Nga Mero Baze, 7 Janar 2012
Lexova me vëmendje pretencën e Prokurorisë për Ilir Metën. Shumë njerëz, sidomos ata që nuk durojnë dot më Ilir Metën, janë të dëshpëruar pse akuza ka kërkuar dy vjet burg për të. Të tjerë janë të dëshpëruar se e dinë që Gjykata e Lartë do ta hedhë poshtë kërkesën e akuzës. Të gjitha këto janë emocione që prodhohen jo nga rasti konkret, por nga historia e rasteve të pandëshkueshmërisë në Shqipëri. E vërteta që unë lexova në pretencë, është një punë e lavdërueshme. Prokurorët Bujar Sheshi dhe Anila Leka kanë provuar se Ilir Meta është hajdut. Kjo ka shumë rëndësi për autoritetin e institucionit të akuzës në Shqipëri.
Duke qenë se ai është një krim i mbetur në tentativë, për shkak të denoncimit të Dritan Priftit, nuk ja vlen të gjykojmë për masën e dënimit, sasinë e viteve të burgut, cilësinë e qelisë apo sasinë e lekëve të gjobës. Duhet të gjykojmë për një cilësi që po zhdukej nga drejtësia shqiptare, aftësinë për të gjykuar dhe kërkuar dënim për një politikan të lartë. Prokuroria e ka bërë këtë akt. Dhe kjo nuk është pak. Është e vetmja rreze shprese në errësirën që kanë prodhuar paragjykimet për drejtësinë shqiptare, e cila nuk na ka zhgënjyer kurrë për të qenë pro pushtetit të korruptuar.
Pretenca ndaj Ilir Metës është një vendim i qartë për ta ndëshkuar korrupsionin. Në pretencë ka disa elementë të rëndësishëm të dala nga hetimi, që nuk kanë lidhje me kasetën dhe zhurmën rreth saj, ku e përqendroi Berisha dhe Meta mbrojtjen e tyre.
Elementi i parë që të ngjall respekt për hetimin është se ata kanë provuar gjithçka pa pasur nevojë për kasetën. Gjithçka çfarë shihet dhe dëgjohet në kasetë, prokuroria e ka provuar me elemente jashtë kasete. Fjala vjen, biseda e Ilir Metës për 700 mijë eurot dhe telefonata e tij gjatë bisedës me Priftin, mbështetet jo më nga ajo që shikomë e dëgjojmë, por nga tabulatet telefonike të Metës, Priftit, Agim Rrapajt, vëllezërve Tola, Halilit dhe gjithë personazheve të asaj afere korruptive. Ndërtimi i skenës përmes tabulateve, apo dëshmive të personazheve të thirrur nën hetim, provojnë atë që ne kemi parë dhe dëgjuar në kasetë. Edhe sikur të mos ekzistonte ajo kasetë, me aq fakte sa ka grumbulluar prokuroria, ajo mund të xhirohej si një film dhe të ishte prapë reale.
Elementi i dytë i rëndësishëm i hetimit është qëndrimi ndaj denoncuesit. Organi i akuzës ka përligjur faktin pse Dritan Prifti duhet ta regjistronte Ilir Metën, pas provave që ai ka dhënë dhe që janë provuar të besueshme se ai po i bënte presion për një kohë të gjatë për disa afera korruptive kundrejt pareve, shpërblimeve në aksione ose formave të tjera. Kjo ka rëndësi, pasi mbrojtja e Ilir Metës u fokusua tek zhvlerësimi i denoncuesit dhe zhvlerësimi i kasetës. Të dyja i kanë dështuar, pasi hetimi ka provuar me elementë të tjerë kasetën, dhe i ka dhënë arsyetim jo vetëm logjik, por dhe ligjor regjistrimit të Priftit dhe denoncimit të tij.
