Mustafa Nano: Lajmet si qoka për t’u bërë

0
48


Intervistë dhënë Shekullit

“Televizionet tona i kanë shndërruar edicionet informative në foltore ekskluzive të politikës. Drejtuesit po e shohin ditarin e lajmeve si një mënyrë për të bërë qoka në të mirë të njërit apo tjetrit. Përpiqen që të bëjnë një shpërndarje të mirë të qokave, në mënyrë që të mos ketë qejfmbetje të palëve. Nëse japin tre minuta për Edi Ramën do gjejnë se s’bën një mënyrë për ta balancuar me një tre minutësh të Sali Berishës. Nëse Berisha nuk shfaqet atë ditë, televizionet gjejnë një tre minutësh të Jozefina Topallit..” – lexohet në website-in respublica.al që drejtohet nga publicisti i njohur Mustafa Nano. Pohimi është interesant, sepse janë gjithmonë e më tepër shqiptarët që po bojkotojnë edicionet e lajmeve në TV. Shumë stresuese vërtet.

“Publikut i shiten për lajme deri edhe vizita politikanësh në qytete e fshatra të Shqipërisë, konferenca shtypi të zëdhënësve të idiotizuar të shtypit, etj, etj, etj. Të vjen keq që me këtë logjikë i ndërtojnë lajmet dhe ata të Top Channel-it (s’po përmend televizionet talebane të llojit të Klanit). Ku e kam fjalën? Dje kishin si lajm nacional faktin që një rob me mbiemrin Kokona kish braktisur Partinë Socialiste e ish anëtarësuar në partinë e Ilir Metës. Pse? Sepse më parë bën vaki të kenë dhënë për lajm kalimin e ndonjë LSI-sti në radhët e PS-së, dhe me këtë të djeshmen e kanë kompensuar. Kjo s’është gazetari. Këto s’janë lajme – shkruan z. Nano në website. E takuam për t’i marrë një intervistë më të gjerë rreth kësaj bezdisjeje që, përsërisim, nuk është vetëm e tij.

Pyetje: Z.Nano, ideja për këtë intervistë më lindi kur lexova një nano-news tuajin te respublica.al, lidhur me lajmet-qoka në televizion. Ku e keni fjalën saktësisht?

Përgjigje: Ilustrimi që bëja më duket shumë domethënës. Pashë një lajm të televizionit Top-Channel. Koka e lajmit ishte: “Kokona lë PS-në dhe kalon me LSI-në”. Është fjala për dikë me mbiemrin Kokona që ka ndërruar parti. Është lajm ky? Hm, mund të jetë dhe fabula e një filmi hollywood-ian, por lajm nuk mund të jetë.

Pyetje: Po e ilustroni këtë dukuri të shëmtuar me një stacion televiziv që, së paku, siç thonë është më i miri. Dmth për të tjerët…

Përgjigje: (ndërpret) Pikërisht, ngaqë është më i miri. Mund të përfytyroni kollaj se ç’bëhet në televizione të tjera. Në TVSH për shembull; vetëm ideja që TVSH-ja egziston mua më bën që mendja të më shkojë tek gjëra të liga. Po bëra ndonjë krim, ta dini se kjo mund të ndodhë vetëm në shtëpinë time, me televizorin e hapur e të sintonizuar tek TVSH-ja..

Pyetje: Deri këtu ka arritur puna?

Përgjigje: Po, deri këtu. Mua vetëm TVSH-ja do më mjaftonte për të mos ia parë bojën këtij regjimi, që në fakt është i ndyrë edhe për plot arsye të tjera më serioze.

Pyetje: Le ta lëmë TVSH-në. Le të mbetemi tek televizionet e mira..

Përgjigje: Televizionet e mira, por me lajme të këqija. Ja, më thoni, a ka gjë më fyese se sa situata, kur ti ulesh në divan për të ndjekur edicionin informativ të lajmeve, dhe e sheh veten të bombarduar me lajme të tilla, si “Megi Ayteresa lexon një deklaratë të Partisë Socialiste”, “Gerti Bogdani i përgjigjet në emër të PD-së Edi Ramës”, “Haxhinasto takoi homologun e vet maqedonas”, “Liri Berisha ndihmon shoqatën e jetimëve”, etj, etj?

Pyetje: Nuk janë lajme këto, sipas jush?

