Mustafa Nano: Familja Berisha po ngjan gjithnjë e më tepër me familjet e despotëve kudo në botë

0
50

ResPublica.al, 20 janar 2013

Mustafa Nano ka dhënë sot një intervistë të gjatë te gazeta Dita ku flet për gazetarinë, Fevziun e Lubonjën, si dhe familjen Berisha. I pyetur nga Adrian Thano për gazetarët e lidhur me pushtetin që fitojnë shifra të paimagjinueshme për publikun dhe kanë vënë gjithashtu si politikanët pasuri të pashpjegueshme, Nano propozon që të bëhet një publikim i pasurive të nja 20 analistëve më të famshëm, kryeredaktorëve jetëgjatë të lajmeve, moderatorëve të talk-show-ve, që publikut të mos i flitet në tym. Të përmbledhura, disa momente pikante të intervistës:

Për mediat:

Massmedia në muajt e ardhshëm do të jetë bartëse e banalitetit elektoral. Do ta kryejë me qejf këtë mision.

Për Fevziun:

Këto punët e pallateve që kanë gazetarët nuk i di mirë. (…) Fevziun e qortoj për tjetër gjë, e qortoj për gazetarinë që bën, e qortoj për faktin që kryeministrin e vendit e fton 6 herë në 3 muaj, e qortoj që bën lojëra të politikës, e qortoj që shpesh e ka shndërruar studion në një qoshe televizive të sunduar nga vulgariteti, thashethemet, baltosja(…), që bën qoka mondane e promocione lapërdhare për ndonjë libër të tijin…

Për Lubonjën:

…Një numër qendrimesh që ky ka mbajtur gjatë 5-6 viteve të fundit më kanë lënë pa gojë. Fjala vjen, qendrimet e tij mbi 21 janarin 2011… kanë qenë mos o Zot! Nuk ka asnjë dëngël morale e moralisti që të justifikojë ato qendrime.

Peticioni i 100 intelektualëve:

“…ata që kanë nënshkruar këtë peticion janë për të ardhur keq. Së dyti, peticione të tilla, tok me nënshkruesit e tyre, na e bëjnë të kuptueshme jo vetëm historinë tonë të 20 viteve të fundit, por çdo moment historik tonin.”

Për familjen Berisha:

“Kjo familje po ngjan gjithnjë e më tepër me familjet e despotëve kudo nëpër botë. Dhe kur them këtë, kam parasysh se plaçkitja e vendit është krimi më i parëndësishëm i tyre”