Një element tjetër i rëndësishëm në pretencë duket se është dhe zhvlerësimi i dëshmitarëve të mbrojtjes, të cilët kanë ndryshuar dëshmitë e tyre nga prokuroria në gjykatë. Prokuroria lë të kuptojë se ka fakte për të shkuarën e tyre të inkriminuar, por nuk ka dashur t’i përfshijë në këtë hetim, duke lënë të hapur mundësinë që ata të rihetohen për deklaratat e tyre. Kjo nuk ka shumë rëndësi për procesin, por ka rëndësi për cilësinë e njerëzve që dalin në krah të zëvendëskryeministrit të akuzuar për korrupsion. Eleganca me të cilën organi i akuzës i ka portretizuar këta tipa, është një aftësi e admirueshme profesionale, e cila tregon qartësinë që kanë pasur prokurorët e kësaj çështje rreth rastit në fjalë.
Interesant është dhe qëndrimi që prokuroria ka mbajtur ndaj përpjekjeve të gjykatës për të zhvlerësuar si provë kasetën e regjistruar. Organi i akuzës thekson faktin se prokuroria ka pranuar si provë të vlefshme rrugën në të cilën është servirur si provë kaseta dhe qëndrimin e ekspertëve të emëruar prej Ilir Metës në atë çështje e konsideron si dyshues, por të pambështetur në prova shkencore. Ky element me punën që ka bërë organi i akuzës nuk ka më rëndësi pasi ata e kanë provuar skenën e krimit me elementë të tjerë, por ka rëndësi për të zhvlerësuar furtunën politike që Berisha ngriti ndaj gazetarëve të Fiks Fare dhe medies në përgjithësi, që u bazua në sulmet e saj pikërisht tek kjo kasetë.
Por siç e theksova në krye të këtij shkrimi, gjëja më e rëndësishme që sjell kjo pretencë nuk janë detajet profesionale që unë u përpoqa të riprodhoj, por fakti që për herë të parë, një akuzë e mirëpunuar për një zyrtar të lartë, përfundon në formën e një pretence në gjykatë.
Unë kam lexuar dhe dosjen penale të Lulëzim Bashës për segmentin Rrëshen-Kalimash, ku ai është nën akuzë për 220 milionë euro. Prokurori i Tiranës ka bërë një punë të shkëlqyer dhe për moskompetencë e ka kaluar çështjen në Prokurori të Përgjithshme. Sikur të mos ishin bërë lojërat me afate dhe blerja e Gjykatës së Lartë, nëse ajo akuzë përfundonte në pretencë në Gjykatë, siç mund të përfundojë ndonjë herë, ai i akuzuar nuk del më nga burgu. Por guximi për ta dorëzuar atë në Gjykatë fatkeqësisht mungoi, dhe për më tepër mungoi guximi për ta rihapur çështjen. Po ashtu Fatmir Mediu, i akuzuar si përgjegjës për vdekjen e 26 qytetarëve në biznesin që loboi i biri i kryeministrit, nuk përfundoi në Gjykatë për shkak të imunitetit.
Ky është rasti i parë në historinë e drejtësisë shqiptare pas vitit 2005 që një akuzë penale arrin të formulohet në sallën e gjyqit në formën e pretencës nga prokuroria shqiptare. Është një hap i rëndësishëm. Mos gjykoni masën e dënimit që është kërkuar dhe as atë që do të japë Gjykata e Lartë. Pesë anëtarët e Gjykatës së Lartë nuk kanë shansin të jenë më gjyqtarë të kësaj çështje, ata do jenë thjesht të gjykuar. Më 16 janar gjykohet Gjykata e Lartë, jo Ilir Meta. Ai është tashmë i gjykuar.
E paragjykuar ka mbetur Gjykata e Shpresa Becajt, për shkakun e vetëm se nuk na ka zhgënjyer kurrë për të zgjedhur mes pazareve me pushtetin dhe drejtësisë, nga ana e drejtësisë. Prokuroria shqiptare ka anuar nga e drejta përballë pushtetit dhe ky është jo vetëm një lajm i mirë, por dhe një standard që i jep fund epokës së pandëshkueshmërisë. Të paktën muri mbërriti tek pretenca. Kujtohuni qe Lulëzim Basha e ka lënë dosjen tek shkallët e Gjykatës.