Mund t’i besojmë ambasadorit të SHBA për referendum !

0
41


Nga Mero Baze

Në debatin e para disa javëve rreth kushteve të pafavorshme për zgjedhje vendore, ambasadori i SHBA në Tiranë Aleksandër Arvizu, inkurajoi opozitën dhe shqiptarët t’i kthejnë zgjedhjet vendore në një referendum për qeverisjen. Amabsadori Arvizu është tashmë i paragjykuar pa shumë të drejtë si mbështetës i Berishës, por kjo nuk na pengon ta marrim seriozisht deklaratën e tij. Por a mund të jenë zgjedhjet lokale një referendum politik?

Pa diskutim që janë, por jo në tërësinë e tyre, por në cilësinë e ballafaqimit të tyre. Nëse bëhet fjalë se kush do ta fitojë Peqinin apo Rrogozhinën, nuk kam siguri të them se aty qytetarët do t’i konsiderojnë zgjedhjet referendum. Por ka një kampion të këtyre zgjedhjeve që në të vërtetë mund të merren si referendum dhe ai është votimi në qytetet e mëdha dhe zonat e ndriçuara politikisht.

Tirana, Durrësi, Shkodra, Vlora, Elbasani dhe Korça përbëjnë padyshim një kampion elektoral ku edhe zgjedhjet vendore mund t’i konsiderosh referendum. Kjo për arsyen e vetme se elektorati në këto qytete është më i qartë politikisht dhe nuk joshet në votime nga përçarjet brendapartiake apo premtimet banale për ujërat e zeza, rrugicat me asfalt apo lejet e ndërtimit. Në këtë pikë mund të thuhet pa frikë se rezultati në qytetet kryesore të Shqipërisë, qofshin këto bastione të PD apo PS, është një referendum.

Në këtë pikë deklarata e ambasadorit Arvizu është shumë e rëndësishme, nëse ai e ka thënë seriozisht. Kur them është e rëndësishme kam parasysh se referendumi duhet të vlerësohet si referendum, pra duhet të ketë një efekt pas. Për të qenë më i qartë ambasadori duhet të saktësojë se nëse opozita fiton referendumin, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Kjo është logjika e vetme që mund ta na shtyjë t’i quajmë zgjedhjet vendore referendum. Ndryshe ato janë zgjedhje vendore, ku mund të fitojë dhe i pari i fshatit që nuk është as i PS, as i PD.

Por duke mbetur tek ideja që zgjedhjet edhe nëse nuk kanë kushtëzime, do të jenë një lloj referendumi, ato kanë të nevojshme kandidimin e figurave të forta politike në krye të garës. Në këtë pikë debati për Tiranën duket qesharak dhe as që duhet të hamendësohet. Referendumi është në radhë të parë për të marrë votëbesimin ose mosbesimin Edi Rama dhe ai duhet të jetë në krye të garës në Tiranë. Ai duhet të votëbesohet nga kryeqytetasit në një betejë të drejtpërdrejtë politike me Sali Berishën, pavarësisht kë lolo do t’i nxjerrë atij përballë.

Edi Rama nuk është në një fazë normale të karrierës së tij politike, pasi është në një betejë të stërzgjatur politike për transparencën e zgjedhjeve, ku akuza kryesore që po i bëhet është se nuk do të njohë humbjen e Qershorit 2009. Ai ka rastin më 8 Maj të hap kutitë që nuk ja hapi Berisha dhe të testojë votëbesimin popullor ndaj tij. Këtu komentet apo skenarët s’kanë më asnjë vlerë dhe nuk duhet krijuar asnjë mëdyshje. Ai duhet të jetë në krye të garës dhe të udhëheqë fushatën e opozitës duke garuar në kryeqytet.

Dhe modeli i tij duhet të ndiqet në çdo bashki të madhe të vendit, ku duhet të jenë ose kryetarët ekzistues ose figurat e spikatura politike. Kjo është e vetmja mënyrë që këto zgjedhje të kthehen në referendum dhe i vetmi shans që të detyrohet dhe faktori ndërkombëtar të imponojë rezultatet që imponon një referendum i fituar apo i humbur. Çdo arsyetim se ç’do bëhet më tej me zgjedhjet dhe debatin politik në Shqipëri janë debate që thjesht duan të kompleksojnë Edi Ramën për t’i lënë fushën e lirë lolos së radhës së Sali Berishës. Kjo nuk është betejë e Lul-ave dhe tulave, por e Berishës me Edi Ramën.

Si e tillë ajo duhet të bëhet e fortë, transparente dhe shumë politike. Opozita nuk ka luksin të lëshojë asnjë centimetër katror pushtet përballë Berishës dhe as që duhet të dëgjoj sirenat që duan ta tërheqin në breg lidershipin e opozitës për të parë si i shqyejnë ushtarët e saj pa autoritet plaçkitësit e pushtetit. Vetëm një referendum i tillë mund të çojë vendin në një zgjidhje të re politike. Më shumë se kushdo Perëndimi e di mirë se në vitin 2012 nëse Berisha është ende në pushtet, ai merr të gjitha pushtetet që ka pasur Enver Hoxha dikur.

Ai merr përfundimisht dhe presidentin, kryeprokuroren dhe SHISH, dhe pastaj kostoja e ç’montimit të tij ka për t’i kaluar kostos së largimit të Gadafit nga Libia. Në të vërtetë Perëndimi ka nevojë të shikojë një referendum të pakontestuar për ta ndalur më të keqen që mund të ndodhë nëse vendi nuk shkon në zgjedhje të parakohshme. Dhe ajo e keqe nuk ikën më me zgjedhje, dhe as me intifadë gurësh dhe çadrash. Ajo e keqe që mund të gjejë Shqipërinë në vitin 2012, nuk ikën siç tha Berisha as me 3 mijë të vrarë. As sa në vitin 1997.