Arben Rrozhani, 03.12.2009
Kur mediat dhanë mesditën e djeshme lajmin për takimin në vilën qeveritare 31 mes kryeministrit shqiptar Berisha, të dërguarit amerikan Daniel Frid dhe ambasadorit të SHBA në Tiranë, Withers, nuk ishte herezi të mendoje se mund të kishte një zhvillim pozitiv në acarin e politikës shqiptare të ditëve të fundit.
Aq më tepër kur – për në mbrëmje u paralajmërua një konferencë shtypi e Berishës. Sepse përballë palëve dhëmb për dhëmb, një ndërhyrje e huaj, do të vinte në binarë pushtetin e dalë (dhe të shkarë) pas mashtrimit zgjedhor të qershorit 2009-të.
Por, ajo që panë shqiptarët mbrëmë ishte horrori verbal i radhës i kreut të qeverisë, gjuha vëllavrasëse mes shqiptarëve. Një kryeministër që sulmon si i ndërkryer bizneset më të rëndësishme të vendit të tij, taksapaguesit më të mëdhenj të shtetit, ose thënë shkurt ata që ia paguajnë kryeministrit rrogën, mund të jetë gjithçka, por jo kryeministër. Aq më pak, një kryeministër, për të cilin, edhe thjesht sipërfaqja e ndërtimit, qenka një krim (!).
Fjalimi i tij mbrëmë të kujtonte listën e zezë të shpronësimeve të tregtarëve të vitit 1945, ulërimat për t’ia marrë tregtarëve dhe për t’ia dhënë “pushtetit popullor”. Seleksionimet e tij janë si seleksionimet e 60 viteve më parë, para ekzekutimit të individëve, ndarjes dhe luftës së klasave.
Atë shkulmë denigruese dhe antishqiptare më tepër se antiopozitare duhet ta kenë dëgjuar mbrëmë edhe ato diplomatë që dje i kërkonin kryeministrit të Shqipërisë, pak më tepër vend për ish të burgosurit në Guantanamo Bay dhe disa dhjetëra ushtarë më tepër për forcat antitalebane në Afganistan.
Ky është një traktat i lehtë dhe një ujdi që SHBA do ta arrinin me çdo qeveri shqiptare, sepse ky vend është një burg shtetëror që i zë të gjithë. Çdokush me pak përgatitje fizike dhe ushtarake do të donte të ikte nga ky ferr i paqeverisur për t’u veshur si paqeruajtës në vendin e talebanëve.
SHBA-të, diplomatët e tjerë dhe gjithkush që ka në dorë t’ia heqë veshin dhe t’i thotë t’i thërrasë mendjes, duhet të ndërhyjnë urgjentisht. Ky person po e kthen vendin në një tokë të trazuar që rrezikohet nga jostabiliteti; në një tokë që nuk është më e aftë të eksportojë stabilitet në rajon dhe Evropë; e aq më pak ta mbrojë atë me nizamët e saj fukarenj në Azinë e Largët.
Shqipëria është prej muajsh vendi më jostabël i Ballkanit dhe këtë e dinë edhe diplomatët e huaj, që vetëm lëshojnë apele në eter. Vendi është vërtet anëtar i NATO-s, por ky stabilitet i munguar nuk duhet lënë të na riçojë në anarkinë që mbjell për së dyti S. Berisha, si gjithnjë i kapur me thonj pas pushtetit të vjedhur.
Ndryshe, nuk do të ishte e para herë që Aleanca do të niste paqeruajtësit e saj për të mbajtur rendin në vendin e qeverisur nga Berisha, siç bëri pranverë-verën 1997 me misionin “Alba”.
Shqipëria nuk ka një qeveri legjitime, sepse ajo që mblidhet rreth tryezës ovale të kryeministrisë, është bashkim individësh të paskrupull, përfaqësues të krimit ekonomik, elektoral dhe financiar të vendit.
Disa prej tyre janë kriminelë me imunitet që vetëm dy vite më parë kanë vrarë dhjetëra njerëz të pafajshëm dhe disa të tjerë janë hajdutë xhepash që kanë rrëmbyer paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe fondet e donatorëve të huaj.
Në atë sallë nuk qeveriset vendi, por ndahen llokmat e pushtetit dhe përfitimet prej të qenit në pushtet, privatizimet, koncesionet, pronat e patundshme, fondet e buxhetit të shtetit. Në celularët e atyre ministrave janë sms-të e blerjes së një vendi pune drejtor përkundrejt 100 mijë eurove, sa për fillim.
Në atë sallë bëhen llogaritë se si të mbushet buxheti i shteruar nga abuzimet e shtetit me diktaturën fiskale që ka shteruar portofolat e hollë të qytetarëve shqiptarë. Për të rimajmur financat e degjenerimit qeveritar, ata, me sa shihet, janë gati për gjithçka.
Në atë sallë nuk prodhohet asnjë reformë për ta nxjerrë vendin nga kriza e rëndë financiare, përkundrazi këndohen “suksese” pa fund dhe i thuhet shtetasve që e zeza që e shohin të gjithë është e bardhë dhe nuk ka diskutim! Dhe në krye të kësaj të keqeje të radhës për shqiptarët është po ai lider i dekadës së shkuar.
Ai që erdhi në emër të “shokut Ramiz Alia” në dhjetorin ’90-të për të komanduar lëvizjen studentore, mbeti mbi kryet tonë vetëm për të mbjellë fatkeqësi në Shqipëri.
“Ai përzien lidershipin me monarkinë absolute… konsensusin popullor që e legjitimon për të qeverisur, me një imunitet përballë çfarëdolloj autoriteti tjetër…”.
Ky përcaktim nuk është për Berishën. Janë këto fjalë të denja për një udhëheqës të së djathtës ekstreme evropiane, që ëndërron fronin mbretëror, haremin qeverisës si në vila Çertoza dhe një shoqëri nën këmbët e tij.
Dhe kjo është një pjesë dialogu e vjedhur nga një mikrofon i harruar hapur në Peskara, mes aleatit të Berluskonit, Xhanfranko Fini dhe prokurorit të Republikës italiane, Nikola Trifuoxhi, tre javë më parë.
Ai që ëndërron monarkinë absolute është kryeministri italian, që është zgjedhur me vota të ndershme nga elektorati italian, që ka gjunjëzuar keqas të majtën italiane, e cila nuk po e merr veten pas gremisjes së Valter Veltronit dhe ka ditur ta mbajë Italinë me një mandat qeverisës ndër me jetëgjatët në historinë qeverisëse italiane të pasluftës.
E çfarë do të thoshte “fashisti” Xhanfranko Fini, mik i hershëm i Sali Berishës dhe Jozefina Topallit në ditët e vështira të opozitës, për kryeministrin shqiptar, prej tre muajsh me një mandat të vjedhur, që është vetëshpallur monarku absolut i fqinjit problematik të Italisë dhe që prej më se katër vitesh e ka kthyer vendin në një çiflig?
Dhe që përballë ka një të majtë që ka marrë votën popullore në 28 Qershor 2009-të, por që i është vjedhur fitorja në mënyrën më të shëmtuar dhe më antidemokratike? Mullah i talebanëve në një qoshe të Evropës?