TemA Online, 28 Qershor 2013
Mustafa Nano, një ndër njerëzit më kritikë të kryeministrit Sali Berisha, shprehet se me largimin e tij, duket se merr fund një makth. Për Nanon, tashmë shqiptarët nuk duhet të bëjnë gjë tjetër, veçse ta harrojnë këtë figurë.
“Berisha de facto nuk ka ikur. Por edhe “kaq sa ka ikur”, është një ngjarje e madhe për Shqipërinë. Mund të jetë një nga 3-4 ngjarjet më të mëdha në historinë e shtetit shqiptar. Kemi shpëtuar si prej një makthi. Me ikjen e tij (aq sa ka ikur, pra) është si të kemi dalë të gjithë nga një seancë ekzorcizmi. Është nga ato ngjarje që e ndryshon vetvetiu Shqipërinë, që e bën, në mos tjetër e më në fund, normale. Shqipëria do të mbetet e mjerë, e prapambetur dhe plot halle për shumë kohë edhe pa Berishën, por do të jetë normale.
Dhe ne, mendoj unë, duhet “të bëhemi normalë”, gjithashtu. Si? Duke u marrë sa më pak me këtë njeri. Duke e harruar. Aq sa kjo është e mundur të ndodhë, kuptohet, me një personazh historik. Përsa më takon mua, unë e ndjej se kjo ngjarje më ka ndryshuar. Menjëherë. Në një farë kuptimi, jam gati të ndërroj profesion: Do filloj të bëj gazetarin…”, ka thënë Nano për të përditshmen “Dita”./b.l