendi Kantrimeni

0
77

Nga: ANILA BASHA

Tani, meqë jemi shqiptarë, kemi filluar të lexojmë më mirë në anglisht, se për gjuhën shqipe nuk ia themi fare. Kam tre ditë që nga të dy kampet kam dëgjuar shprehje dhe deklarata se Kantrimeni nga SHBA mbronte me intervistën e tij Edi Ramën, ndërsa krahu kundërshtar thoshte se mbronte Lulzim Bashën. Mbështetësit e Ramës thonë se Kantrimeni tha se nuk ndryshojnë rregullat e lojës kur mbaron loja, ndërsa mbështetësit e Bashës thonë se Kantrimeni i tha opozitës të mos bëjë dhunë e demostrata.

Gazetat që mbështesin qeverinë kanë titullin kundër Ramës për dhunën, ndërsa gazetat që mbështesin kreun e PS kanë deklaratat e SHBA kundër KQZ. Kaq konfuzë na bëri Kantrimeni, saqë u detyrua edhe vetë ambasadori amerikan Arvizu,- që duhet të na i thotë gjërat shqip dhe jo anglisht- t’u kërkojë të gjithëve të lexonin të plotë deklaratën e Kantrimenit. Të gjithë në fakt, u vumë në lëvizje t’i bëjmë rezymenë me laps e letër në dorë. Kështu bëra dhe unë. E lexova tre herë dhe nxorra disa konkluzione.

E meqë e mora penën të shkruaj, po jua tregoj edhe juve se si e lexova.

* * *

Vura re se zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, ka kritikuar të paktën 5 herë ndryshimin e rregullave të lojës në fund të procesit, ndërkohë që ka kritikuar opozitën të paktën 3 herë për punën e demostratave. Në intervistën e plotë integrale po i përmend këta paragrafë për të qenë e saktë:

Hera I
“…çështja e numërimit të fletëve të votimit të hedhura në kutinë e gabuar nuk u trajtua mirë. Ne kemi thënë përgjatë gjithë procesit që rregullat duhet të jenë të qarta dhe se ato duhet të aplikohen në një mënyrë transparente dhe të drejtë. Baza ligjore për marrjen e këtij vendimi, nuk është e qartë për ne. E kuptoj argumentin e bërë nga KQZ, porse ky është një arsyetim që mund dhe duhet të ishte bërë para zgjedhjeve…”. Pra gjatë intervistës kjo është hera e parë që përmendet, sipas SHBA, vendimmarrja e paqartë që i dha Lulzim Bashës, 81 vota, para Ramës. Tani, SHBA thotë se nuk është e qartë sesi u morën këto vota. Edhe SHBA si ne, po pret t’ia tregojë Kolegji zgjedhor.

Hera II
“…vëreni se nuk po them se vendimi është i paligjshëm, por po them se baza ligjore nuk është e qartë për ne dhe duket të mos jetë në përputhje me praktikat e mëparshme të komisioneve zgjedhore…”. Në këtë herën e dytë, Kantrimeni, duke e ditur se shqiptarët ia lexojnë deklaratat si duan, thotë se nuk e paragjykon KQZ, por i tregon këtij organi, se herët e kaluara nuk e ka bërë kështu. Tani vetëm i mbetet që Kantrimeni të bëhet si analistët e TV-ve tona dhe të pyesë ballazi Ristanin: Hë mo, pse e bëre? Pse e bëre kështu këtë herë?

Hera III
Në herën e tretë zyrtari i lartë, po nga intervista e tij e plotë, na tregon se ky është qëndrimi i SHBA. “…ajo që duhet të kishim parë do ishte një vendim brenda KQZ, para se zgjedhjet të mbaheshin, mbi atë që duhet të bëhej në lidhje me çështjen e fletëve të votimit të hedhura në kutinë e gabuar, që ka qenë një problem edhe në zgjedhjet e mëparshme. Këtu duhet të ishte marrë një vendim konsensual…”. Epo shqip ka folur. Zotërinj të KQZ u thotë, mesa kuptoj, nuk e keni marrë më parë këtë vendim. Pse nuk e keni bërë, kur keni pasur një precedent? Ç’t’i thotë më Kantrimeni, Ristanit, apo Berishës, apo Ramës?

