Mustafa Nano rrёfen njё telefonatё me Lirakun, – dhe shton me trishtim: Meritojmё banditin qё kemi nё krye

0
64

TemA Online, 5 Nëntor 2012

“Lirakun nuk e kam njohur. Veç në një rast kam folur në telefon me të, në një nga ditët e grevës, nja dy ditë para se të bënte atë gjest të fortë, si pasojë e të cilit gjeti vdekjen. Unë isha në spital për t’i bërë një vizitë Gjergj Ndrecës, i cili lëngonte në shtrat prej plagëve që kish marrë prej vetëdjegies, dhe aty takova gruan e Lirakut, që përpiqej ta mbante të fortë e ta ngushëllonte gruan e Gjergjit. Kur po dilja, e po u jepja dorën, gruaja e Lirakut më dha telefonin e vet, e më tha se ish Liraku që donte të fliste me mua.

Në terma konkretë, nuk mbaj mend ndonjë gjë kushedi se çfarë nga biseda disa minutëshe me të, por pata një ndjesi e shije të mirë, që më pas e lidha, ndoshta kotmëkot, edhe me një empati e simpati të natyrës ‘tribale’ (ai ish nga Skrapari). Por pasi ai bëri gjestin e vetëdjegies, unë zura t’i bëja një lexim aposteriori bisedës me të, dhe më erdhi inat që nuk mund t’i bëja interpretimin e duhur qysh në momentin e bisedës vendosmërisë së tij, që më pas e çoi drejt aktit që synonte vetëflijimin. M’u duk krejt i pandërdyshur në atë që bënte, madje dhe i bindur se kjo grevë do t’ia arrinte qëllimit.

Nuk pati në bisedën tonë asnjë nënvizim të llojit politik, ashtu si nuk pati asnjë pretendim publik të grevistëve për ndonjë natyrë politike të kësaj greve, por motivimi politik, edhe në mos pastë qenë në origjinë të grevës, është përftuar gjatë grevës, pas reagimeve të Kryeministrit tonë rrugaç. Grevistët bënin çmos ta fshihnin këtë motivim, dhe kjo i la pa mbështetje, por personalisht e kam ndier motivimin e fortë politik të grevës. E nuhata këtë dhe tek ajo gjendje vibrante e Lirakut në bisedën që pata me të”.
Sa mё sipёr ёshtё shkёputur nga artikulli i sotёm i Mustafa Nanos nё tё pёrditshmen SHQIP.

“Ndihem si në faj, s’ka gjë se e vetmja marrëdhënie e imja e drejtpërdrejtë me Lirakun ish ajo bisedë telefonike, për të cilën sapo fola. Ndihem si në faj, që nuk bëra asgjë për ta lexuar atë gjendje të tijën teksa bisedonim në telefon, që nuk arrita të shihja në atë vendosmëri të tijën për t’i shkuar grevës deri në fund një shenjë paralajmëruese të aktit të vetëdjegies, e që nuk bëra asgjë për t’ia larguar nga koka idenë e vetëflijimit, – shkruan mё pas Nano dhe e mbyll me njё konkluzion trishtues:

“Ne shqiptarët – dhe ky është rasti për t’iu kthyer shoqërisë shqiptare e për ta vënë në bankën e akuzës – nuk meritojmë flijimin e askujt për qëllime, e me motivime impersonale. Ne meritojmë, me sa duket, veç banditin që kemi në krye të qeverisë, të cilit edhe në këtë rrethanë nuk iu ndenj pa u bërë i gjallë, e pa thënë se “greva e Lirak Bejkos ishte e paguar, se Liraku ishte zgjedhur për në grevë mbi bazën e kartelës shëndetësore”!!!??? E meritojmë, jo vetëm se nuk jemi në gjendje ta ndalojmë ta bëjë Lirak Bejkon t’i vërë flakën vetes, por nuk jemi në gjendje as ta ndalojmë ta mbyllë gojën e vet të ndyrë, pasi Lirak Bejko ka vdekur”

http://respublica.al/artikuj/2012/11/05/mustafa-nano-rryofen-njyo-telefonatyo-me-lirakun-dhe-shton-me-trishtim-meritojmyo