Mustafa Nano:Përballë një regjimi të tillë, edhe çdo qelbësirë që ka arsyet e veta kundër regjimit, duhet parë si një resurs opozitar

0
21

TemA Online, 25 Gusht 2012

Komentatori Mustafa Nano, i peytur lidhur me krijimin e një poli të tretë në politikën shqiptare nga Aleanca KuqeZi dhe FRD, nga gazetarët e “Mapo”, shprehet se për të, do të ishte më mirë krijimi i formimit të një fronti të vetëm kundër këtij regjimi. Madje, sipas Nanos, përballë një regjimi të tillë, edhe çdo lloj qelbësire mund të shihet si një resurs politik. Por, për Nanon, krijimi i një fronti të vetëm opozitar ka shumë pak gjasa që të ndodhën.

“Kam artikuluar një tezë timen para ca kohësh, të cilën, me synimin për të mos e lënë të humbë në tollovinë mediatike, e formulova në mënyrën më provokative të mundshme: “Jemi përballë një regjimi, dhe në rrethana të tilla, deri dhe çdo qelbësirë që ka arsyet e veta të jetë kundër regjimit, duhet parë si një resurs opozitar”. Dhe këtë e kam thënë përpara se Berisha të merrte presidencën dhe SHISH-in. Rrjedhimisht, merret vesh se, po të varej nga unë, do të inkurajoja që ç’ke me të një aleancë parazgjedhore të dy partive të reja me partinë më të madhe të opozitës.

Ka gjasa që kjo të bëhet realitet? Nuk duket se ka gjasa, pasi PS-ja nuk ka charm-in për t’i ndjellë, dhe FRD-ja e AK-ja janë shumë të dhëna pas një identiteti të tyre të supozuar e të pretenduar, e para si një parti e qendrës së djathtë dhe e dyta, si një parti kundër sistemit e rendit të gjërave. Sikur të kisha mundësi, do t’i bindja këto të fundit (ngaqë PS-në nuk e bëj dot më charm-ante), se beteja kundër regjimit është më e rëndësishme se çdo merak identitar, dhe se çdo kompleks i tyre përballë sulmeve e akuzave që mund t’u vinë nga regjimi për “bashkëpunim me të majtët”.

E në rrethanat që nuk do t’i bindja, s’do mend që do të inkurajoja krijimin e një poli të fortë të tretë. Por në këtë mes nuk kanë nevojë për ndonjë inkurajim nga jashtë. Është vetë Kodi Elektoral që i detyron të hyjnë në zgjedhje ose si një pol i gjerë i tretë, ose si një front i gjerë opozitar. Alternativa e tretë, dihet cila është: dështimi total i tyre”, është analiza e Mustafa Nanos.