Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava përkrah ekstremistët islamë dhe i druhet transparencës

0
38

Mulla Osmani e Mulla Idrizi thonë se Myftiu Naim Tërnava përkrah grupet ekstremiste dhe se është njeri që i frikësohet transparencës. Kjo,sipas tyre,është arsyeja se pse u shkarkuan. Të dy imamët pohojnë se nuk do ta respektojnë vendimin e Myftiut.

Myftiu i Kosovës,Naim Tërnava përkrah ekstremistët islamë dhe i druhet transparencës.
Kjo është arsyeja pse ai një ditë para xhumasë mori vendim për shkarkimin e dy kryetarëve të Këshillit të Bashkësisë Islame.

Të paktën kështu thonë Idriz Bilalli e Osman Musliu, të cilën i shkarkoi nga detyra e kryetarëve të këshillit, njëri në degë në Podujevë e tjetri në Drenas. “Myftiu Tërnava po tenton t’i trimërojë grupet ekstreme, të cilat janë ngritur kundër nesh”, pohon Mulla Idrizi, derisa thotë se përveç këtyre arsyeve, myftiu i Kosovës kurrë nuk ka pas diçka personale me të.

“Ne i kemi drejtuar edhe disa kritika në adresë të Bashkësisë Islame, duke i treguar për keqmenaxhimet që bëhen aty. Edhe kjo mund të merret si arsye pse unë sot jam i shkarkuar”, thotë Idriz Bilalli për Express.

Përveç përkrahjes ndaj grupeve ekstreme, sipas Mulla Idrizit, vendimi që BIK ka marrë për shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame në Podujevë është marrë edhe për disa arsye tjera.

Sipas tij, Naim Tërnava e ka bërë këtë vetëm që ta shpërqendrojë situatën aktuale nëpër të cilën po kalon Këshilli i Podujevës. “Ky vendim është edhe një tentativë e ngufatjes së nismës së organizimit sindikal. Shkarkimi im ka të bëjë me tentativa për stopimin e asaj çka ne kemi formuar”, tregon Mulla Idrizi për Express.

Sipas Mulla Idrizit, këto janë ndër shumë arsyet që e kanë shtyrë Tërnavën,që bashkë me klanin e tij brenda BIK-ut, ta marrë vendimin për shkarkim. Por, sipas tij, shkarkimi nuk ka të bëjë asgjë me ndonjë problem personal që ai ka pas ndonjëherë me myftiun.

Të njëjtën gjë e thotë edhe Osman Musliu,kryetar i Këshillit të BI-së me degë në Drenas. Edhe ky e pati fatin e njëjtë sikurse të Mulla Idrizit. Kjo pasi që të dy ishin formues të
Shoqatë Sindikale të Punëtoreve të Bashkësisë Islame, për themelimin e së cilës BIK-u ishte absolutisht kundër.

Derisa Mulla Idrizi thotë se shkarkimi i tij ka mundësi t’i trimërojë ekstremistët, Mulla Osmani thotë se myftiu i Kosovës me këtë vendim ka deklaruar se i frikësohet transparencës.
Arsyeja që i është dhënë Idriz Musliut në vendimin për shkarkim është se ai bashkë me të tjerët që kanë formuar sindikatë, e kanë zbrit imazhin e Bashkësisë Islame. “Zbritje të imazhit ata e kanë konsideruar formimin e sindikatës,daljen publike në media. Më shkurt ai i frikësohet transparencës”, thotë Mulla Idrizi për Express. “ Myftiu nuk ka dëshirë që dikush t’ia zbulojë të gjitha ato që i ka bërë që 7 vite”, pohon ai.

Por,pavarësisht vendimit për shkarkim,Idriz Musliu është paraqitur edhe të premten në punë,sikur të mos kishte ndodhë asgjë. “Njëjtë do t’ia bëj edhe të hënën e ditët e tjera në vazhdim. Nuk do të pajtohem me vendimet e Tërnavës”,thotë i bindur udhëheqësi i Bashkësisë Islame të Drenasit.

Të njëjtën ditë edhe protesta
Myftiut duket se nuk po i ec fjala as te xhemati.
Përkundër thirrjeve të tij që mos të protestohet të hënën për çështjen e shamisë,Lëvizja Bashkohu mblodhi njerëz para Qeverisë.

Ashtu sikurse herëve të kaluara,por me një numër shumë më të vogël,protestuesit u mblodhën pas faljes së “xhumasë”. Edhe këtë herë organizatori i protestës, Fuad Ramiqi e luti turmën që të protestojnë të qetë dhe në mënyrë paqësore.

Por,për dallim nga protesta e vitit të kaluar kur besimtarët myslimanë kishin protestuar për shaminë,kësaj radhe në mesin e protestuesve nuk ka pasur gra. Madje në krahasim me vitin e kaluar,edhe numri i atyre që morën pjesë në këtë protestë ishte i vogël.

Sikurse çdo protestë,edhe kësaj radhe fjalimin e mbajti Fuad Ramiqi,kryetar i “Lëvizjes Bashkohu”. Ramiqi në fjalimin e tij më shumë ka përmendur një manifest të Lëvizjes Bashkohu sesa ka folur për shaminë dhe të drejtat e vajzave që ta mbartin atë në shkolla fillore dhe të mesme.

I gjithë fjalimi i Ramiqit kishte të bënte me fjalët e të tjerëve që kanë thënë për Lëvizjen që ai e udhëheq. “Nuk jemi këtu për të tjerët që na quajtën talebanë, jemi këtu për të drejtën që po u privohet motrave tona. Ata po i ofendojnë nënat e heronjve tonë”, ka thënë ai.

Ai citoi edhe një fjalë të urtë: “Luftën e bëjnë luanët, e paqen e udhëheqin hienat”.
Ramiqi tha para të gjithëve se ai ka qenë një luftëtar, kurse personat që po e udhëheqin shtetin e kërcënojnë demokracinë në Kosovë.

Për t’iu kundërvu kësaj, ai para protestuesve ka shpërnda manifestin e Lëvizjes Bashkohu ku edhe tregohen pikat për të cilat lufton kjo Lëvizje. Ramiqi ka thënë se kjo është hera e fundit që protesta mbahet në Prishtinë, pasi ajo do të mbahet edhe në qytetet e tjera të Kosovë. Për Ramiqin, shamia është një çështje që i preokupon të gjithë qytetarët e Kosovës. Protesta nuk ka zgjatur më shumë se 15 minuta dhe protestuesit iu bindën apelit të organizatorit të protestës që të shpërndahen të qetë.
(GE)