Panorama, 02.12.2009
Ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj kritikon qëndrimin e Kryeministrit Berisha dhe kreut të PS-së, Edi Rama lidhur me krizën politike në vend. Në një intervistë për “Ora News”, dhënë gazetarit Roland Qafoku, Mustafaj flet edhe për koalicionin PD-LSI dhe zgjedhjet e reja në strukturat e PD-së. Përse kjo situatë kaq e polarizuar zoti Mustafaj, si e komentoni ju?
Asnjëherë nuk do e kisha imagjinuar që në 8 apo 9 dhjetor ‘90 dhe në dhjetor 2009 shoqëria shqiptare do të ishte aq e polarizuar, e politizuar, e fragmentarizuar. Unë mendoj se në pikën për të krijuar një shoqëri koherente dhe një kohezion në shoqërinë shqiptare politika ka dështuar.
Pse ka dështuar, kush janë fajet e kryeministrit Berisha dhe Ramës?
Nëse e marrim në situatën aktuale nuk marr përsipër t’i vë nota askujt dhe as të ndaj përgjegjësitë se në fund të fundit nuk ka asnjë rëndësi kjo. Por nëse marrim situatën aktuale mendoj se refuzimi nga Rama i njohjes së rezultatit është një akt papjekurie politike dhe ky akt thellohet në mënyrën sesi Rama përpiqet ta kthejë këtë analizë të tij personale në qëndrim zyrtar të forcës më të madhe të opozitës dhe të njërës nga dy forcat ku lëviz pushteti, herë te PD-ja herë te PS-ja. Këto ditët e fundit jam i shqetësuar dhe se kuptoj dot acarimin e Berishës.
Berisha është sot kryeministri i vendit, një kryeministër legjitim, kryeministër, i cili i ka të gjitha mundësitë të luajë rolin e pacifikatorit përballë një opozitari jo dhe aq pacifikues për të mos përdorur ndonjë term më të rëndë. Berisha sot nuk ka një presion ndërkombëtar negativ, përkundrazi. Berisha ka një maxhorancë të qëndrueshme, ka 75 deputetë në Parlament përfshi Idrizin, ka një maxhorancë solide për të qeverisur.
Nuk ka një situatë eksplozive brenda, s’ka një opinion publik të acaruar kundër Qeverisë për arsye të ndonjë krize të veçantë, ka një opinion normal që kritikon, por edhe mbështet kur vjen puna për ta mbështetur politikisht. Dhe ka para, sepse ne e shohim nga buxheti që është në diskutim, le ta lexojmë me vëmendje nuk është një qeveri e varfër tashmë. Ka projekte për investime, ka reforma për të kryer që kërkojnë investime, në shëndetësi, në arsim në përmirësimin e administratës publike. Të gjitha këto duhet ta bënin një kryeministër të qetë, do duhej ta bënin të ishte i qetë.
Gabimi kryesor i Berishës me këtë acarimin e ditëve të fundit është se e barazoi veten me Ramën. Në këtë rast ai polarizoi mbështetësit, përdori një fjalor që nuk i shërben pacifikimit dhe zhduku nga skena faktorin që mund të ndikojë për pacifikim. Mua kjo më shqetëson. Më kujtohet kur ishim në opozitë, sa herë që qeveritarët e asaj kohe, Nano apo të tjerët, i thoshin Berishës kriminel, gjithë PD-ja kompaktësohej, nuk është se shpërbëhej, nuk dobësohej autoriteti i kryetarit tonë midis nesh, përkundrazi. Pra në këtë rast ka ndikuar Berisha në kompaktësimin e PS-së.
Pse e bëri Berisha këtë sipas jush?
Kjo është një pyetje që duhet t’ia bëni Berishës. Unë mund të them që bëri mirë ose që s’e bëri, por s’mund të them pse e bëri.
Me këtë polarizim të politikës, cila është zgjidhja?
