Mustafaj:Topi të kërkojë referendum për zgjedhjen nga populli të presidentit

1
38

25 Gusht 2010

Zgjedhja e Presidentit nga populli, Topi të kërkojë referendum

Analiza/ Trockizmi i Ramës e populizmi i Berishës

E ndoqa me vëmendje të veçantë daljen publike të Aleksandër Biberajt para pak ditësh. Ai shtroi disa probleme të mprehta, që kanë të bëjnë mirëfilli me jetën institucionale të Partisë Demokratike.

Foli me kurajo dhe ndershmëri të vërtetë, por edhe me një dhembje të thellë, dhembje që i buron natyrshëm nga përkatësia e tij demokrate, qysh në themelimin e kësaj partie. Deri vitin e kaluar Biberaj konsiderohej në përgjithësi nga opinioni ynë publik si njëri nga politikanët tanë të rinj më të spikatur, çka nënkuptonte shpresën pozitive, që pjesë të konsiderueshme të shoqërisë sonë mbështesin në karrierën e tij. Sot Biberaj është vënë “në karantinë” nga Partia Demokratike për arsye që sigurisht nuk i bëjnë nder udhëheqjes së kësaj partie.

Por ky aspekt përbën të keqen më të vogël. E keqja e madhe qëndron te dëmi që pësoi në thelbin e vet politika shqiptare për shkak të mënjanimit me qëllim të një numri politikanësh të profilit të Biberajt, nga të dy partitë kryesore gjatë zgjedhjeve të kaluara, duke zvenitur shpresën e bukur të opninionit publik, se jeta politike e vendit tonë, në tërësinë e faktorëve të vet me peshë, qoftë majtas, qoftë djathtas, kishte fituar tashmë pjekurinë e mjaftueshme për t’u afruar drejt qendrës, aty ku është edhe hapësira e vërtetë për kompromise në interesin madhor të përparimit të vendit.

Siç e dëshmon praktika e përditshme e ushtrimit të politikës në Tiranë, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, pas zgjedhjeve të kaluara janë shtyrë dukshëm drejt skajeve, që do të thotë se brenda organizmit të secilës nga këto dy parti është pakësuar ndjeshëm vullneti i sinqertë për kompromise parimore. Dhe është e sigurt, se pa mbisundimin e frymës së kompromisit, nuk mund të pritet qetësimi i shoqërisë sonë të lodhur.

Rrjedhimisht, nuk mund të pritet as forcimi i kohezionit të kësaj shoqërie. Nuk ka nevojë për studime sociologjike të stërholluara për të vënë re se kohezioni i shoqërisë sonë sot është haptas më i brishtë se pesë vjet më parë, kur Partia Demokratike u kthye në pushtet, ndërsa Partia Socialiste e dorëzoi pushtetin brenda normalitetit demokratik.

Kjo ka ndodhur sepse Partia Demokratike në pushtet, sidomos duke filluar nga pranvera 2007, kur humbi zgjedhjet në të gjitha qytetet e mëdha të Shqipërisë përjashtuar Shkodrën, nisi të largohet shumë e më shumë nga qendra, duke përfunduar siç është sot, një parti populiste, e cila e mbush kryesisht skenën politike sa duke sharë e denigruar kundërshtarin, më se shpeshti me një gjuhë parapolitike, aq duke mburrur veten si menaxhere projektesh rrugore, po me një gjuhë parapolitike. Vetëm politikë nuk shohim as dëgjojmë.

Sjellje të tilla do të ishin të papajtueshme me fizionominë paqtuese të një partie të qendrës. Pa synuar t’i krijoj vetes asnjë iluzion, por thjesht për arsye të historisë sime personale në Partinë Demokratike, ditë për ditë marr me dhjetëra mesazhe nga demokratë të vjetër e të rinj, të cilët e kanë të vështirë, shumë të vështirë të identifikohen me një frymë të tillë arkaike të bërjes politikë, siç është populizmi.

Mesa duket, këtë shqetësim që gërryen shpirtin e demokratëve të vërtetë, të cilët e kanë rrethuar dhe i kanë besuar në momentet më dramatike, e ka ndjerë edhe Berisha. Për t’iu shmangur qoftë edhe vështrimit të tyre të brengosur, ai ka zgjedhur rrugën më të shkurtër, atë të asgjësimit të partisë si strukturë e organizuar politike, bartëse e një ideali politik të shenjtë siç është modernizimi i Shqipërisë.

Këtu e kishte hallin edhe Biberaj, mesa arrita unë ta kuptoj. U ndjeva në siklet tek e ndiqja në televizion ish-kolegun tim deputet, siç ndjehem sinqerisht në siklet tek lexoj mesazhet e demokratëve, me të cilët kemi mbushur sheshin Skënderbej për të protestuar në vitet e zorshme 1997, 1998, 1999 e që tani, sipas vetë fjalëve të tyre, nuk dinë më ku është partia e tyre.

