Mund të vritesh edhe rrugës për në Gjirin e Lalzit!

0
41

Nga Mero Baze, 14 Shtator 2012

Nëse vazhdon rrugën përtej vendit të krimit, ku u vra komisari i Shijakut, rruga të çon në drejtim të bregdetit, dhe nëse dëshiron, deri tek Gjiri i Lalzit. Aty është krijuar oazi i ri i bllokut të pushtetit, të cilët më shumë se ajrit apo detit, më shumë se derdhjes së Erzenit apo Ishmit, i gëzohen njëri-tjetrit, modës së imitimit të bllokmenëve dhe njerëzve me rëndësi të këtij vendi.

Rrinë aty bashkë fundjavave, argëtohen, vizitojnë njëri-tjerrin, vënë gratë në siklet për mobiliet e njëri-tjetrit, flasin për udhëtime të shtrenjta me lehtësi të madhe, takojnë aty brenda sekserë, dhe ndonjë herë kur nuk i besojnë njëri-tjetrit, bëjnë si Ilir Meta me Kastriot Islamin, që hyjnë në det lakuriq për të folur, që të jenë të sigurt se nuk përgjojnë njëri-tjetrin. Kjo mizanskenë e jetës së “bllokut” pasurohet herë nga vizitorë të tjerë, njerëz të biznesit apo nëntokës së krimit, që sjellin peshqeshe dhe ngrenë humorin e pushtetarëve me barsoleta. Herë-herë shfaqet çifti Fullani me tava peshku në duar, për të siguruar një gjyq nga Fullani grua, i cili siguron një mandat të ri për Fullanin burrë. Herë-herë shfaqen njerëz që kanë nevojë për tendera skrapi apo rrugësh, dhe kulmi i festës është kur shfaqen “fëmijët e Atij”, të cilët orientojnë gjithë bllokun me vëmendje tek ata.

Nuk di kush e ka zili këtë jetë blloku, por e besoj se ka plot vanitozë që ëndërrojnë të jenë diku aty rrotull. Ajo që dua të them është se ditën e hënë, kur këta njerëz e kryejnë ritin e gjasme bllokmenëve, u duhet tu hipin makinave dhe të shpërndahen gjysma duke dalë tek kthesa e Sukthit e gjysma tek kthesa e Maminasit. Drama e tyre fillon pikërisht këtu. Aty dhe mund të vriten apo të shkojnë për dhjamë qeni. Mund të ndodhë që të ketë pirë një bandit dhe zihet me policin, ose e kundërta, dhe të dy mund të vrasin qetësisht njëri-tjetrin, duke pasur parasysh se ata që janë atje tek blloku janë shokët e tyre. Në një farë mënyre këta “bllokmenë” të rinj e kanë qeverisur aq keq Shqipërinë, sa përveç pasigurisë që i kanë dhënë jetës së çdo qytetari, dhe përveç pafuqisë për të ndalur këtë valë pasigurie, tashmë janë të pafuqishëm të gëzojnë pushtetin dhe paratë e tyre të vjedhura, pasi janë kthyer në gjah për vetë sistemin e tyre.

Ka dy elementë që duhet të bëjnë tashmë pushtetin të dridhet pas ngjarjes së hidhur të Shijakut. E para është që në historinë e tij të mëparshme, i akuzuari për vrasje ia ka dalë të lirohet nga burgu, pasi sistemi i drejtësisë është vënë në rolin e avokatit të tij, duke i gjetur vetë të gjitha boshllëqet dhe shanset që të jep sistemi të lirohesh pa u gjykuar nga burgu për një vrasje.

E dyta është që krimi është bërë aq arrogant, sa godet dhe vetë pushtetin, i cili në këtë rast ishte nën uniformën e shefit të komisariatit të Shijakut.

Pra, tashmë kur njerëzit revoltohen, kur qytetarët ulërasin për padrejtësitë, kur të pafuqishmit ndeshen me gjykatës të pamëshirë për të marrë lek, kur qytetarët humbasin besimin tek drejtësia dhe janë të pafuqishëm kundër korrupsionit, gjithmonë kihet parasysh se “ata lart”, d.m.th njerëzit e pushtetit i kanë këto privilegje. Gjithmonë nënkuptohet se gjykatësit, policët, ministrat, deputetët apo gjithkush tjetër i kanë këto privilegje.

Ngjarja e Shijakut tregon se situata në Shqipëri ka degraduar aq shumë, sa tashmë rreziku ka kaluar tek pasiguria e vetë pushtetit nga sistemi që kanë prodhuar.

Nëse doni ta verifikoni këtë, shikoni kryeministrin Berisha. Pas ngjarjes së rëndë, ai thuajse vetëm ka heshtur. Ka shkuar në Durrës, ka përuruar një shkollë dhe s’ka guxuar të ngrejë gishtin kundër sistemit që po kërcënon tashmë shtetin e tij privat. Ai që tërsëllinte ndaj çdo politikani që kishte lidhje të dyshimta, tani hesht. Është duke menduar si ta përdorë këtë vrasje të shëmtuar kundër një zyrtari të shtetit, për ndonjë revansh zaptimi pushteti. Fjala vjen, të zëvendësojë ndonjë gjyqtar, që nuk i pëlqen me dikë të vetin, apo të shmangë vëmendjen nga lidhjet e partisë së tij me këtë grup njerëzish.

Është trishtimi që kap pushtetin kur shikon se nuk mund të ndërtojë dy botë, një për vete dhe një për qytetarët. Duke bërë partner krimin në vend për fitime përrallore, ata janë sot duke vuajtur dramën e të ndëshkuarit nga vetë sistemi që kanë prodhuar. Në rrugën nga zyrat e tyre në parajsat e tyre, janë të detyruar të kalojnë mes pritash që ndonjë herë mund të ngrihen dhe për ta nga njerëz të zemëruar të krimit për paburrëritë e tyre.

Mbi Sali Berishën u hodh qesja e parë me miell, si një paralajmërim për çmimin që duhet t’i paguajë gënjeshtrës me të cilën tenton të qeverisë. Është pak e shumë një gjest fyes simbolik ndaj tij, siç ishte preshi ndaj Tritan Shehut në Lushnjë në vitin 1997. Më tej po ngrihet dora ndaj shefave të komisariatit, nesër mund të ngrihet ndaj një ministri e kështu me radhë. Thelbi i asaj që po ndodh është se kur qeveris keq, dhe kur tenton të shesësh ferrin si parajsë, përballesh vetë me të.