TemA Online, 24 Mars 2013
Në një shkrim të sotëm te Shqip, Mustafa Nano vendos të shkruajë për Eduard Selamin, shtysë që i erdhi, siç thotë, pasi e pa në tribunën e PD “të lumtur si një fëmijë” dhe pasi e dëgjoi të thotë se “fitorja e PD është fitorja e Shqipërisë.”
“Me Selamin kam menduar se kemi ndarë Idenë e një standardi moral, a koherence, në sjelljen publike, të një kuti moral në vlerësimin e atyre që kanë pretendimin, apo detyrimin, për të ndikuar në drejtimin e vendit. Dhe me zgjedhjen e bërë ai më la të kuptoj se nuk ndajmë më as këtë ide, apo më la të kuptoj se qenkam vetëgënjyer keq kur kam menduar se paskemi ndarë së bashku gjëra kaq të rëndësishme, siç është standarti etiko-moral apo koherenca politike” shkruan Nano.
Më tej Nano shprehet se nuk është i tronditur nga zgjedhja e tij, sepse, “Eduard Selami është thjesht i dorëzuari i fundit në një rradhë që me gjasë do të ketë të dorëzuar të tjerë, të paktën deri në zgjedhjet e datës 23 Qershor. Është një klimë e tërë kapitullimi, që i bën të gjithë të pyesin veten, ‘pse, budalla jam unë? Më të mençur se unë janë të tjerët?’.” Nano përmend ‘kapitullimin’ e Dash Shehit, dhe pyet se a mos është dhe Preç Zogaj i tunduar e duke pritur momentin e ridorëzimit.