Ky brishtëzim i kohezionit të shoqërisë sonë ka ardhur edhe sepse Partia Socialiste sot nuk është gjëkundi ajo e vitit 2005, kur humbi zgjedhjet dhe dorëzoi pushtetin si një parti e pjekur më në fund për ta luajtur me ndershmëri ndaj atdheut lojën demokratike. Nuk do harruar se tetë vjet më parë, në qershor 1997, Partia Socialiste kishte ardhur në pushtet me ca “gjasme-zgjedhje”, në përmbyllje të një kryengritjeje të armatosur, e cila i kishte të gjitha tiparet e shëmtuara të një surrogat-revolucioni.

Pa hyrë në defektet e mëdha të qeverisjes socialiste gjatë dy mandateve, vlen të vihet në dukje se ajo vetë si parti, gjithsesi kishte evoluar së brendshmi pozitivisht, duke u shndërruar në një parti normale të qendrës së majtë, domethënë një parti e përgjegjshme për t’i shërbyer stabilitetit të shtetit me përparësi ndaj interesave të pushtetit të vet. Me të marrë drejtimin e saj, Edi Rama i ra një bilbili djallëzor, që zgjoi thellësitë më të errëta të ndërgjegjes politike të kësaj partie, duke e larguar atë me një shpejtësi marramendëse nga qendra, drejt së cilës ajo ishte afruar me mundim aq të madh.

E them pa kafshuar fare gjuhën, se në veprimet e saj politike më të rëndësishme gjatë kësaj periudhe, kemi parë një parti trockiste, nga ato që as nuk kanë ardhur ndonjëherë në pushtet në Europën Perëndimore, e as nuk kanë gjasa të vijnë fatmirësisht. Vetë elektorati shqiptar në shumicën e tij, siç e dëshmoi edhe vitin e shkuar, midis trockizmit të Edi Ramës dhe populizmit të Sali Berishës, zgjedh me të drejtë këtë të fundit si të keqen më të vogël.

Kam besuar me mendje dhe me zemër se përfshirja një vit më parë e LSI-së në koalicionin qeverisës do të kishte si ndikim kryesor pozitiv, veç të tjerash, edhe njëfarë ushtrimi frenues në turrin e Berishës, për ta tërhequr atë drejt një praktike politike më të qendrës në Qeveri. Zakonisht, bashkimi në qendër ka qenë produkti më i begatë i koalicioneve qeverisëse në botën e lirë.

Sidomos kur këto koalicione janë midis të djathës e të majtës, si në rastin e PD-LSI. Ilir Meta dhe LSI nuk ishin e nuk janë të domosdoshëm në koalicionin qeverisës për të plotësuar numrat në Parlament. Ilir Meta dhe të tijët ishin dhe janë të domosdoshëm për t’i dhënë legjitimitet të qëndrueshëm qeverisjes. Ky argument përbën një fuqi shumë më të madhe sesa po të mbështetej thjesht te aritmetika. Çështja është sa e ka parë në këtë dritë zoti Meta realitetin politik, pjesë e të cilit është bërë me vetëdije. Pa marrë përsipër t’i bëj një analizë funksionimit të këtij koalicioni, po përmend një aspket që më duket simptomatik.

Një numër i konsiderueshëm projektligjesh, të sjella për miratim në Parlament nga Qeveria, të kundërshtuara haptas nga grupet e interesit, nga shoqëria civile dhe nga partnerët strategjikë ndërkombëtarë si tentativa revanshi, apo edhe më zi, si tentativa të Qeverisë për të futur nën “hyqymin” e vet pushtetet apo institucionet e tjera të pavarura sipas Kushtetutës, duke rrezikuar kështu vetë balancat mbi të cilat mbështetet një shtet demokratik, dëshmojnë se deri tani LSI dhe posaçërisht Meta si zëvendëskryeministër, nuk kanë dashur ose nuk kanë ditur të luajnë rolin që pjesët më të shëndosha të shoqërisë sonë prisnin prej tyre.

Nuk kanë ndonjë dobi të madhe dy-tri raste kur deputetët e LSI-së kanë votuar kundër vendimit të shumices ku janë përfshirë. Qartazi ato kanë qenë ca shfaqje të vogla për pak bujë mediatike, mani prej të vogli këto, dhe pa asnjë dobi të vërtetë politike për vendin. Rrjedhimisht, nuk meritojnë ndonjë mirënjohje të opinionit publik. LSI do të na kënaqte neve si qytetarë, kur ta zbuste hidhërimin e praktikës qeverisëse në burimin e vet. Nuk po e bën deri tani.

