Mustafaj: Bamir Topi mund të reformojë PD-në

1
41

TemA, 20 Tetor 2011

Lëvizja politike e Bamir Topit pas mbarimit të mandatit presidencial po pritet në kampin blu si një lëvizje që mund të ndryshojë një herë e mirë balancat në Partinë Demokratike apo të ulë ndikimin e saj duke krijuar një front të ri të djathtë. Më qartë se sa lëvizja e ardhshme e Topit, i cili vazhdon të ruajë staturën që i kushtëzon posti i Presidentit, duket frika që ka kapluar kampin blu nga kjo lëvizje dhe vetë kryetarin e partisë, Sali Berisha. Prej ditësh gazetat pranë kësaj partie po e sulmojnë Topin në të gjitha mënyrat dhe me të gjithë fjalorin, edhe pse është presidenti i zgjedhur nga kjo parti pas një karriere politike në PD, ku mbajti detyrën e nënkryetarit. Po si e sheh rikthimin e Topit në politikë, një nga figurat më të vjetra dhe me influencë në PD, ish- ministri i Jashtëm i qeverisë Berisha dhe ish-miku i tij, Besnik Mustafaj.

Duke folur për këtë çështje i ftuar tek emisioni “Shqip” në Top-Channel Mustafaj tha se shihte dy mundësi të rikthimit të Topit në politikën aktive. E para sipas tij është rikthimi brenda PD-së ku ai me statut është anëtar i Këshillit Kombëtar përjetësisht derisa të largohet në ndonjë parti tjetër, dhe në këtë mënyrë të tentojë reformimin e kësaj partie. Dhe e dyta, për të cilën Mustafaj tha që nuk e di se sa e vërtetë është, do ishte krijimi i një partie të re. Në këtë rast Mustafaj thekson se “Bamir Topi ka një staturë të lartë morale dhe angazhimi i njerëzve si ai do t’i bënte mirë së djathtës, por mbetet për tu parë nëse ka dhe një staturë lideri në politikë”.

Nga ana tjetër Mustafaj duket se ka më për zemër një “luftë” brenda partisë “mëmë” pasi shton se “figura si Topi nuk i mungojnë PD-në dhe me angazhimin e tyre brenda partisë ata mund ta reformojnë këtë parti.

“Kur të lërë presidencën ai i ka të gjitha mundësitë për të bërë këtë pasi është anëtar i Këshillit Kombëtar me statut si ish-president. Topi ka eksperiencën dhe pjekurinë e duhur politike për të ndërmarrë lëvizje të tilla dhe sigurisht presidenca vetëm sa ia ka forcuar më shumë staturën politike”.

Gjithsesi Mustafaj nuk foli me siguri se çfarë mund të bënte presidenti aktual në të ardhmen e afërt, por nga diskutimet në këtë panel, ku ishte i pranishëm dhe një tjetër figurë e PD-së e distancuar për shkak të afrimitetit me Topin, Aleksandër Biberaj, u duk sikur kishte një grup njerëzish në këtë parti që prisnin këtë vendim për të parë një mundësi për tu angazhuar politikisht.

1 COMMENT

  1. Nje deputet i Parlamentit Britanik çoi vajzen e tij 8 vjeçe qe te vizitoj ndertesen e Parlamentit ne Westminster.E impresionuar nga bukuria e kollonave dhe ballkoneve,femija qendroi e heshtur per shume minuta,deri sa babai e pyeti:”Per çfare po mendon xhan?” Vajza pergjigjet embelsishte:”Babi,po mendoja qe ne shtepi ti me dukeshe kaq i rendesishem,ndersa ketu,dukesh kaq i vogel.”
    Diten kur çdo parlamentar i yne do ta kuptoje kete gje,athere mund te lindin shpresat per nje ndryshim,per nje reformim.Reformimi kerkon fuqi.
    Weber(Max)thote :”Fuqia eshte mundesia qe nje individ,duke vepruar brenda nje maredhenie shoqerore,te beje te vlefshem vullnetin e tij edhe perball nje opozite.”
    Fuqia eshte e lidhur me konsensusin,miratimin,qe eshte :Aftesija per te gjetur bindje nga ana e individeve te percaktuar ne te cilet ka nje minimum vullneti per t’u bindur,me nje fjale nje interes per t’u bindur.
    A kane ngelur ne Shqiperi njerez te tille?

Comments are closed.