Na ç’kombëtarizoi diktatura, Na ç’kombëtarizoi demokracia…

1
16

(Redan BUSHATIKryetar i Këshillit Studentor të Universitetit të Shkodrës)

Kombi një fjalë e vjetër në literaturë, nga e cila kuptojmë një bashkësi të qëndrueshme njerëzish, e cila është formuar historikisht duke u bazuar tek bashkimi i gjuhës, kulturës, territorit, jetës socio-ekonomike dhe të formimit psikik. Kombi shqiptar më i vjetri në Ballkan e më gjerë ka përjetuar “tragjedi-komedi” të ndryshme deri në ditët e sotme. Padrejtësitë në kurriz të tij, nuk kanë ardhur rastësishëm. Urrejtja dhe mllefi i fqinjëve tanë nuk është i pashpjegueshëm, as shtrirja e tyre territoriale në brendësi të kombit shqiptar nuk është e pakuptimtë.

Shqiptarët ishin një popull që patën në shpirtin e tyre: trimërinë, guximin, mikpritjen, humanizmin, shpirtin e dlirë, dhembshurinë, atdhedashurinë e gjithçka që kishte art dhe familjaritet moral, ishte veçse karakteristike e shqiptarëve. (Nper gjuhë shqype bota mbârë/ ka me ju njohtë se ç’fis ju kini,/ ka me ju njohtë për shqyptarë,/ trima n’zâ, sikurse jinni). Sot, ato janë katandisur si mos më keq. E për këtë faji është i shumëfishtë, duke filluar me copëtimin territorial nga lavirja Europë që në kohë të hershme dhe deri tek përdorimi i pseudoshqiptarëve të stërvitur në oborret e Shërbimeve Inteligjente (fqinje) për të hipur në krye të drejtimit të jetës së vendit.

Diktatura ishte ndër fazat më të vështira të përjetimit shpirtëror e fizik të popullit të stërlashtë shqiptar. Ajo jo vetëm u mbylli zemrat, gojët, por ju mbylli edhe mendjen dhe ndjenjat mbarë popullit shqiptar. Katili dhe vëllavrasësi Enver ushqeu tek shqiptarët veset më të këqija, të cilat qëndronin në brendësi të jetës së secilit. Ato rrinin brenda, jo për t’u shfaqur gjatë kohës së diktaturës apo kundër saj. Këto vese të liga do të shfaqeshin kundër armikut, edhe pse armiku ynë ishte vetvetja.

Me anë të ndalimit të fesë dhe atdhedashurisë, pikërisht u shkatërruan dy shtyllat kryesore shpirtërore të ndërtimit të një shteti modern, por edhe me rrënjë të thella në mirëdashje sociale të përgjithshme. Sot, trashëgimia enveriste në dukje e mposhtur, po qëndron më shumë se kurrë ndonjëherë në shumë dyer të administratës dhe kontrollimit të shtetit. Këto syresh akoma verbojnë me dogmat e tyre të fëlliqura këtë popull, duke u bërë një lavazh trurit të tyre për t’i larguar nga besimi në Zot dhe nga vlerat e shenjta kombëtare.

Thujse në më shumë se 20 vjet demokraci kemi arritur të kemi më shumë mllef, urrejtje, zemërim, keqinterpretim, dhunë e mashtrim ndaj njëri-tjetrit, sa shkjau nuk ka nevojë të fus spiunët e tyre apo punonjësit e shërbimeve inteligjente për të përçarë popullin, besimin, politikën, e veçmas shpirtin atdhetar. Sot, shqiptarët janë të ndarë me thikë në të majtë dhe në të djathtë. Sot, shqiptarët janë të ndarë me thikë o me Sali Berishën o me Edi Ramën. Shqiptarët janë katandisur edhe në atme e fe.

Atme kanë makutërinë e mbushjes së xhepit të tyre në të gjitha mënyrat, e fe kanë partinë-shtet. E brenda partisë ka segmente të ndryshme, që i shërbejnë planeve ruso-serbe, planeve greke, planeve amerikane dhe atyre arabo-turke. Prandaj, shqiptarët janë të ndarë konfliktualisht edhe fetarisht, pasi mes tyre spiunët kanë arritur të mbjellin mllef kundër gjithçkaje tjetër që nuk është si ato. Të ngjan sikurse ka dy Krijues të Gjithësisë të shpërndarë në dy Botë (Zoti na ndihftë)…

Së fundi, rregjistrimi i popullsisë mbi baza etnike dhe fetare është një ndër etapat e fundit drejt ç’kombëtarizimit të popullit shqiptar. Pasi, na vranë, na prenë, na pështynë, na llomotitën, na grabitën dhe shitën, na shanë edhe me nënë e motër m’u në mes të Korçës së lavdishme, tashmë po përparojnë drejt brendësisë së Shqipërisë së Jugut. Situatë paksa më ndryshe, por në dukje e llahtarshme janë edhe martesat e vajzave shqiptare me djemtë e shkjaut kundrejt pagesave të këtyre të fundit që u bëjnë prindërve të vajzës.