Përgjigje: Absolutisht, jo. Këto janë qoka. Thjesht qoka. Shto këtu dhe lajmet e kronikës së zezë, shto dhe kronikat e pista parlamentare, shto dhe ndonjë lajm kulturor me ndonjë disk të ri të Çiljetës, shto dhe ndonjë gjë tjetër, e mos e ndërro kombësinë, po deshe!

Pyetje: Pse ndodh kjo, sipas jush?

Përgjigje: Ndodh, sepse pronarët e drejtuesit e televizioneve bëjnë presion mbi gazetarët. E dini si ndodh konkretisht? Le ta zëmë se politikani X merr një takim me të rinj të partisë së vet. Njerëzit që i bëjnë PR-in vihen në lëvizje, s’ka gjë se “ngjarja s’është fare ngjarje”. Për ata është lajm. Dhe ka rëndësi se i sati do jetë ky lajm: i pari, i dyti, apo i treti (se që do jetë lajm, nuk diskutohet). Aty ku nuk u ecën, i thonë X-it, dhe është vetë X-i që merr në telefon pronarin e një televizioni, dhe i thotë, se “kam pasur një takim sot, e do doja ta evidentoja mirë”. Pronari i ledhatuar në sedër prej telefonatës së tij, i thotë: mos u bëj merak! Dhe urdhëron gazetarët. Dhe kështu ndodh që një takim pa pikë rëndësie (shpesh vulgar) u shitet shqiptarëve si lajm nacional.

Pyetje: Në cilin televizion i ndiqni lajmet ju?

Përgjigje: Nuk më besojnë kur ua them të tjerëve, por është e vërtetë: unë zakonisht nuk shoh lajme në televizion.

Pyetje: Pse?

Përgjigje: Një arsye është kjo që sapo ju thashë. Nuk dua të ndihem si i përqeshur me lajmin që Kokona iku nga PS-ja te LSI-ja, apo që Berisha shkoi në malin e Dajtit me mbesat, apo që Rama përuroi një rrugë nga Oxhaku, etj, etj. Arsyeja e dytë s’ka të bëjë me lajmin; ka të bëjë me personazhet e politikës; nuk më bën mirë t’i shoh e t’i dëgjoj; përpiqem t’i shoh sa më pak.

Pyetje: Po si informoheni?

Përgjigje: Fillimisht nga site-et dhe agjencitë online. Këtu në Shqipëri ndjek vazhdimisht site-et e Shekullit, Temës, Balkanweb-in, dhe site-in e Top Channel-it), dhe të nesërmen nga gazetat. Është më higjienike të lexosh gazetat, se sa të shohësh lajme në TV.

Pyetje: Janë dhe disa televizione lajmesh 24 orë non stop, të cilat japin me titra një informacion të up-date-uar..

Përgjigje: Po, në situata emergjente informohem shpejt e shpejt dhe prej tyre. Por janë bezdisëse, gjithsesi. Jam betuar që të mos e shoh më News 24-ën, përsa kohë që në versionin me ekran të reduktuar ata do të japin çdo minutë Berishën duke notuar në Dhërmi. Nuk do ta ndiqja edhe sikur në vend të Berishës të shfaqej Kate Moss nudo; përfytyro se sa mund të shihet orë e çast Berisha duke bërë pllaq-plluq në detin Jon.

Pyetje: Ok. Po sikur t’ju ofronin postin e drejtorit të lajmeve në një televizion kombëtar, do ta pranonit psh?

Përgjigje: Me një kusht: të binin dakord që të mos më shqetësonin me kërkesa për qoka. Mirëpo, ky është kusht që ata nuk janë gati ta plotësojnë. Dhe prandaj mua as që më shkon mendja të bëhem drejtor lajmesh.

Pyetje: Ju keni edhe një website, për të cilin kujdeseni personalisht, respublica.al-in. Po aty ju vetë çfarë lajmesh jipni?

Përgjigje: Hë për hë nuk jap lajme. Është rubrika “nanonews” që keni parë ju, por kjo rubrikë është thjesht një mënyrë tinzare për të shprehur vend e pa vend qëndrimet e mija. Por sikur të jepja lajme, kurrë nuk do të ndillesha nga lajme-qoka. E dini? Një ditë pashë në një stacion autobuzi një vajzë që po lexonte një libër, dhe për mua kjo “ngjarje” vlen më shumë se sa të gjitha çaprashitjet e politikës shqiptare. Bëra një “nanonews” për të.