Hera IV
Meqë shqiptarët s’e marrin vesh tre herë, brenda të njëjtës intervistë, Kantrimeni na e thotë për herë të katërt. “…Çështja më e rëndësishme është aplikimi i paanshëm dhe konstant i rregullave. Për ne, është shumë për të ardhur keq që nuk pati më shumë dakordësi midis dy palëve kryesore mbi procedurat për këto zgjedhje. Kjo çështje, mund dhe duhet të ishte zgjidhur paraprakisht, para se procesi i numërimit të fillonte…”. Tani sipas meje përkthimi më troç është: O shqiptarë, a e merrni vesh se në një vend demokratik nuk i ndryshoni dot rregullat në fund të lojës? Po pse nuk e zgjidhët në fillim po në fund? Sa herë doni t’ua them këtë gjë se kjo është hera e katërt!!!!

Hera V
Po këtë radhë edhe unë i them zotit Kantrimen: “Po si nuk u lodhe? A e kupton se shqiptarët edhe 10 herë tua thuash do ta lexojnë jo siç e thoni ju, por siç duan vetë?”. Po demokracia amerikane nuk lodhet. Si një mësues i duruar, për herë të pestë, brenda të njëjtës intervistë Kantrimeni thotë: “…do të shpreh përsëri zhgënjimin tonë që ky vendim i caktuar (e ka fjalën për numërimin e votave në kutinë e gabuar) nuk u mor me konsensus, nuk ka një bazë ligjore të qartë dhe nuk jemi të sigurt që është zbatuar në mënyrë konsistente…”. Tani, brenda të njëjtës fjali, më në fund SHBA thotë një herë fjalën “zhgënjim” (pra janë të zhgënjyer nga KQZ) dhe tre herë “nuk”. Ç’të komentojmë. Tani erdhi fundi. Boll na e thatë zoti Kantrimen se nuk ka më minutazh televiziv dhe faqe gazete.

Kritika opozitës
Hera I
“…Politikisht presim nga të dyja palët të shmangin bërjen e kërcënimeve për demostrata apo dhunë, në qoftë se ata nuk e pëlqejnë rezultatin…”. Totalisht, kjo fjali është për ta dëgjuar opozita, me disa deklarata zyrtare të zyrtarëve të vet. E, zoti Kantrimen, e kanë marrë vesh edhe ata. Nuk po djegin më goma, po presin rezultatin e Kolegjit Zgjedhor. Pas kësaj s’dihet, po do e diskutojnë edhe atë punë. Duroni edhe ju të SHBA, siç po bën gjithë Shqipëria.

Hera II
“…Kjo është arsyeja, pse kërcënimet për të mos njohur rezultatin, kërcënimet për të përdorur demonstratat apo dhunë, në qoftëse rezultati ligjor nuk është ai që pritet, janë të papranueshme në një demokraci…”. E pra e, e mori vesh opozita. E kanë pak problem, por do presin deri në 3 qershor kur të fillojë sërish nga puna Kolegji. Sa më shumë vonon kolegji, aq më shumë ankth ka nga të gjitha palët, aq më shumë kohë kanë edhe gjyqtarët, të konsultohen, të debatojnë, të lexojnë edhe mesazhet. Varet si do t’i lexojnë.

Hera III
“…është absolutisht e nevojshme, që të dyja palët dhe populli i Shqipërisë të insistojnë që kjo të zgjidhet sipas mekanizmave ligjore, të zgjidhet me dinjitet, jo me dhunë…”. Këtu në fakt ngatërrohem edhe unë, por e përkthej kështu: partitë të influencojnë që të zgjidhet me mekanizma ligjore, dhe populli të angazhohet të mos e zgjidhë me dhunë. Besoj se kështu e ka thënë Kantrimeni. Në fakt palët politike janë angazhuar: Qeveria u ka vënë bodigardë gjyqtarëve, ndërsa PS i ka angazhuar nja katr-a-pesë juristë te Gjykata e Apelit.

* * *

Kaq ishin mesazhet sa i kuptova për të dy anët. Rezultati 5 me 3 kundër maxhorancës së Arben Ristanit në KQZ. Dhe nuk e ka theksuar pa qëllim Kantrimeni atë numrin 5 të përsëritjes se e di edhe SHBA shprehjen “përsëritja mëmë e dijes”. Por ç’e do. Ristani e ka mbaruar misionin.