Gjithnjë e më të shumtë janë në Tiranë e në qytetet e tjera ata njerëz, të cilëve Shqipëria u dhimbset përtej interesave të tyre vetjake. Ata janë edhe më të mërziturit dhe shihen ta kthejnë përditë e më ngultas vështrimin nga Presidenti i Republikës, si shpresa e mbrame. Është një shpresë e natyrshme dhe parimore, sepse mbështetet në germat e Kushtetutës, si edhe në përsonalitetin e Bamir Topit, i cili njihet tashmë mjaftueshëm nga kombi si politikan i ekuilibrit, i sjelljes së mirë me të vetët dhe kundërshtarët, i tolerancës qytetare dhe i respektit të palëkundur tek institucionet e demokracisë. Ai duket sikur i ka të gjitha cilësitë për të qenë njeriu i politikës në qendër.

Them “duket” sepse deri më sot nuk është vënë në ndonjë provë të vërtetë për të na bindur se cilësitë njerëzore dhe intelektuale që ia njohim, janë edhe aftësi të konsoliduara prej burri shteti. Për të mbërritur atje ku e dëshirojmë ne qytetarët e këtij vendi, atë e ka penguar së pari pikërisht “germa” e Kushtetutës, e cila nuk është më ajo e tekstit të miratuar me referendum popullor në vitin 1998. Ndryshimet thelbësore të kryera në Kushtetutë dy vjet e ca më parë, përmes një mirëkuptimi të ëmbël Berisha-Rama, ngjajnë si operacione neurologjike të kryera nga dy njerëz që ia njihnin cilësitë politike dhe civile Bamir Topit dhe pajtoheshin në qëllimin për t’ia bërë pikërisht këto cilësi të panevojshme për vendin. Por kjo nuk është e gjitha.

Vetëpërmbajtja e Bamirit si edukatë për të mos e shtuar tensionin në skenën politike të Tiranës, më ngjan se është kthyer disa herë në dobësi për Presidentin Topi gjatë ushtrimit të funksionit të tij të lartë. Kjo do të thotë, se Bamir Topi i pari nuk duhet të pajtohet me këtë perceptim, të mbjellë nga vetëpërmbajtja e tij, i drejtë apo i gabuar qoftë ky perceptim, që po zë vend në opinionin tonë publik. Kompetencat e tij janë cunguar tepër me ndryshimet kushtetuese, është e vërtetë, por ai e ka ende një kompetencë: të ndërmarrë një referendum për zgjedhjen e Presidentit të Republikës drejtpërdrejtë nga populli.

Do të ishte një kontribut i madh, një kontribut historik madje, po ta nxirrte njëherë e mirë kryetarin e shtetit nga dara noprane e një apo shumë-shumë e dy kryetarëve partie. Në bazë të ligjit tonë themelor, kryetari i shtetit tonë zgjidhet sot me votat e 71 deputetëve, kur edhe Avokati i Popullit zgjidhet me 83 apo 84 vota në Parlament. Kjo nuk ndodh askund. Me ç’shoh e ç’dëgjoj, mendja ma thotë se populli, domethënë “sovrani”, siç shprehet Berisha, do ta mbështeste propozimin për t’ia bërë atij në dorë ta zgjedhë të parin e vendit.

1 COMMENT

  1. Oh ! Sa e veshtire te kuptosh, te duash, te ecesh perpara!
    Ne çdo hap, gjate rruges se gabuar, behet gjithmonë me e veshtire qe te pranosh te kthehesh prapa ne fillimin e gabuar dhe te pranosh qe ke humbur kohe dhe energji.
    Ligesia eshte nje fenomen specifikisht njerezor. Eshte regres per te eliminuar ate qe eshte specifikisht njerezore: Arsyen, Dashurine, Lirine.
    Kafsha nuk mund te jete e lige, ajo vepron sipas instiktiteve te saja per te mbijetuar.
    E liga eshte tentativa per te trasformuar boten njerezore ne bote çnjerezore.

    Kohet po kthehen prapa, njeriu po e kerkon pergjigjen tek regresi. Per Berserks teutonik, (luftetar legjendar norvegjez), njeri normal ishte ai qe ishte i afte te vepronte si nje kafshe e eger, njeri qe sot do te quhej psikotik (i semure).

    Liria e zgjedhjes nuk eshte nje dhunti formale abstrakte, qe e ke apo nuk e ke. Eshte para se gjithash nje funksion i struktures se karakterit te nje personi. Disa nuk e kane lirine e zgjedhjes se te mires sepse struktura e karakterit te tyre nuk eshte ne gjendje te reagoje ne harmoni me te miren. Njeriu i pavendosur eshte ai qe ka problemin e lirise se zgjedhjes. Ketu nje rol te madh luan vetedija.

    Mustafait, siç duket, po i kthehet vetedija dhe po kerkon, si puna e Pilatit, qe te laje duart dhe po kerkon nje gozhdë tjeter ku te vari xhaketen e tij – Topin.

    Je nder themeluesit kryesorë, di gjithçka te duhet per te ecur perpara por s’ke kurajo. Keshilla per ty eshte: Kthehu edhe njeherë tek fillimi, atje ku ke gabuar dhe qe aty perpiqu te rifillosh!

Comments are closed.