Nuk ka 100 zgjidhje. Zgjidhja është që të ulen, të bisedojnë dhe të gjendet kompromisi. Rama e ka shfaqur veten si njeri jo i gatshëm për të bërë kompromis, tani edhe Berisha e shfaqi si njeri jo i gatshëm për të bërë kompromis, mua kjo gjë më shqetëson.
Po nëse kjo vazhdon, sepse problemi është që në shkurt mbaron edhe mandati i deputetëve socialistë…
Ai do të jetë një moment shumë i vështirë për klasën politike shqiptare dhe lidershipin drejtues të Shqipërisë. A do të jetë Berisha dhe maxhoranca pavarësisht çfarë deklaratash bën Topalli, e qetë në ndërgjegjen e vet për të marrë vendimin politik për t’i përzënë nga Parlamenti 64 deputetë socialistë mbështetur vetëm mbi një formalizëm juridik? Formalisht ana juridike, i thotë kushtetuta është kaq, dil matanë.
Ata zëvendësohen me të tjerë…
Po zëvendësohen. Unë këtë nuk e di, nuk e di si do ta zgjidhin. Unë nuk e di a do jetë kjo zgjidhja, nuk do të doja të isha nga ata që marrin këtë vendim në atë moment.
Nuk do ishit dakord?
Do ta kisha shumë të vështirë ta merrja këtë vendim.
Si po qeveris Berisha në mandatin e dytë?
Unë katër ditë në javë jam i mbyllur në përgjithësi, jam duke shkruar romanet e mia, kështu që nuk kam ndonjë analizë shumë të detajuar këtë periudhë. Por është një periudhë ku ende s’është bërë më për të bërë një bilanc ka 2 muaj e gjysmë qeveri, ende është e vështirë t’i bëhet një bilanc. Mendoj se hapi i parë ishte shumë inteligjent, koalicioni me LSI-në.
Si ju duket ky koalicion?
Unë e kam përshëndetur në shtyp, kam shprehur opinionin tim që LSI duhet të ndikojë, sepse atë çka predikonte Edi Rama u krijuan rrethanat për ta bërë Berisha-Meta, domethënë as i majtë as i djathtë. Programi qeverisës duhet të ishte as i majtë as i djathtë, sepse vinte një kontribut i majtë që duhet ta tërhiqte majtas, ta bënte më sociale këtë qeveri. Ishte njëkohësisht në qeveri një maxhorancë me një background liberal që do ta tërhiqte këtë parti, që është parti socialiste LSI-ja, ta tërhiqte drejt qendrës liberale. Programi qeverisës duhet të ishte një kompromis që do të ishte në dobi të Shqipërisë.
Po të marrim modelin gjerman, që ishte një koalicion i qendrës së djathtë me socialdemokratët, prodhoi reforma dhe përballoi krizën, ishte shteti që përballoi më mirë krizën financiare ndër shtete anëtare të BE-së, sepse pati një kompromis mes parimeve socialdemokrate për një shtet relativisht të fortë dhe social dhe parimeve të qendrës së djathtë për një shtet sa më larg, sa më të vogël dhe sa më jo prezentë në ekonomi, të dyja këto dhanë një kompromis i cili në rezultante doli i suksesshëm në gjermani, pastaj fitoi Merkel, sepse ishte më e madhe në zgjedhjet e tjera. Për Gjermaninë ishte pozitive, për socialdemokratët jo. Unë shpresoj se ky koalicion do të jetë një produkt qeverisës pozitiv për Shqipërinë.
Pas disa ditësh do të mbahet Kuvendi Kombëtar i PD-së. Si i parashikoni zhvillimet për postet e reja?
Emërime do të jenë ato, nuk do të jenë zgjedhje në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, nuk do të ketë kandidatura alternative.
Kush do t’i emërojë?
Do ti emërojë sigurisht Berisha.
S’do ketë surpriza?
Nuk do të ketë asnjë surprizë.
Sipas jush kush janë emrat që do të jenë në strukturat e PD-së?
Këta që janë në skenë, nuk do të ketë të panjohur besoj unë.