Thonë që shkuesi (mblesëruesi) merr edhe një pjesë të hollash. Gjynah të lihet pasdore, pasi me këtë shumë disa mund të zgjidhin hallet a problemet e tyre. Shqipërisë po i ikën nderi e motra, po i ikën nëna e fisi, e në këtë përçarje e copëtim, në këtë shitje dhe mashtrim, bashkohu edhe ti o zullumqar!…

(T’a dijë Shqypnija/ Prá, e sheklli mbarë,/ Se mâ mbas sodit/ Uu s’jam Shqyptár, /A ndiet, Zotni,/ Qi rrini m’shkam?/ Un mâ me sodjet/ Shqyptár nuk jam./ M’thirrni si t’doni/ U tham: Urdhno!/ Zulù m’a njitni/ … Shqyptár, por, jo. – Fishta)

1 COMMENT

  1. Po,pse kur kemi qene neve ndonjehere komb?
    I kujt eshte faji,qe akoma edhe sot nuk e kemi gjetur gjuhen pluraliste per principet themelore te shtetit te se drejtes?
    Ndarja e pushteteve: Legjislativi-Parlamenti;Ekzekutivi-Qeveria;Gjyqsori-Gjykata,eshte nje nga principet themelore te shtetit te se drejtes.
    Montesquieu thote qe ndarja e pushteteve eshte e lidhur me emrin e tij dhe bazohet ne idene:” Kushdo qe ka pushtet eshte i prirur te abuzoje,ai shkon deri aty ku gjen nje pengese”
    Ne shkencat shoqerore termi “ pluralizem” i referohet nje strukture ku grupe te ndryshme tregojne respekt e tolerance reciproke,duke jetuar e vepruar ne menyre paqesore,pa konflikte e pa shperdorim detyre,dhe me kryesorja pa synime per te eliminuar tjetrin.
    Shprehja me e bukur e pluralizmit eshte demokracia,populli ne pushtet.
    I kujt eshte faji,qe akoma sot nuk e kemi kulturen demokratike?
    John Devwey,ne lidhje me kulturen demokratike, thote qe nje person per te marre pjese ne demokraci duhet te kete kater cilesi:
    – Te dije te shkruaje e te lexoje
    – Te kete aftesi kulturore dhe sociale
    – Te kete mendim te pamvarur
    – Te kete nje predispozicion per te mbeshtetur te tjeret.
    Ne cilen nga keto pika jemi te manget? Cila eshte arsyeja, qe politikishte ,pjesmarja e te gjithe qytetareve ne percaktimin e politikave nacionale dhe te pergjthshme eshte e dobet?
    Pjesmarja e individit ne sistemin politik ne nivele te ndryshme,nga c’interesimi total deri ne nje detyre politike;qe nga grada e pare e pjesmarjes aktive,qe eshte vota,deri ne nje nivel me te larte,qe eshte interesi edhe pas hedhjes se votes.
    Walt Witman na kujton qe : “Shpesh e kemi stampuar fjalen demokraci,e megjithate nuk do te lodhem te perseris qe eshte nje fjale ne te cilen sensi real eshte akoma i fjetur,nuk eshte zgjuar akoma,megjithe rezonancen e furtunave te terbuara nga te cilat vijne rrokjet e saj,nga penat apo gjuhet.Eshte nje fjale e madhe,historia e se ciles, supozoj,nuk eshte shkruar akoma,sepse ajo histori duhet me perpara qe te behet realitet.”
    Shteti demokratik i cili karakterizohet politikisht :nga pjesmarja e te gjithe qytetareve ne percaktimin e politikave nacionale dhe te pergjithshme, si dhe ne aspektin social:nga nderhyrja e shtetit ne aspektet sociale si shtet social ne pergjithesi ne vendin tone eshte nje shtet i kontestuar gjithmon nga opozita.
    Demokracia te jep te gjitha te drejtat dhe lirite per te cilat njeriu ka nevoje,çdo largim nga ato eshte nje kthim prapa: Barbarizem,Skllaveri,Feudalizem,Totalitarizem.
    I kujt eshte faji qe disa duan ,qe ne te jemi skllever te ideve te kaluara ,qe na mbajten te veçuar dhe te persekutuar?
    I kujt eshte faji qe disa duan qe ne te jemi “barbare”,ujqer per njeri tjetrin,si ata Berserks-et teutonik (luftetare legjendare norvegjez), per te cilet njeri normal eshte ai qe eshte i afte te veproje si nje kafshe e eger?
    Demokracia eshte mirebesim:T’i besosh te drejtat e tua,sovranitetin tend,endrat e e tua,problemet e tua,dinjitetin tend nje tjetri.
    Matteo Palmieri,Firenze,1406-1475, thote :”Njerezit e mire,ne fillim qeverisin veten dhe shtepite e tyre;pastaj mund te qeverisin te tjeret,t’i keshillojne e t’i mbrojne ata.”

Comments are closed.